1.(Kuptimi i vargut)
Një kuptim kanë, o mik: të duash të urrejsh
Se dikush vuan për bukë e dikush për dashuri
E – na në vete shpesh mashtrohemi e duam t’u rrejtur –
Por çka të bëjsh atëherë kur të bëhet thërrmi
Fjala e çmendur ndërmjet buzëve që s’din
Përveç sharjes e flakës që marrëzisht i kallë
Etja e mikut për mikun që si mëkatin dashurinë
Nga zemra para ja ke shtruar, e vetes në ballë
Një kuptim të ri, ja ke shtuar një gjurmë të re,
E – zgjati duart, o mik, ku të duash, se në mallkim latuar
Në vargun tim për së dyti si përralla kemi për të lerë.
Rritë jemi në bukurinë e lëmoshën e fjalës, dhe Urisë
Kafshimet, edhepse heret ja kam mësuar, zemrën e ka gatuar
Me përkdheljet e barit, me mallkimin e poezisë.
2.
E hapa zemrën: vetëm do vargje që s’dinë
As për përkëdhelje as për emër të vetin.
Çfarë ngjyre më duhet t’u jap, pra, kur më ngrinë
Bukuria e barit, çudi – e vargjet më tresin
Për të gjetur në pore ndonjë fjalë që s’vret
Dhe, si fjala vuajmë e qeshim e vdesim.
Për ëndërra e zhgjandrra. Ku kemi për t’i gjetur –
Kur pa krahë, si zogjtë, shpesh mbesim!?…
E – më duhet të kërkoj ngjyrë për t’ju dhënë:
Ngjyrën e gjakut që t’u ngjajnë barit,
Ngjyrën e syve për t’u ngja qiellit të paanë,
Ngjyrën e etjes për t’u ngjarë shtegtarit.
Shtegtimi për vargun
1. (Shqetësimi, pa kohë e trajtë)
S’e di se sa poshtë e sa lart vetëveten e ke gjuajtur
Në emër të Dashurisë që nëpër rrugë e bore
Për të gjetur burim të ri (kushedi se ku është shuajtur)
Në mes t’mallkimit e mallkimit, në heshtjen e mallit, prore,
Si plagë e vjetër, si sharje që s’harrohet kurrë, –
E, kur të thahen lumenjtë e plagosur nga malli
Ti etjen kërkon për ta shuajtur në gurrë,
Por freskimin xhelozisht ja ka thithur zalli,
E – atëherë të mbetet fluturave krahët për t’u vizatuar
Në lojën e rrejshme të fatit të krahërorit
Të plagosur në mashtrimin e parë me të cilin je takuar
Dhe, atëbotë, përrallat rreshtohen – përralla prej arit
Të varguar në ty si dëshirat e darsmorit,
Të blerimit, si dëshirat e përtrira të barit.
2. (Loja, në cirk e në asgjë)
Thamë se vargu e dashuria janë një,
Kështu thamë e – nuk e di se çka domethënë
Vetëvetën për ta lënë (o, vetëveten për ta lënë!)
Peng për Dashuri, kur në çdo hap, kur gjithnjë,
Vërtet, kur gjithnjë mashtrohesh si fëmijë
Mbas syve të kaltërt të agut, që edhe guri i ka,
O, mashtrohesh si fëmijë në asgjë e në va pa va
Duke bredhur e hedhur e duke mos u ngirë
Vetëm me buzëqeshje, që si hajn u mbledh
Udhëtarëve në rrugë, e – thua: u gjet e vërteta
(Këtë më në fund duhesh edhe për ta vjedhur)
Dhe, nuk është me rëndësi pastaj të dijsh pse jeta
Shtigje të shumta ka e kushedi ku të hedh,
Kushedi ku të hedh e shtigje të shumta ka
3. (Qenja e vargut, ose – Unë, miku dhe vargu)
Miqtë e mi janë të uritur për etje të re
Se Zotit të vjetër fjalën e madhe të Uratës,
Ja kemi venë në teh të mrephtë të shpatës
Dhe, dashuri të re kemi krijuar për ne:
Rrenën e kemi lënë peng për sharje tjetër –
Për ndonjë shtegtim o bredhje nëpër pore
Të urrejtjes dhe, o vargu im, në jetë prore
Prej duarve vdekjet luajnë vallen e vjetër:
E – pse atëherë, fjalën e mirë, fjalën e dashnorit
Të përhershëm, mikut të panjohur mos të ja jap –
Se – fjala e mirë botën në shpinë e mban e banë,
Fjala e mirë që zemrën ja shëndosh skamnorit
Komentet