U shua sot…
mbas një shekull jete, një histori shqiptare, copëz Shqipërie, qytetar amerikan…
Shkruante shpesh në median shqiptare, tani do të shkruajnë më shpesh pêr atë. Filloi që sot. Ikja e tij është dhe ardhje…
* * *
Në librin tim studimor “Kartela
të Realizmit të Dënuar” është
dhe KARTELA “Sami Repishti”:
…dhe ai nga këneta e vdekjes, përtej oqeanit në SHBA. I lirë, te dija, te vlerat, te puna e madhe për vepra të mëdha… do të gjente dhe bashkëvuajtësin, t’i bashkonin vuajtjet për të bërë më shumë për atdheun. Me kulturë…
…shkrimtar, historian dhe humanist, veprimtar i çështjes shqiptare në Perëndim, në SHBA, ku dhe jeton.
Atje e takova, “Në gjyqin e Nju Jorkut” siç u quajt përurimi i dy burgologjive të mia, “Rrugët e ferrit“ dhe “Ferri i çarë” në 2013, organizuar nga “Shtëpia e lirisë”…
Në letrat e tij zoti Sami Repishti gjithmonë më drejtohet me fjalën “koleg’ dhe s’harron të shtojë dhe togfjalëshin mallëngjyes “bashkëvuejtës”…
Po, ai ka qenë i dënuar me 15 vjet burg për “agjitacion dhe propagandë’, i ka vuajtur dhe në kënetën-ferr të Vloçishtit, në burgun e Shkodrës, etj. e mbas burgut duhej të punonte prapë kanaleve, pastrues bari deri sa u arratis në vitin 1959.
Vinte nga një familje patriotike shkodrane, babai Hafiz Ibrahimi ishte dhe deputet. Samiu, teksa kryente gjimnazin “Oso Kuka” në Shkodër, u lidh me lëvizjen çlirimtare… shkon të studiojë në Itali, në Firencë, kishte fituar konkursin për në fakultetin e Historisë.
Gjatë pushimeve verore në fshatin e origjinës, në Repishtë i arrestojnë të atin fashistët se kishte strehuar komunistë, e torturojnë dhe vdes në burg.
Samiu, duke qenë i pari i shtëpisë, detyrohet të punojë për të mbajtur familjen, ndërkohë lufton dhe kundër pushtuesit.
Me të ardhur fitimtarët, në pushtetin e ri punon në sektorin e Rindërtimit dhe themelon dhe “organizatën e Rinisë Demokratike”, shpërndajnë trakte, një deputeti anglez që vizitoi Shkodrën, i dorëzon një memorandum për të ndihmuar familjet e të arratisurve.
…arratiset dhe nga Jugosllavia dhe shkon në Itali dhe merr azil politik e më pas emigron në SHBA, ku takon mikun e të atit, Imzot Fan Nolin.
Doktorohet pranë Departamentit të frëngjishtes në City University of New York dhe për 25 vjet ka dhënë mësim në kolegje amerikane.
I përkushtuar për të drejtat e njeriut dhe Kosovën, ka mbi 100 studime dhe artikuj mbi këto çështje, bashkëpunëtor me Shtëpinë e Bardhë dhe organizon konferenca nderkombëtare për Kosovën së bashku me të arratisurin tjetër bashkëvuajtës, Pof. Arshi Pipa. .
Ka botuar tregimet e burgut në librin “Pika loti”, dhimbje dhe frymë dhe më pas e zgjeron rrëfimin e jetës në librin “Nën hijen e Rozafës”, me metaforën e murimit dhe me qumështin e atdhedashurisë.
Kam letra të tij, kujtoj bisedat telefonike me të, – dhe s’jam vetëm unë, – e çmojnë të gjithë për fjalën e kthjellët dhe zërin miqësor, qendrimet korrekte dhe kurajoze, atdhedashurinë si qytetar amerikan, përkushtimin si demokrat. Kështu do të kujtohet përherë. President i pashpallur i shqiptarëve. Emblematik…
Visar Zhiti
27 nëntor 2024