Urime në përvjetorin e lindjes Frazologut, Prof.Dr. Eshref Ymeri!
Fragment i shkëputur nga libri “ Elitat e Mohuara…” e Vilhelme Vrana Haxhiraj F.404- 411
MIKU YNË, ESHREF, GËZUAR DITËN E LINDJES! FESTOFSHI DHE KAQ VITE TË TJERA!
Mirënjohje:“S’është kombi që nderon njerëzit e shquar, po janë ‘ATA’që ia rrisin vlerat dhe nderojnë KOMBIN!”*
Akademiku elita gjuhëtari e frazeologu i shquar, Prof.dr.Eshref Ymeri, është një personalitet dhe individualitet i veçantë i kulturës kombëtare. Ai njihet si një erudit , zotërues i shumë gjuhëve, që ka dhënë vlera të pallogaritshme në fushën e gjuhësisë, të përkthimeve, si dhe në publicistikë, veçanërisht dallon për analizat e situatave politike në vend, në rajon dhe në Evropë…Për vlerat e veçanta për pasurimin e gjuhës shqipe, në hartimin e disa fjalorëve frazeologjik, (Italisht -Shqip-, Rusisht- Shqip dhe Anglisht-Shqip), me mbi 25.500 shprehje frazeologjike secili, pa droje unë e quaj frazeolog. një emërtim që për fat të keq nuk njihet nga institucionet e gjuhësisë në Shqipëri.
Prof.Ymeri është autor bashkëkohor, i cili ka vënë një gur të rëndë në kolanën e artë të kulturës kombëtare, duke na dhuruar krijimtari dhe art real shqiptar. Prandaj, me vullnetin që e ka karakterizuar në punën e tij të palodhshme e ka renditur veten në elitat e kombit.
“Prindërit e Eshrefit nuk jetojnë më,
por një amanet i lanë,
që ta dojë jetën dhe vatan!
Biri i tyre me ndërgjegje kombëtare, thotë:
“Gjuhën shqipe kam NËNË DHE BABË!”
Me punën e tij sistematike qysh kur nisi të mëltojë ABC dhe gjithë jetën, me etjen për dije e kulturë, Eshref Ymeri e ka quajtur veten gjithmonë nxënës. Gjithë jeta e tij është shkollë. Për të njohur personalitetin e këtij gjuhëtari të palodhur në pasurimin e leksikut të gjuhës shqipe, gjatë 60 viteve pune studimore të pallogaritshme . Interesi për njohjen e vlerave të rralla të Eshref Ymerit nuk duhet të jetë jo vetëm nga individët që e adhurojnë veprën e tij, por veçanërisht duhet të interesohen institucionet shtetërore të shkencës dhe të kulturës. Së paku të lexojnë analizat e bëra nga ekspert të gjuhtarisë dhe përkthimit për veprat studimore të tij, si:“Përkthimi, një histori pasioni”(2015); “Arti i përkthimit gojor”(botim i vitit 2018), apo rreth fjalorëve frazeologjik, (Italisht -Shqip-, Rusisht- Shqip dhe Anglisht-Shqip), si: Mira Meksi, Prof:Dr.Hajri Shehu, prof.asoc.dr. Alba Frashëri, Abdurrahim Myftiu dhe Prof.Dr.Rahmi Memushaj etj…
Këto vepra mbartin vlera të mëdha njohëse dhe shërbejnë si një shkollë e vërtetë për të gjithë ata përfaqësues të brezit të ri që kanë pasion t’i futen punës me zell në fushën e leksikografisë dhe të përkthimtarisë.Ato e meritojnë të zënë vendin që u takon në thesarin e kulturës kombëtare.
Cilido ka të drejtë të pyesë: Çfarë ka bërë ky njeri që meritoka një vlerësim të tillë?
Po e nis me jetën, arsimimin , rritjen apo aftësimin profesional dhe vlerat e tij të padiskutueshme…
Jeta dhe arsimimi i Eshref Ymerit
Eshref Ymeri lindi në Smokthinë, më 25. dhjetor 1938. Është i biri i Hasan Ymerit (1890-1970), veteran i Luftës së Vlorës, i dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë me medaljen “Për veprimtari patriotike”, me nr. 4040, datë 14 korrik 1965, me këtë motivacion:
“Për trimërinë, guximin dhe vetëmohimin që tregoi në luftë kundër pushtuesve imperialistë italianë më 1920 për çlirimin e Vlorës”.
Gjyshja e Hasan Ymerit nga i ati, Kale Hodja, ka qenë e bija e Hodo Ali Nivicës, njëra nga figurat e shquara (përkrah Zenel Gjolekës dhe Tafil Buzit) të kryengritjeve antiosmane në mesin e shek. XIX.
Stërgjyshërit e Hasan Ymerit, Lulo dhe Muk Bajrami, kanë qenë bashkëluftëtar të Bilbilenjve legjendarë të Progonatit, të cilët, me urdhër të pashait, i varën në Rrapin e Janinës.
Në një këngë të vjetër, kënduar asokohe, thuhet:
“Hodo Ali hane-hane
Varet nga shkëmbi asdrane (në krye të malit të Smokthinës),
Varet Hodua për Smokthinë,
Të takojë parësinë,
Vetë Lulo Bajram Smokthinë,
Se ka lidhur miqësinë,
Ka dhënë vajzën për të birnë.”
Në një libër me këngë, të botuar para disa vjetësh, të repsodit nga Smokthina, Xhevit Zeneli, figurojnë edhe këto dy vargje:
“…Lulua me Muk Bajramë
Gji në gji se ç’e dhanë xhanë…”
Në vazhdim po japim kronologjinë e jetës së Prof.dr. Eshref Ymerit.
-25.12. 1938 – lindi në Smokthinë, prefektura Vlorë.
-1947 – 1955 – përfundon shkollën 7-vjeçare në Smokthinë.
-1955 – 1959 – përfundongjimnazin “Ali Demi”, Vlorë.
-1959 – 1961 – student në Shën Peterburg (ish-Leningrad).
-1962 – 1966 – përfundon studimet e larta për gjuhë dhe letërsi ruse në Fakultetin e historisë dhe të filologjisë të Universitetit të Tiranës.
-1966 – 1977 – pedagog i gjuhës ruse në Fakultetin e historisë dhe të filologjisë të Universitetit të Tiranës.
Prej 17 majit, deri më, 10 tetor të vitit 1975, Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komitetit Qëndror të Partisë së Punës të Shqipërisë e dërgoi me shërbim në Republikën Popullore të Kinës, ku, në kryeqytetin Pekin, ndoqi nga afër botimin në gjuhën ruse prej 1000 faqesh të vëllimit II të veprave të zgjedhura të Enver Hoxhës.
Më 1977 (shtator).Universiteti i Tiranës e qarkullon padrejtësisht në Kukës. Rri pa punë deri më 25 mars 1979. Ndërkohë, Shtëpia botuese “8 nëntori” e aktivizoi gjatë kësaj kohe si përkthyes të jashtëm të veprave të Enver Hoxhës në gjuhën ruse.
Më 26 mars 1979 – 31 korrik 1981 – përkthyes efektiv në Shtëpinë Botuese “8 nëntori”.
-01 gusht 1981 – 31 tetor 1989 – shef i Redaksisë së botimeve në gjuhë të huaja në Shtëpinë botuese “8 nëntori”.
-01 nëntor 1990 – 31 dhjetor 1991 – përkthyes efektiv në Shtëpinë botuese “8 nëntori”
-01 janar 1992 – 31 gusht 2003 – pedagog i gjuhës ruse në Fakultetin e gjuhëve të huaja të Universitetit të Tiranës.
– 01 shtator 2003 – shkëput marrëdhëniet me punëm,pasi del në pension.
Fakulteti i gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, në kuadrin e programit TEMPUS, më 02 dhjetor 2001, e përfshiu në një grup pedagogësh të përkthimit nga gjuhë të ndryshme (si anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja dhe italishtja), të cilët i dërgoi në Britaninë e Madhe, pranë Universitetit të Uestminsterit, ku qëndruan një javë për shkëmbim përvoje nga fusha e përkthimtarisë.
Aktiviteti pedagogjiko-shkencor
Eshrefi është autor i teksteve mësimore që janë botuar ndër vite:
Më,1968. Tekst mësimor për zhvillimin e gjuhës së folur të studentëve të kursit të parë të gjuhës ruse (botim i Shtëpisë botuese të librit universitar).
Më,1972. Tekst mësimor për zhvillimin e gjuhës së folur të studentëve të kursit të dytë të gjuhës ruse (botim i Shtëpisë botuese të librit universitar).
Më,1974. Tekst mësimor për gramatikën e gjuhës ruse për të katër kurset e studentëve të gjuhës ruse(me grup autorësh, botim i Shtëpisë botuese të librit universitar).
Më,1981. Analizë teksti për studentët e kursit të parë dhe të dytë të degës së gjuhës ruse(me bashkautor, botim i Shtëpisë botuese të librit universitar).
Më,1982. Tekst me tema bisedimi në ndihmë të zhvillimit të gjuhës së folur për mësuesit e gjuhës ruse (botim i Institutit të studimeve pedagogjike).
Më,1984. Formula bisedore. Tekst në ndihmë të mësuesve të gjuhës ruse (botim i Institutit të studimeve pedagogjike).
Më,2002. Gjuha e folur ruse. Tekst mësimor për studentët e të katër kurseve të degës së gjuhës ruse (botim i Shtëpisë botuese të librit universitar).
Lëndët mësimore praktike
Gjatë kohës që ka punuar si pedagog në Fakultetin e historisë dhe të filologjisë dhe në Fakultetin e gjuhëve të huaja, ka dhënë:
-Lëndën e gjuhës së folur ruse në të katër kurset.
-Lëndën e gramatikës praktike të gjuhës ruse në kursin e parë dhe të dytë.
-Lëndën e analizës së tekstit në të katër kurset.
Kurse leksionesh
-Leksionet e stilistikës së gjuhës ruse (bashkë me seminaret).
-Leksionet e gjuhësisë së përgjithshme.
-Leksionet e letërsisë ruse (bashkë me seminaret).
-Leksionet e përkthimit (bashkë me ushtrimet e përkthimit).
Artikuj metodiko-shkencorë dhe shkencorë
Artikuj të tillë janë botuar në gazetën “Mësuesi”, në revistën “Studime filologjike” dhe “Gjuha jon ë” gjatë viteve 1970-1980.
Përkthime të letërsisë politike
Në Shtëpinë botuese “8 nëntori”, gjatë viteve 1978-1990, ka përkthyer 3200 faqe letërsi politike nga gjuha shqipe në gjuhën ruse.
Përkthime artistike
Gjatë viteve 1998 e në vazhdim, ka përkthyer dhe botuar vepra të shkrimtarëve:
Aleksej Prijma:“Edgar Kejsi” (Sh.B “OMSCA”, Tiranë 1999).
F.M. Dostojevski:“Një zemër e dobët” (Sh.B “OMSCA”, Tiranë 1998 dhe Sh. B “ABC”, Tiranë 2008).“Sozia” (Sh.B. “OMSCA”, Tiranë 2000).“Pollzunkovi” (një roman me nëntë letra) (Sh.B.“OMSCA”, Tiranë 2000). “E zonja e Shtëpisë” (Sh.B “OMSCA”, Tiranë 2001). “Një grua bote dhe një burrë poshtë shtratit” (Sh.B. “OMSCA”, Tiranë 2002).
Italo Kalvino:“Përralla italiane” (Sh.B. “Deas”, Tiranë 2000).
Nikollaj Kolada:“Nishani”. Dramë. Vënë në skenë në Teatrin Kombëtar, më 2003.
Ludmilla Razumovskaja:“E dashur Elena Sergejevna”. Dramë. Vënë në skenë në Teatrin kombëtar në vitin 2007.
Zheni Kostandinova:“Vanga” (Sh.B.“OMSCA”,Tiranë, 1999).
Zhorzh Amadu:“Zonja Flora dhe dy burrat e saj” (Sh.B.“OMSCA”,Tiranë, 2001).
Kobo Abe:“Gruaja e burgosur në rërë” (Sh. B.“Bota shqiptare”.Tiranë, 2012).
Leonid Grossman:“Pushkini në kulturën ruse”. Sh.B. “Bota Shqiptare”. Tiranë, 2014.
Përkthime nga shqipja në rusisht
Vath Koreshi:“Porta Eva”. Skenar filmi, prodhim shqiptaro-rus. Regjisor: Albert Minga. Producent: Aleksandër Mihajllov. U xhirua në Shqipëri në vitin 2000 dhe doli në ekran në vitin 2001).-“Ky është profeti Muhamed, i dërguari i Zotit për mbarë njerëzimin” (përgatiti për botim dhe botoi Instituti shqiptar i mendimit dhe i qytetërimit islam (Tiranë 2008).
Fjalorë:
“Fjalor i termave të mbrojtjes kundërajrore” (me bashkautorë, botim i Akademisë ushtarake, Tiranë1990).
“Fjalor frazeologjik italisht-shqip” (me bashkautor,Sh. Botuese “Afërdita”, Tiranë 1997).
“Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe” (me bashkautorë,Sh. Botuese “TOENA”, Tiranë 2002).
“Fjalor i madh frazeologjik italisht-shqip” (me bashkautorë, Sh.Botuese “EDFA”,Tiranë 2007). “Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe” (i pasuruar dhe i ripunuar) (me bashkautorë, Sh. botuese “EDFA”, Tiranë 2007).
“Fjalor frazeologjik rusisht-shqip” (Sh. Botuese “Bota shqiptare”. Tiranë 2015).
Redaktime fjalorësh:“Fjalor rusisht-shqip” (grup autorësh, Sh.Botuese“EDFA”, Tiranë 2005).
“Fjalor shqip-rusisht” (autore prof.as.dr. Mukades Mançe) (Sh. Botuese “EDFA”,Tiranë 2007).
Publicistikë
Prej vitit 1991 dhe deri tani ka botuar 1237 artikuj publicistikë në mbrojtje të çështjes kombëtare, veçanërisht në mbrojtje të Çështjes Kombëtare të Kosovës, të Çamërisë, të popullit shqiptarë në Maqedoni, kundër qëndrimeve shoviniste të grekosllavizmit dhe sidomos kundër politikës shoviniste rusomadhe në raport me kombin shqiptar, kundër pushtimit të kishës sonë ortodokse nga kisha shoviniste greke. Vend të veçantë zënë edhe artikujt e tij kritikë, me vlerësime për vepra artistike të autorëve të ndryshëm. Krahas intelektualëve të tjerë nacionalistë, ka ngritur zërin e tij tëfuqishëm për ribashkimin e trojeve tona etnike. Në publicistikën e tij kanë rënë në sy edhe artikuj me tema shoqërore apo edhe artikuj polemikë.
Botime të tjera
“Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse” (me bashkautor, Shtëpia botuese “TOENA”, Tiranë,2006).
“Antologjia e kryqëzimit: Rusia dhe çështja shqiptare 1878-2012”(me bashkautor. Universiteti “Iliria”. Prishtinë 2012).
“Përkthimi, një histori pasioni” (Sh.B.“OMSCA-1”. Tiranë 2015).
“Arti i përkthimit gojor” (Botim i studios “Intergrafika”. Tiranë 2018).
Kualifikimi shkencor
16. 12. 1989. Merr gradën shkencore “Kandidat i Shkencave” (me vendim nr. 208 të Komisionit të Lartë të Atestimit).
14. 12. 1994. Grada “Kandidat i Shkencave”, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 351, datë 30.06. 1993, konvertohet në gradën shkencore “Doktor”.
13. 12. 1994. Merr titullin “Asistent Profesor” (me vendim nr. 11 të Komisionit të Lartë të Kualifikimit Shkencor).
11. 05. 2001. Merr titullin “Profesor” (me vendim nr. 53 të Komisionit të Lartë të Kualifikimit Shkencor).
Përkthyes gojor
Si përkthyes nga rusishtja në shqip dhe nga shqipja në rusisht, ka marrë pjesë:
a. në të gjitha konferencat e Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Vendeve të Detit të Zi (PABSEK), të zhvilluara në Tiranë.
b. në disa aktivitete të Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar të zhvilluara në Tiranë;
c. në disa aktivitete të UNICEF-it dhe të IOM-it të zhvilluara në Tiranë.
Si përkthyes, ka shoqëruar:
1. Delegacionin e Parlamentit Shqiptar, të kryesuar nga Kryetari i tij, zoti Pjetër Arbnori, gjatë vizitës së tij:
a. në Shën Peterburg, ku ishte i ftuar nga Universiteti i atij qyteti për të marrë pjesë në një sesion shkencor në përkujtim të 5-vjetorit të vdekjes së albanologes së shquar ruse Desnjickaja (01 qershor 1995);
b. në Moskë, ku u zhvillua konferenca e radhës e PABSEK-ut (04-07 qershor 1995).
2. Delegacionin e parlamentit rus, të kryesuar nga zëvendëskryetari i tij, zoti Sergej Baburin, i cili zhvilloi një vizitë në vendin tonë nga data 17 deri më 19 mars 1999. Gjatë qëndrimit në Tiranë, kryetari i delegacionit rus zhvilloi bisedime me:
a. Presidentin e Republikës, prof.dr. Rexhep Meidani;
b. Kryetarin e parlamentit, prof.dr. Skënder Gjinushi;
c. Kryetarin e Këshillit të Ministrave, zotin Pandeli Majko;
ç. Zëvendësministrin e punëve të jashtme, zotin Maqo Lakrori.
d. Kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Shqiptar, zotin Sabri Godo, bashkë me anëtarët e atij komisioni;
dh. Kryetarin e opozitës, prof.dr. Sali Berisha.
3. Delegacionin e Parlamentit të Armenisë, të kryesuar nga Kryetari i tij, gjatë vizitës që bëri në vendin tonë më 28 qershor 2000, kur filloi punimet edhe Konferenca e radhës e PABSEK-ut.
4. Delegacionin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit gjatë vizitave që bëri në Armeni:
a. në tetor 1998;
b. në shkurt 1999.
5. Delegacionin e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, të kryesuar nga ministri Safet Zhulali, gjatë një vizite që ky bëri në Ukrainë prej 24 deri më 27 shkurt 1997, me ftesë të Ministrit të Mbrojtjes së Ukrainës, gjeneral Kuzmuk.
6. Një grup gazetarësh nga Ukraina që vizitoi kampet e refugjatëve kosovarë në Durrës dhe në Tiranë më 13-15 qershor 1999.
7. Tre grupe gazetarësh nga Ukraina që vizituan Kosovën në korrik, në shtator dhe në dhjetor të vitit 1999. Përshtypjet e veta nga Kosova, gjatë shoqërimit të grupit të parë të gazetarëve ukrainas (korrik 1999), i botoi në shtyp me titull “Kur Kosovën unë e pashë” (Gazeta “55”, 26-27 gusht 1999).
8. Një grup gazetarësh nga Federata Ruse që vizitoi Kosovën në nëntor të vitit 1999. Përshtypjet e veta për shoqërimin e gazetarëve rusë i botoi në shtyp me titull “Dertet e një përkthyesi” (Gazeta “55”, 4-10 dhjetor 1999). Të gjitha këto grupe gazetarësh e vizituan Kosovën me sponsorizimin e Zyrës së Shtypit të NATO-s në Bruksel.
Vlerësime
I. Shoqata kulturore atdhetare “Labëria”, me Kryetar Prof.dr. Ago Nezha dhe Sekretar Xhemil Çeli,me vendim të Forumit të saj, të datës 31 mars 2013, e ka nderuar me Diplomën “Personalitet i shquar i Labërisë”, me këtë motivacion:
“Profesor doktor, gjuhëtar i shquar, me kontribut të çmuar në zhvillimin e gjuhës shqipe dhe njohjen e saj në rrethe të larta intelektuale në Evropë dhe në SHBA. Një nga bijtë e Labërisë, që me veprën, jetën e sjelljen e tij nderon trevën e lindjes dhe mbarë kombin shqiptar”.
II. Me propozim të Bordit dhe të Senatit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve Shqiptaro-Amerikane Nju Jork, Prishtinë, Tiranë, Shkup, më datën 27 prill 2017 është pranuar anëtar i kësaj Akademie.
Cilido që ka pyetur, pasi njeh jetën dhe veprën e tij, jo vetëm hesht, por e miraton vlerësimin e tij të merituar dhe të fituar me punë: Akademik, Prof.Dr.Eshref Ymeri një Elitë Kombëtare, e ka vendin në Panteonin Kombëtar, ashtu si dhe 89 personalitetet e tjera të përfshira në librin “Elitat e Mohuara , Krenari Kombëtaret”.
GËZUAR DITËLINDJEN,MIKU YNË I MIRË!
Urimet më të përzemërta Prof.Dr.Eshrefit nga Familja Haxhiraj!
Miku ynë i nderuar, ESHREF, Ju urojmë jetë të gjatë dhe sa më shumë pasuri vlerash për gjuhën shqipe!Të rroni bashkë me Znj.Hava që të gëzoni fëmijët me bashkëshortët e tyre si dhe nipat e mbesën! Zoti Ju gëzoftë me një dhuratë tjetë të vyer nga Kesi!
Me respekt he dashuri vëllazërore!
Bashkë me ditëlindjen Ju urojmë Gëzuar Vitin e Ri 2021! Qoftë Vit i Mbarësisisë dhe kthesës së madhe në gjithë botën!Kalofshi dhjetëra ditëlindje dhe përjetofshi sa më shumë Agime Vitesh të Gëzuara!
Vilhelme Vrana & Fitim Haxhiraj, bashkë me 8 zemrat tona
Vlorë,24.12. 2020
vo: * Citatin për Elitat e kam vendosur në fillim të librit tim studimor “Elitat e Mohuara, Krenari Kombëtare”, që i takon të 90 personaliteteve të përfshira në libër…