Presidenti amerikan Joe Biden do t’u japë 20 amerikanëve nderimin e dytë më të lartë civil të vendit në një ceremoni që do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë të enjten.
Në këtë grup përfshihen ligjvënësi Bennie Thompson dhe ish-ligjvënësja republikane Elizabeth Cheney, të cilët drejtuan hetimet e Kongresit për sulmin e 6 janarit të vitit 2021 në Kapitol. Sulmi i 6 janarit u bë nga një turmë e mbështetësve të zotit Donald Trump në përpjekje për të mos lejuar certifikimin e fitores së zotit Biden në zgjedhjet e vitit 2020.
Presidenti i zgjedhur Trump, që fitoi zgjedhjet e vitit 2024 për një mandat të ri që fillon më 20 janar, ka thënë se zoti Thompson dhe zonja Cheney duhet të burgosen.
Deklarata e Shtëpisë së Bardhë për të nderuarit e së enjtes thekson se republikania Cheney, “ngriti zërin e saj dhe u bë bashkë me palën kundërshtare në politikë për të mbrojtur vendin tonë dhe idealet mbi të cilat ne qëndrojmë: Lirinë. Dinjitetin dhe Integritetin”.
E krijuar në vitin 1969, Medalja Presidenciale e Qytetarisë nderon shtetasit amerikanë“që kanë kryer vepra shembullore për vendin e tyre ose bashkëqytetarët e tyre”.
“Presidenti Biden beson se këta amerikanë kanë të përbashkët integritetin dhe përkushtimin e tyre për t’u shërbyer të tjerëve. Vendi ynë është më i mirë për shkak të përkushtimit dhe sakrificës së tyre”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
Në mesin e atyre që do të nderohen janë edhe Mary Bonauto dhe Evan Wolfson, të cilët u angazhuan për legalizimin e së drejtës për martesë mes personave të së njëjtës gjini në Shtetet e Bashkuara.
Frank Butler është një tjetër fitues i medaljes për përpjekjet e tij për të përmirësuar teknikat e ndihmës së shpejtë për ushtarët e plagosur në fushën e betejës.
Mitsuye Endo Tsutsumi do të nderohet për padinë e saj të suksesshme ligjore kundër burgosjes së japonezëve amerikanë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Presidenti Biden do të nderojë edhe zonjën Eleanor Smeal për punën e saj në udhëheqjen e protestave për të drejtat e grave dhe për paga të barabarta për gratë.
Medalje do t’u jepen edhe ish ligjvënëses Carolyn McCarthy, si dhe një grupi ish-senatorësh: Bill Bradley, Chris Dodd, Nancy Kassebaum dhe Ted Kaufman.
Në mesin e të nderuarve përfshihen edhe Diane Carlson Evans, themeluese e Fondacionit të Përkujtimit të Grave të Vietnamit, korrespondentin nga zonat e luftës Joseph Galloway, avokatin e të drejtave civile Louis Redding dhe fotografin Bobby Sager.
Në këtë grup janë edhe gjykatësi Collins Seitz, themeluesi i Universitetit Fulbright të Vietnamit, Thomas Vallely, aktivisti i studimeve mbi kancerin e gjirit, Frances Visco dhe themeluesja e Fakulteti të Artit dhe Dizajnit në Savannah, Paula Wallace.
Disa informacione për këtë artikull janë marrë nga agjencia e lajmeve ‘Associated Press’