Presidenti Bujar Nishani shprehet se do të kërkojë hetim për tentativën që iu bë për tu përgjuar dhe ai dhe familja.
Në një intervistë për Gazetën Shqiptare ai shprehet se hetimin do ta kërkojë në një moment kur drejtësia të mos jetë kaq e ndikuar nga qeveria.
“Natyrisht që ky qëndrim dhe reagim ka brenda mosbesimin. Unë e kam deklaruar dhe herë të tjera: konstatoj një ndikim dhe interferim jo të paktë të politikës, të qeverisë mbi institucionet e drejtësisë. E kam shprehur disa herë këtë shqetësim. Kjo është një çështje e rëndë, por jo më e rënda në realitetin shqiptar, e cila nuk duhet të shmangë vëmendjen nga çështjet që janë vërtet shumë serioze dhe në interes të publikut dhe të shtetit shqiptar që meritojnë një trajtim parësor”, deklaroi Nishani.
Sipas kreut të shtetit “është një çështje që ka problematika të rënda në vetvete. Pa diskutim që është dhe doza e një mosbesimi për shkak se përfshirja në të e pjesëtarëve të administratës shtetërore dhe ndikimi që ka vendosur qeveria mbi drejtësinë, më rezervojnë që unë të hedh hapa të tjerë. Por është një çështje e cila nuk ka rrezik të prezumimit dhe të moshetimit. Në momentin më të përshtatshëm dhe unë mendoj që do të ketë një të tillë, jo vetëm që do të bëhet publike, por do të kërkohet në mënyrë transparente e të drejtpërdrejtë hetimi i të gjithë elementëve”.
Komentet