Kolonelin Teodore Roosevelt dhe Dr. Layman Abbot për editorialet në gazetën “The Outlook” ku përkrahnin Çështjen Shqiptare, si dhe filantropistin Charles Richard Crane
Princ Vidi, mbreti i Shqipërisë krijoi Urdhrin e Skënderbeut (The Order of Skender Bey) gjatë mbretërimit të tij për të lartësuar veprën e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Me këtë urdhër ai nderoi tre Amerikanë të shquar, miq të Shqipërisë së asaj kohe: Kolonelin Teodore Roosevelt dhe Dr. Layman Abbot për editorialet në gazetën “The Outlook” ku përkrahnin Çështjen Shqiptare, si dhe filantropistin Charles Richard Crane .
Pranë Princ Vidit shërbeu kapiteni Amerikan Harold Sherwood Spencer, i cili solli dokumentacionin e dekorimeve në SHBA në Shtator 1914 me mbarimin e misionit të tij në Shqipëri më 6 Gusht 1914.
Janë disa gazeta Amerikane (Boston Evening dhe Fitchburg Sentinel të datës 24 Shtator 1914; The Washington Times e datës 27 Shtator 1914; etj) që e përcollën lajmin e ardhjes së kapitenit Spencer me dekorata për Amerikanët e shquar.
Në takimin e 7 Nëntorit 1914 në Çikago, me rastin e dhënies së dokumentit të kësaj dekorate të lartë zotit Crane, kapiteni Spencer (sipas gazetës Chicago Examiner, dt. 8 Nëntor 1914) midis të tjerash, u shpreh: “Unë jam në Amerikë si përfaqësuesi personal i Princ Vidit, megjithëse mbreti është detyruar të lërë kryeqytetin Durrës e të vendoset në Gjermani. Misioni im është të sjell tre dekoratat e Urdhrit të Skënderbeut që është nderimi më i madh që një mbret Shqiptar mund të japë. Ky është një urdhër për të kujtuar Skënderbeun, mbretin e fundit të vërtetë pesëqind vjet më përpara, kur ajo tokë e shkatërruar nga lufta (Shqipëria) ishte në duart e Turqve.
Amerikanët që janë nderuar janë: ish-presidenti Teodore Roosevelt, Dr. Lyman Abbot, editorialisti i The Outlook dhe Charles R. Crane, (president i Albanian Relief Fund), udhëheqës i lëvizjes për krijimin e fondit Shqiptar të ndihmës për mijërat e Shqiptarëve të uritur.
Dhurimi i urdhrit zotit Crane ishte veprimi i fundit zyrtar për mbretin Vid. Sot në shtëpinë e zotit Crane unë i dhashë dokumentet që i japin atij të drejtën të mbajë dekoratën e urdhrit dhe e kam vënë në dijeni se dekorata do ti dërgohet atij sa më shpejt të jetë e kompletuar nga një argjendar Gjerman, fabrika e të cilit u besua ta prodhojë atë. ”
Kjo gazetë e Çikagos boton bashkë me artikullin edhe një foto të Princ Vidit me uniformë mbretërore ku shigjeton një medalje të jetë Urdhri Skënderbeu, e para majtas në rreshtin e dytë. Princ Vidi zgjodhi të quhej Skënderbeu II në Shqipëri dhe Konti i Krujës pasi e la Shqipërinë.
Duket që kapiteni Harold Sh. Spencer ka ndikuar për të nderuar këta miq të kombit Shqiptar.
Komentet