Pierre-Michel Virot Photography
VOAL – Gazetarët e APES – Asosacionit të Gazetarëve te Huaj në Zvicër dhe Lihtenshtejt, pjesë e të cilit janë edhe botuesit e Voal.ch, sipas traditës së përvitshme, u takuan me Presidentin e Konfederatës Helvetike z. Guy Parmelin. Z.Parmelin, vjen nga Partia Popullore Zvicerane. Ai është në krye të Departamentit Federal të Ekonomisë, Arsimit dhe Kërkimit (DEFR).
Takimi këtë vit u mbajt në mjediset e hotel Bellevue, në Bernë.
Është një ritual që vazhdon prej 1948, pak pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
APES, si një nga organizatat më të vjetra të mediave profesioniste në Zvicër, është krijuar më 15 Korrik 1928, në Gjenevë, pranë Lidhjes të Kombeve, nga tre gazetarë: francezi Rene Gerard, britaniku James Challinor, dhe hebreu gjerman Julius Becker. Presidenti i parë i APES ishte Julius Becker, i cili në Gjenevë kontribuonte si korrespondent i gazetës shumë të njohur liberale “Vossische Zeitung,”. Ai, për shkak se ishte hebre, u detyrua të emigrojë në SHBA.
Tradita e drekës me presidentin e Konfederatës është krijuar me iniciativën e Sekretarit të Përgjithshëm të APES, të asaj kohe Rudolf E. Singer, i cili ishte korrespondent i Le Soir të Brukselit dhe, për të lehtësuar aktivivitetin e gazetarëve të huaj, krijoi një qendër shtypi në Bernë. Darka e parë APES për nder të Presidentit të Konfederatës Zvicerane – në atë kohë Enrico Celio – u mbajt në vitin 1948.
Prej atëherë Dreka ose Darka Presidenciale është bërë një traditë e madhe vjetore në jetën e APES.
Dreka e sivjetme vinte pas dy vite pauze, për shkak të Pandemisë Covid 19. Të gjithë të pranishmit ishin të pajisur me Green-Pass ose duke plotësuar kushtet e njohura.
Konferenca për shtyp e Presidentit të Zvicrës z.Guy Parmelin
Takimi APES-President i Konfederatës Helvetike paraprihet nga një Konferencë shtypi. Presidenti i APES Jean Musy pasi e hapi konferencën për shtyp i dha fjalën* z. Guy Parmelin.
Presidenti i Konfederatës shprehu kënaqësinë e tij nga ky takim. “Kjo tregon” tha z. Parmelin, “se është një marrëdhënie e shëndoshë midis Këshillit Federal dhe medias, asaj zvicerane dhe të huaj.”
“Ne jemi me fat këtu në Zvicër që gazetarët arrijnë të kryejnë punën e tyre në kushtet të kënaqshme, pra, gjerësisht të lirë ndaj trysnive, ndikimeve dhe përçmimit që nganjëherë përjetohen nga njerëzit e profesionit tuaj.
Prania ime është gjithashtu një tregues i mirëbesimit që na lejon ne të jetojmë së bashku dhe të bëjmë punën tonë me respekt për njëri tjetrin. Mua personalisht kjo më duket një gjë e mirë, madje edhe nëse kam ndonjë dajak të rastit nga media. Në fakt, nuk është doemos e shëndetshme për një politikan që t’iu ikë kritikave: është një shenjë se ata ose janë të padukshëm, ose janë me shëndet të dobët,” tha z. Parmelin.
“Zonja dhe zotërinj, ju jeni sytë dhe veshët e botës në Zvicër. Kështu që unë do të doja t’ju falënderoja që po luani këtë rol. Është afërmendsh e rëndësishme për Zvicrën që të kemi pasqyrim jashtë kufijve tanë dhe në gjuhë të tjera. Në shkëmbim, unë do të doja t’ju jap juve vizionin tim personal për marrëdhëniet e Zvicrës me botën.
Së pari, do të më pëlqente t’ju siguroja juve se Zvicra nuk është e shurdhër, as e verbër. Zviceranët janë plotësisht të vetëdijshëm për lidhjet e ngushta që na bashkojnë ne me vendet e tjera, sidomos me Bashkimin Evropian. Natyrisht, afërsia në vetvete nuk është garanci e marrëdhënieve të mira, duke e ditur se fqinjët mund të urrejnë njëri tjetrin pikërisht ngaqë ata janë kaq ngjitur. Sidoqoftë, nuk është fjala këtu për marrëdhëniet në nivel evropian, as me Gjermaninë, as me Francën, as me Italinë,” theksoi më tej, ndër të tjera Presidenti i Konfederatës. Dhe shtoi: “Unë nisem nga përvoja kur them se kemi marrëdhënie të mira me këto tri vende, madje edhe nëse ne na duhet t’i mbrojmë interesat tona kohës pas kohe, çka mund të çojë nganjëherë në njëfarë hatërmbetje.”
Marrëdhëniet Zvicër-BE ishte edhe tema ku u fokusua kryesisht Presidenti i Zvicrës. Pas një acarimi midis Konfederatës Helvetike dhe BE, z.Guy Parmelin bëri thirrje për një dialog të nivelit të lartë politik për të thyer bllokimin me Bashkimin Evropian. “Tani ne duam të kemi një dialog politik të nivelit të lartë,” tha Parmelin.
Në fjalën e tij Presidenti i Zvicrës vuri re edhe diferencime të BE në raport me vende që nuk janë anëtare të saj. “Përse vendet që nuk kanë lëvizjen e lirë të njerëzve trajtohen më mirë se Zvicra?” pyeti ai, duke theksuar se “ndryshe nga Britania e Madhe, ne kemi lëvizje të lirë. Ne nuk duam të dalim nga Bashkimi Evropian”.
Presidenti i Konfederatës mbrojti vazhdimin e marrëdhënieve me partnerin më të madh ekonomik të Zvicrës që janë BE, “por në baza dypalëshe, domethënë bazuar në marrëveshjet e shumta që i kornizojnë këto marrëdhënie dhe që kanë dëshmuar vlerën e tyre”. “Janë më shumë se 120 të tilla.”
Duke kujtuar lidhjet e ngushta midis Zvicrës dhe Bashkimit Evropian – z.Parmelin vuri në dukje se 1.4 milion qytetarë të BE-së jetojnë në Zvicër dhe 340,000 punëtorë ndërkufitarë vijnë për të punuar këtu çdo ditë.
Këto fakte janë shumë të forta. Z.Parmelin këmbënguli: “Marrëveshje institucionale ose jo, ne jemi tashmë një partner i BE-së. Një partner i besueshëm dhe i përkushtuar”.
Presidenti i Zvicrës i referohej parakushteve të vendosura tash nga BE për të lidhur çdo marrëveshje të re dypalëshe për akses në treg. “Ky dialog do të bëjë të mundur fillimin e një strategjie”, sipas presidentit, Zvicra mbetet e hapur për diskutime “në sektorë të caktuar” si teknologjia mjekësore, kërkimi, apo energjia elektrike.”
Z.Parmelin ishte gjithashtu veçanërisht i befasuar që qendrat financiare si Singapori dhe Hong Kongu mund të përfitonin nga ekuivalenca e rregulloreve të tyre të tregut të aksioneve, ndërsa Zvicra jo.
Me këtë rast ai përmendi investimet prej 23 miliardë frangash zvicerane (21.5 miliardë euro) në favor të lidhjes hekurudhore transalpine, nga e cila përfiton e gjithë Evropa Veriore, si shembull i përpjekjeve të Zvicrës në favor të zonës evropiane. Ashtu si miratimi në fund të shtatorit nga parlamenti i më shumë se një miliard eurove në favor të anëtarëve të BE-së.
“Pavarësisht dështimit të bisedimeve për marrëveshjen, kjo nuk do të thotë se bashkëpunimi ynë me Evropën po ndalet, aq më pak se po përkeqësohet. Ne nuk duhet t’ju besojmë atyre që kanë frikë se Zvicra do të bëhet një ishull i humbur dhe as të ndjekim ata që do të donin të bëhej i tillë”, këmbënguli ai.
Në përmbyllje të fjalës së tij para gazetarëve të APES, z. Parmelin, tha: “Këto ishin pikat që doja të ndaja me ju. Megjithatë, do të doja të theksoja përsëri se dëshirojmë të jemi të hapur: Zvicra ka qenë gjithmonë një vend i hapur. Ajo e ka dëshmuar këtë përsëri gjatë presidencës sime duke mikpritur një takim të lartë të rëndësishëm në Gjenevë, një qytet që i është kushtuar ndërtimit të një bote më të sigurt, më të ndershme dhe më përparuese në më shumë se 150 vjet.”
Pas fjalës së mbajtur në takim, Presidenti iu përgjigj plot pyetjeve të drejtuara nga gazetarët e pranishëm. Pyetjet më të shumta ishin lidhur me marrëdhëniet Zvicër-BE dhe sidomos pas dështimit të arritjes së marrëveshjes midis tyre. Z. Parmelin shprehu gatishmërinë e qeverisë zvicerane për të vazhduar dialogun dhe për të arritur një marrëveshje sa më të kënaqshme në interes të të dy palëve.
Iu drejtuan gjithashtu pyetje të tjera për zhvillimet ndërkombëtare, krizat më urgjente në botë, situatën e pandemisë dhe z. Parmelin shpalosi qëndrimet e vendit të tij dhe të qeverisë së tij si faktor i përhershëm i ndërtimit të dialogut dhe të paqes.
Pasojë e Pandemisë është sot edhe kriza energjitike globale. BE është duke marrë shumë kritika për mungesë të menaxhimit të situatave.
Kritika BE ka marrë edhe për mos menaxhimin e situatës në Ballkan, që e shohin si të rrezikshme dhe eksplozive.
Kjo situatë dramatike, reflektohet edhe në marrëdhëniet BE-Zvicër, e cila për shkak të neutralitetit të saj, nuk është pjesë e BE, por gjithmonë në marrëdhënie, bashkëpunim të ngushtë dhe në aleancë me BE.
Dreka në Bellevieu Palace
Pas konferencës për shtyp për të pranishmit e ftuar u dha një aperitiv. Pastaj në një nga sallat madhështore të Bellevieu Hotelit u shtrua dreka për nder të Presidentit të Konfederatës z.Guy Parmelin.
Bellevue Palace është një hotel luksoz me pesë yje që ndodhet në qytetin e vjetër të Bernës, dhjetë minuta në këmbë prej Bahnhof-it. Është në pronësi të Konfederatës Zvicerane, si mikpritëse për vizitat e krerëve të shteteve dhe qeverive. Aty është pritur Winston Churchill, Mikhail Gorbachev, Jawaharlal Nehru, Queen Elizabeth II, Perandori Akihito.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939-1945) Bellevieu Palace në Zvicrën neutrale ishte në aktivitet të plotë. Restoranti “La Terrasse” ishte i hapur dhe frekuentohej për gjysmë nga mysafirë të Fuqive Aleate dhe gjysma tjetër nga Forcat e Boshtit, pra gëlonte spiunazhi nga të dy kahet duke bërë që Hoteli të arrinte famë legjendare si një pikë takimi gjatë luftës e politikanëve, diplomatëve dhe gazetarëve.
Edhe gjatë Luftës së Ftohtë në këtë hotel u negociua për Marrëveshjen e Helsinkit dhe ndërtesa u quajt si “më e mbrojtura në Evropë” për shkak të grupit të veçorive të sigurisë dhe mbrojtjes së gjerë policore.
Këtu janë zhvilluar disa nga ngjarjet e romanit me spiunazh të John le Carré’s People’s Smiley, edhe përshtatja e tij televizive po ashtu u xhirua në Bellevue.
Aktualisht aty hanë sillat dhjetëra anëtarë të parlamentit gjatë javëve ku asambleja është në seancë.
E ftuara speciale Nina Christen
Në drekë, përveç gazetareve nga APES dhe mediat zvicerane, merrnin pjesë personalitete të shquara në jetën politike dhe publike të Zvicrës si dhe diplomatë të huaj.
Ishte folur se do të vinte Tina Turner. Në drekën presidenciale të APES gjithmonë janë ftuar personazhe të shkëlqyer.
Sivjet një e ftuar e veçantë ishte edhe Nina Christen.
Nina është një nga tre fitueset e të artës olimpike të Zvicrës. Ajo e fitoi medaljen e artë në Olimpiadën e Tokios 2020 në garën e qitjes, ku Kosova fitoi dy të arta në sportin e xhudos. Prania e Nina Christen tërhoqi vemendjen e të pranishmëve dhe të fotografëve. Nina Christen u përshëndet edhe nga Presidenti Guy Parmelin shoqëruar me një duartrokitje të zgjatur nga të të gjithë pranishmit.
Botuesit e Voal.ch patën rastin të ishin në të njëjtën tavolinë me Ninën dhe kështu shkëmbejnë mendime gjatë gjithë drekës. Nina tregoi interes të veçantë për Shqipërinë. I treguam se Shqipëria sikur Zvicra, ka Alpe të mrekullueshme, liqej e lumenj. I thamë se ka një vijë bregdetare magjike, që laget nga Adriatiku dhe Joni, se është një vend me 300 ditë me diell në vit dhe se Rilindasit shqiptarë e kanë përfytyruar Shqipërinë si Zvicrën e Ballkanit. Nina na tregoi se kishte vizituar Ukrainën dhe na premtoi se Shqipëria do të jetë shpejt një nga destinacionet që ajo do të vizitojë. Ne nga ana jonë i uruam medalje të tjera të arta në garat botërore që e presin.
*Fjalimi i plotë i Presidentit të Zvicrës z.Guy Parmelin Voal.ch e boton veçan të plotë
Fotografitë nga: Pierre-Michel Virot
Fjalimi i Presidentit Guy Parmelin në takimin me gazetarët e APES: Ju jeni sytë dhe veshët e botës në Zvicër
Komentet