============================================
Për Xhoin dhe Valerion
Na ishte një herë, një vogëlushe flokëverdhë me sy boj qielli. Ajo quhej Diana dhe jetonte në një pallat të madh bashkë me mama Frensis dhe baba Xhon-Eduardin. Ajo kishte edhe dy motra më të vogla Sarah e Xhejn. Kurse në kohën kur nis kjo përrallë, i vetmi vëlla i tyre {arli ishte shumë i vogël. Ai ishte sa gjysma e moshës së Dianës, që sapo kishte mbushur gjashtë vjeç.
Por, edhe pse ende kaq e vockël Diana ëndërronte që bota përreth të qe edhe më e ngrohtë, edhe më e këndëshme edhe shumë herë më e bukur.
Një ditë krejt papritmas, mama Frensis largohet përgjithmonë nga shtëpia. Ajo nuk donte të jetonte më me Xhon-Eduartin, babain e Dianës.
Hidhërimi dhe dhimbja për mamanë, që nuk do ta kishte më pranë e pikëlluan thellë në shpirt Dianën e vogël. Sytë e saj boj qielli lotuan pambarim.
Pas kësaj pallatin e madh e pllakosi heshtja dhe trishtimi. Që nga ajo ditë mama Frensis nuk u kthye kurrë. Për fëmijët u përkujdes vetëm baba Xhon-Eduarti me shërbëtorët.
Ditët kalonin si pakuptuar dhe vogëlushja Dianë, shkon për herë të parë në shkollë. Ndërkohë rritet dhe hedh shtat. Por, sa herë që gjendet përpara pasqyrës, vetja i ngjason me një rosak të shëmtuar.
Vogëlushes sy boj qielli i pëlqen shumë të shetisë fushave e kodrave të gjelbëruara. Shtrihet midis luleve dhe ia mbërthen sytë e bukur pafundësisë së qiellit.
Ajo ëndërronte që kur të rritej të bëhej balerinë. Digjej nga dëshira të vallzonte nëpër sallat e pallatit, duke u vërtitur posi flutur në majë të gishtave.
Një ditë babai i saj, Xhon-Eduart trashëgon titullin e lartë Kont dhe familja e tyre menjëherë vendoset me banim në një kështjellë të largët e të lashtë.
Diana, Sarah, Xhejni dhe i vogli {arl mbetën të mahnitur nga madhështia e shtëpisë së re. Kështjella e tyre qe e lartë. Shumë e lartë. Kupolat e saj preknin qiellin. Sa dhoma kishte atje! Nuk kishin të numuruar. Korridorë. Bodrume. Kuaj. Qen. Shërbëtorë. Dhe nëpër mure shpata, heshta, përkrenare dhe mburoja të çelikta luftëtarësh.
Por, atëhere kur nuk e prisnin fëmijët, baba Xhon-Eduarti sjell në kështjellë gruan e tij të re, Lejdi Raine. Diana, e rritur tashmë nuk e deshi asnjëherë këtë grua, të cilën që ditën e parë kur e pa e quajti me mëndje shtrigë. Ndërkohë forcojë lidhjet me mama Barbarën, gjyshen e saj që ishte edhe shkrimtare.
Një ditë herët sapo feksën rrezet e para të diellit, në portën e kështjellës u paraqit një princ. Ai ishte i ftuar nderi i familjes në ditën e gjahut. Dhe duhet thënë se nuk ishte një princ si gjithë të tjerët. Themi kështu sepse ardhjen e tij në këtë botë e kishin lajmëruar të gjithë topat e kështjellës mbretërore, atje në “Buckingam Palase”, në Londër kryeqytetin e mbretërisë.
Diana, kur e pa u step fare. Aq shumë u habit e u hutua sa nuk i besohej që ai të ishte princi Karl, trashëgimtari i fronit mbretëror.
Mbas disa kohësh, kur po shetiste mespërmes një are me grurë, Diana u përball me princin Karl. Ai diçka deshi t’i thotë, por ajo ia dha vrapit, iku fluturoi si flutur duke i humbur mes kallzave të grurit.
Princi Karl, pak më vonë festoi tridhjetë vjetorin e ditëlindjes. Me këtë rast në pallatin mbretëror u zhvillua një festë madhështore. Mes shumë të ftuarve ai nuk harroi të ftonte Dianën me familjen e saj.
Shtriga, Lejdi Raine kur mori vesht se do të ishte edhe Diana u mërzit keqas dhe u bë si e sëmurë që të mos shkonte. Por, Dianës nuk iu bë vonë fare që ajo nuk do të ishte.
Madje, gati sa nuk fluturoi nga lumturia ndaj me të vënë këmbën në “Buckingam Palase” me vetëtitjen e bukurisë së saj trondit gjithë pallatin mbretëror.
Princi mrekullohet nga ndrojtja dhe buzëqeshja e pafajshme e Dianës. Dhe në çast ndihet i dashuruar çmendurisht pas saj. Ndaj i harron të gjitha; ditëlindjen, ballon madhështore, tortën gjigande prej pesë katesh me tridhjetë qirinjtë në pritje për t’u ndezur, miqtë e të ftuarit nga e gjithë Bota.
Pa e zgjatur rrëmben Dianën nga dora dhe rend me të nëpër kopshtet e pafundmë të oborrit mbretëror. Bukuroshja Dianë në krahët e fuqishëm të tij ndihej e lehtë, e lehtë si një pendë. Qesh e lumturuar, këndon e vallëzon me të dhe ngazëllehet, kur ai i dhuron me dorën e tij lule nga më të bukurat.
Kështu, më në fund ëndrra krahëbardhë e vogëlushes së ndrojtur u realizua. Fejesa me princin Karl është për të një ditë e paparë lumturie.
Dasëm si ajo e martesës së Dianës me princin Karl, thonë se nuk është bërë ende në Botë. E gjithë mbretëria u ftua të ishte e pranishme. Erdhën fisnikë e miq të nderuar nga të katër anët. Kurse një miliard të tjerë e ndoqën atë në televizion nga çdo cep i globit.
Karroca e çiftit veshur e tëra në ar, tërhiqej nga njëzet e katër kuaj të bardhë stolisur si kurrë ndonjëherë.
Njerëzia desh u verbua nga bukuria e Dianës. Ajo, vezullonte aq shumë si të qe mveshur e gjitha me rrezet e para të dritës së agimit. Qarkuar me kurora lulesh, ëmbëlsia e ndrojtjes së saj me buzëqeshjen ëngjëllore i bëri për vete dasmorët.
Mamaja e Karlit, mbretëresha Elizabet ndjehej e ngazëllyer që më në fund për të birin u bë ashtu siç dëshiroj ajo. Pallati mbretëror mori tjetër pamje me Dianën, princeshën e re. Paraqitja e saj prej vajze ende të vogël, të pafajshme, befasuar sidomos nga ndodhja në oborrin mbretëror më të madhin e më të fuqishmin në Botë, bëri të mundur të ketë shumë shpejt simpatinë e të gjithëve. Kurse princi Karl fitoi një popullaritet të ri.
Pas kësaj në pallatin mbretëror Dianën e duan dhe e admirojnë të gjithë. Ajo është nusja ideale, buzëqeshja e së cilës si një gonxhe e sapoçelur trëndafili i bëri për vete menjëherë. Rrezëtitja e bukurisë së saj ëmbëlson e lumturon të madh e të vogël.
Princi me princeshën udhëtojnë gjithnjë. Herë me aeroplan, herë me vapor, herë me makinë, por edhe me anije me vela dhe motoskafë. Diana dhe Karli janë shumë të kërkuar nëpër festa, ceremoni e kremtime. Kudo janë të mirëpritur si të dërguar të oborrit mbretëror.
Në çdo takim me njerzit, princesha Diana bën për vete mijëra adhurues. Vetëm me një shikim të ngrohtë, ajo i shtang dhe i bën të gjithë të brohorasin të entuziasmuar. Me vallëzimin brilant të një valsi klasik i emocionon dhe ndërkohë i befason me mënyrën e të sjellurit.
Vetëm Kamila, oborrtarja shpirtzezë sa herë që i gjendet pas shpine, ckërmit dhëmbët gjithë urrejtje dhe mllef ndaj të bukurës e të pakrahasueshmes Dianë.
Ndodhte kështu, ngaqë kohë më parë Kamila ishte përpjekur me të gjitha mënyrat për t’u bërë gruaja e princit. Por, ngaqë nuk ia kishte dalë mbanë, në çdo moment shfrynte dufin e cmirës. Ndërkohë, me djallëzi nga më të ndryshmet intrigonte papushim kundër saj.
Por, si për inat, princesha Diana bëhej edhe më e bukur. Nuri i saj shkëlqente e vezullonte edhe më shumë. Gjithnjë tërheqëse me ato fustane të mrekullueshëm që qepnin për të rrobaqepësit më të mirë të Botës princesha Diana i sfidonte të gjitha gratë e oborrit mbretëror.
Plot një vit nga dita e martesës, princesha lind një djalë. Buçkan, flokëverdhë si top sheqeri. Ai është Uilli, trashëgimtari i parë për të cilin ajo do të jetë gjithnjë një nënë e kujdesshme dhe e përzemërt.
Uillin, ngaqë ishte shumë i lëvizshëm e quajtën “rrëmujaxhiu”. Por, mëma princeshë nuk mërzitej fare nga bëmat e vogëlushit të saj. Ajo buzëqeshte dhe vetëm buzëqeshte ëmbësisht, duke i dhuruar përkedhelje e dashuri pafund.
Mbas dy vjetësh mëma princeshë i dhuron Uillit, një vëlla të vockël, Henrin. Kur u rritën dy princat e vegjël kushdo që i pyeste për mëmën e tyre përgjigjeshin: “Mami jonë është e mrekullueshme”.
Princesha Diana kujdesej shumë për djemtë e saj. Gjithë kohën e lirë e kalonte me ta. I shoqëronte në kinema. Hanin bashkë patatina e hamburger nëpër lulishte. Lëpinin akullore trotuareve dhe qeshnin e lodronin të lumturuar.
Por, mbi të gjitha princesha Diana kishte zemër tepër të ndjeshme. Aq të ndjeshme e kishte, sa ajo nuk i gjente kurrë qetësi sa herë shihte njerëz të pastrehë e të sëmurë, sidomos fëmijë, që vuanin nga sëmundje ngjitëse dhe nga uria. Ndaj u gjendej pranë dhe në këto raste merrte me vete gjithnjë edhe Uillin.
– Po djalin përse e merr me vete në këto vizita të çmendura që bën nëpër ato vende të shpifura? – i thoshte gjithnjë nëpër ambjentet e oborrtarëve shpirtzeza Kamilë.
– Im bir nesër do të jetë mbreti i popullit dhe duhet ta njohë atë, – i përgjigjej e vendosur princesha.
Kurse princ Karli as që donte t’ia dinte për gjëra të tilla. Dy djemtë sipas mendimit të tij, duhej të rriteshin nën kujdesin e dadove dhe shërbtorëve të pallatit mbretëror.
– Në asnjë mënyrë! – i qe përgjigjur Diana – Më shumë se për çdo gjë fëmijët kanë nevojë për dashurinë e prindërve.
Pas kësaj princi Karl nuk pyeti më për Uillin dhe Henrin. Mendon vetëm për pasionet e tij, gjahun dhe pikturën. Por, ngado që shkon, Kamila shpirtzezë nuk i ndahet. Dhe shumë shpejt, ajo arriti jo vetëm ta bëj për vete, por edhe t’i shpif gjithnjë gjëra të paqëna për princeshën e bukur.
Kështu nga dita në ditë mëma e re humbet gjithnjë e më shumë durimin. Endrrat e saj prej vajze romantike u copëzuan eu bënë shkrumb përpara tekave të princit dhe intrigave të shpirtzezës Kamilë. Ndaj për hiç gjë midis Dianës edhe Karlit plaste shamata. Ai e fyente dhe e akuzonte për gjëra të paqëna. Princesha e tronditur në kulm qante papushim. Nga sytë e saj të kaltër lotët rigonin si shi.
Një mbasdite pas një grindje të ashpër me Karlin, Diana u mbyll në banjë duke qarë me të madhe. I tronditur dhe zemërpikëlluar për nënën e tij, Uilli shkroi diçka në një copë pusullë dhe ia futi poshtë derës. “Mami, të lutem mos qaj, – i shkruante ai – Nuk duroj dot të të shoh të trishtuar”.
Ndërkohë shpirtzeza Kamilë e kënaqur nga ç’kishte arritur në synimet e saj, nuk i ndahej Karlit. U hipnin kuajve, vraponin fushave e pyjeve duke ndjekur gjahun, pasuar nga një turmë qensh laramanë, që lehnin papushim.
Kamila dhe Karli shtroheshin për natë në gostira. Sapo errësohej ata shpejtonin dhe mbylleshin në atë shtëpizën e vogël prej druri, fshehur në mes të pyllit, të cilën princi e kishte blerë përpara se të martohej me Dianën.
Kështu nuk vonoi shumë dhe princesha Diana kuptoi që gjithë ajo dashuri, shoqëruar me ngrohtësi, ëmbëlsi e mirësjellje, e cila e kishte shoqëruar që ditën e parë kur kishte vënë këmbën në oborrin mbretëror, po vinte duke u ftohur dhe një ditë do të bëhej akull fare.
E para nëna mbretëreshë, duke u besuar thashethemeve të shpirtzezës Kamilë, i harroj të gjitha lëvdatat që kishte thënë për të. Tepër i ftohtë si një gur mali u bë edhe babai i Karlit, i cili e këshillonte të birin, të bënte jetë prej beqari.
Ndaj në këto çaste dëshpërimi, rrethuar keqas nga shpifjet e intrigat e panumurta të shpirtzezës Kamilë, e pazonja për t’u bërë ballë, princesha Dianë heq dorë nga çdo gjë.
Tash e mbrapa ajo e ndjek të shoqin nëpër ceremonira, darka e festa pa dëshirën e mëparshme. Jeta e tyre nuk i ngjan më asaj përrallës së mrekullueshme, që pati nisur që në ditët e para të martesës.
I vetmi ngushullim për të bukurën princeshë janë dy djemtë Uilli dhe Henri. Dashuria e pakufishme që ka për ta e bën të pathyeshme përballë dallgëve të shpifjeve, urrejtjes e mallkimeve të shpirtzezës Kamilë.
Me Uillin e Henrin, ajo gjen qetësinë e vërtetë shpirtërore. Bashkë me ta udhëton nëpër vende të ndryshme të botës. Ngjiten në male të lartë mbuluar nga bora. Shkasin me ski, lodrojnë pllajave të mbuluara nga bardhësia dhe godasin njëri tjetrin me topa bore. Mëma princeshë ngre për ta një njeri të vockël prej dëbore. Djemtë të ngazëllyer e të mrekulluar i dhurojnë asaj dashuri të pakufishme.
Gjatë verës shkojnë në brigjet e plazheve më të bukur. Shetisin me varka me vela, me motoskafë dhe fluturojnë me shpejtësi rrufeje mbi sipërfaqen e ujit me motorëdeti.
Kështu brënda një kohe të shkurtër arrijnë ta shetisin gjithë mbretërinë.
– Një ditë ti do të jesh mbret, – i thotë princesha Diana, Uillit – por mos harro, duhet të jesh mbret i popullit.
Dhe ngado që shkon e merr gjithnjë me vete, edhe atje midis njerëzve të thjeshtë e të varfër.
– Njerëzit që vuajnë, – i thotë ajo – duhen ndihmuar. Sepse të jesh i varfër nuk është turp, por të kesh mundësi e të mos i ndihmosh të varfërit nuk është mirë.
Ndaj vetë e para fluturon me aeroplan nëpër vendet më të largëta të botës, për t’iu gjendur pranë të sëmurëve që vuajnë. Përkujdeset me ditë e netë të tëra, thellë në xhunglat e Afrikës për fëmijët e prekur nga tifo. Pikëllohet në zemër për antikapatët. Si të ishte mëma e tyre i mban në krah dhe i ushqen me dorën e saj. Me orë të tëra nuk i ndahet një vogëlushi, derisa e bën të belbëzoj për herë të parë fjalën: “Nënë”.
Princesha Diana e shpall veten armike e betuar e luftës. Sypatrembur u gjendet pranë të plagosurve, aty në vendet ku luftohet. U mjekon plagët me dorën e saj dhe ua lehtëson dhimbjet me fjalët mjaltë.
Pas kësaj mijëra vetë nga e gjithë bota e ndjekin pas në rrugën e saj. Dhe shumë shpejt e ëmbla princeshë bëhet simboli i mirësisë dhe i dashurisë për jetën dhe njerzit. Të gjithë e duan. Ngado që shkon e mirëpresin dhe e respektojnë me madhështi.
Vetëm në oborrin mbretëror sa herë dëgjojnë për të, rrudhin buzët e shtrembërojnë turinjtë. Mbretëresha Elizabet lëshon fjalë si shigjeta të helmuara ndaj nuses të të birit.
Kurse shpirtzeza Kamilë, sajon një mijë e një të paqëna kundra princeshës.
Por, më kot, e mrekullueshmja princeshë fiton çdo ditë e më shumë dashurinë e miljona njerëzve në të katër anët e rruzullit toksor. Tek ajo, ata gjejnë mbështetjen dhe ngrohtësinë e vërtetë njerëzore, ndaj shfryjnë me urrejtje kundër princit Karl dhe familjes së tij katile.
Pas udhëtimeve të ndryshme nëpër botë, sa herë që kthehej në oborrin mbretëror, gjithnjë e më shumë ndjente mungesën e asaj dashurie që e pati shoqëruar aq dendur në fillim. Në vend që të merrte prej Nënës Mbretëreshë dhe oborrtarëve të saj të paktën një fjalë të mirë për ato misione bamirësie që kishte kryer, dëgjonte vetëm pëshpërima, fjalë djallëzore prapa kurrizit, intriga e shpifje nga më të pabesueshmet.
E gjendur në një situatë të tillë ajo largohet një herë e përgjithmonë nga pallati mbretëror. Dhe në këtë ikje të saj ajo është e vendosur për ta gjetur diku gjetkë dashurinë.
Ndonëse rrebeshi i shpifjeve dhe intrigave të shpirtzezës Kamilë e ndjek pas kudo, princesha Diana si për inat të saj bëhet edhe më e bukur dhe më e ndritëshme, fiton më shumë famë dhe për çdo ditë është objekt i shtypit dhe i televizionit.
Ajo nusja e ndrojtur, që tulatej e purpurohej sapo takohej me një të panjohur, fjalëpakta e gojëmbla princeshë kudo që ndodhet i mahnit të gjithë me mirësinë që rrezaton.
Përkushtimet e saj për t’iu gjendur pranë njerëzve në nevojë, si dhe bamirësitë e pafund që kryen në çdo cep të rruzullit toksor e bëjnë Dianën princeshën e paqes e të vëllazërisë midis njerëzve. Dhe gjatë gjithë kësaj kohe asaj nuk i ndahen hap pas hapi djemtë Uilli me Henrin.
– Mami jonë, – i tha Uilli një ditë Henrit, – po përpiqet të nisë një jetë të re. Duhet ta ndihmojmë edhe ne.
Por, shpirtzeza Kamilë turfullon e zemëruar në kulm kur sheh që princeshën çdo ditë e më shumë e duan dhe e respektojnë kudo, pa i përfillur fare shpifjet, intrigat e fjalët e saj të liga.
E verbuar nga inati shpirtzeza Kamilë paguan me florinj në dorë, një turmë njerëzish të bezdisur, që posi grenxa e ndjekin nga pas këmba këmbës princeshën Diana, pa e lënë për asnjë minutë të qetë.
Duke e kuptuar rrezikun që i kanosej princesha bën të pamundurën për t’iu shmangur ndjekjes dhe ngacmimeve të tyre, por ata nuk i ndahen. Në çdo orë të ditës e të natës e vrojtojnë dhe e ndjekin në çdo hap që bën. Edhe pse maskohet me të gjitha mënyrat prap se prap Diana bëhet pre e tyre.
Ata, ndjekësit e paguar nga shpirtzeza Kamilë erdhën eu bënë aq të bëzdisur e të padurueshëm sa një mbrëmje, kur ajo ndodhej në Paris nuk e lanë t’u blinte nga një dhuratë dy djemve, që i kishte lënë larg me pushime. Aq shqetësues u bënë për princeshën atë natë sa që edhe për të darkuar nuk e lanë të qetë.
Ndaj për të mbetur e pashqetësuar prej tyre, përpara se të zbardhte dita ajo u largua nga hoteli me një makinë tjetër. Por, çmenduria e njerëzve të paguar e të nxitur sigurisht nga shpirtzeza Kamilë qe e paparë. Ata arritën jo vetëm të zbulonin që ajo po largohej me një makinë tjetër, por edhe iu vunë pas. Si një lukuni ujqërisht të uritur e ndoqën derisa në hyrje të një tuneli nga shpejtësia e madhe shoferi humbet kontrollin e drejtimit dhe makina përplaset me një kolonë betoni……
Pas kësaj kur erdhi mëngjezi princesha Diana nuk ishte më.
Lajmi i kobshëm, brënda pak çastesh u përhap në të katër anët e Botës dhe që në orët e para të agimit hyri edhe në dhomën ku po flinin dy princërit e vegjël: Uilli dhe Henri.
– Mami vdiq, – i thanë – Nuk do të shihni më kurrë!
Këto pak fjalë bashkë me buzëqeshjen e ëmbël të mëmës princeshë do të mbeten të përjetëshme në ëndrrat e tyre.
Por, ndërkohë nuk do të ketë më asnjë tjetër përrallë për të magjishmen princeshën Diana, që luftoi pa u kursyer të keqen, duke u bërë mëmë e mirësisë, urtësisë, dashurisë dhe qënësisë njerëzore
Kështu Diana princesha e magjishme e bukurisë dhe dashurisë njerëzore u shua si një rreze dielli, që në ato çaste kur sa po fekste.
– Ishte si dielli, – thanë njerëzit mbytur në lot dëshpërimi dhe u lutën për të.
Kujën e vajin e tyre e dëgjuan engjëjt në kaltërsitë qiellore. Kur muarën vesht ç’kishte ndodhur hoqën të gjitha pendëzat nga krahët e tyre dhe bënë me to një palë flatra, me të cilat princesha u ngjit lart në qiell, ngaku edhe sot na vështron dhe na buzëqesh e na buzëqesh pa reshtur.
Fund
Mali Robit, gusht 2009
=============