Para zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në Francë këtë vit, kandidatët në fushatat e tyre janë duke i vendosur në plan të parë premtimet që kanë të bëjnë me ekonominë
PARIS – Para zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në Francë këtë vit, kandidatët në fushatat e tyre janë duke i vendosur në plan të parë premtimet që kanë të bëjnë me ekonominë.
Një nga premtimet më të rëndësishme në programin e Benoit Hamon, ish-ministrit të Arsimit i cili gjatë ditës së djeshme u caktua si kandidat i Partisë Socialiste për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në dy raunde në muajin prill dhe maj duke fituar 58 përqind të votave në raundin e dytë të zgjedhjeve preliminare, është implementimi i pagave për secilin, ata që punojnë dhe ata që nuk punojnë.
Premtimi i Hamon ka lënë në pozitë të vështirë kundërshtarët e tij duke premtuar pagë për gjithkë, ndërkohë që kritikat se ky premtim nuk është realist nuk e penguan atë të sigurojë fitoren në zgjedhjet preliminare brendapartiake.
Hamon parasheh pagë mujore prej 600 eurosh për çdo person mbi moshën 18-vjeçare duke filluar nga viti 2018. Ish-ministri synon që këtë të ardhur ta rrisë gradualisht në 750 euro pas vitit 2022.
Në mesin e premtimeve të Hamon gjendet edhe e drejta e votës për të huajt në zgjedhjet lokale. Ndërkaq, në mesin e premtimeve që kanë të bëjnë me politikën e jashtme qëndron njohja e Palestinës si shtet.
Sipas programit të Hamon, i cili ka theksuar se bazohet në një program ambientalist, me qëllim të mbrojtjes së natyrës, deri në vitin 2025 do të ndalohet konsumi i lëndës djegëse dizel, ndërsa pjesëmarrja e energjisë nukleare në prodhimin e energjisë do të zvogëlohet në 50 përqind.
Nga ana tjetër, gjatë fushatës së tij, Hamon është shndërruar në shënjestër të së djathtës ekstreme për shkak të rekomandimeve të tij në lidhje me politikat që kanë të bëjnë me muslimanët.
E djathta ekstreme i kishte vendosur atij emrin Bilal, siç kanë theksuar, pasi ka nisur rrugën me emrin Benoit. Ndërkaq, pas kësaj, Hamon u shpreh se “Ndihem krenar që jam Bilal. Edhe të qenit Elie dhe David më bëjnë tejet krenar”.
Macron do të heqë shkurtimet e pagës minimale
Ish-ministri i Ekonomisë Emmanuel Macron, kandidat presidencial i cili ka formuar lëvizje të rej me emrin “En Marche” (Në marsh), në programin e tij ka vendosur heqjen e shkurtimeve të fondit të shëndetësisë dhe papunësisë në pagat punëtorëve. Macron thekson se në këtë mënyrë, një çift që siguron jetesën me pagë minimale do të mund të kursejë të paktën 500 euro në muaj.
Macron mbron mendimin për ndryshimin e orarit javor të punës prej 35 orëve i cili zbatohet në mënyrë të njëjtë për punëtorët e të gjitha moshave. Në sistemin e planifikuar nga ish-ministri parashihet që të rinjtë të punojnë më shumë se 35 orë, ndërsa orari javor i të moshuarve të mos kalojë mbi 30-32 orë.
Në sistemin e pensionimit, Macron synon pensionim në mosha të ndryshme varësisht nga profesioni. Ai premton ndryshimin e moshës së pensionimit nga 60 deri në 67 vjeç, në varësi të amortizimit të profesioneve.
Ai po ashtu premton punësimin e dhjetë mijë policëve brenda tre viteve pas ardhjes në detyrë duke synuar rritjen e sigurisë së vendit. Në kuadër të kësaj, Macron, i cili kërkon luftë aktive ndaj terrorit, synon forcimin e inteligjencës në zonat e ndjeshme.
Gjithashtu, Macron planifikon çek prej 500 eurosh, i cili do të jepet vetëm një herë, për të rinjtë që mbushin 18 vjeç, në mënyrë për të siguruar qasje në përmbajtjet kulturore. Ky shpenzim i Macron pritet të mbulohet përmes taksave që do të merren nga industria.
Fillon dëshiron reduktimin e hyrjes së refugjatëve
François Fillon, kandidati presidencial i Partisë Republikane nga qendra e djathtë, nga ana tjetër, synon heqjen e shkurtimeve sociale të kompanive që japin mbështetje për punësimin e të rinjve, në mënyrë që të reduktojë papunësinë në vend. Fillon është i mendimit se kontratat e punës duhet të jenë të një lloji dhe premton se do ta rrisë trajnimin për profesionalizimin e të papunëve.
Ish-kryeministri Fillon është i mendimit se duhet reduktuar hyrjen e refugjatëve në vend, ndërkohë që synon uljen e numrit vjetor të refugjatëve që mund të pranohen në nën 100 mijë.
Ndërkaq, për rritjen e sigurisë në vend, Fillon parasheh formimin e një strukture të madhe të Ministrisë së Brendshme e cila do t’i sjellë nën një çati të vetme doganat, burgjet, xhandarmërinë dhe institucionet policore.
Fillon, i cili planifikon lehtësimin e taksave ndaj kompanive, thekson nevojën që të merret taksë deri në 75 përqind nga punëtorët që kanë paga të larta.
Nga ana tjetër, Fillon është duke u përballur me vështirësi për shkak të akuzave ndaj tij për korrupsion.
Gazeta franceze “Le Canard Enchaine”, përmes një shkrimi pretendon se Penelope ka punuar për bashkëshortin e saj François Fillon që pre vitit 1998 si këshilltare dhe se ka marrë fitime pa të drejtë. Në lidhje me çështjen, organet e drejtësisë në vend filluan hetim.
Krahas kësaj, portali i lajmeve Mediapart pretendon se Fillon gjatë viteve 2005-2007, derisa ishte senator, ka marrë për vete pa të drejtë pagesën që ishte ndarë për ndihmësit e tij.
Rekomandimi i Le Pen për Eurozonën
Ndërkaq, kandidatja e së djathtës ekstreme nga Fronti Nacional, Marine Le Pen premton kufizimin e migrimit në vend. Sipas programit të Le Pen, shifra vjetore prej afër 200 mijë migrantësh që pranon Franca do të zvogëlohet në dhjetë mijë. Le Pen planifikon reduktimin e hyrjes në vend përmes rrugëve si azili politik dhe bashkimi familjar.
Le Pen është e mendimit se duhet organizuar referendum për dalje nga Eurozona, valuta e Bashkimit Evropian. Ajo mbron qëndrimin se euro ndikon negativisht në ekonominë e vendit, teksa thekson se nëse vjen në detyrë do t’i shqyrtojë marrëveshjet ekonomike të arritura me Bashkimin Evropian.
Reduktimi i arsimit dhe shëndetësisë për të huajt
Le Pen ka nënvizuar se do të sjellë kufizime për të huajt nëse arrin të bëhet presidente. Ajo premton se do të sjellë ndryshime ligjore të nevojshme që të huajt me leje qëndrimi dhe pune të paguajnë vetë dy vitet e para shpenzimet për shëndetësi. Po ashtu, ajo planifikon t’i japë fund të drejtës për arsim pa pagesë për fëmijët e migrantëve ilegalë në vend.
Le Pen thotë se do t’i ftojë në Francë kompanitë franceze që prodhojnë jashtë vendit, ndërsa atyre që nuk pranojnë të vijnë, do t’u zbatojë taksë të posaçme. Veçanërisht, ajo thekson se kompanitë automobilistike duhet të kenë institucionet vetëm në Francë.
Sondazhet e fundit në Francë tregojnë se Le Pen do të kalojë me lehtësi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në dy raunde në prill dhe maj dhe se ende nuk është e qartë se cili kandidat do të ngelet në raundin e dytë.
Komentet