Historiani gjerman Peter Bartl është një nga studiuesit më të frytshëm të historisë së Shqipërisë dhe të shqiptarëve në ditët tona. Lindi më 26 nëntor 1938 në qytetin Kotbus (Cottbus) në landin e Brandenburgut. Ndoqi studimet për histori, romanistikë, sllavistikë dhe drejtësi në Universitetin e Gëtingenit (Göttingen), ku fillimisht ishte i interesuar për historinë e Rusisë. Në Mynih (München) u mor dhe me turkologji. Ishte i prirë për të njohur vende ekzotike dhe në vitet 1960/61 udhëtoi për në Mbretërinë e Afganistanit – në atë kohë një udhëtim i tillë nuk ishte aq aventuresk sa sot.
– Publicitet –
Peter Bartl studioi pranë historianit Georg Stadtmüller (1909-1985), nga i cili mori njohuritë e para edhe për Shqipërinë. Në atë kohë për gjermanoperëndimorët nuk ishte e mundur që të shkonin në Shqipëri dhe të bënin kërkime, pasi ndërmjet dy vendeve nuk kishte marrëdhënie diplomatike për shkak të çështjes së dëmshpërblimeve. Përveç kësaj, në të gjithë Gjermaninë Perëndimore nuk kishte kurse për gjuhën shqipe. Hulumtimi i Europës Lindore dhe Juglindore, që u zhvillua në Gjermaninë Perëndimore në epokën e pasluftës (ose thjesht vijoi në kushtet e Luftës së Ftohtë), ndikohej nga nacionalsocialistë të vjetër si Stadtmüller-i, gjë që nuk i lehtësoi kontaktet dhe bashkëpunimin me vendet e Europës Lindore.
Alternativa më e mirë për Peter Bartl-in ishte afrimi me emigrantët shqiptarë në Europën Perëndimore. Kështu ai ra në kontakt me Ernest Koliqin (1903-1975), shkrimtar i rëndësishëm i paraluftës dhe Ministër i Arsimit gjatë pushtimit italian (1939–1941), si dhe bashkëpunoi në revistën e tij “Shêjzat – I Plejadi”, në të cilën (krahas teksteve me përmbajtje të prapambetur politike) janë botuar gjithashtu shumë artikuj interesantë. Për shkak të lidhjes me Koliqin Bartl-i ishte “i djegur” për komunistët që sundonin në Shqipëri. Ai nuk u ftua ndonjëherë në konferenca dhe në nuk u botua ndonjë shkrim i tij në Shqipëri. Bartl-i e vizitoi Shqipërinë vonë, shumë vite pas ndryshimit të regjimit.
Mentor i Bartl-it u bë Atë Giuseppe Valentini (1900-1979), prift jezuit, redaktor, historian, studiues i kulturës, historian i së drejtës. Bartl-i mësoi shumë nga ky studiues pjellor, veçanërisht për punën në arkiva.
Paralelisht me kërkimet e tij, Bartl-i drejtoi “Albanien-Institut“ / Institutin e Shqipërisë”, të cilin Stadtmüller-i e kishte themeluar vetëm si shoqatë, dhe gjatë gjithë jetës së tij mbikëqyri serinë e botimeve “Albanische Forschungen” / “Kërkime shqiptare”, në të cilën deri më sot kanë dalë rreth 50 studime për gjuhën shqipe dhe historinë e Shqipërisë, punime konferencash, botime jubilare dhe përmbledhje burimesh historike.
Disertacioni i tij, i botuar në vitin 1968 si vëllimi i dytë i kësaj serie, trajtonte rolin që luajtën në lëvizjen për pavarësinë e Shqipërisë myslimanët shqiptarë, të cilët – ndryshe nga vendet e tjera ballkanike – jo vetëm e pranuan shkëputjen nga Perandoria Osmane, por edhe e promovuan atë. Ky studim ishte një punë pionieri, me të cilën kërkimet gjermane për historinë shqiptare rifilluan traditat e tyre.
Në punimin e habilitimit (1974) ai iu përkushtua konfliktit midis osmanëve dhe spanjollëve në Ballkanin Perëndimor rreth vitit 1600, duke marrë në shqyrtim të gjithë rajonin. Ky punim ishte premisa për të marrë më vonë dhe postin e profesorit të historisë për Europën Lindore dhe Juglindore në Universitetin e Mynihut (München), pasi daljes në pension të Stadtmüller-it. Bartl-i qëndroi në atë detyrë derisa doli vetë në pension në vitin 2004. E dhimbshme për të ishte se fokusi për Shqipërinë në Universitetin e Mynihut e humbi rëndësinë pas daljes në pension të tij; biblioteka e Institutit u zhvendos në Universitetin e Vjenës bashkë me studentin e tij Oliver J. Schmitt.
Peter Bartl është marrë vazhdimisht me “shekujt e errët” të historisë shqiptare, me sundimin osman, të cilët jo gjithmonë kanë qenë vetëm të errët. Si një krahinë osmane, Shqipëria ishte objekt i luftërave për pushtet të fuqive ndërkombëtare, të cilat ai i ka ndjekur vijimisht, që nga punimi i tij i habilitimit.
Fokusi i tij më i rëndësishëm ishte roli i feve në këtë vend me larmi fetare. Duke vepruar kështu, ai nuk u ndal në historinë e pastër kishtare, e cila do të kishte trajtuar vetëm strukturat e komuniteteve fetare dhe biografitë e personaliteteve të tyre. Përkundrazi, ai e kuptoi që herët se komunitetet fetare duhet të vështrohen si pjesë e shoqërisë në tërësi. Roli i klerit katolik, në veçanti në historinë kulturore dhe arsimore shqiptare, e magjepsi atë po aq sa ai i myslimanëve në zhvillimin politik dhe shoqëror të vendit të tyre. Për Bartl-in, burimet më të rëndësishme për zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë gjendeshin në raportet e panumërta të klerikëve katolikë, të cilët informonin eprorët e tyre ose Vatikanin për kushtet e vendit. Figura e tij e parapëlqyer u bë peshkopi Vincenc Zmajević (1670-1745), i cili organizoi Kuvendin e Arbënit të vitit 1703 në fshatin Mërqi të Lezhës; atij ia kushtoi përmbledhjen me dokumente burimore në dy vëllime (1975, 1979) dhe i vuri të birit emrin Peter Vinzenz.
Kurorëzimi i punës së tij ishte seria prej 5 vëllimesh “Albania Sacra” (2007–2021), në të cilën ai botoi qindra raporte të vizitave baritore për pesë dioqezat, duke i shoqëruar ato me nga një përmbledhje të shkurtër shtjelluese në gjermanisht dhe me nga një hyrje studimore shumë të detajuar. Titulli i kësaj serie i referohet veprës legjendare “Illyricum Sacrum”, botuar nga jezuiti venedikas Daniele Farlati në shekullin e 18-të mbi historinë kishtare në Ballkan. Bartl-i pati fatin të shihte edhe botimin e vëllimit të fundit.
Bartl-i nuk refuzonte t’u përgjigjej kërkesave për bashkëpunim në manuale dhe enciklopedi të ndryshme. Përshkrimi i historisë së Shqipërisë në librin “Shqipëria. Nga Mesjeta e deri në kohën e sotme” (Regensburg 1995), hartuar prej tij posaçërisht për një publik më të gjerë, vendos standarde në këtë drejtim.
Në vitin 1978 me vjetarin “Münchner Zeitschrift für Balkankunde”, që doli në 15 vëllime, Bartl-i themeloi një tjetër forum të rëndësishëm për ballkanologjinë gjermane (botimi i vjetarit u ndërpre më 1996 për arsye financiare dhe organizative).
Nga mbi 100 artikujt studimorë mbi historinë e Shqipërisë të P. Bartlit, Robert Elsie, i cili u nda nga jeta në vitin 2017, përzgjodhi dhe botoi më 2016 një përmbledhje prej 35 artikujsh në serinë e tij të librave “Studime shqiptare”, një vëllim prej gati 800 faqesh. Aty gjendet edhe një listë e plotë e publikimeve të P. Bartl-it deri në vitin 2013, të cilat janë shtuar edhe me shumë të tjera në vitet më pas.
Angazhimi shkencor i P. Bartl-it nuk kufizohej vetëm me Shqipërinë. Në vitin 1985 ai botoi një histori të shkurtër të Jugosllavisë.
Në vitin 2006, P. Bartl u nderua me një konferencë për nder të tij në Vjenë mbi gjendjen dhe perspektivat e studimeve në fushën e historisë shqiptare, të cilën e kryesonte ish-studenti i tij Oliver J. Schmitt.
Në Shqipërinë komuniste Bartl-i ishte krejt i shpërfillur; problemet që trajtonte ai, nuk ishin ato me të cilat merreshin kolegët e tij shqiptarë. Bartl-i u zbulua vetëm pas ndryshimit të sistemit. Disa nga librat dhe artikujt e tij, duke përfshirë edhe disertacionin mbi myslimanët në lëvizjen për pavarësi, më në fund janë botuar në shqip (“Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare (1878-1912). Tiranë, “Dituria”, 2006”; ”Shqiptarët nga Mesjeta deri në ditët tona”. Tiranë, 2007, IDK; “Ballkani Perëndimor midis Monarkisë Spanjolle dhe Perandorisë Osmane”. “Dituria”, 2011). Bartl-i ka marrë pjesë në një numër konferencash në Shqipëri me referate të rëndësishme dhe u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë. Në vitin 2012 Presidenti Bujar Nishani e dekoroi me Medaljen e Mirënjohjes; fatkeqësisht Bartl-i nuk ishte në gjendje të merrte pjesë në ceremoninë e dekorimit për shkak të sëmundjes.
Peter Bartl ndërroi jetë më 29 mars 2022. Shuarja e tij u ndje thellë si në Gjermani, ashtu dhe te historianët shqiptarë. Kryeministri Edi Rama publikoi atëherë në facebook një nekrologji të shkruar nga Enver Robelli.
Peter Bartl ishte një njeri i dashur e plot humor dhe modesti; atij nuk i pëlqente të vihej në qendër të vëmendjes. Çdo shkencëtar që kishte nevojë për këshillat dhe mbështetjen e tij, mund të ishte i sigurt se do t’i merrte. Ndarja e tij nga jeta ishte një humbje e rëndë jo vetëm për albanologjinë, por edhe për të gjithë ata që e kanë njohur dhe kanë bashkëpunuar me të.dita
Përktheu nga gjermanishtja: Dr. Marisa Janku