Po s’munda të vij për Vitin e Ri,
më mbaj në mendje kur të shtrihesh për gjumë.
Ëndrrat sajojnë edhe rrugë me kthim,
e shkrijnë akullin dhe e derdhin në lumë.
Po u vonova gjer në mëngjes,
i akulluar diku kam mbetur.
Zjarrin, mes pyllit a, gjetkë e ndez,
kapërdij kafen me bukë të thekur…
Po u vonova e në tjetrën mesnatë,
një gotë me verë mbushe rrafsh.
E në vajtoftë ndonjë kukuvajkë,
me ajrin do hyj e s’kam pse trokas.
Po u vonova e s’ke më durim,
pije verën time e zhytu në gjumë.
Në pafsh ëndërr me rrugë pa kthim,
një shekull do pres të vish ti tek unë…
Komentet