Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se është ftuar në Hagë për t’u intervistuar nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës për krime të luftës dhe pas luftës.
Në një postim në llogarinë e tij në facebook, ai tha se në “këto dy dekadat e fundit shumë pjesëtarë të UÇK-së u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi, EULEX-it dhe me drejtësinë vendore. Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit”, shkroi ai.
Më 24 qershor Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Më pas presidenti Thaçi tha se do të jap dorëheqjen nëse akuzat konfirmohen dhe është i gatshëm të përballet me drejtësinë.
Në postimin e sotëm ai tha se “uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. zëri i amerikës
Komentet