Presidenti Barack Obama, i cili ndodhet në Kubë, tha se ngjarjet e sotme në Bruksel janë një tjetër kujtesë se bota duhet të qëndrojë e bashkuar.
“Ne duhet të jemi së bashku,” – tha Presidenti. Në hapje të një takimi me disidentët në Havanë, ku ndodhet për vizitë, Presidenti Obama tha se SHBA do të bëjnë çdo gjë që është e nevojshme për të sjellë para drejtësisë personat përgjegjës.
Shtëpia e Bardhë tha se SHBA janë në kontakt me zyrtarët belgë rreth shpërthimeve në aeroport dhe në sistemin e metrosë së Brukselit. Sekretari i Shtetit John Kerry, i cili foli me telefon nga Kuba me ministrin e jashtëm belg, tha në një deklaratë se SHBA janë duke punuar për të mësuar mbi gjendjen e të gjithë shtetasve amerikanë në Bruksel.
Ambasada amerikane ka publikuar një deklaratë ku i këshillon amerikanët të qëndrojnë aty ku janë dhe të marrin masat e duhura për sigurinë e tyre personale.
Departamenti i Shtetit tha se ishte duke sqaruar njoftimet se të paktën tre amerikanët mund të jenë plagosur në sulmet, por shtoi se këto njoftime ishin ende të pakonfirmuara.
Komentet