Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, tha se Moldavia do të arrestojë presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, nëse ai hyn në territorin e vendit të saj.
“Republika e Moldavisë do të respektojë vendimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, e cila lëshoi një urdhërarrest për Vladimir Putinin për krime lufte të kryera në Ukrainë dhe nëse ai hyn në territorin e vendit tonë, do të arrestohet”, tha presidentja moldave në një bisedë me gazetarë të huaj, raporton M1 Moldova.
Ajo theksoi se tani për tani nuk ekziston rreziku i një pushtimi ushtarak të Moldavisë nga Rusia.
“Tani nuk ka rrezik për një pushtim ushtarak për Moldavinë për shkak të Ukrainës, e cila e mban ushtrinë ruse larg kufijve tanë, por ne po përballemi me përpjekje nga Rusia për ta destabilizuar atë. Fatmirësisht, institucionet tona kanë arritur të mbrojnë vendin dhe ne po bëhem më rezistent”, tha Sandu.
Ajo shprehu mirënjohjen që për herë të parë që nga pavarësia, Moldavia nuk është e varur nga energjia ruse.
“Për shumë vite shohim se Rusia po përpiqet të na shantazhojë me energji dhe dua t’ju them se sot, për herë të parë që nga pavarësia, Moldavia, me përjashtim të rajonit të Transnistrias, nuk konsumon gaz rus. Ne po punojmë, po bëhemi më rezistent, por sigurisht që kemi nevojë për mbështetje. Propaganda është një problem i madh dhe ka ndikuar në procesin tonë demokratik”, theksoi ajo.
Kujtojmë se Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhërarrest për Putinin në mes të marsit, duke e akuzuar atë për krime lufte.
Kështu, 123 vende anëtare të kësaj gjykate janë të detyruara të arrestojnë liderin e Kremlinit nëse ai hyn në territorin e tyre. Moska ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat se forcat e saj të armatosura kanë kryer krime në Ukrainë.
Moldavia ratifikoi traktatin për krijimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, e cila hyri në fuqi më 1 janar 2011.bw