“A day in Ukraine” apo në shqip “Një ditë në Ukrainë” titullohet filmi i parë i kinematografisë ukrainase i cili flet për agresionin që Rusia nisi në mars të këtij viti në Ukrainë. Ky film u shfaq të premten në mbrëmje në kuadër të edicionit të 14-të të festivalit ndërkombëtar të filmit në Prishtinë – PriFest.
Drejtori i këtij festivali, Fatos Berisha, i tha Zërit të Amerikës se filmi është pjesë e programit të festivalit ukrainas të filmit Odesa, që do të shfaqet këtë vit në kuadër të PriFestit, për shkak të pamundësisë për t’u mbajtur në Ukrainë.
“Ne kemi qenë miq që më përpara dhe duke e parë luftën në Ukrainë ka qenë e natyrshme që ne të bëjmë diçka për ta. Erdhi si natyrshëm nevoja për t’i ndihmuar dhe i kemi ftuar e kështu ka nisur gjithë ky bashkëpunim. Pra festivali i Odesës e mban një edicion të shkurtë brenda PriFestit dhe e kemi titulluar ‘Odesa beyond borders’ apo ‘Odesa përtej kufijve”, tha ai.
Këto dy ngjarje kulturore zakonisht janë zhvilluar në muajin korrik. Këtë vit të dyja ishin planifikuar te mbahen javën e fundit të korrikut, por drejtuesit e festivalit të filmit në Odesa u detyruan ta anulojnë edicionin për shkak të luftës, ndërsa festivali i filmit në Prishtinë u shty për shkak se drejtoresha e tij, Vjosa Berisha, ndërroi jetë në muajin qershor.
Zoti Berisha, thotë se nisma për të ftuar festivalin e Odesës në Prishtinë, ishte në fakt e ish drejtoreshës, njëherësh ish bashkëshortes së tij, Vjosa Berishës.
“Nuk ka qenë e lehtë të them të drejtën, si logjistikë ka qenë shumë e komplikuar, ata kanë qenë të shpërndarë gjithandej nëpër Evropë, pastaj ka qenë edhe problem të dilet nga Ukraina sepse duhet leje e posaçme, mos të flas që Kosova me Ukrainën nuk kanë as marrëdhënie dypalëshe. Por ia dolëm edhe falë mbështetjes nga komuna e Prishtinës, mos të harroj ta përmend meqë e ka mbështetur këtë nismë që nga dita e parë”, thotë ai.
Drejtoresha e festivalit të Odesës, Anna Machukh, i tha Zërit të Amerikës se pas Prishtinës, mbi 10 festivale të tjera kanë krijuar hapësirë për shfaqjen e programeve të ndryshme të festivalit ukrainas. Ajo vlerëson se zhvillimi i ngjarjeve kulturore në kohë lufte është sfidues por shumë i rëndësishëm.
“Deri në muajin maj unë po u thosha të gjithë miqve e njerëzve që po pyesnin nëse do të mbahej festivali në Ukrainë se ‘po do ta kemi festivalin sapo të fitojmë’. Por fatkeqësisht jemi në situatën ku lufta vazhdon në Ukrainë dhe është akoma e pamundur të zhvillojmë festivale ndërkombëtare të filmit, të kemi të ftuar ndërkombëtar, kështu që po zhvillojmë pjesë të ndryshme të programit të festivalit nëpër shtete të ndryshme”, tha ajo.
Nga të gjitha vendet ku ka udhëtuar si drejtuese e festivalit të Odesës, zonja Machukh veçon Prishtinën, për shkak të siç thotë historisë së ngjashme të saj me luftën në Ukrainë.
“Gjatë muajve të fundit kam vizituar shumë festivale nëpër vende të ndryshme. Por në Kosovë ne ndiejmë një mbështetje të tillë të madhe meqë njerëzit këtu kanë kaluar nëpër një situatë të ngjashme, kanë kaluar nëpër luftë, kanë ndier të gjitha ato që ne po ndiejmë tani. Prandaj Kosova na jep ndjesinë e kthimit në shtëpi edhe pse nuk është shtëpia jonë. Shpresoj që vitin tjetër do të kemi mundësinë të zhvillojmë një pjesë të PriFestit në Ukrainë dhe ndërkohë uroj që qeveria jonë të mos bëjë më gabime por ta njoh pavarësinë e Kosovës sa më parë”, thotë ajo.
Me moton “Për Të”, PriFest këtë vit i përkushtohet ish drejtueses së tij të ndjerë, Vjosa Berishës. Gjatë pesë ditëve sa zgjat festivali, do të shfaqen rreth 45 filma nga rajoni e bota, shumica prej të cilëve janë premierë në Kosovë.
Komentet