Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ndarë ish-presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, titullin “Medalja Presidenciale e Meritave”, në një ceremoni të zhvilluar me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Prishtinë.
Ky nderim iu dha Topit për kontributin e tij të jashtëzakonshëm gjatë mandatit të tij si President i Shqipërisë në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe angazhimin e tij në promovimin e frymës përbashkuese.
Në fjalën e tij, Bamir Topi e falënderoi Presidenten Osmani për këtë nderim dhe theksoi se ky çmim është një vlerësim për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga vendi ku jetojnë. Ai kujtoi momentin historik kur Presidenti amerikan, George Bush, shpalli publikisht nevojën e përmbylljes së Pavarësisë së Kosovës, një ngjarje të cilën ai e ka ndjekur nga afër si President i Shqipërisë.
Topi gjithashtu bëri të ditur se ka qenë në Kosovë dy javë para shpalljes së Pavarësisë, dhe se ky proces ka qenë një hap i rëndësishëm për të dy vendet. Ai e mbylli fjalën duke nënvizuar se më 17 shkurt 2008, Kosova u bë e pavarur dhe sovrane, një ngjarje që shënoi një fitore të madhe për shqiptarët dhe për miqtë e Kosovës, duke e konsideruar atë si një ditë të shënuar për të gjithë.
Ish-presidenti Bamir Topi: Është shumë nder i veçantë dhe iu falënderoj për këtë vlerësim. Ky vlerësim në fakt vjen tek unë, por besoj dhe ka gjithë bindjen së kontributi i çdo shqiptari në çdo pjese të territorit ku jetojnë shqiptarë, do të ishte njësoj siç kemi bërë dhe ne. Unë kam qenë me fat që kam qenë një bashkëkohës, por edhe një bashkudhëtar politik në procesin e Pavarësisë së Kosovës.
Pata privilegjin që në 10 qershor të viti 2007, të pres në Tiranë Presidentin amerikan, Geroge Bush, i cili atë ditë projektoi publikisht Pavarësinë e Kosovës. Më pas kam qenë në Kosovë në një vizitë zyrtare rreth dy javë para shpalljes së Pavarësisë. Zoti na nderoi bashkë me kontributin tuaj, të miqve ndërkombëtarë, që më 17 shkurt 2008, Kosova u bë e pavarur dhe sovrane. bw