Punonjësit e mediave protestuan nën moton “Mosndëshkimi vret lirinë e shprehjes”, ku Majlinda Aliu nga AGK tha se në katër muajt e parë të këtij viti janë raportuar tetë raste të sulmeve ndaj gazetarëve
PRISHTINË – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) organizoi në Prishtinë një protestë simbolike me rastin e 3 Majit, që është Dita Botërore e Lirisë së Mediave, me të cilën u shpreh shqetësimi për pozitën dhe sigurinë e gazetarëve të Kosovës.
Punonjësit e mediave protestuan nën moton “Mosndëshkimi vret lirinë e shprehjes”, ku Majlinda Aliu nga AGK tha se në katër muajt e parë të këtij viti janë raportuar tetë raste të sulmeve ndaj gazetarëve.
“Lidhur me rastet në fjalë janë informuar organet hetuese mirëpo gjykatat nuk janë shumë efektive në marrjen e vendimeve konkrete. Nga këto tetë sulme, pesë kanë qenë kërcënime, njëri dëmtim i pronës dhe një tjetër sulm fizik mbi fotoreporterin në veri të Kosovës”, tha Aliu.
Siç tha ajo, AGK ka marrë edhe shumë denoncime për pengimin e punës së gazetarëve, siç janë pengimi gjatë hyrjes në institucione publike, pamundësim për qasje në dokumente zyrtare, ofendime, linçime publike, madje edhe nga foltorja e Kuvendit.
“Në cilësi të organizatës kemi reaguar duke kërkuar nga institucionet kompetente që të marrin masa dhe të ngrenë akuza për sulmet, por për fat të keq, nuk hasëm në gatishmëri të institucioneve për t’u marrë me këto raste”, tha Aliu.
Një çështje e mirë tha ajo, është emërimi i një prokurori i cili do të merret ekskluzivisht me sulmet mbi gazetarët, dhe kjo është arsyeja e ngjitjes së Kosovës për katër vende më lartë në listën e shteteve për nga liria e mediave, që pasqyrohet me vendin e 79 në listën e Reporterët pa Kufij.
Protestës iu bashkua edhe kryetari i Unionit të Gazetarëve të Serbisë në Kosovë, Budimir Niçiq, i cili rikujtoi se në Kosovë janë vrarë ose zhdukur 15 gazetarë, 8 shqiptarë dhe 7 serbë.
Ai tha se kërkon nga Gjykata Speciale që këto raste t’i trajtojë me prioritet, ndërsa prokurorisë në Prishtinë i kërkoi që bashkë me EULEX-in, të nisë procedura të cilat janë jashtë mandatit të Gjykatës Speciale.
Niçiq mes tjerash kërkoi siç tha, të drejtën për të përdorur gjuhën serbe, që është gjuha e dytë zyrtare në Kosovë. “U bëjmë thirrje institucioneve të respektojnë të drejtën e përdorimit të gjuhës serbe, njëkohësisht të sigurojnë përkthime në eventet të cilat i organizojnë”, tha Niçiq.
Komentet