Presidenti Joe Biden po konsultohet të martën në Poloni me aleatët e krahut lindor të NATO-s, ndërsa agresioni rus i Ukrainës po shkon drejt një faze edhe më të ndërlikuar.
Pasi bëri një vizitë të paparalajmëruar në Kiev, zoti Biden shkoi në Varshavë të hënën me synimin për të forcuar unitetin perëndimor ndërsa si Ukraina edhe Rusia bëhen gati për ofensiva të reja në pranverë. Lufta më e madhe rnë Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – ka shkaktuar deri tani vdekjen e mijëra personave, ka shkatërruar sistemin e infrastrukturës së Ukrainës dhe ka dëmtuar ekonominë globale.
“Mendova se ishte kritike që të mos kishte asnjë dyshim, asnjë lloj dyshimi, për mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën në luftë,” tha zoti Biden në krah të presidentit ukrainas Volodomyr Zelenskyy në Kiev përpara se të nisej për në Poloni.
Presidenti Biden u prit të martën nga presidenti polak Andrzej Duda në Pallatin Presidencial dhe do të mbajë një fjalim para Kështjellës Mbretërore të Varshavës, ku pritet ta vërë theksin tek angazhimi i vendit të Evropës Qendrore dhe aleatëve të tjerë ndaj Ukrainës gjatë vitit të kaluar. Të mërkurën, ai do të konsultohet me zotin Duda dhe udhëheqës të tjerë të grupit të Bukureshtit, që përbëhet nga nëntë aleatët e krahut më lindor të NATO-s.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan tha se në fjalimin në Kështjellën Mbretërore, presidenti demokrat do të theksojë se hapat që do të ndërmarrin vendet demokratike në vitet e ardhshme do të kenë ndikim për një kohë të gjatë.
Ndërsa presidenti Biden po e përdor udhëtimin e tij në Evropë si një moment konfirmimi mbështetjeje për Ukrainën dhe aleatët, Shtëpia e Bardhë ka theksuar se nuk duket të ketë një përfundim të qartë të luftës në të ardhmen e afërt dhe se situata në terren po bëhet gjithnjë e më komplekse.