Për herë të shtatë pritet të takohen Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç këtë herë në Bruksel.
Nga Albionë Zhitia, Syri.net Kosova.
Bisedimet maratonike që u zhvilluan në përballjen e Ohrit nuk rezultuan me nënshkrimin e ndonjë marrëveshje konkrete, edhe pse pala kosovare ishte e gatshme të ndodhte. Ishte Vuçiçi që refuzoi të hidhte firmën e tij e të zotohej për respektimin e çdo marrëveshjeje të bërë ndër vite në Dialogun midis Kosovës e Serbisë.
Por, për dallim nga Ohri, sot në kryeqytetin e Bashkimit Evropian ka “optimizëm”, që një firmë midis dyja palëve edhe mund të ndodhë!
Kështu të paktën shpreson profesori i shkencave politike, Dritro Arifi. Në një bisedë me Syri.net Kosovën, Arifi flet rreth pritshmërisë nga ky takim dhe temave që do të diskutohen.
Asociacioni do të jetë kryetema e diskutimit në tavolinën e negociatave mes Kosovës e Serbisë, të paktën kështu e sheh profesor Arifi.
“Shpresoj që do të kemi një takim “pozitiv”, sepse, për herë të parë do të hapen bisedimet për Asociacionin, ku Kosova është zotuar që do t’i zbatojë marrëveshjet e arritura ndër vite për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, vlerëson Arifi.
Tema tjetër që pritet të jetë goxha e nxehtë në këto diskutime, pritet të jetë ajo e të pagjeturve, shprehet Arifi.
“Pres debat më të thelluar për çështjen e të pagjeturve, sepse Serbia e ka pranuar marrëveshjen për këtë kategori, në kontekstin e asaj që të hiqen paragrafët ‘të zhdukurit me dhunë gjatë luftës në Kosovë’; këtu është e gjithë beteja në këtë pikë.”
Ai më tutje shprehet se “Serbia do tentojë të kërkojë edhe një kompromis prapë nga Kosova, që të krijohet një Asociacion me kompetenca ekzekutive, por në shkëmbim të asaj që marrëveshja për të pagjeturit të jetë neutrale. Kjo do të jetë politika e ardhshme e Serbisë që të përfitojë nga Kosova rreth pikës për Asociacionin”, e përfundon analizën e tij, z.Dritro Arifi për Syrin.
Prezantimi i Draft-Statuti të Asociacionit
Sot pritet të prezantohet Draft-Statuti i Asociacionit dhe tash për këtë çështje ka folur edhe emisari special i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Në prag të raundit të ri të negociatave në Bruksel, Lajçak u shpreh se statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhej të ishte i pranueshëm për të dyja palët dhe në përputhje me standardet evropiane.
“Ekipi menaxhues do ta prezantojë draffin. Ne nuk e dimë se çfarë ka në të, por duhet të jetë fillimi i procesit. Së fundi, duhet ta kemi një statut të pranueshëm për të dyja palët, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, në përputhje me standardet evropiane. Ky është hapi i parë i rëndësishëm,” – u shpreh Lajçak në fjalën e tij.
Ai më tej tha se varej nga të dyja palët se si do të dukej statuti i Asociacionit.
“Ne jemi këtu për të zbatuar atë që është rënë dakord gjatë dialogut. Kjo nuk është imponuar. Është dakorduar mes Serbisë dhe Kosovës në vitin 2013. Për ne është e rëndësishme që çdo zgjidhje të jetë zgjidhje evropiane,” – u shpreh Lajçak.
Ai sërish përmendi modelet ekzistuese evropiane duke u shprehur se “nuk duam të krijojmë diçka që nuk është testuar kurrë askund në botë, por duam që vendet të gjejnë frymëzim në modelet evropiane që funksionojnë mirë”.
Nuk dihet nëse delegacioni kosovar i kryesuar nga kryeministri Albin Kurti do të ketë një propozim të vetin për statutin e Asociacionit.
Përveç Asociacionit, pjesë e diskutimeve të sotme pritet të jetë edhe Deklarata për të Pagjeturit.
Takimi tripalësh BE- Kosovë-Serbi është thënë se do të fillojë në orën 18:00./Syri.net Kosova.