Të hënën pak pas mesditës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se e dërgoi në parlament dekretin me të cilin kryetarin e lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, mandatohet për formimin e qeverisë së re.
“Ky është hap shumë i rëndësishëm për krijimin e institucioneve të reja dhe nga sot fillon edhe rrjedhja e afatit kushtetues për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidentit Thaçi.
Dekreti u dërgua në parlament pak kohë pasi që Lëvizja Vetëvendosje propozoi kryetarin e saj, Albin Kurti, si mandatar për krijimin e qeverisë së re të Kosovës.
Kandidati për kryeministër i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha përmes një video mesazhi se propozimin e lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, si subjekt fitues nga zgjedhjet e 6 tetorit, kishin dashur ta dërgojnë te presidenti pas një marrëveshjeje me Lidhje Demokratike të Kosovës.
“Në mbledhjen konstituive të Kuvendit më 26 dhjetor shkova pa pasur një marrëveshje, edhe te presidenti me 6 janar shkova pa marrëveshje paraprake dhe tani, dy javë pas atij takimi katër minutësh, ende nuk kemi marrëveshje për qeverinë e re. Ne sot po e dërgojmë propozimin tonë me shkresë te presidenti”.
Ai theksoi se lëvizja Vetëvendosje nuk e ka pranuar propozimin e fundit të drejtuesve të LDK-së por është treguar e gatshme për takime të mëtejme me synim gjetjen e alternative tjera që do të ishin të pranueshme për të dyja palët.
“E theksoj përsëri, nuk mund të kthehemi në të kaluarën, nuk mund të kthehemi në vitin 2019. Ata se kanë pranuar propozimin tonë të fundit, ndonëse ndryshe nga dakordimi nuk e trajtuan fare në Këshillin e tyre të përgjithshëm. Qëndrimi se takohemi vetëm për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, pra qasja “mere ose lëre” do të thotë lëre. Unë besoj se ne mund të kthehemi dhe e kemi detyrim ndaj gjithë jush që të kthehemi në tavolinën e bisedimeve, për të mos dal nga ajo deri në gjetjen e një gjuhe të përbashkët dhe arritjen e marrëveshjes sonë. Ne, si lëvizje Vetëvendosje kemi marr mandatin të bëjmë qeverinë që ju e dëshironi e që vendit i duhet me aq urgjencë. As më shumë e as më pak. E kemi filluar duke e çliruar nga kapja, udhëheqjen e Kuvendit, nuk është më aty ai pronto kryeparlamentari që shante e kërcënonte nga foltorja, por kryetar i ri Glauk Konjufca. Unë besoj se ne mund të kthehemi e duhet të kthehemi në tavolinën e bisedimeve. Në ditët në vijim do të takoj edhe përfaqësuesit e pakicave”, theksoi zoti Kurti ne video mesazhin e shpërndarë në rrjetin facebook.
Propozimi i emrit të mandatarit u bë vetëm një ditë pasi që presidenti Thaçi i bëri thirrje zotit Kurti të marrë ose të refuzojë mandatin.
Nuk ka pasur ndonjë reagim të menjëhershëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës rreth propozimit të lëvizjes Vetëvendosjes. Javën e kaluar ajo kishte theksuar se nuk do të ketë takime për negociata të reja por vetëm për nënshkrimin e marrëveshjes.
Të dyja partitë kishin shkëmbyer oferta e kundër oferta por pa siguruar një afrim të qëndrimeve për ndarjen e pushtetit.
Nuk ka pasur ndonjë reagim të menjëhershëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës rreth propozimit të lëvizjes Vetëvendosjes. Javën e kaluar ajo kishte theksuar se nuk do të ketë takime për negociata të reja por vetëm për nënshkrimin e marrëveshjes.
Të dyja partitë kishin shkëmbyer oferta e kundër oferta por pa siguruar një afrim të qëndrimeve për ndarjen e pushtetit.
Komentet