Tirana është sot mikpritëse e Takimit të Udhëheqësve shtetërorë të Procesit të Brdo-Brijunit.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović dhe Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ftuan në në Samitin e Tiranës tre Anëtarët e Kryesisë së Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik, Šefik Džaferović dhe Željko Komšić, Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, Presidentin e Malit të Zi, Milo Đukanović, si dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić.
Të ftuar nderi janë Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini.
Presidenti Meta tha pas takimit se diskutuan për krijimin e një hapësire tërheqëse për investime në rajon. Pjesëmarrësit vlerësuan marrëveshjen e Prespës si dhe theksuan zbatimin e gjithë marrëveshjeve të arritura nga palët, ndërsa u angazhuan për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon.
Presidenti polak Andrzej Duda tha se diskutimet u përqëndruan për qëndrueshmërinë në këtë pjesë të Europës, e cila po përpiqet të antarësohet në BE. Sipas tij, stabiliteti do të sjellë zhdukjen e problemeve. “Të gjitha këto cështje duhet të zgjidhen në rrugën drejt BE këtu në Ballkanin Perëndimor. Është një detyrë e rëndësishme e BE-së që të mbështesin dialogun këtu” – tha zoti Duda.
Presidentja kroate Kitaroviç tha se kjo pjesë e Europës duhet të tërheqë vëmendjen e BE-së. “Kur flas me kolegë në Europë, atje ka mungesë interesi për këtë rajon, krahas moskuptimit. Kjo pjesë e Europës duhet të bëhet pjesë e interesit europian. BE është e paplotë, dhe këto vende duhet përfshirë në të” – tha ajo.
Sipas saj, vendet e Europës juglindore duhet të përfshihen. “Jam e shqetësuar me një progres të paarritur. Nuk mund të largohen problemet me një buton. Negociatat do të nisin me Maqedoninë dhe me Shqipërinë. Ne do të vazhdojmë të argumentojmë hapat që ato duhet të bëjnë në këtë rrugë” – tha zonja Kitaroviç.
“Jam e frikësuar nga situata që kemi tani, situata nëpër botë, diskutimi që kemi në BE. Ne po humbim interes, po krijohet një vakum. Reformat nuk i kërkon BE për ju, por ju vet keni nevojë për to. Duhen dy veta për të vallzuar tango. Muzika ka një kohë të gjatë që po luhet” – tha ajo.
Organizatorët pohuan se ky Samit i Liderëve në Tiranë, që përkon me “Ditën e Evropës”, pasqyron aspiratën e përbashkët të vendeve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Europian.
Procesi i Brdo-Brijunit është një nismë rajonale bashkëthemeluar nga presidentët slloven dhe kroat në vitin 2010 për të nxitur dialogun dhe bashkëpunimin, forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë, dhe mbështetjen e proceseve europiane dhe euroatlantike të vendeve në rajon.
Komentet