Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka thënë se ajo do të mbajë fjalimin e saj në Kuvendin e Kosovës, pasi e ka obligim kushtetues të cilin edhe do ta përmbushë.
“Ju e dini se edhe me Kushtetutën e vendit është e paraparë adresimi nga ana e Presidentit dhe unë do ta përmbush obligimin tim kushtetues dhe do të paraqitem ta mbaj fjalimin tim në kuadër të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Jahjaga.
Ajo ka komentuar edhe gjendjen në vend duke thënë se “ajo po bëhet e papranueshme”. Thotë se pozita dhe opozita duhet të ulen të bisedojnë sepse kanë “mjaft mundësi për ta bërë këtë”.
“Të dy palët duhet të ulen sepse kanë mundësi të mjaftueshme dhe zgjidhjet janë nëpërmjet dialogut politik dhe takimeve të përbashkëta”, ka thënë Jahjaga për televizionin publik.
Partitë opozitare kanë thënë se do ta pengojnë fjalimin e presidentes në Kuvendin e Kosovës, i paraparë që të mbahet me 17 dhjetor.
Vitin e kaluar, Vetëvendosje kishte lëshuar sallën në momentin që presidentja kishte nisur fjalimin e saj vjetor.
Komentet