Libri “Prijës fetarë dhe shpirtërorë shqiptarë-Bashkëjetesa ndërfetare dhe kontributi i tyre kombëtar”, i përgatitur nga Faton Mehmetaj është një monografi cilësore dhe përmbledhëse në harkun kohor mbi dymijëvjeçar. Brenda këtij libri, në 530 faqe janë përfshirë rreth gjashtëqind figura të shquara që udhërrëfyes kanë pasur dashurinë për Tokën dhe besimin për zotin.
Botues: Instituti për Studime Gjeopolitike dhe Siguri, Prishtinë, 2015. Librit i paraprin një himn poetik i poetit të madh kombëtar At Gjergj Fishta, që e simbolizon “objektivin” në sytë e lexuesit dhe e bënë më të qartështresimin mendor.
O Ata t’lumtë, qi dhanë jetën O Ata t’lumtë, qi shkrinë vehten. Kënga solemne atdhetare vijon me të njëjtin ritëm, e thurur me arsye dhe ndjenjë për të gjithë ata njerëz që e flijuan jetën për tokën dhe gjuhën e të parëve.
Kështu, puna e zellshme e autorit për mijëvjeçarët e kaluar, të figurave sakrale të popullit tonë, në hapësirën gjeografike dhe të trajtimit politik, për idhujt e etnisë dhe besimit që kanë jetuar në harmoni të plotë fetare me disa rite të ndryshme, por të një prezence hyjnore, e tregon më së miri binomin Atdhe-Fe.
Kjo që trajtohet në këtë libër jo vetëm që duhet të kujtohet, por edhe të admirohet prej gjeneratave që do vijnë. Kjo trashëgimi duhet të ruhet dhe kultivohet te çdo njeri që e ka në zemër atdheun dhe besimin. A ka diçka më njerëzore dhe më madhështore se në Tokën shqiptare, në Shkodër, në një objekt të quajtur kisha-xhami janë falur dy konfesione, të dielën faleshin të krishterët e të premten bënin lutje muhamedanët. A ka diçka më njerëzore se dy apo tri besime gjatë shekujve kanë jetuar pranë një sofre dhe në një kulm shtëpie. Kjo ngjan rrallë te popujt e tjerë. Atëherë, ne duhet të jemi krenar dhe të mos e humbim kujtimin e mirë që ka mbretëruar me shekuj.
Libri në fjalë, ka qindra shembuj të prijësve tanë fetarë që nuk e kanë lënë atdheun e vetmuar, dhe shumë nga këta, me petk dhe formë fetare kanë rënë për çështjen e atdheut dhe lirinë e mendimit. Ky libër e sheh dritën në kohën e duhur, në mijëvjeçarin e tretë, i cili duhet të jetë i shëndetshëm, në dritën dhe frymën atdhetare, e jo siç po ndodh sot kur besimi fetar ka nisur të marrë formën e ideologjive të sëmura pa udhërrëfim njerëzor. Çdo fe që përplaset me qytetërime, nuk i ruan vlerat e besimit, por i bastardon në shkallën me të shëmtuar. Autori, ka vënë në spikamë frymën vëllazërore të besimeve shqiptare duke e treguar të vërtetën e gjallë me “rrëfime” hyjnore dhe tokësore drejt një të ardhme.
F. Mehmetaj, në mënyrë kronologjike e ka sistemuar lëndën, me ato vështirësi që i kanë dalë përpara gjatë hulumtimit në disa rrafshe duke shfrytëzuar arkiva, literaturë dhe burime të ndryshme, me ardhur deri të një enciklopedi e vogël për të gjithë lexuesit, në mënyrë që ai të ketë një pasqyrë me të qartë, një informacion të bindshëm për dijetarët tanë që atdheun dhe besimin e kishin Monadë të shenjtë. Vend të rëndësishëm, në tërë vëllimin e këtij libri e zë bashkëjetesa ndërfetare që nga Dardania antike, Perandoria Romake, Perandoria Bizantine, Perandoria Osmane dhe Koha e re.
Në libër përmenden, jo rastësisht disa papë me origjinë shqiptare, Kisha Dardane me shenjtorë të saj, si Flori dhe Lauri nga Ulpiana, Shën Niketë Dardani, i cili e shkroi këngën solemne të krishterimit “Te Deum landeamus” (Ty zot të lavderojmë). Madje, Shën Jeronimi që e përkthej biblën nga hebraishtja në latinisht “Dhjata e vjetër” e nga greqishtja e vjetër “Dhjatën e Re”. Vlen të ceket edhe një papë që dha kontribut, jo vetëm në frymën e katolicizmit roman, por edhe në çështjen shqiptare, Papa Klementi XI Albani, madje Jan Kukuseli, muzikolog nga Durrësi, i ritit bizantin, i cili themeloi sistemin muzikor “Kukuzelik” dhe kompozoi shumë këngë kishtare.
Numri i prijësve fetarë e atdhetarë është shumë i madh gjatë shekujve. Ky numër rritet duke e ruajtur besimin fetar, por duke e kthyer atë me fytyrë ka jeta dhe humanizmi, si Marin Barleti, Marin Biçikemi, Leonik Tomeu, Gjon Buzuku, Gjin Gazulli, Pjetër Budi, Pjeter Bogdani, Lekë Matranga, Nikollë Keta, Vëllezërit Frashëri, Ymër Prizreni, Papa Kristo Negovani, Sheh Hysen Kuçi, Fan S. Noli, Baba Shaban Prishta, At Shtjefën Gjeçovi, Ahmet Korenica, At Gjergj Fishta, Hoxhë Kadri Prishtina, Nikollë Kazazi, Baba Rexhepi, Anton Harapi, Dervish Dana e shumë e shumë të tjerë.
Në fund, për të përmbyllur këtë shkrim duhet përmendur Rektorin e parë të universitetit të Stambollit Hoxhë Hasan Tahsinin, i cili në rrethana të vështira për kohen kishte thënë: “Jemi një komb i veçantë, kemi gjuhën tonë të veçantë, andaj duhet të jetojmë në vete si gjithë kombet e tjera”. Madje, një nënë shqiptare, Nëna Terezë, që për humanizmin e saj, u bë nënë planetare.
Komentet