Presidenca e Kosovës ka reaguar pasi Agjencia e Aviacionit Civil e Maqedonisë së Veriut ka konstatuar se shërbimet e aeroportit përgjegjës për kontrollet e sigurisë kanë vepruar sipas rregulloreve ndërkombëtare.
Në reagimin e Presidencës thuhet se në asnjë vend të botës, kreut të shtetit nuk i kërkohet ta dorëzojë telefonin për skanim.
“Në asnjë vend të botës, kreut të shtetit nuk i kërkohet ta dorëzojë telefonin për skanim. Ne shtete të tjera nuk kontrollohet as bagazhi personal e as çanta personale e kreut të shtetit e lëre më telefoni personal. Si Presidencë, kemi përvojë të mjaftueshme edhe me udhëtime të tjera, nuk kemi nevojë ta provojmë, ngase askund, asnjëherë as çanta personale, as valixhja (bagazhi personal) e as telefoni i kreut të shtetit nuk i janë nënshtruar kontrollit”, ka thënë Presidenca.
Më tej ka shtuar se Maqedonia e Veriut është i vetmi shtet në botë që refuzon të aplikojë “të drejtën ndërkombëtare zakonore dhe konventat ndërkombëtare që kanë të bëjnë me kreun e shtetit”.
Presidenca ka theksuar se nuk ka asgjë profesionale në sjelljen e sigurimit.
“Siç kemi deklaruar disa herë, presidentja e ka vendosur në kontroll çanten e saj dhe ajo e ka kaluar skanerin. Çdo deklaratë tjetër është propagandë për qëllime politike. Nuk ka asgjë profesionale në sjelljen e sigurimit që i del përpara kreut të një shteti dhe ia bllokon lëvizjen pasi ta ketë vendosur edhe çantën në skaner. RMV ka shkelur rregullat ndërkombëtare që aplikohen çdokund në botë duke kërkuar skanimin e telefonit të Presidentes së një shteti tjetër, gjë që do të paraqiste potencial për cenim të sigurisë kombëtare. Presidentja nuk është kthyer në Kosovë nëpërmjet Aeroportit të Shkupit, pra ka ndryshuar itinerarin e udhëtimit, sepse ekipi i saj i sigurisë ka vlerësuar se pas propagandës marramendëse nuk ekzistojnë as kushtet bazike të sigurisë për një gjë të tillë”, thuhet në reagim. sn