Produktet me origjinë nga Serbia vazhdojnë të zënë një hapësirë të madhe në shportën e konsumatorëve në Kosovë, edhe pse kohëve të fundit janë bërë më të shpeshta thirrjet për bojkotimin e tyre.
Gjatë vitit 2022, Kosova importoi nga Serbia produkte në vlerë prej 371.6 milionë eurosh, ndërsa eksportoi atje gjashtë herë më pak, përkatësisht 60.7 milionë euro produkte.
Në rrjetin social Facebook ka kohë që është formuar një grup me emrin “Mos bli prodhime serbe”, i cili numëron mbi 110 mijë anëtarë.
Kjo thirrje duket se ka ndikuar te disa qytetarë që ta verifikojnë vendin e origjinës së produktit para se ta blejnë atë.
“Po gjejmë produkte vendore, po ashtu ka produkte nga shtetet e tjera. Nuk kemi nevojë t’i marrim të Serbisë”, thotë Hasime Maliqi, banore në Prishtinë, për Radion Evropa e Lirë.
Ajo tregon se në shtëpinë e saj nuk ka asnjë produkt të Serbisë – nisur nga pijet freskuese deri te mëlmesat.
“Si ta shoh flamurin në raft, nëse është i Serbisë, nuk afrohem as ta këqyr”, thotë ajo.
Bashkëqytetarja e saj, Valbona Olluri, thotë se ka vepruar ngjashëm.
“Ne nuk i blejmë këto [produkte] të Serbisë. S’e përdorim më vajin e Serbisë. Po e blejmë të Kosovës apo të ndonjë shteti tjetër. Edhe produktet e tjera në kuzhinë… vetëm vendore ose të ndonjë shteti tjetër”, thotë Olluri.
Endrit Binakaj, përkrahës i fushatës online “Mos bli prodhime serbe”, thotë se, prej vitesh, nuk blen produkte me origjinë nga Serbia. Qëllimi kryesor i tij thotë se është t’i mbështesë prodhuesit vendorë.
“E kam parë edhe në rrethin tim që është një ngritje e vetëdijes për t’i bojkotuar produktet me origjinë nga Serbia. Kjo po vërehet nga secili prej nesh që frekuentojmë dyqanet, sepse produktet serbe po shiten me zbritje të mëdha, pasi ato kanë mbetur në rafte të dyqaneve dhe nuk i blen askush”, thotë Binakaj për Radion Evropa e Lirë.
Ai dhe mbështetës të tjerë të fushatës thonë se ajo është motivuar nga kundërshtimi politik që Serbia i bën shtetit të Kosovës.
Kosova ka shpallur pavarësinë në shkurt të vitit 2008, por Serbia nuk e njeh ende atë. Dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011.
Në Kosovë ka pasur shpesh thirrje për bojkotimin e produkteve serbe, përfshirë edhe nga partitë opozitare, ndërsa e fundit “Mos bli prodhime serbe” është aktualizuar në fillim të muajit dhjetor, pak kohë para festave të fundvitit, kur zakonisht ka rritje të ndjeshme të sasisë së produkteve që blejnë qytetarët.
Por, përkundër saj, të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se vlera e importit nga Serbia ka qenë më e madhe në muajin janar të këtij viti sesa në janar të vitit 2022.
Sipas tyre, këtë janar, vlera e produkteve të importuara serbe ka qenë 17 milionë e 804 mijë euro, krahasuar me janarin e kaluar, kur ka qenë 16 milionë e 311 mijë euro.
Se cili ka qenë ndikimi i fushatës “Mos bli prodhime serbe” më vonë, mbetet të shihet, por, sipas njërit prej mbështetësve kryesorë të saj, Burim Piraj, njëherësh pronar i fabrikës së mishit “Meka” në Prizren, qytetarët, në masë të madhe, janë duke refuzuar blerjen e prodhimeve nga Serbia.
“Fushata jonë ka ndikuar që të rritet patriotizmi ekonomik në vend, i cili na ka munguar për shumë kohë dhe po reflekton tani te prodhuesit vendorë… pasi produktet e tyre po shiten më shumë”, thotë Piraj për Radion Evropa e Lirë.
Në qytetin e Ferizajt, dyqani ushqimor “Plus Center” ka vite që nuk mban në raftet e tij produkte ushqimore me origjinë nga Serbia.
Në këtë biznes thonë se largimin e këtyre produkteve e kanë bërë për ta “edukuar” konsumatorin që të konsumojë produkte vendore.
“Artikuj vendorë ka sa të duash, mall ka sa të duash, ushqime vendore ka sa të duash”, thotë Remzi Bytyqi, menaxher në këtë biznes.
“Prej se është aktualizuar fushata ‘Mos bli prodhime serbe’, e kemi një fluks më të madh të konsumatorëve. Viti i kaluar ka qenë vit që e kemi përmbyllur me një sukses shumë të madh”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
A janë rritur çmimet e prodhimeve vendore?
Disa qytetarë, të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se kanë vërejtur rritje çmimesh.
“Ne nuk po i blejmë të Serbisë, por është fakt se janë shtrenjtuar produktet vendore, si: vaji, mielli, vezët etj.”, thotë Valbona Olluri.
“Të gjitha produkteve u është rritë çmimi, por së paku këtyre vendoreve nuk duhet t’u rritet aq shumë”, thotë edhe Hasime Maliqi.
Ankesa për rritje çmimesh, të dëshmuara me fotografi, janë postuar edhe në Facebook, në grupin “Mos bli prodhime serbe”.
Binakaj, përkrahës i kësaj fushate, thotë se prodhuesit nuk duhet ta shfrytëzojnë situatën për të përfituar “në kurriz të konsumatorëve”.
“Nuk është një veprim i mirë i bizneseve që ta shfrytëzojnë rastin, t’i rrisin çmimet dhe ta dëmtojnë konsumatorin”, thotë Binakaj.
Remzi Bytyqi, nga kompania “Plus Center”, pranon se ka parë komente të shumta të qytetarëve që ankohen për rritje të çmimeve të produkteve vendore. Por, ai thotë se prodhuesit vendorë, në disa raste, kanë qenë të detyruar t’i rrisin çmimet, për shkak se është shtrenjtuar lënda e parë që ata e importojnë për prodhime të caktuara.
Sipas tij, prodhuesit vendorë mund të gjejnë zgjidhje për të ruajtur “trendin e mirë” të prodhimeve të tyre.
“Të punojnë me një marzhë më të vogël të fitimit që të mos zhgënjehen qytetarët”, thotë Bytyqi.
Ngjashëm shprehet edhe Burim Piraj, i cili është edhe vetë prodhues.
“Ne po mendojmë se kjo tezë e shtrenjtimit të produkteve vendore është lansuar nga ato subjekte, të cilave nuk u konvenon që të mos blihen produktet serbe, pra që ta dekurajojnë qytetarin kosovar nga fushata jonë”, thotë Piraj, pa specifikuar se për kë e ka fjalën.
Inspektorati i Tregut: Shitësit po mashtrojnë me flamujt e origjinës
Inspektorati i Tregut, autoritet në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë (MINT), thotë për Radion Evropa e Lirë se konsumatorët ndodh që mashtrohen në lidhje me produktet serbe, pasi shitësit vendosin etiketa të rreme në produkte.
“Në rastet më të shpeshta është duke u vendosur etiketa e flamurit të shteteve të Evropës në produktet që janë me origjinë të shteteve fqinje, përfshirë edhe Serbinë”, thonë nga ky inspektorat.
Për këto lloje mashtrimesh, gjatë vitit të kaluar, atje janë dorëzuar 1.200 ankesa. Ndërsa, gjatë janarit të këtij viti, qytetarët kanë dërguar në këtë institucion 119 ankesa.
Nga Inspektorati i Tregut nuk japin numër të gjobave apo masave të shqiptuara, por thonë se “është një numër i lartë i rasteve të identifikuara për mashtrim me vendin e origjinës së produktit”.
Përveç nga Serbia, Kosova importon edhe nga vendet e tjera të Ballkanit, nga Bashkimi Evropian, nga Turqia e të tjera, por deficiti tregtar për të është shndërruar në fenomen tash e sa vite.