Raporti i obduksionit pritet ta zbardhë arsyen e vdekjes së Naser Makollit në Burgun e Lipjanit. Prokuroria e Shtetit ka bërë me dije se ka mbledhur të gjitha provat e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti.
Edhe Ministria e Drejtësisë nuk ka dhënë më shumë detaje pasi presin rezultatet e obduksionit. Ndërkaq Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se pas kontrolleve që i ishin bërë të ndjerit Makolli, nuk ishte gjetur ndonjë problem serioz që të përfundonte me fatalitet.
Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut ka bërë me dije se nuk ka qenë në dijeni për sëmundjen e të ndjerit. Ndërsa për vdekjen e Naser Makollit ka reaguar avokati Tomë Gashi dhe lëvizja “Vetëvendosje”.
Prokuroria po pret rezultatet e obduksionit
Prokuroria e Shtetit ka bërë të ditur se ka mbledhur të gjitha provat në vendin e ngjarjes, duke përfshirë edhe rezultatet e autopsisë që janë bërë dje nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për Naser Makollin, mbi të cilat do të nxjerrë rezultatin rreth vdekjes së tij. “Pas sigurimit të raportit të ekspertizës së obduksionit, lidhur me shkaktarin e vdekjes dhe pas analizimit të të gjeturave tjera, të deklaratave të të gjithë dëshmitarëve, pas ekzaminimit të provave materiale që janë siguruar nga vendi i ngjarjes, incizimeve dhe mostrave të ushqimit që janë marrë në vendin e ngjarjes, do të nxirret përfundimi lidhur me shkaktarin e vdekjes së të ndjerit N.M.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.
Po ashtu edhe Ministria e Drejtësisë, e drejtuar nga Dhurata Hoxha, nëpërmjet një njoftimi të lëshuar lidhur me vdekjen e të paraburgosurit Naser Makollit ka thënë: “Prokurori kujdestar nga kjo Prokurori posa ka pranuar këtë informacion ka dalë në vendngjarje, ku ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe me urdhër të tij rasti është hapur si ‘Vdekje e dyshimtë’, ndërkaq trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”.
Kjo Ministri më tutje thotë se sot ka përfunduar autopsia për Makollin dhe pritet që të dilet me raport përfundimtar për shkaqet e vdekjes.
“Pas sigurimit të raportit të ekspertizës së obduksionit, lidhur me shkaktarin e vdekjes dhe pas analizimit të të gjeturave tjera, të deklaratave të të gjithë dëshmitarëve, pas ekzaminimit të provave materiale që janë siguruar nga vendi i ngjarjes, incizimeve dhe mostrave të ushqimit që janë marrë në vendin e ngjarjes, do të nxirret përfundimi lidhur me shkaktarin e vdekjes së të ndjerit N.M”, thuhet në njoftim. Ata bënë të ditur se duke u bazuar në Ligjin për Shëndetësi rasti është dërguar për në autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku do të konstatohet shkaku i vdekjes pas ekspertizës mjekoligjore.
Makolli nuk kishte problem serioz shëndetësor
Ministria e Shëndetësisë ka dhënë informata për gjendjen e të ndjerit Naser Makolli prej momentit kur i është përkeqësuar gjendja e deri kur ai ka ndërruar jetë.
Përmes një njoftimi të bërë ditën e djeshme ka bërë të ditur se mjeku i burgut ku po mbahej Makolli e ka kontrolluar dhe tek ai nuk ka gjetur ndonjë problem serioz shëndetësor. “Të hënën, më 3 prill 2017, rreth 13:00 në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan është konstatuar vdekja e të burgosurit N. M. Më 27.03.2017 është dërguar në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, në Klinikën e Gastroenetrologjisë, ku është diagnostikuar me enterokolit (pezmatim i zorrëve).
Në mëngjes, i burgosuri prapë është kontrolluar nga mjeku i burgut dhe, sipas tij, nuk ka pasur ndonjë çrregullim tjetër serioz dhe se të gjitha shenjat vitale kanë qenë në normë. Në mesditën e të hënës, rreth orës 12:45, gjendja e të burgosurit është përkeqësuar. Gjatë këtij intervenimi në dhomën e të burgosurit është vërejtur se ai kishte ndryshim të parametrave vitalë: ulje të shtypjes së gjakut dhe në bazë të këtij indikacioni i është dhënë ndihma e parë dhe është përcjellë si rast emergjent mjekësor për në QKMF”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Shala: I ndjeri nuk ka kërkuar ndihmë nga ne
Ndërkaq Behxhet Shala, nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, tha për “Zërin” se i ndjeri Naser Makolli asnjëherë nuk ka deklaruar se ka probleme shëndetësore. Ai tha se janë njoftuar nga Qendra e Paraburgimit në Lipjan se i ndjeri është trajtuar, por siç tha ai, nuk e ka pasur gjendjen shëndetësore për të përfunduar me fatalitet.
“Nuk kemi pasur asnjë informatë se i ndjeri Naser Makolli ka qenë i sëmurë dhe asnjëherë nuk ka kërkuar ndihmë nga KMDLNJ-ja. Gjatë tri vizitave që ia kemi bërë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren dhe në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan nuk ka deklaruar se ka probleme shëndetësore. Ai i ka dhënë një deklaratë KMDLNJ-së për rastin ‘Dehari’, e cila ka qenë publike por nuk ka folur për gjendjen shëndetësore të tij. Nga Qendra e Paraburgimit në Lipjan jemi informuar se është trajtuar, porse nuk e ka pasur gjendjen shëndetësore për të përfunduar me fatalitet”, ka deklaruar Shala. Ai ka thënë se nuk duhet të jepen deklarata të ngutshme derisa të dalin rezultatet e obduksionit pasi, sipas tij, çdo gjë do të ishte joprofesionale dhe paragjykuese.
“Çdo deklaratë lidhur me këtë rast pa përfunduar hetimet dhe pa rezultate të obduksionit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore do të ishte joprofesional, paragjykues dhe do të bëhej për shkaqe manipuluese apo për përfitime të ndryshme. Rasti duhet të trajtohet me shumë seriozitet, ndryshe do të përballemi me raste të ngjashme edhe në të ardhmen”, ka përfunduar Shala.
SHKK: I ndjeri kishte probleme shëndetësore
Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka lëshuar një komunikatë për medie, pas raportimeve për vdekjen e të paraburgosurit Naser Makolli.
“Pas disa shkrimeve në portale për vdekjen e sotme të të paraburgosurit N.M., Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin se i ndjeri ka pasur probleme shëndetësore dhe ka qenë duke u trajtuar në QPL, në Lipjan”, thuhet në njoftim.
Aty më tej thuhet se të ndjerit i është dhënë e gjithë ndihma mjekësore dhe trajtimi i nevojshëm paraprakisht, por edhe me rastin e keqësimit të gjendjes.
“Me rastin e vdekjes së tij janë njoftuar autoritetet përkatëse, të cilët po merren me procedurat për raste të tilla. Po ashtu edhe SHKK-ja, edhe Ministria e Drejtësisë kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe opinioni publik do të njoftohet me kohë për të gjitha detajet e rastit”, përfundon njoftimi.
Gashi: Makolli dinte shumë për Astrit Deharin
Avokati Tomë Gashi ka thënë për “Zërin” se Naser Makolli ka qenë dëshmitar i parë për rastin e Astritit dhe se ka pasur shumë informacione për këtë rast. Ai nuk ka dashur të japë deklarata për shkaqet e vdekjes pasi tha se duhet të pritet obduksioni.
“Ky prej fillimit ka qenë ne burg në Prizren dhe ka qëndruar me Astrit Deharin për 78 ditë dhe ka qenë dëshmitari kryesor i zgjidhjes së rastit të vrasjes së Astrit Deharit, për shkak se ky është personi që është identifikuar si i pari që e ka parë Astritin pa ndjenja kur janë kthyer prej shëtitjes në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Ky ka qenë dëshmitari prej të cilit Astriti ka kërkuar që nëse i ndodh diçka atij në burg, ai t’i lajmërojë në telefon prindërit e Astritit, gruan, motrën dhe disa shokë të tij. Ky dëshmitar ka pasur shumë të thotë për vrasjen e Astritit”, ka thënë Gashi.
Ndërkaq lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, ka reaguar për vdekjen e Naser Makollit, i cili ishte shok i dhomës me aktivistin Astrit Dehari që para pesë muajsh vdiq në Qendrën e Paraburgimit.
“Naser Makolli ishte ndër të fundit që e kishte parë Astritin të gjallë dhe ndër të parët që e kishte parë frymën e fundit të tij. Sot as Naseri nuk është më. Familjes së tij ngushëllime. Edhe Naseri vdiq në burg. Të vërtetën që e kishte parë ai nuk e dimë. Por a e di Prokuroria? As këtë nuk e dimë. Sepse as prokurori kurrë nuk tregoi të vërtetën për vdekjen e Astritit. Aq më pak po e heton rastin për ta sjellë drejtësinë në vend. Me këtë pushtet kriminal e të padrejtë drejtësia po vdes. Sikur të burgosurit. Sikur dëshmitarët”, është shprehur Ymeri përmes rrjetit social “Facebook”.
Makolli ka qenë në burg si i dyshuar për “Vrasje”.
Komentet