Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, në koordinim me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, kanë shënuar me marsh përkujtimor 30 Gushtin – Ditën Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur, raporton Anadolu Agency (AA).
Në marshin e nisur nga sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë deri para lapidarit dedikuar personave të zhdukur para Kuvendit të Kosovës morën pjesë dhjetëra persona, përfshirë familjarë të personave të zhdukur, udhëheqës të institucioneve dhe përfaqësues të organizatave.
Me qytetarët që marshuan u takua presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe kryeministri Albin Kurti, të cilët më pas vendosën lule tek lapidari para Kuvendit.
Presidentja Vjosa Osmani tha se dhimbja për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë nuk është vetëm e familjarëve, por e gjithë popullit.
Ajo tha se nuk ka asnjë çështje më prioritare në dialogun Kosovë-Serbi se sa kthimi “i më të dashurve tanë në Kosovë”.
“Fati i tyre bëhet edhe shumë më tragjik kur dihet që janë në duart e shtetit serb, një shteti që ka ushtruar edhe gjenocid ndaj popullit të Kosovës dhe që ende fatkeqësisht nuk po distancohet nga kjo e kaluar e tmerrshme dhe nga krimet që ka kryer ndaj popullit tonë”, tha Osmani.
Kryeministri Albin Kurti tha se në raportet e Kosovës me Serbinë, çështja e personave të zhdukur është kryefjalë.
Kryeministri Kurti bëri thirrje që në të gjitha tryezat e ndryshme që organizohen në arenën ndërkombëtare nga Serbia, pikë së pari të kërkohet hapja e arkivave.
“Me qenë se vrasja e shqiptarëve në pranverën e vitit 1999 por edhe më herët, në vitin 1998 e kështu me radhë, pastaj varrosja e tyre, zhvarrosja e tyre në Kosovë, bartja e kufomave nëpër varreza masive në Serbi dhe zhvarrimi prej andej, gjithçka është bërë jo nga qytetarët e thjeshtë e të zakonshëm por nga aparati shtetërorë. Andaj, hapja e arkivave shtetërore në Serbi është përgjigja për zbardhjen e fatit të të pagjeturve”, tha Kurti.
Ai shtoi se si krerë institucionesh, gjithmonë do të jenë pranë familjarëve dhe gjithmonë do ta kenë prioritet këtë çështje.
Pas deklarimit të krerëve të institucioneve kosovare, U PREZANTUA edhe ekspozita me fakte rreth zhdukjes së personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Që nga paslufta e vitit 1999 në Kosovë vazhdon të mos dihet fati i mbi 1.600 personave. Përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe familjarë të personave që mungojnë, kanë konsideruar se moszbardhja e fatit të të zhdukurve po ndodh “për shkak të neglizhencës së autoriteteve vendore dhe atyre ndërkombëtare për t’i bërë presion Serbisë”.
Komentet