Fitorja e Trump si presidenti me i ri i SHBA dhe mënyra se si ai po e shpalos dhe zhvillon vizionin e tij qeverisës, ka shkaktuar një seri reagimesh në Evropë, në Ballkan e normalisht edhe në Shqipëri. Debatet janë të gjitha kryesisht të politizuara, në kuptimin që qeveria dhe mediat e saj të shumta e relativizojnë fuqinë ndikuese të trumpizmit tek ne, duke akuzuar se opozita po gëzohet kot. E gjithë narrativa e tyre lidhet me zotin Berisha, gjoja si një njeri që nuk i duhet më Trump, se ai mendon si biznesmen. Narrativa tjetër lidhet me non-gratan e Berishës që sipas tyre e ka vendosur Trump dhe zakonisht administrata amerikane nuk i ndryshon vendimet e saj, për të mbrojtur reputacionin e vet. Ka dhe plot demagogji të tjera që tirren vërdallë, duke harruar gjënë më parësore të atij triumfi plebishitar që populli amerikan i dha konservatorëve të udhëhequr nga Trump. Ishte fitorja e një rendi tradicional vlerash kundra rendit liberal dhe radikalisht të majtë të personifikuar për dekada me agjendën shkatërruese nga Soros, ShVAB e kompani.
Pra, fitorja është vetëm fillimi i çmontimit të një ideologjie të dëmshme dhe shkatërruese që Sorosi kish arritur ta bënte kapilare, në shumë fusha të drejtësisë, kulturës, arsimit, e deri dhe ushtrisë, përtej se politikës. Ky çmontim synohet me të gjitha emërimet e reja që Trump sapo ka bërë, në çdo sektor të jetës amerikane, dhe që sekretari i ri i shtetit ka për synim ta zhvillojë fortësisht edhe në Evropë. Ja, për këtë festojnë sot parësisht patriotët në Evropë dhe demokratët në Shqipëri: MAGA dhe Tramp po kthehen në një erë të re, në një izm, në një filozofi të re të djathtë që synon jo të zëvendësojë pushtetin e majtë, por të çmontojë nga rrënjët gjithë ideologjinë e majtë të rrënjosur në gjithë këto dekada, kudo në SHBA, por rrënjësisht edhe në Evropë. Ndaj dhe relativizmi i fitores së Trump, nëpër të gjithë mediat, vetëm me heqjen apo jo të non- grata të Berishës, është një strategji e ulët, boshe dhe neveritëse kur vjen nga radhët e bijve të etërve aq shumë të diskretituar në besueshmëri, që bëhen mbrojtës e mbështetës të asaj çfarë i duhet të bëjë apo jo Trump. Edhe një herë, qasja ideologjike e rivendosjes së një rendi vlerash konservatore, është arsyeja pse amerikanët votuan masivisht, dhe jo arsyeja e një rotacioni të thjeshtë.
Vetëm nën këtë prizëm mund të kuptohet fare qartë ajo çfarë Trump dhe qeveria e tij po kërkon të arrijë. Po kështu mjaft të lexosh librin ” Të vërtetat” që do ta bëjnë Amerikën përsëri të parën, të Vivek Ramasvami, që të kuptosh se çfarë synojnë të djathtët në një agjendë të re anti-woke në dekadat që vijnë. Është pikërisht ky autor që së bashku me Elon Musk janë caktuar të jenë mendja dhe dora e çmontimit të gjithë burokracisë amerikane të zënë për fyti nga agjenda sorosiane. Ja, kjo është arsyeja për të cilën gëzohen demokratët, sepse të gjitha parimet për të cilat kemi luftuar deri më tani kundër regjimit sorosian të Ramës dhe vëllezërve të tij sorosianë në Evropë, më në fund janë pjesë e agjendës së qeverisë amerikane për fillimin e një ere të re të rikthimit të vlerave. Po për çfarë vlerash bëhet fjalë vallë? Së pari jo vlerash të personaliteteve, të llojit “të vlerave që mbart” Kamala, së cilës sapo iu botua një biografi, për të propaganduar gruan në politikë, por që në thelb nuk është personifikimi i asaj vlere të vërtetë që politika ka nevojë. Jo. Libri i Ramasvamit i përmbledh në dhjetë të vërtetat, vlerat, parimet, që synon Trumpizmi, e që janë komplet të ndryshme nga agjenda sorosiane që na kanë propaganduar mediat dhe Rama në gjithë këto vite.
Si mund ta quash vlerë të mbartur një njeri që hiqet si mbrojtëse e të drejtave të shtresave të diskriminuara, që në fushatë bërtet me të madhe ” si guxoni ta zini në gojë fjalën Krishtlindje”. Apo çfarë vlere megalomanie të patreguar duhet të ketë një njeri si Kamala, kur dikush në mitingun e saj i thërret “Krishti është mbret” ajo i turret duke i bërtitur “je në mitingun e gabuar… shko aty te cepi rrugës …. në mitingun e vogël që të përket”. Çfarë zgjuarsie e gradës më të ulët politike, e etiketuan medistet e veta të majta, një gjë që se ka bërë kurrë asnjë president i majtë, pavarësisht nëse beson apo jo në zot. E vërteta e votimeve doli që Kamala qe mitingu i vogël anës rrugës dhe vlerat e vërteta morale ato që triumfuan totalisht. Po ka edhe plot të vërteta të tjera që duhen thënë. Ka qenë pikërisht përndjekja e Trump, artificialisht, nga drejtësia e prokurorëve të paguar dhe pompuar në sistem nga Soros, ajo që sipas vetë analistit më të madh të majtë të CNN, Farid Zakaria, i ka neveritur amerikanët dhe i ka bërë të kuptojnë se e gjitha kjo ishte një gjueti shtrigash e stisur vetëm e vetëm pse Trump kandidoi për së dyti për Shtëpinë e Bardhë. E njëjta paralele mund të hiqet edhe me Shqipërinë. Problemi madhor i amerikanëve pas ekonomisë, ishte përdorimi i drejtësisë si luftë ndaj kundërshtarëve politikë. Prokurorët dhe elementët kapilarë sorosianë në sistemin e drejtësisë dhe burokracisë amerikane, janë synimi primar i çmontimit të madh që Trump synon, pasi e sheh si rrezikun themelor ndaj demokracisë dhe lirive të njeriut. Kjo është arsyeja pse amerikanët e votuan dhe ai mendon ti shkoje deri në fund kësaj agjende.
Po le të pyesim vallë, pse nuk kemi dhe ne të njëjtat probleme sot? Pse vallë Berisha u gjykua artificialisht nga burokracia, pas 8 vitesh i lënë në harresë, pikërisht në momentin kur kërkoi të rimerrte Partinë Demokratike, tashmë të shitur apo të kapur nga Rama? Absolutisht po, njësoj si Trump, me lloj lloj historish të vjetra shumë për të qenë të vërteta reale. Pse vallë nuk e di gjithkush që SPAK dhe reforma në drejtësi është pjellë e Soros në kuptimin e përzgjedhjes dhe dirigjimit të vendimeve themelore të prokurorëve të saj përbërës? Absolutisht që po. Ndaj, ka ardhur koha ti bëjmë thirrje së pari ambasadës amerikane dhe pastaj të gjithë ambasadorëve evropianë që ta çlirojnë drejtësinë shqiptare nga dirigjimi i veglave sorosiane.
Të fillojë një betejë e paepur informimi e administratës së re amerikane dhe ndryshimeve të pritshme në kampin e patriotëve evropianë për devijimet e mëdha që kjo drejtësi i ka bërë ligjit shqiptar dhe balancës politike, me një përdorim me dy standarde të parimit “të gjithë të barabartë përpara ligjit”. Pse vallë, përballë fakteve të dala përditë e me radhë për makutëri vjedhjesh, molepsje me bandat dhe trafikun e drogave, ende Rama dhe Veliaj nuk janë në burg, ose nuk janë shpallur non-grata? Pikërisht sepse fuqia e Sorosit deri tani ka qenë shume e madhe dhe ndikuese dhe e ka penguar. Kjo është kërkesa e parë që shqiptarët kërkojnë prej politikës amerikane në Tiranë: lojë të ndershme dhe të barabartë politike dhe ekonomike, jo lojë me dy standarde drejtësie. E që të arrihet kjo, e vërteta duhet të flasë më në fund pa frikë. Drejtësia duhet të çlirohet nga shantazhi i së kaluarës sorosiane, të dënojë kryekokat e regjimit shqiptar dhe ti hapë rrugë qeverisë teknike, si garanci për zgjedhje të lira. Kjo është shpresa e madhe që fitorja e Trump ka zgjuar te shqiptarët. Kjo është vlera e atyre të vërtetave që agjenda e tij do përpiqet të rivendosë në SHBA, ndaj në përputhje me to, ne kërkojmë që administrata e re, duke çrrënjosur burokracinë e vjetër sorosiane kudo, në çdo skutë të sistemit amerikan, siç dhe ka premtuar, te çrrënjosë edhe ndikimin e saj molepsës parësisht te SPAK e te sistemi ynë i drejtësisë. Lufta na takon ne shqiptarëve, por si solidarë në të njëjtat vlera dhe të vërteta, le të ndihmohemi nga kjo erë e re e së djathtës që po fillon të fryjë nga trumpizmi.