Sepp Blatter në mes të mbështetësve të tij në Ulrichen 

«Sepp është një pikëmbështetje e fortë për Valenë dhe sidomos për Malësinë e Valesë,” pohon vendasi Peter Schmid, organizator i turneut të përvitshëm të futbollit kushtuar presidentit të FIFA-s. «Është një valezan i vërtetë, që nuk ka frikë të flasë me askënd. Është vërtetë një njeri me këmbë në tokë.”
27-08-2015 11-45-32

VOAL – Manifestimi është mbajtur të shtunën në fshatin Ulrichen. Si gjithnjë gjatë 18 viteve të fundit, Blatter ishte i pranishëm në fshatin e prejardhjes së familjes së tij. Skuadrat lokale të futbollit, ku përfshihen edhe disa ish lojtarë të famshëm futbolli, luajnë para një publiku të përbërë sidomos nga vendas, duke i dhënë disi gjallëri këtij fshati të qetë.

«Joseph Blatter, Seppli ynë, është një njeri i mrekullueshëm, që ka punuar mirë dhe që nuk i ka bërë kurrë asgjë të keqe FIFA-s,” deklaron një valezan, që parapëlqen të mos ia përmendim emrin.

«Është paksa e lehtë tani të shtiesh në hava kundër tij. Është një valezan i vërtetë dhe ka bërë shumë për sportin. Në këtë moiment duhet t’i heqim nga mendja këto gjëra dhe të gëzojmë këtë ditë të mrekullueshme,” thotë Yvan Quentin, ish lojtar i kombëtares zvicerane.

Por njerëzit nuk e fshehin se sivjet atmosfera është pak më e ftohtë se vitet e shkuara. Mes tyre Christian Constantin, president i Football Club Sion, i serisë A zvicerane.

 

ulricheni1

Nga këtu gjyshi i Blatterit u transferua nga Ulrichen për në Visp

 

Philippe Blatter, president i komitetit organizativ të Ulrichenit është i afërm i presidentit të FIFA-s, thekson se sivjet ka më shumë gazetarë se asnjëherë tjetër.

Franz Beckenbauer e Michel Platini, besnikë të përkushtuar ndaj këtij turneu në vitet e shkaura, sivjet nuk kanë ardhur.

Beckenbauer e ka arsyetuar mosardhjen me vdekjen e të birit kohët e fundit. Platini, i kandiduar për presidencën e FIFA-s, ishte gjithashtu i ftuar, pohon Blatter, por nuk ka dashur të vijë.

 

Karriera e Blatterit

Lindur në Visp, qytet industrial në Malësine e Vales, ku gjendet një fabrikë e rëndësishme e grupit Lonza, punëdhënëse e babait të tij, Sepp Blatter ka studiuar në universitetin e Lozanës.

I pasionuar pas futbollit që në rini, ai hoqi dorë nga ëndrra për t’u bërë profesionist, pasi i ati e bindi se me futboll nuk mund të fitosh gjë. Punoi disa vjet në sektorin privat dhe më vonë filloi të merret me turizmin në Valé, para se të kalojë në botën sportive. Deri më 1975, kur kaloi në FIFA, ishte sekretar i përgjithshëm i Shoqatës zvicerane të Hokejit në Akull dhe përgjegjës i sponsorizimit sportiv për fabrikantin e orëve Longines.

27-08-2015 11-45-19

«Rrënjët e mia»

Përgjatë viteve Blatter me raste ka përmendur rajonin e origjinës, i njohur nga turisët sidomos për lokalitetin Zermatt.

Ulrichen gjendet pranë burimit të lumit Rodano dhe është i rrethuar nga malet më të larta të Zvicrës.

«Rrënjët e mia janë këtu dhe këtu marr sërish energji. Mund të shikoni si më kanë pritur,” deklaron Blatter për swissinfo.ch, në mes të turmës së pranishme që ndjek ndeshjen.

Në fletëpalosjet e shpërndara për popullsinë lokale që t’i ftojë në manifestim, Blatter ka kërkuar të përfshihet hymni valezan, ku flitet për “birin e maleve” që shikon me nostalgji “fshatin e largët”.
27-08-2015 13-59-21

Globetrotter – bredhës nëpër botë

Christian Constantin shpjegon se kjo “lidhje me rrënjët” e Blatterit është diçka e përbashkët e shumë valezanëve, përshembull e të gjithë atyre që në Shekullin XIX emigruan në Argjentinë në kërkim të një të ardhmeje më të mirë.

Në Visp, qytetin në grykën e luginës ku Blatter është rritur, njerëzit e ulur në Café Napoleon, pronë e dhëndërrit të presidentit të FIFA-s, thonë për swissinfo.ch se bashkëvendësi i tyre vjen shpesh në këto anë.

Deri kohë më parë, udhëtonte gjithkund për të takuar presidentë, ministra e udhëheqës të tjerë. Në qershor, pasi hoqi dorë nga pjesëmarrja në ceremoninë e Kupës Botërore të Futbollit për Femra në Kanada, Blatter kishte thënë se nuk donte të udhëtonte derisa të zgjidhet kriza (por në korrik shkoi në Rusi për hedhjen e shortit të fazës finale të Kupës së Botës 2018).

Kalimtarët që takojmë në rrugën kryesore të Vispit thonë se Blatter ka blerë prona të mëdha në qytet dhe ka ndërmend ta rinovojë.

Vite më parë, një grup banorësh pati mbledhur firma për të kërkuar që ta pagëzojnë shkollën fillore me emrin e tij. Por peticioni nuk u pranua.

Charles Louis Joris, një gjeolog që e njeh Blatterin, e përkufizon presidentin e FIFA-s si një ‘globetrotter’ më shumë se si një valezan tipik.

Në Ulrichen, ku e takojmë, Blatteri krahasohet me Rodanin. Si lumi që përshkon Valenë, kalon nëpër liqenin Leman e pastaj rend në Francë deri në Mesdhe, edhe ai kishte fatin për të udhëtuar dhe për të zbuluar horizonte më të mëdha.

«Kur të pensionohem, do ta kem një këmbë këtu në Valé, në Visp, ku jeton ime bijë. Por këmbën tjetër do ta kem gjetkë. Jam bërë një nomad, duhet të udhëtoj, nuk mund të ndalem dhe shpresoj se mund të vazhdoj edhe për një kohë».

Meqë Blatter do të dalë në pension në shkurt 2016, turneu i organizuar do të jetë i fundit?

«Pas 18 vjetësh është tashmë një legjendë, nuk mund të suprimohet lehtë. Do të vendosin njerëzit se çfarë do të bëhet, por jam i sigurtë se nuk do t’ia harrojnë emrin, ndërkohë që emri i tij do të jetë këtu. Është një emër i mirë, është një emër i mirë. Disa thonë jo, por Blatter është ende një emër i mirë».

Kritika «të padrejta»

François Carrard, përgjegjës i reformave të FIFA-s, ka deklaruar në një intervistë në Le Matin Dimanche se kritikat ndaj Blatterit janë «të padrejta».

«Ka bërë gabime, por ka bërë edhe gjëra pozitive […]. Ky njeri është trajtuar në mënyrë të padrejtë. E nëse flitet për korrupsionin… në tavolinën time kam gjithë procedurën amerikane. Në aktakuzë nuk ka asnjë fjalë ndaj tij. Asnjë. Sot unë nuk jam në dijeni të as më të voglës të dhënë për korrupsion ndaj Blatterit,» nënvizoi ish drejtori i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar./ Përktheu: Skënder Buçpapaj