Shkencëtarja shqiptare, prof.dr.ing. Mira Mezini, anëtare e jashtme e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, fiton një tjetër trofe, çmimin LOEWE Top Profesorship.
Ky çmim i siguron prof. Mezinit rreth 1.9 milionë euro për një periudhë prej pesë vjetësh për kërkimin shkencor mbi bazat e programimit për zhvillimin e sistemeve të softwer-it të të mësuarit interaktiv të decentralizuar, të sigurt dhe të besueshëm.
“LOEWE” është programi i promovimit të kërkimit shkencor që përdor shteti federal i Hessen-it që nga viti 2008, për të përcaktuar tendencat e politikave kërkimore, me objektivin që t’i japë një shtysë të qëndrueshme peizazhit kërkimor të Hessen-it.
LOEWE do të thotë “Landes-Offensive zur Entwicklung wissenschaftlich-ökonomischer Exzellenz” (Ofensivë shtetërore për zhvillimin e përsosmërisë/ekselencës shkencore dhe ekonomike).
Mira Mezini, profesore e shkencave kompjuterike në Universitetin Teknik të Darmstadt-it (Gjermani); profesore e ftuar në disa vende të Botës, duke përfshirë Britaninë e Madhe; zëvendëspresidente e Universitetit të Darmstadt-it për transferimin teknologjik dhe më pas edhe për kërkimin dhe inovacionin.
Mira Mezini është autore e 233 artikujve shkencorë, të indeksuar në Scopus List dhe i 293 artikujve të kuotuar në Research Gate, me rreth 7000 citime; e cilësuar kërkuese shkencore ekselente me njohje dhe vlerësim ndërkombëtar në fusha shumë të rëndësishme të shkencave kompjuterike si gjuhët e programimit dhe paradigmat, zhvillimi i softuerëve të automatizuar, analiza e programeve dhe siguria e softuerëve; bashkëthemeluese e nëndisiplinës mbi paradigmën e zhvillimit të softuerëve të orientuar duke vendosur parime të reja shkencore.
Mira Mezini, në vitin 2012 ishte fituese e çmimit ERC Advanced Grant me shumën prej 2.3 milionë që e ndan Këshilli për Promovim të hulumtimeve shkencore (European Research Council ERC). Ky është çmimi me vlerën më të lartë monetare që ndahet në Evropë. Me këtë shumë parash ajo planifikon të vejë bazat për programimin softuerik të programit Cloud. Ky çmim jepet nga Bashkimi Evropian prej vitit 2007. Shkencëtarëve që fitojnë këtë çmim në fakt u ofrohen mjete për zhvillimin e projekteve bazike në fushën e tyre të studimit.
Prandaj voal.ch thotë se Mira Mezini fiton një tjeter trofe dhe po ashtu i urojmë që të fitojë edhe trofe të tjera përkrahë sukseseve të saj.
https://www.voal-online.ch/index.php?mod=article&cat=DIASPORAN%C3%8BZVIC%C3%8BRDHEBOT%C3%8B&article=28551&fbclid=IwAR2gM7qE5GIrsSs3QaWy-pXLiPHXlna3jqo1YRe8z-MHQrw0aTpX8K4zEvE