Vatikani dhe vetë Papa Françesku ka shprehur shqetësimin se në Selinë e Shenjtë Shqipëria nuk përfaqësohet ende në nivel Ambasadori, por të ngarkuari me punë.
Në fakt, kryeministri Rama ka emëruar në postin e Ambasadorit Visar Zhitin, por Presidenti i Republikës nuk e ka dekretuar.
Për se nuk e ka dekretuar ende lind pyetja?
Mos vallë Visar Zhiti është ish-Sigurims?
Mos vallë Visar Zhiti ka qenë ish-nëpunës i lartë i diktaturës?
Mos vallë Visar Zhiti ka patur lidhje me ish-eksponentët e lartë të regjimit?
Asnjëra nga këto.
Jo! Visar Zhiti përfaqëson majën e elitës shqiptare të persekutuar nga regjimi komunist!
Presidenti i Republikës të Shqipërisë ndërkohë ka dekretuar si ambasadorë ish-spiunë dhe njerëz me lidhje me ish-nomenklaturën e lartë komuniste.
Dy-tre muaj më parë Presidenti Bujar Nishani ka dekretuar Ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës të Shqipërisë në Izrael Bardhyl Canajn, të birin e një ish-zyrtari të lartë të regjimit komunist dhe burrin e së bijës të Lenka Çukos, ish-anëtare e Byros Politike të PPSH-së, me një pasuri të deklaruar rreth 1.2 milionë Euro!
Kjo na paska qenë demokracia?
Jo, s’ka se si!
Sepse, nëse Shqipëria do të ishte demokraci, President i Republikës do të duhej të ishte Visar Zhiti dhe jo Bujar Nishani.
Shqipëria vijon të jetë një diktaturë!
Kuazi një diktaturë !
Dhe këtë e dëshmon më së miri veprimi konseguent i Presidentit të Republikës së Shqipërisë!
Visar Zhiti është Haveli i Shqipërisë, në diktaturën më mizore të Europës.
Ai është një ish-i dënuar nga regjimi komunist, që ka përjetuar burgun, torturat, persekutimin, ekskomunikimin, poshtrimin, punën në lager dhe sikur të mos mjaftonte ai kalvar, tani po përjeton brutalitetin, cinizmin dhe arrogancën nga Presidenti i Republikës të Shqipërisë.
Po përse është kaq brutal, cinik dhe arrogant Presidenti i Republikës së Shqipërisë?
Po pse Shqipëria na paska qenë pronë e këtij rezil-katili, këtij presidenti kukull, të emëruar politikisht, për bindje dhe verbëri nga ish-kryeministri i Shqipërisë.
E kam shkruar edhe një herë dhe e përsëris.
Bujar Nishani nuk i njeh vuajtjet e diktaturës. Sepse kur Visar Zhiti përjetonte burgun apo apo punonte si punëtor krahu, ai shkollohej për të qenë pjesë e ushtrisë të diktaturës të proletariatit.
Veç kësaj, Bujar Nishani është një president mediokër, ndërsa Visar Zhiti është një emër i shquar.
Duke mos e dekretuar Visar Zhitin si Ambasador në Vatikan, dhe duke dekretuar Ambasador në Izrael dhëndërin e Lenka Çukos, ish-Byroistes së diktaturës, dëgjo o popull që vazhdon të flesh gjumin e skllavit, Presidenti i Republikës të Shqipërisë vijon të hakmerret ndaj Visar Zhitit, ashtu si dikur hetuesit e regjimit diktatorial që e torturonin në biruca.
Dhe ndërsa Papa Françesku që e ka mirëpritur emërimin e Visar Zhitit si Ambasador, shqetësohet dhe pyet se përse nuk është dekretuar ende, Presidenti i Republikës e vijon sjelljen e tij barbare ndaj poetit, shkrimtarit, përkthyesit, publicistit, ish-të burgosurit, ish-të persekutuarit, ish-vuajtësit të diktaturës!
Deri kur kështu?
Deri kur Presidenti i Republikës të Shqipërisë do të dekretojë si përfaqësues të shtetit shqiptar ish-eksponentë të diktaturës dhe ndërkohë do të vijojë të persekutojë ish-të persekutuar të diktaturës?
Deri kur Shqipëria do të ketë presidenta kukulla ?
Komentet