Presidenti Ilir Meta ka njoftuar sot në një konferencë për media se ka firmosur kallëzimin penal kundër funksionarëve të Kuvendit për falsifikim. Presidenti Meta deklaroi se kallëzimi është depozituar në SPAK, Prokurorinë e Tiranës dhe për dijeni Prokurorit të Përgjithshëm. Bëhet fjalë për dokumentet e sjella nga përfaqësuesit e maxhorancës në Kuvend në Gjykatën Kushtetuese, që sipas përfaqësuesve ligjorë të Presidentit janë falsifikuar.
“Sot kam firmosur kallëzimin penal si President i Republikës kundër strukturave, funksionarëve përgjegjës në Kuvendin e Shqipërisë për veprat penale të kryera në bashkëpunim, atë të falsifikimit të dokumenteve.
Sapo ky kallëzim të depozitohet në prokurorinë e Posaçme dhe në Prokurorinë e Tiranës dhe për dijeni dhe Prokurorisë së Përgjithshme, menjëherë do ta publikojmë të plotë në faqen zyrtare të Presidentit të Republikës dhe aty do të keni të gjitha parashtrimet”, deklaroi Meta.
Konferenca mbahet në një kohë kur Gjykata Kushtetuese pritet të shpallë nga dita në ditë vendimin për shkarkimin ose jo të Kreut të Shtetit.
Kushtetuesja më 7 shkurt u tërhoq për vendim me një afat brenda 30 ditëve nga kjo datë.
Kallëzimi i Kuvendit në SPAK dhe Prokurorinë e Tiranës, këshilltari i Metës zbulon arsyet: Nuk janë respektuar afatet, ka shkelje në…
Këshilltari ligjor i Presidentit Ilir Meta, Bledar Dervishaj, ka treguar se arsyet se përse Presidenca ka bërë kallëzim penal ndaj Kuvendit të Shqipërisë, lidhur me çështjen e shkarkimit të presidentit.
Sipas Dervishajt, Kuvendi nuk ka respektuar afatin 48 orë për mbledhjen e komisionit hetimor, e ka manipuluar shkresat dhe datat ku është bërë kjo thirrje. Sipas tij, kallëzimi do të bëhet në SPAK dhe Prokurorinë e Tiranës dhe do të kërkohet që të vendosen në procedim penal disa persona.
“Presidenti autorizoi këtë kallëzim penal, u evidentua qartë edhe në GJK, e ne ia demonstruam live faktet e manipulimit të disa akteve shkresore që Kuvendi i depozitoi së fundmi si provë. Ashtu siç e kemi bërë publike edhe në daljet tona, këto akte të reja kishin të bënin me urdhër të ish-kryetarit të Kuvendit, shoqëruar me rendin e ditës. Nga krahasimi i dokumenteve të bëra nga dokumentet shkresore të sjella nga kuvendi i Shqipërisë më datë 4, rezultojnë ndryshime thelbësore në datë të urdhrit dhe në përmbajtje ku përcaktohet se çfarë është rendi i ditës. Kishte ndryshime në datë. Përmes këtyre ndryshimeve tentohej të orientohej GJK drejt një date 5 që të tentohej rrëzimi i disa pretendimeve të ngritura nga presidenti dhe që kishin të bënin me afatin 48 orë. Manipulimi është i dukshëm. Data 6 ndryshon nga data 5.
Përmbajtja e kryetarit ndryshon nga ajo e publikuar. Konsistenca e veprimit jo vetëm me letër, por që në hyrje të seancës gjyqësore në orën 10, e zonja Tusha informoi palët për provat e reja, Kuvendi përmes përfaqësuesve deklaron se provat e reja i kanë sjellë me qëllim rrëzimin e pretendimeve të Presidentit. Ato do i ndryshonin përmes datave, e të justifikonin se miratuan dy vendime dhe kanë respektuar afatet. Këto elementë, përmbajnë edhe elementë të karakterit penal ku mund të jenë përfshirë disa zyrtarë të lartë të Kuvendit apo ish funksionarë të lartë që janë objekt procedimi nga struktura e posaçme. Kjo është arsyeja që kallëzimi i depozitohet edhe SPAK edhe Prokurorisë së Tiranës. Kush e urdhëroi administratën e Kuvendit të kryente këto veprime. Kjo duhet zbardhet nga prokuroria”, tha Dervishaj.
“Përpjekje për grusht shteti kundër Presidentit”, Meta: Procedura për shkarkimin tim ishte mafioze! Themelet e Republikës janë tronditur rëndë
Presidenti Ilir Meta hodhi akuza të forta ndaj Kuvendit, teksa tha se ka falsifikuar provat për shkarkimin e tij, gjë që sipas tij, ndodh për herë të parë në këto 30 vite.
Në një konferencë për media, Meta ngriti dyshime se ligjet në Kuvend ndryshohen, teksa shtroi pyetjen se “Çfarë garancie kemi ne që ligjet që votohen në Kuvend zbardhen besnikërisht dhe nuk ndryshojnë gjatë zbardhjes në interes të grupeve të caktuara?”
Sipas tij, e gjitha kjo ka qenë një përpjekje për grusht shteti kundër Kreut të Shtetit, ndërsa shtoi se procedura për shkarkimin e tij ka qenë mafioze.
“Si konkluzion kjo është një padi shumë e rëndësishme, për arsye se krimi i falsifikimit është shumë flagrant, ndodh për herë të parë në një seancë publike të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë në një proces që ndodh për herë të parë në 30 vite kundër Kreut të Shtetit dhe ky krim tregon shumë qartë jo vetëm se si ka funksionuar Kuvendi njëpartiak i deri para 25 prillit, por është një dramë se si po funksionon edhe ky Kuvend, me opozitë.
Prandaj, këtu kemi të bëjmë me themelet e Republikës, që janë tronditur rëndë. Nëse Presidenti i atij vendi të nderuar të BE doli me popullin vetëm për të kundërshtuar një ligj të konfliktit të interesave, ligje më të rënda se ai Kuvendi i mëparshëm ka prodhuar në çdo seancë, dhe deklaroi që ky ligj është nisja e një grushti shteti, çfarë mund të themi pas gjithë atyre historive të falsifikimeve, që kanë ndodhur në vendin tonë përgjatë gjithë këtyre viteve, përfshirë edhe ndërtimin e institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë. Është e qartë që kjo përpjekje, kjo provë e re, që askush nuk e kërkon, që vjen pas 8 muajsh, kur procedura ka qenë e qartë që ka qenë antikushtetuese dhe e falsifikuar nga Kuvend njëpartiak, sepse vetëm 40 deputetë kanë firmosur për shkarkimin e Presidentit, ka qenë një procedurë mafioze, nuk është gjë tjetër veçse përpjekja për të finalizuar një grusht shteti kundër Kreut të Shtetit.
Çfarë mund të thuash për letrat që kërkojnë banorët e “5 Majit”? Çfarë garancie kemi ne si qytetarë që këta jo vetëm falsifikuan letrat për t’i rrëmbyer Presidentit anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, por këta edhe për të shkarkuar Presidentin falsifikojnë? Çfarë garancie kemi ne që ligjet që votohen në Kuvend zbardhen besnikërisht dhe nuk ndryshojnë gjatë zbardhjes në interes të grupeve të caktuara? Çfarë garancie kemi ne që pronat, hipotekat dhe çdo gjë që i takon qytetarëve, nuk falsifikohen?
Ju e dini se çdo dy javë në Vlorë janë ndërruar drejtorët e Hipotekave. Pse kjo urgjencë për të bërë falsifikime të tilla. Duhet të dilte fjala e atij ish-deputetit grabitqar se Presidenti do të shkarkohej ditën e hënë dhe për të duhet të falsifikonin firmat dhe dokumentet që i mbetet prokurorisë për të hetuar”, tha Meta.
“Jam Ilir Meta o super budallenj”- Presidenti: Ata që kujtojnë se do varrosin pluralizmin de facto, ta harrojnë. Populli i 2 marsit aty është
Presidenti Ilir Meta ka thënë në një deklaratë për mediat se nuk do të largohet nga Presidenca para datës 24 korrik.
Ai tha se do të ndëshkojë të gjithë ata që kërcënojnë Kushtetutën dhe qetësinë publike.
“Ju thoni nëse 24 korriku është sot. Unë do të doja të ishte që dje. Nuk do të ketë asnjë bravë shtesë në institucionin e presidentit. Nuk do të blindohet asgjë. Më 24 korrik ju kam premtuar që do të bëj një festë e më pas aty është populli i dy marsit, është shtuar shumë kohët e fundit.
Me këto falsifikimet e fundit është i irrituar, por ne duhet të vetëpërmbahemi. Nuk varet vetëm nga presidenti. Kur palët sillen normalisht presidenti sillet si danez.
Kur kërcënohet rendi kushtetues në Republikën e Shqipërisë, ku nxitet një konflikt si ato që kemi parë, sigurisht që presidenti do të jetë njësh me kushtetutën, interesin publik, qytetarët dhe ta harrojnë njëherë e përgjithmonë ata që kanë menduar se në mënyrë mafioze, të gjithë ata rilindas vendas e ndërkombëtarë.
Se do të varrosin de facto pluralizmin e Shqipërisë, do të ndëshkohen pafund, e do të marrin përgjigjen e merituar. Jam Ilir Meta i them atyre o super budallenj”, tha Meta.
(BalkanWeb)
Komentet