Lirimin e pakushtëzuar të Ramush Haradinajt, pastrimin e listave të Interpolit me urdhër arresti nga Serbia kundër luftëtarëve të UÇK-së dhe ndërprerja e dialogut me Serbinë, ishin disa nga kërkesat e sotme në protestë
PRISHTINË – Lirimin e pakushtëzuar të Ramush Haradinajt, pastrimin e listave të Interpolit me urdhër arresti nga Serbia kundër luftëtarëve të UÇK-së dhe ndërprerja e dialogut me Serbinë, ishin disa nga kërkesat e përmendura në protestën e sotme gjithëpopullore për Ramush Haradinajn, i cili në Francë është duke pritur vendimin e gjykatës, pas kërkesës për ekstradimin e tij në Serbi.
Disa mijëra qytetarë u mblodhën sot në sheshin “Skënderbeu” në qendër të Prishtinës në një protestë paqësore, e cila u organizua nga organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe u mbështet nga partitë opozitare AAK dhe Nisma për Kosovën. Qytetarët mbanin flamujt kombëtarë si dhe flamurin e Kosovës, SHBA-ve dhe UÇK-së dhe brohorisnin: “Ramush Haradinaj” dhe “UÇK”.
Njëri nga organizatorët e protestës, kryetari i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së për rajonin e Dukagjinit, Abdul Mushkolaj, në fjalimin e tij para protestuesve tha se UÇK-ja ka respektuar të gjitha konventat e luftës dhe se nuk ka luftë më të pastër për liri se sa lufta që ka udhëhequr Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Ai i bëri thirrje Francës dhe vendeve të tjera demokratike që të braktisin zbatimin e kërkesave të padrejta të pasardhësve të regjimit të Millosheviçit. Mushkolaj i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar, SHBA-ve, Francës dhe të gjitha vendeve demokratike të ushtrojnë autoritetin e tyre për lirimin e pakushtëzuar të Haradinajt.
“Kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të dialogut me Serbinë ku janë sjell disa vendime në dëm të Kosovës, kërkojmë heqjen e të gjitha urdhër arresteve të Serbisë Millosheviçiane dhe pasardhësve të saj kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Ramushi është personifikimi i lirisë tonë të sotme, vuajtjes dhe sakrifica jonë. Komandanti Ramush Haradinaj është personifikimi i luftës sonë për mbijetesë, Ramush Haradinaj është Kosova”, ka thënë Mushkolaj.
Fatmir Limaj, kryetari i partisë opozitare Nisma për Kosovën dhe ish-komandanti i UÇK-së, tha se mjaft është luajtur me Kosovën. Limaj ka thënë se është fyese që ata që kanë kryer krime në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, sot lëshojnë urdhër arreste politike, ndaj atyre të cilët tashmë kanë dalë para drejtësisë ndërkombëtare.
“E keni tepruar. Mos luani më me Kosovën dhe me të kaluarën e saj të ndritshme. Mos harroni, nëse prekni Ramush Haradinajn, ju keni prekur themelet e shtetit të Kosovës”, tha ai.
Nënkryetar i parë i AAK-së, Ardian Gjini ka thënë se Ramushi nuk brengoset për veten, por brengoset për padrejtësinë ndaj Kosovës dhe për shkak të qeverisjes së keqe në Kosovë.
“Ju sot jeni këtu për të treguar se ju jeni në këmbët tuaja, se Ramushi është në këmbë dhe se të gjithë ne qëndrojë fuqishëm në këmbët tona dhe se Kosova kurrë nuk do të gjunjëzohet. Kosova nuk do të poshtërohet. Ka kaluar shumë ditë të vështira, ka kaluar shumë ditë me dhunë, vuajtje. Të gjithë kemi kaluar përmes këtyre ditëve, por nuk do të lejojmë më, sepse u bë shumë, është tepruar me poshtërimin e Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Gjini.
Ai tha se nuk duhet të lejohet që disa koka të çmendur në Beograd të mbajnë 30 vjet në psikozën e luftës të gjithë rajonin, duke përfunduar se këto janë të njëjtit njerëz që i shërbyen Millosheviçit dhe Shesheljit të cilët poshtërojnë popullin e tyre, por nuk do të mund të poshtërojnë shqiptarët.
Rikujtojmë se Ramush Haradinaj është arrestuar më 4 janar nga autoritetet franceze, bazuar në një fletarrest të vitit 2004 të Serbisë. aa
Komentet