Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Jasir Asani, në një rrëfim ndryshe për “Klan Maqedonia”, flet për ndjenjat dhe emocionet e forta që ka përjetuar gjatë karrierës së tij. Asani tregon se të qenit pjesë e Kombëtares së Shqipërisë është një ëndërr e plotësuar që kur ishte fëmijë.
Ai tregon si ka pritur thirrjen e parë nga trajneri Silvinjo, tregoi emocionet dhe parashikimet e tij për grupin e “ferrit” të kuqezinjve në EURO 2024 në Gjermani, si dhe ku ka dëshirë që t’a mbyllë karrierën si futbollist.
“Kur ftesa erdhi isha në Korenë e Jugut dhe dy ditë para, normalisht, nga gëzimi edhe qan dhe bën të pamundurën për çdo gjë, sepse po të plotësohet dëshira që nga fëmijëria që e ke pasur për Kombëtaren e Shqipërisë. Është një emocion i paparë, sepse të vjen koha që ti të luash për atë fanellë shumë të rëndë, shumë emocion që të jep dhe me ata tifozë anembanë botës që vijnë e të mbështesin. Sidomos në “Air Albania”, që kanë qenë ato tre ndeshjet më të vështira, me Poloninë, Moldavinë dhe Çekinë që kemi fituar. Nuk mund ta përshkruash me fjalë, e paparë”, u shpreh ylli i Kombëtares Shqiptare, Jasir Asani.
I pyetur për grupin e shumëdiskutuar, të njohur ndryshe si grupi i “ferrit” ku Shqipëria është bashkë me kombëtare si: Italia, Kroacia dhe Spanja, Asani duket mjaft optimist dhe me entuziazëm thotë se të gjithë ekipeve do t`u bëjë gol. Ai gjithashtu shpreson se do të arrijnë të kalojnë grupin.
“Doja një grup shumë të fortë, si ky që kemi, në mënyrë që t’a shohim veten ku jemi dhe t’i tregojmë gjithë botës se nuk jemi rastësisht në Gjermani. Nuk ka qenë rastësi që kemi mundur Poloninë, Çekinë, Moldavinë. Është mirë që e mbyllëm në vend të parë dhe unë mendoj se do bëjmë gjëra të mëdha pa marrë parasysh se çfarë ekipi do të kemi aty”, tha Asani i cili dëshiron që karrierën ta mbyllë te Partizani: “Karrierën dua t’a mbyll te Partizani, pasi atje është familja ime e dytë”, thotë Asani.