Presidenti i Republikës Bujar Nishani, filloi sot një vizitë dyditore në Republikën e Kroacisë, ku u prit me nderimet dhe ceremonitë e rastit nga Presidentja kroate, zonja Kolinda Grabar-Kitarović.
Pas ceremonisë së mirëseardhjes, Presidenti Nishani dhe Presidentja kroate, Grabar-Kitaroviç zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas, kryesuan takimet zyrtare mes delegacioneve të të dy vendeve, ku u diskutua mbi forcimin e mëtejshëm të miqësisë dhe bashkëpunimit dypalësh, si dhe për agjendën rajonale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Presidenti i Republikës vlerësoi si shumë të rëndësishme vizitën zyrtare në Kroaci, duke theksuar se ajo reflekton marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe vlerat e përbashkëta euroatlantike, si dhe shërben për t’i nxitur ato më tej në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
Kreu i Shtetit, duke evidentuar dëshirën dhe vullnetin e palës shqiptare për t’i pasuruar më tej këto marrëdhënie të shkëlqyera e të qëndrueshme, propozoi ngritjen e këtyre marrëdhënieve në një nivel më të lartë, në atë të partneritetit preferencial. Presidenti Nishani shprehu bindjen se përmes këtij partneriteti preferencial do të mund t’i nxisim më tej marrëdhëniet mes dy vendeve, duke koordinuar dhe sinkronizuar më mirë formatimin e strategjive të përbashkëta, si në nivel dypalësh ashtu edhe në nivel rajonal apo ndërkombëtar.
Presidenti Nishani shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen që Kroacia dhe Presidentja Grabar-Kitarović personalisht i kanë dhënë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, duke shprehur besimin se kjo mbështetje do të vijojë edhe për hapjen e negociatave të aderimit dhe zhvillimin e tyre. Presidenti Nishani e konsideroi përvojën kroate, si një shembull të vyer për Shqipërinë dhe theksoi se: “Ne e konsiderojmë Kroacinë si vendin që mund të përcjellë shpirtin, zërin dhe problematikat e rajonit në Bashkimin Evropian”, si dhe e siguroi Presidenten kroate për përkushtimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit në BE.
“Për ne shqiptarët, integrimi në Bashkimin Evropian është dhe mbetet alternativa e vetme për stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm” – u shpreh Presidenti Nishani.
Gjatë takimit një vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes dy vendeve, ku Presidenti Nishani theksoi nevojën e nxitjes dhe promovimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në mënyrë që edhe bashkëpunimi ekonomik të afrohet dhe të jetë në harmoni me nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit politik. Në mbështetje të këtij qëndrimi Presidenti i Republikës evidentoi dhe prezencën e një përfaqësie biznesi shqiptar në delegacionin e tij, si dhe zhvillimin e Forumit të përbashkët ekonomik Kroaci-Shqipëri, që pritet të mbahet në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Zagreb.
Duke u ndalur në bashkëpunimin rajonal, të dy Presidentët evidentuan qasjen euroatlantike dhe angazhimin për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore. Presidenti i Republikës vlerësoi rolin e Kroacisë në rajon dhe e siguroi mikpritësen kroate se Shqipëria është tërësisht e dedikuar për përmirësimin e frymës së bashkëpunimit dhe mirëkuptimit rajonal. Presidenti përshëndeti rolin e Kroacisë dhe të Presidentes Grabar-Kitarović veçanërisht në Procesin e Brdo-Brijunit, duke e konsideruar atë një platformë shumë të rëndësishëm për krijimin e një fryme miqësore e bashkëpunuese mes të gjithë liderëve të rajonit.
Të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe në çështje me karakter ndërkombëtar, si dhe angazhimet e të dy vendeve në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, si dhe për çështjen e refugjatëve nga zonat në konflikt. Të dy Presidentët u shprehën në favor të një zgjidhje evropiane të çështjes së refugjatëve, duke garantuar kontributin e secilit vend në këtë zgjidhje.
Pas ceremonisë zyrtare dhe takimit mes dy delegacioneve, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani vendosi dhe një kurorë me lule, me një dedikim të posaçëm për të rënët kroatë në luftë, tek Memoriali “Zëri i Viktimave Kroate – Muri i Dhimbjeve”, në Varrezat Mirogoj të Qytetit.
Në vijim, deklarata e Presidentit Nishani në konferencën e përbashkët për shtyp:
Më lejoni së pari, që të shpreh edhe publikisht falënderimet më të mira Presidentes Grabar-Kitarović, për mikpritjen dhe atmosferën e ngrohtë e miqësore që më krijoi mua dhe delegacionit që më shoqëron, si dhe ta falënderoj për fjalët dhe konsideratat e mira për vendin tim.
Faleminderit e nderuar zonja Grabar-Kitarović!
Gjithashtu, dëshiroj të theksoj se sot, pata kënaqësinë të filloj një vizitë zyrtare dy ditore në Kroaci, të cilën e konsideroj një prej vizitave më të rëndësishme, që kam kryer jashtë vendit gjatë mandatit tim presidencial.
E konsideroj të tillë pasi, së pari reflekton marrëdhënieve e shkëlqyera historike e shumë shekullore mes dy popujve dhe vendeve tona, si dhe vlerat e përbashkëta euroatlantike.
Dhe së dyti, shërben për t’i nxitur ato më tej, në të gjitha fushat me interes për vendet e popujt tanë.
Me mikpritësen time pata mundësinë sot që të bisedoj për një sërë çështjesh me interes dypalësh, rajonal apo edhe çështje të tjera me interes në nivel ndërkombëtar.
Sigurisht marrëdhëniet dypalëshe zunë vendin më të rëndësishëm në bisedat tona dhe me kënaqësi konstatuam që dialogu politik ka qenë dhe mbetet shumë intensiv dhe zhvillimi i kësaj vizite është demonstrimi më i mirë.
Në këtë kontekst, si dhe nisur nga dëshira e vullneti që këto marrëdhënie të shkëlqyera dhe të qëndrueshme mes dy vendeve tona t’i ngremë në një nivel më të lartë, propozova që këto marrëdhënie të promovohen dhe ngrihen në atë të partneritetit preferencial.
Besoj se ka ardhur koha që qeveritë e dy vendeve tona ta shohin me prioritet këtë propozim, pasi jam i bindur se kështu do të mund t’i nxisim më tej marrëdhëniet mes dy vendeve, veçanërisht ato ekonomike e tregtare.
Gjithashtu, jam i bindur se përmes këtij partneriteti preferencial do të mund të koordinojmë dhe sinkronizojmë më mirë formatimin e strategjive të përbashkëta, si në nivel dypalësh ashtu edhe në nivel rajonal apo ndërkombëtar.
Për sa i përket marrëdhënieve ekonomike e tregtare, vlerësuam se për fat të keq, ato nuk janë në harmoni me ato politike dhe se ka shumë hapësirë për të përmirësuar dhe eksploruar. Ramë dakord për t’i promovuar ato më tej, si dhe inkurajuar dhe mbështetur strukturat shtetërore të dy vendeve tona në funksion të një atmosfere sa më të mirë bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar.
Për këtë arsye një nga komponentët e kësaj vizite është dhe aspekti ekonomik. Në këtë vizitë unë shoqërohem nga përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, që është dhoma më e madhe ekonomiko-tregtare në Shqipëri, si dhe një grup sipërmarrësish anëtarë të kësaj dhome, por jo vetëm.
E falënderoj palën kroate për interesin dhe mundësinë e organizimit të Forumit Ekonomik Kroaci-Shqipëri që do të zhvillohet nesër, ku së bashku me Presidenten Grabar-Kitarović do të kemi mundësi t’i përcjellim komunitetit të biznesit të të dy vendeve, mesazhet tona inkurajuese e mbështetëse.
Shpreha mirënjohjen për mbështetjen që Kroacia dhe personalisht Presidentja Grabar-Kitarović i ka dhënë mbështetjes së procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe besimin se kjo mbështetje do të vijojë edhe për hapjen e negociatave të aderimit dhe zhvillimin e tyre. Eksperienca kroate e integrimit është shumë e vyer për Shqipërinë.
Gjithashtu, një vend të rëndësishëm ia kushtuam edhe bashkëpunimit rajonal, për të cilën dy vendet tona janë të angazhuara në të gjitha organizatat rajonale dhe kontribuuese aktive, për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Si dy vende anëtare të NATO-së, partneriteti dhe angazhimi në drejtim të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit të rajonit bëhet edhe më prezent. Të dy vendet tona kanë shprehur qartazi mbështetjen për Politikën e Dyerve të Hapura të NATO-s dhe mbështetjen e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që dëshirojnë të bëhen pjesë e aleancës.
Pata rastin që të shpreh mirënjohjen per angazhimin e Kroacise dhe kontributin e qenësishëm të Presidentes Grabar-Kitarović në kuadrin e Procesit të Brdo-Brijunit, i cili është bërë një forum shumë i rëndësishëm për nxitjen e dialogut dhe mirëkuptimit në nivelet më të larta të vendeve të rajonit. Në fund të këtij muaji, ky forum do të organizohet në Bosnje dhe Hercegovinë, ku sërish liderët e rajonit do të kenë mundësinë për të biseduar haptazi dhe në mënyrë miqësore për zhvillimin.
Nuk mund të mungonin gjatë bisedës sonë dhe kriza e refugjatëve që ka goditur rajonin tonë dhe Evropën, si dhe kërcënimet që vijnë nga terrorizmi ndërkombëtar dhe ISIS.
Pas takimit me Presidenten Grabar-Kitarović, jam edhe më shumë i bindur se e ardhmja e miqësisë mes dy popujve tanë dhe e bashkëpunimit mes dy vendeve tona do të jetë i shkëlqyer, në dobi gjithashtu edhe të rajonit dhe të kontinentit tonë.
Faleminderit për vëmendjen dhe jam i hapur për pyetje të ndryshme!”
Komentet