Të premten, 30 nandor 2018, në moshën 94-vjeçare pushoi së rrahuni zemra fisnike e nji bujari amerikan, George Herbert Walker Bush, Presidenti i 41-të i SHBA-ve. Ai vdiq qetësisht në shtëpinë e tij, Houston, Texas, i rrethuem nga pjesëtarët e familjes tij të madhe. Pushoftë në paqe!
George H.W. Bush, nji politikan republikan dhe personalitet me dinjitet të naltë, ka qenë nji President “tranzicional” gjatë viteve 1989-1993, kulmimi i nji shërbimi publik për ma shumë se 40 vjet. Në mbarim të termit të parë, ai u mund nga nji politikan i ri, William J. Clinton, për arsye të gjendjes së vështirë ekonomike në vend. Gjatë viteve të tij presidenciale, ai i shërbeu kombit amerikan në periudhën e vështirë të gjendjes së ndërlikueme ndërkombëtare me guxim dhe dinjitet të veçantë. Gazetarja Maureen Dowd e cilësoi: ”Drejtori i njerëzishëm i anijes lundruese në valët e politikës ndërkombëtare”.
Këto ditë, populli amerikan dhe të gjithë paqedashësit vajtojnë vdekjen e Presidentit Bush. Si ngushëllim: pothuejse pa përjashtim, ai kujtohet si Presidenti që punoi randë me krijue nji atmosferë politike ma miqësore dhe ma të njerëzishme në politikën amerikane, (“a kind and gentle Nation”) dhe paqen në botë, nji pikësynim që ai e kërkoi gjatë gjithë jetës së tij. Fletorja “The New York Times” e 2 dhjetorit e përcaktoi: ”Nji forcë gjeniale e politikës amerikane që udhëhoqi kombin në vitet e fundit të Luftës së Ftohtë”. Revista prestigjioze “Foreign Affairs” në nji shkrim nga dy ekspertë, Ivo H.Daalder dhe I.M.Destler, e përcakton: “George H.W.Bush u zgjodh president me udhëheq marrëdhaniet e Shteteve të Bashkueme me botën ma i përgatitun se çdo tjetër president, para dhe mbas tij…” (FA 7.XII.2018)
George H.W. Bush ka qenë Presidenti i fundit i breznisë së L2B që zuni vend në Shtëpinë e Bardhë. Patriotizmi i tij ashtë nji shembull i rrallë. Ditën që plotësoi 18 vjet, ai u regjistrue vullnetarisht si student në Shkollën e Pilotëve të Luftës (Marinë) dhe u nis në frontin e luftës së Oqeanit Paqësor në kundërshtim me dëshirën e prindërve që ai të vazhdonte studimet pranë Universitetit prestigjioz Yale (CT). Shpejt u dekorue për trimni. U rrëzue në luftim nga forcat japoneze, 1944 dhe shpëtoi për mrekulli nga nji nëndetëse amerikane kalimtare.
I kthyem nga lufta, ai zhvilloi tregtinë dhe njikohësisht u angazhue në politikën e vendit. Humbi dy herë dhe u zgjodh dy herë kongresmen nga Texas dhe senator; u emnue ambasador në OKB, ambasador në Kinë, drejtor i CIA-s, kryetar i Republican National Committee dhe në vitin 1980 Presidenti Reagan e zgjodhi si vice-President në fushatën elektorale që doli me sukses. Për tetë vjet me radhë, Presidenti Bush u familjarizue plotësisht me detyrën e re dhe me gjendjen ndërkombëtare. I ushqyem me frymën “detyra duhet krye” dhe të “sakrificës për atdheun”, në fjalimin e pranimit të zgjedhjes së tij si kandidat për president, 1988, ai deklaroi në mes tjerash: ”Ky ashtë misioni im” dhe përfundoi, “ unë do ta plotësoj”.
Kjo frymë detyre që duhet krye e ka nxitë për ndërhymjen ushtarake me arrestue Presidentin e Panamasë, që ktheu vendin në republikë droge dhe me sulmue Irakun e Sadam Hussein-it që kishte pushtue arbitrarisht shtetin Kuwait. Sulmi kundër Irakut tregoi guximin e tij për vendimmarrje me rrjedhime botënore; dhe ndalimi i luftës mbas katër ditësh, tregoi urtësinë e tij mos me u angazhue në nji luftë shkatërrimtare.
Para fjalimit të pranimit të detyrës si President, ai i dha këto shënime sekretares që përgatiste fjalimet: “Jam ai që jam. Unë e di se ku do të shkoj. Unë kam eksperiencën me arritë atë objektiv. Punësim, paqe dhe arsim. Unë jam koshient i asaj që më rehaton mue ma shumë: familja, besimi, shokët e miqtë”. (Shënime për sekretaren, New Orleans, 1988)
Si President, ai u dallue si burokrat i shkathët dhe nji diplomat i përkryem që ndihmoi fuqimisht përfundimin e periudhës famëkeqe të “luftës së ftohtë” dhe largoi kërcënimin e nji lufte nukleare, në bashkëpunim me Presidentin e ish-Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbaçov. Ky kurs paqësor bani të mundun bashkimin e dy Gjermanive të ndame në nji shtet të vetëm dhe inkurajoi ish-republikat sovjetike me deklarue pavarësinë e tyne. Për fatin e tij dhe të gjithë Europës, u gjindën dy personalitete me peshë botënore: Helmuth Kohl, Kancelar për Gjermaninë dhe Mikhail Gorbaçov, për ish-Bashkimin Sovjetik, dy politikanë-burra shteti që kuptuen se bota e mbasluftës kishte ndryshue, se “lufta e ftohtë” duhej të pushonte dhe se nji botë e re me paqe e bashkëpunim ndërkombëtar po hynte në historinë europiane. Si hap plotësues, të dy udhëheqësit, amerikan dhe rus, nënshkruen traktate që detyruen pakësimin në vendet e tyne të sasisë së armëve nukleare dhe kimike. James A. Baker, III deklaroi në nji intervistë, 2013: ”Unë besoj se historia do ta trajtojë shumë mirë!”
Në lamin e politikës së brendshme suksesi i tij ka qenë kompromisi me “demokratët” për bashkëpunim, për ngritjen e taksave dhe pakësimin e deficitit deri në zhdukje, si dhe Traktati me Kanadanë dhe Meksikën, i njohun si NAFTA. Presidenti Bush ka qenë promotori i kalimit të legjislacionit “American Disability Act” për qytetarët e moshuem, sidomos ata me të meta fizike dhe mendore.
Kundërshtarët e akuzojnë se nuk ka tregue interesim të mjaftueshëm për problemet e brendshme dhe sidomos për klasat e vorfëna.
Gjykimin ma të plotë ndoshta ka dhanë biografi i tij, historiani presidencial Jon Meacham, kur shkroi se ajo që Presidenti Bush nuk pranoi asnjiherë janë elementët ideologjikë, të ashpër dhe të gatshëm për nji revolucion partizan. Kryetarit të Dhomës i tha: “Kam frikë se nganjiherë idealizmi i juej do të pengojë punën që bajmë, nji qeverisje e mirë”. Ajo që deshti të thoshte ka qenë ”ekstremizmi” i juej, “fanatizmi” i juej… ”Ai u rrit”, shkruen Meacham, “në nji botë ku politika ishte nji instrument me shërbye të mirën publike, jo nji mjet për vetëzmadhim ose vetëpasunim. George H.W.Bush u ba ‘vullnetar’ në konfliktin e L2B që ditën e parë që lejonte ligji (18-vjeçar) dhe nuk pushoi asnjiherë”.
“Presidenti Bush”, shkruen Meacham, ”ka qenë nji ‘gentleman,’ por edhe nji ‘politikan’. Dhe këtu ka qenë tensioni i jetës tij… Politika nuk ashtë nji ndërmarrje e papërlyeme”, thoshte ai, “sidomos nëse kërkohet me fitue. Fatkeqësisht, kështu ashtë politika!” Bush e kuptoi se “grumbullimi i pushtetit shërben vetëm me ndihmue Amerikën dhe botën mbarë. Ajo që peshon në këtë mes ashtë faktori moral i udhëheqësit që komandon: nji person parimor dhe jo egoist. I tillë, Presidenti Bush ka qenë”, shkruen historiani Meacham, shembull i rolit të individit në histori…
I pyetun si dëshiron të kujtohet nga breznitë e ardhme, Presidenti George H.Bush u përgjegj: ”Nji qytetar që ka vue atdheun në vend të parë. Nji shërbestar i Amerikës…!” …e pame si “a kind and gentle Nation!”.
*****
Ndërlidhja shqiptare nisi me “Paralajmërimin e Krishtlindjes” 25 dhjetor 1992 dhe vazhdoi pa ndërpremje. Presidenti Bush përfundoi njohjen diplomatike të Shqipërisë, mars 1991, i dha Shqipërisë “the most favored nation clause” dhe kërcënoi diktatorin Miloseviç me bombardim nëse ai guxonte me sulmue Kosovën. Ky qëndrim u adaptue edhe nga Presidenti mbasardhës, W.J.Clinton me deklaratën e Sekretarit të Shtetit, Warren Christopher, 13 shkurt 1992. Nji aksion i këtillë i kombinuem ngriti lidhjet me shqiptarët (e Shqipërisë dhe Kosovës) nga nji nevojë teknike e përkohshme, në lamin strategjik, afatgjatë; hyni në fushë termi “strategic ally” për të dy shtetet shqiptare në Ballkan, nji hap i madh kualifikativ politik që vazhdon edhe sot. Shqipëria huazoi bazën e Gjadrit për dronet amerikane gjatë luftës për Bosnje-Herzegovinën (1991-95).
Akti themelor i vitit 1992, theu akullin 45-vjeçar të marrëdhanieve në mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, që kishin krijue qeveritë komuniste të Shqipërisë që nga viti 1945, me rezultat izolimin e plotë të vendit dhe “atmosferën armiqësore” që u ushqye nga PPSH-ja me fanatizëm stalinian. Në prill 1965, unë kam dëshmue për herë të parë para Kongresit Amerikan në lidhje me Shqipërinë komuniste, por kam paraqitë edhe problemin e Kosovës për të parën herë. Atmosfera e kongresistëve ka qenë armiqësore dhe u shfaq haptazi. Kryetari i Komisionit, kongresmeni Lee Hamilton, m’u drejtue me këto fjalë: “Z. Repishti, Shqipëria na sulmon 7 ditë në javë me radio e shtyp. Ashtë nji fat për atë, që ne nuk flasim shqip me lexue e kuptue këto shamje të përditshme. Presidenti Tito ashtë mik i joni. Ju vini këtu e kërkoni që ne të marrim qëndrim kundër Titos, nji mik, e të përkrahim kërkesat e Shqipërisë. Nuk mund ta bajmë këtë”.
I prekun në sedër, u përgjigja: “Z. Kryetar, unë nuk kam ardhë këtu për politikë. Unë kam ardhë si aktivist për çështjet e të drejtave të njeriut, me kerkue ndihmën tuej që shtypjet në Shqipëri dhe në Kosovë të pushojnë. Për këtë ngulim kambë”.
Me këtë atmosferë në vend, veprimtaria e jonë në përkrahje të të drejtave të njeriut ka qenë e vështirë. Në vitin 1975 u firmue Akti Final i Helsinki-t. Nji dritore e re u hap për të gjithë aktivistët. Bashkësia shqiptaro-amerikane u mobilizue, u organizue dhe filloi veprimin. Traktet, konferencat akademike dhe pjesëmarrjet në dëshmi kongresiane u shtuen.
Në 28 nandor 1968 u formue organizata Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë me qëllim informimi të Botës së Lirë mbi ngjarjet në Kosovë. Unë veprova si “l’éminence grise”. Trakte dhe materiale të tjera informative shpërndaheshin rregullisht para OKB-së dhe në disa qendra të New York-ut. Në shtator 1976 u dërgue Memorandumi i parë për Sekretarin e Përgjithshëm pranë OKB-së dhe më 20 shtator 1980 Memorandumi i parë për Komisionin e Sigurimit dhe Bashkëpunimit Europian me nji listë të gjatë denoncimesh të verifikueme edhe nga shtypi kosovar. Kjo praktikë u vazhdue për 15 vjet me radhë.
Në qershor 1986 u formue Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane (AACL) nën kryesinë e kongresmenit Joseph J. DioGuardi. (Unë veprova si Drejtor Ekzekutiv) Qëllimi kryesor ka qenë organizimi i rezistencës shqiptaro-amerikane kundër shtypjes së popullsisë shqiptare në Jugosllavi, kryesisht në Kosovë.
Akte rezistence individuale, ose grupesh spontane kanë ekzistue në SHBA vazhdimisht për vite me radhë dhe unë shpresoj se dikush, dikur, do të marrë mundimin me i hetue, regjistrue e paraqitë si dokumentarë të veprimtarive të emigracionit shqiptar. Gazeta “DIELLI” (e Bostonit), organ i “VATRËS” ka qenë tribunë kryesore në dispozicion të elementit qëllimmirë. Gazeta “LIRIA”, me prirje të forta pro-Tiranës komuniste ka qenë e përmbajtun dhe raportonte vetëm shkrime të huazueme nga shtypi komunist. LIRIA ashtë subvencionue nga Tirana.
Më 1962, me rastin e 50-vjetorit të themelimit, VATRA mori nji qëndrim ma të premë antikomunist. Anëtarësia u rrit dhe “DIELLI” dilte ma me rregull. Ky ka qenë edhe momenti kryesor i orientimit të ri të “VATRËS” dhe editorit Xhevat Kallajxhiu. Ashtë meritë e “VATRËS” që nuk pranoi ndihmë të ofrueme nga qarqet qeveritare për kundërpropagandë antikomuniste. Ish-kryetari, i nderuemi Christo Thanas, më ka tregue konfidencialisht se “…përgjigja e jonë këtyne ofertave ka qenë: ’Nëse nuk jemi në gjendje ta mbajmë, do ta mbyllim; por nuk e mbajmë të hapun me ndihma nga jashtë Federatës’”.
Ndërkaq, Lidhja Qytetare vepronte me kontakte të marruna me anëtarë të Kongresit dhe me rritje të anëtarësimit të shqiptarëve ne Lidhje. Në shtator 1986 u paraqit rasti për nji aksion me rrjedhime pozitive për veprimtarinë e Lidhjes Qytetare. N/Presidenti George H.W.Bush vendosi të ndihmojë fushatën elektorale në favor të kongresistit DioGuardi. Ai erdhi në Hotelin Hilton Westchester (N.Y.). Nga ana e Lidhjes Qytetare u organizue nji “drekë pune” në nder të vizitorit të shquem, në datën 4 shtator 1986. Me sugjerimin e dr.Ramadan Xhema, unë propozova të përgatitet nji peticion me shkrim për n/Presidentin, ku të kërkohej që SHBA-të të hapnin nji Zyrë Informative (Information Office) në Prishtinë-Kosovë, me qëllim të monitorizohej gjendja e randë në atë krahinë. U gjykue se “prania amerikane në Prishtinë” do të lehtësonte shumë gjendjen dhe do të shërbente si “syni dhe veshi i Amerikës”, në atë krahinë që kishte mbulue terri informativ dhe shtypja politike. Bota dinte shumë pak për gjendjen katastrofike të shqiptarëve në Jugosllavi për arsye të censurës policore serbe mbi shtypin e vendit dhe vizitat e të huejve në Kosovë.
Ditën e takimit, përgatita nji peticion dhe u ofrova ta dorëzoj me dorë peticionin n/Presidentit Bush. Kur mbledhja u hap, fola me shefin e eskortës së sigurimit dhe kërkova të shkoj në tribunë për dorëzimin. Ai mori instruksionet dhe më lejoi. I impresionuem nga ky akt fisnik dhe pa formalitete, u afrova pranë n/Presidentit. Ai u ngrit dhe unë i dorëzova dokumentin. N/Presidenti Bush, i njohun për sjelljet e tij fisnike (familje aristokrate!) më ofroi dorën, që unë shtrëngova me gëzim të madh dhe i ofrova zarfin. Ai e mori e më falënderoi. Unë e falënderova gjithashtu.
U ktheva në tryezën time. Nga aty vërejta se ai hapi zarfin e filloi leximin e faqes së parë. Në paragrafin e parë unë kisha tregue se isha nji i burgosun politik që kishte kalue njimbëdhjetë vjet në burgjet dhe kampet e punës komuniste (Shqipëri dhe Jugosllavi) dhe se isha aktivist për të drejtat e njeriut, mora guximin me vue në dijeni udhëheqësit amerikanë mbi shkeljet e të drejtave të njeriut, me peticionin që vijon.
Ndërkaq, drejtuesi i mbledhjes përfundoi paraqitjen e n/Presidentit dhe i ofroi mikrofonin. Për çudinë time, n/Presidenti filloi fjalën e tij (afërsisht): “Posa mora nji peticion mbi shkeljen e të drejtave të njeriut nga dr. Repishti dhe e përgëzoj për aktivitetin e tij. Dr. Repishti ka kalue ma shumë se dhjetë vjet në burgjet e kampet komuniste si luftëtar për lirinë e vet dhe të popullit të vet. Më lejoni t’ju them se përsa kohë që elementë si dr. Repishti që ka rrezikue jetën në kërkim të lirisë dhe këtë liri e ka gjetë në Shtetet e Bashkueme, na siguron se në vendin tonë, liria nuk do të shuhet…” Na duartrokitëm.
Me kalimin e viteve, kontaktet e bashkësisë shqiptaro-amerikane me Kongresin dhe Qeverinë amerikane u shtuen. Disa veprimtarë u treguen shumë aktivë. Kontakte të shumta dhe të përzemërta u zhvilluen, sidomos me senatorët R.Dole dhe A.D’Amato, L.Pressler si dhe me kongresistët W.S. Broomfield, T.Lantos, E.Engel e tjerë. Nga rezultatet ma me randësi të arrituna nga këto kontakte kanë qenë ndërhymja e senatorit R.Dole me bindë Presidentin Bush t’i dërgojë ultimatumin ish-Presidentit serb Miloseviç, 25 dhjetor 1992, (i njohun si “Paralajmërimi i Krishtlindjes”); dhe më 13 shkurt 1993, ai i Presidentit Clinton, dy akte që çimentuen marrëdhaniet shqiptaro-amerikane:
“Na jemi të përgatitun me reague kundër serbëve në rast se krijojnë nji konflikt në Kosovë si rrjedhim i veprimtarisë serbe; dhe, për ma tepër, na do të punojmë me forcue praninë ndërkombëtare në Maqedoni. Firmue: Warren Christopher”. (The NYTimes, 11 II. 1993).
Në mars 1991, u vendosën marrëdhaniet diplomatike me Shqipërinë, dhe nji vjet ma vonë, Presidenti Sali Berisha vizitoi Shtëpinë e Bardhë. Në takimet me Presidentin Bush u paraqit nji rast i veçantë për diskutime të hollësishme rreth çështjes gjithëshqiptare në qarqet ma të nalta amerikane.
Me iniciativën e American Friends of Albania, grup shqiptaro-amerikanësh, Departamenti i Shtetit siguroi nji ndihmë prej 30 milionë dollarësh si fond për ngritjen ekonomike të Shqipërisë. U themelue Banka Shqiptaro-Amerikane në Tiranë, nji institucion që mbijetoi dhe u rrit.
Më 11 qershor 1997, me iniciativën e KKSHA, nji koalicion i shoqatave shqiptaro-amerikane fetare, kulturale dhe civile i drejtoi nji peticion Presidentit W.J.Clinton, me të cilin kërkohej që “… Qeveria e Shteteve të Bashkueme të Amerikës të luajë nji rol ma aktiv në Shqipëri, me qëllim që të sjellin paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në atdheun e të parëve tonë…” Peticioni u firmue nga dr.Sami Repishti. Përgjigja e Presidentit Clinton erdhi me 8 gusht 1997. Ishte “viti i mbrapshtë” në Shqipëri. Në mes të tjerash, letra presidenciale thotë:
“I nderuemi Sami: Ju falënderoj për Letrën tuej të datës 11 qershor në lidhje me situatën e shqiptarëve etnikë në Ballkan. Shqipëria ka arritë në nji pikë kritike gjatë rrugës së saj drejt demokracisë dhe qetësimi i kaosit që mbretnon atje që nga mueji i marsit ashtë nji përparësi e politikës sonë të jashtme.
Na mendojmë që ashtë me randësi me veprue së bashku si nji bashkësi ndërkombëtare, prandej Administrata ime po punon ngushtësisht me partnerët tanë europianë, tu e përfshi edhe Organizatën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Europë, me ndihmue ringritjen e institucioneve demokratike dhe me përmirësue situatën e të gjithë shqiptarëve…..
Unë due t’ju siguroj se Administrata ime ashtë e angazhueme me punue për promovimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Ballkanit, si dhe me vazhdue përpjekjet tona drejt nji zhvillimi të demokracisë dhe rivendosjes së rendit publik në Shqipëri.
Edhe nji herë ju falënderoj për interesimin tuej aktiv në këtë problem me randësi.
Sinqerisht, Bill Clinton (firma)“
Më 8 mars 1998, Sekretarja e Shtetit, M.Albright, dha sinjalin e fundit: mbas tragjedisë së Prekazit. Nga Bon i Gjermanisë, ajo deklaroi: “Koha me u dhanë fund vrasjeve ashtë tani, para se të përhapen. Mënyra për ta ba këtë ashtë tue ndërmarrë veprime të menjihershme kundër regjimit në Beograd”.
Ka qenë rrjedhim i kësaj situate të rrezikshme për të gjithë shqiptarët në Ballkan, që në maj të vitit 1996, u formue Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) (kryetar, 1996-98-SR), nji formacion politik ma i organizuem dhe ma efektiv me përfaqësi të rregullt në Washington D.C. Këshilli luejti rolin e nji ambasade kosovare që mungonte ato ditë në Washington DC. Këshillat profesionale të ish-ambasadorit W.E.Ryerson kanë qenë të cilësisë e randësisë së dorës së parë.
KKSHA (NAAC) ka pasë sukses me kontakte të rregullta me të gjitha organet e interesueme federale në kryeqytet dhe ka fitue besimin e tyne për korrektesë politike e konfidencialitet. Sot shijojmë gëzimin e madh të raporteve shumë miqësore shqiptaro-amerikane, nji shpërblim edhe i punës së ndershme të emigracionit politik shqiptar. Kujtoj me kryenaltësi frymën fanoliane “Jepni për Nënën”, që mbretnoi kudo gjatë atyne viteve dhe që frymëzon akoma mërgimin politik dhe jopolitik të sotëm, sidomos punëtorët e thjeshtë që sakrifikojnë aq shumë për ndihmë Shqipërisë dhe Kosovës.
Ish-ambasadori amerikan në Tiranë, i nderuemi William E. Ryerson, komentonte në nji letër, që më drejtonte më 6 shtator 2001, sa vijon:
“ I nderuemi Sami
…Pa dyshim merita për lirimin e Kosovës i takon Sekretares (së Shtetit) M.Albright, që pati urtësinë me përkrahë atë që ishte e drejtë si dhe aftësisë e saj me bindë “boss”-in (Presidentin Clinton) dhe kolegët e tij me veprue e jo me u kufizue në deklarata pa efekt. Megjithatë, ajo nuk do të dilte me sukses sikur ju dhe të tjerë si ju, të mos kishit shpenzue vite të gjata, sidomos me edukimin e publikut amerikan dhe akoma ma me randësi me edukimin e udhëheqësve tanë (amerikanë) mbi problemin serioz që paraqiste shtypja serbe në kurriz të shqiptarëve të Kosovës.
Ju keni të drejtë me qenë kryenaltë për të gjitha sukseset e jueja. Jo, ju nuk i keni arritë vetëm këto suksese; por, unë dyshoj nëse pa përpjekjet e jueja udhëheqësit politikë amerikanë do të kishin veprue ashtu si vepruen.
Sinqerisht i jueji, William E. Ryerson, ish-ambasador i SHBA-ve në Tiranë”.
Kështu vepruen shqiptarët e Amerikës për Nanën Shqipëri e për Kosovën, bijë e shtrenjtë e saj!
*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.
Komentet