Ditën që po shkonin për me vu kunorë
në altar t’përjetsonin lidhjen e dashunisë
u ndodhi nji aksident i tmerrshëm rrugor
e përfunduen te dy direkt e në Parriz.
Pa kalue mirë portën me u bashkue me shokë
nji kërkesë Shën Mhillit ia paraqitën fill:
“Atë çka s’mujtëm ta realizonim mbi Tokë
dishrojmë që ta lidhim ktu nalt në Qiell”.
Ngushtë u gjet Shën Mhilli e ra në hall
se n’rrethana t’tilla ndo’iherë nuk ishte gjetë,
“Po pyes -u tha -Eprorin e Madh…”
a Ai dha verdiktin: “Me pritë nja dhjetë vjet”.
Kaluen dhjetë vjet si t’ishte nji orë
e n’datën e caktueme unazat vunë në gisht
përpara nji prifti që u lidhi kunorë
e burrë e grue i shpalli solemnisht.
Por shpejt shterri mjalti e nisën fërkime,
aq sa divorc lypën pa u mbushë nji vjet
edhe ksaj kërkese atje nalt t’pandime
përgjigjen jua dha direkt Hyji vetë:
“Që mbas nji dekade u gjet nji prift at’ ditë
ju duhet të ndjeheni vërtet me fat,
por tash do t’duhet shekuj me pritë
derisa n’Parriz të vijnë nji avokat”.
Bravo e bukur
Fantastike i dashtun mik!
Kure te filloujne me shku avkatet na parris
edhe boshti kesaj toke ka me i leviz!