Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, tentoi t’i zbusë shqetësimet lidhur me rrjedhjen e supozuar të dokumenteve të klasifikuara amerikane javën e kaluar. Ndërkohë, mediat amerikane raportojnë se një arrestim lidhur me këtë rast pritet të bëhet së shpejti në shtetin e Masaçusets.
Biden tha se rrjedhja e këtyre dokumenteve – ku jepen detaje rreth aftësive ushtarake të disa aleatëve dhe kundërshtarëve të SHBA-së – nuk zbuloi asgjë shumë të vlefshme.
Departamenti amerikan i Drejtësisë ka hapur një hetim zyrtar për këtë çështje pasi iu referua ky rast nga Pentagoni, që po vazhdon të punojë në vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga rrjedhja e dokumenteve.
Mediumi amerikan Washington Post raportoi më 12 prill se personi që dyshohet se publikoi dokumentet në platformën për komunikim Discord, ishte një entuziast i armëve i cili punonte në një bazë ushtarake. Ky medium raportoi duke u bazuar në intervista të bëra me dy anëtarë të këtij grupi të paidentifikuar.
Dokumentet thuhet se u postuan muaj më parë, por nuk tërhoqën vëmendje deri kur mediumi amerikan The New York Times raportoi për këto dokumente.
Wall Street Journal (WSJ) dhe Reuters, duke u thirrur në burime, raportuan se një arrestim lidhur me këtë rast është i pashmangshëm. WSJ shkruan se arrestimi mund të bëhet qysh të enjten, më 13 prill.
“Po zhvillohet një hetim i plotë, siç e dini, në komunitetin e inteligjencës dhe Departamentin e Drejtësisë. Dhe ata po afrohen”, u tha Biden gazetarëve në Dublin më 13 prill, duke komentuar për herë të parë publikisht pas rrjedhjes së dokumenteve.
Biden, i cili është duke e bërë një vizite katër-ditore në Irlandën e Veriut dhe Republikën e Irlandës, shtoi se ai “nuk është i shqetësuar për rrjedhjen”.
Më herët, Shtëpia e Bardhë tha se Biden nuk diskutoi për këtë çështje gjatë takimit të kësaj jave me kryeministrin britanik, Rishi Sunak, në Irlandën e Veriut.
Numri i dokumenteve të zbuluara, disa prej të cilave thuhet se shënoheshin me etiketën “top sekret”, nuk është i ditur.
Ato supozohet se përfshijnë informacione të ndjeshme rreth Ukrainës, Koresë së Jugut, Izraelit dhe shumë vendeve të tjera. Administrata e Bidenit ka frikë se rrjedhja e informacionit mund t’i dëmtojë marrëdhëniet e SHBA-së me aleatët kryesorë dhe partnerët strategjikë të saj.
Grupi në Discord dyshohet se përfshinte njerëz nga Rusia dhe Ukraina, sipas mediumit, dhe ishte i fokusuar në një “dashuri reciproke për armët, pajisjet ushtarake dhe Zotin”. Platforma Discord është e famshme në mesin e adhuruesve të video lojërave online.
Personi që postoi dokumentet, i cili përdorte një llogari me nofkën OG, dyshohet se u tha anëtarëve të grupit se ndonjëherë punonte në një pjesë të bazës ushtarake “që ndalonte telefonat celularë dhe pajisjet e tjera elektronike”.
Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar, tha në televizionin ukrainas më 12 prill se “rreziku i rrjedhjeve është shumë minimal” sepse vetëm një “rreth shumë i ngushtë njerëzish” është në dijeni të planifikimeve ushtarake ukrainase.