VOAL

VOAL

Prej Shkodrës në Gjirokastër – harta e 29 varreve masive të diktaturës komuniste

December 8, 2015

Komentet

Afrikë e Jugut, 1982 / “Lindja e Princ Leka II, Mbretëresha Geraldinë, dashuria për Shqipërinë…” — Intervista ekskluzive e Mbretëreshës Suzanë me rastin e lindjes së Princ Leka II

 

Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 30 qershor 1982, faqe n°16

Nga Aurenc Bebja*, Francë –  10 Dhjetor 2024

 

Revista australiane “The Australian Women’s Weekly” ka botuar, të mërkurën e 30 qershorit 1982, në faqen n°16, intervistën ekskluzive asokohe me mbretëreshën Susan (nënën e Princ Leka II) në Afrikë të Jugut, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Një ish-australiane, tani një mbretëreshë që jeton në ekzil…

 

Susan Cullen-Ward, 41 vjeç, tashmë mbretëresha e Shqipërisë në mërgim, flet për shpresat e saj për Princin e Kurorës Leka në një intervistë ekskluzive.

Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 30 qershor 1982, faqe n°16

Pavarësisht se çfarë thonë, mbretëria ka magjinë e vet, edhe nëse je i internuar, duke jetuar në një pronë të vogël modeste në periferi të Johanesburgut, Afrikën e Jugut, me një suitë të vogël dhe pak para. Që nga takimi im i parë me Mbretin Leka të Shqipërisë dhe gruan e tij me origjinë australiane, Mbretëreshën Suzani (ish Susan Cullen Ward të Uellsit të Ri Jugor), ndjeva një atmosferë madhështie që kapërcente këto rrethana të reduktuara.

 

Kohët kanë qenë vërtet të vështira, duke filluar kur Leka u nxor nga atdheu i tij kur ishte vetëm dy ditësh, pasi Shqipëria u pushtua nga fashistët italianë të Musolinit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por nga të gjitha vështirësitë me të cilat ballafaqoheshin, kishte një problem dërrmues. Nuk kishte asnjë trashëgimtar mbretëror dhe Mbretëresha kishte pasur tashmë katër aborte. Pastaj, marsin e kaluar, ndodhi mrekullia. Pas një shtatzënie të gjatë dhe të vështirë, Princi i Kurorës Leka II lindi në një klinikë të vogël të Johanesburgut. Linja mbretërore mundi të vazhdojë.

 

Gjëra marramendëse, por realiteti është më pak idilik. Familja mbretërore shqiptare në ekzil jeton në një shtëpi me qira, të mobiluar në stilin e fermës, në fund të një rruge të gjatë dhe me pluhur, e mbuluar me shkurre dhe gjemba. Dy hektarët e tokës janë të çrregullta; pulat, lopët dhe palloi i çuditshëm vërshojnë lirshëm rreth lëndinave të thata, shkurreve të shpërndara dhe shtëpive të shkatërruara.

 

Teksa po luftoj me copën e telit që mban derën të mbyllur, shfaqet një truprojë me një armë në këllëf. Ai vjen për të më ndihmuar, i gjithi i buzëqeshur dhe me mirësjelljen e dikurshme. Ai është 60 vjeç dhe ende e kujton Shqipërinë e monarkisë.

 

Na çojnë në një tarracë të shtruar ku një shërbëtore shërben limonë, duke na bërë nderimet mbretërore. Mbreti hyn. Me një gjatësi prej 206 cm, ai është një burrë shtatlartë dhe i thinjur, i cili duket më i vjetër se 43 vjeç. Mbretëresha është e veshur thjesht : fustan leshi ngjyrë blu të kaltër, këpucë blu të kaltër, shall pambuku indian. Flokët e saj janë të gjatë, të krehur mbrapa dhe me vija bionde; grimi i saj është i patëmetë. Ajo nuk mban asnjë bizhuteri përveç unazave të bukura prej diamanti të fejesës  dhe martesës së saj.

 

Fytyra e saj është klasike, silueta e saj e hollë, prania e saj e qetë dhe serioze. Nuk ka asgjë për të thënë në lidhje me vajzën e një fermeri të shndërruar në Mbretëreshë. Ajo thjesht i tregon gjërat ashtu siç i duken, duke i artikuluar mendimet me lehtësi, pa u shqetësuar qartë për të lënë ndonjë përshtypje.

 

Motra Adelaide, dadoja e tyre lokale afrikane, sjell foshnjën mbretërore të mbështjellë me një shall të bardhë me grep dhe ia dorëzon me kujdes nënës së tij. Mbretëresha Suzani pranon se është në një gjendje të lumtur për djalin e saj të porsalindur, duke fjetur i qetë në krahët e saj. “A nuk mendoni se ai i ngjan babait të tij? Ai është kaq i ëmbël, kaq gazmor nganjëherë,” thotë ajo.

 

Mbretëresha Suzani është e vendosur që Princi i Kurorës të mos relegohet (rritet), sipas stilit viktorian, në çerdhe dhe nga dadot. “Ai nuk është i ndryshëm nga çdo fëmijë tjetër, dhe unë jam thjesht një nënë e zakonshme”, thotë ajo. “Edhe pse ai do të stërvitet për të zënë vendin e tij mbretëror kur të jetë më i madh, unë thjesht dua të shijoj kohën me të ndërsa është i vogël.

 

Ajo ka besim të madh në vlerën e shtëpisë dhe familjes. “Unë jam një person shumë familjar. Plus, çdo mbretëror që unë njoh është kujdesur për fëmijët e tij. Kjo është shumë e rëndësishme. Sigurisht që kemi dado që të na ndihmojnë, sepse edhe ne kemi angazhime, por ne jemi vetëm nëna punëtore, si gjithë të tjerët.

 

Kishte një pritje të gjatë dhe të mundimshme për këtë fëmijë. Dy muajt e fundit të shtatzënisë mbretëresha 41-vjeçare i kaloi duke pushuar në një klinikë, në prani të nënës së saj. Fëmija Princ i Kurorës, i lindur para kohe me prerje cezariane, peshonte vetëm 2.5 kg dhe u fut në një inkubator. Ai duhej të qëndronte në klinikë, pesha e tij vazhdoi të binte.

 

Isha plotësisht e dërrmuar. Kisha aq frikë se mos i ndodhte diçka kësaj krijese të kuqe e me rrudha, saqë do të thyhej ose do të binte nga djepi. Por mësova ta laj. Kjo është diçka që ju mësojnë në spital : si të mbani një fëmijë që përpëlitet. Është pak si të mësosh karate për një fëmijë ! — qeshi ajo, duke lënë të kuptohej se sa e shqetësuar ishte kur foshnja u kthye në shtëpi.

 

Tani, ai pi biberon, kështu që unë mund të fle për disa orë midis mesnatës dhe orës 6 të mëngjesit kur e sjell motra Adelaide. Ai ka pasur dhimbje barku dhe ndonjëherë është tmerrësisht nervoz dhe i plogësht. Nuk di si do të bëja pa motrën Adelaide dhe gjyshen e tij.”

 

Gjyshja është Madhëria e saj Mbretëresha Geraldinë, e veja e mbretit të ndjerë Zog. “Ajo është një person shumë, shumë i bukur dhe i qetë dhe një nënë gjyshe vërtet e përkushtuar,” thotë Mbretëresha Suzani. Foshnja i ndjen këto gjëra. Ai mund të jetë absolutisht një bishë me mua ndonjëherë, por është gjithmonë i qetë me të.

 

Prindërit e Mbretëreshës, zoti dhe zonja Alan Cullen-Ward, jetojnë në Drummope, Sydney, që nga shitja e pronës së tyre, pranë Parkes, Uellsin e Ri Jugor. “Ata nuk e kanë parë ende foshnjën, por janë tmerrësisht të emocionuar”, thotë Mbretëresha Suzani.

 

Dua ta dërgoj në një grup lojërash apo në një çerdhe. Të mësosh të shoqërohesh me të tjerët është shumë e rëndësishme. Ai do të rritet në besimin mysliman në pritje të ditës që do të ngjitet në fronin e Shqipërisë. Kur të mbushë 18 vjeç, do t’i prezantohet popullit të tij.

 

Kush janë njerëzit e tij ? — e pyes me ndrojtje.

 

Të gjithë shqiptarët në botën e lirë, sigurisht”, përgjigjet ajo.

 

Mbretëresha është edukuar (shkolluar) në traditat më të mira : ajo studioi në një shkollë në Orange, Uellsin e Ri Jugor, ndoqi një kurs për dizajnin e brendshëm dhe industrial në Sydney, më pas një jetë profesionale pa presion, e ndërthurur me kalërim dhe ski të shumtë (sporti i saj i preferuar), më pas u nis për në Spanjë për të studiuar pikturën. “Isha e dëshpëruar, vërtet e dëshpëruar,” tha ajo e trishtuar.

 

Si mbretëreshë, ajo kishte shumë për të mësuar që kur u takua me mbretin Leka në një darkë të dhënë nga një mik i përbashkët në Sydney 13 vjet më parë. Miqësia e tyre ishte e gjatë dhe në vitin 1975 ata u martuan me gjithë shkëlqimin e një dasme mbretërore. Mbretëresha Geraldinë e njohu atë me rregullat e protokollit dhe njohuritë mbretërore (të ngjashme me Nënën Mbretëreshë dhe Princeshën e Uellsit). “Mësova se nuk mund të them atë që dua, të shkoj ku të dua. Dhe më mungon privatësia ime,” — thotë ajo.

 

Në vitin 1979, mbreti dhe familja e tij u dëbuan nga Spanja pas akuzave për stokim të paligjshëm të armëve. Pas një qëndrimi të shkurtër në një fermë me qira në Rodezi, atyre iu dha strehim i përkohshëm në Afrikën e Jugut.

 

Pra, lindja e këtij Princi të Kurorës pa fron, për ta ka një domethënie të madhe. Ai përfaqëson një traditë, shpresën e tyre për të ardhmen.

 

Unë e pyes se cilin vend e konsideron Mbretëresha si shtëpinë e saj. “Shtëpia ime është Shqipëria”, thotë ajo. “Kjo është një nga gjërat shumë të vështira që duhej të vendosja kur u martova me Mbretin. Ndoshta ishte vendimi më i vështirë i jetës sime. Australia është diçka që e dua, më mungon dhe e ndjej thellë. Rrënjët e mia janë atje, familja ime gjithashtu. Lidhjet janë të forta, por ne nuk mund të jetonim kurrë atje : është shumë e shkëputur për punën politike që bëjmë.

 

Ajo flet me zë të ulët, me shumë pasion, për një vend që nuk e ka parë kurrë. “Unë jam angazhuar që një ditë të kthehemi në shtëpi, në shtëpinë tonë në Shqipëri.

 

MARGARET GAGANAKIS

Rodezi, 1979 – “Sot Shqipëria konsiderohet vendi më i ashpër komunist në botë…” — Intervista ekskluzive e Mbretëreshës Suzanë, nënës së Princ Leka II

 

 

Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 23 maj 1979, faqe n°16

Nga Aurenc Bebja*, Francë –  9 Dhjetor 2024

 

Revista australiane “The Australian Women’s Weekly” ka botuar, të mërkurën e 23 majit 1979, në faqen n°16, intervistën ekskluzive asokohe me mbretëreshën Susan (nënën e Princ Leka II) në Rodezi, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Mbretëresha Susan e Australisë në kërkim të një shtëpie të sigurt

Të dëbuar nga oborri në mërgim në Spanjë, mbreti Leka dhe mbretëresha Susan kanë gjetur strehë në një fermë në Rodezinë e shkatërruar nga lufta.

Mbretëresha, më parë Susan Cullen Ward, në një suitë hoteli në Rodezi. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 23 maj 1979, faqe n°16

Është një rrugë e gjatë nga një fermë delesh në Uellsin e Ri Jugor qendror-perëndimor deri në një vilë në Madrid, në oborrin në mërgim të mbretit Leka të Shqipërisë. Por mbretëresha Susan, dikur Susan Cullen Ward e Cudal, bëri udhëtimin kur u martua me mbretin Leka tre vjet më parë.

 

Spanja është tani pas tyre. Në janar, qeveria spanjolle i urdhëroi ata të largoheshin nga vendi me paralajmërim shtatë ditor. Për Lekën, 39 vjeç, ajo ishte shtëpia e tij prej 17 vitesh.

 

Sot ata ndodhen në Rodezinë e shkatërruar nga lufta, duke marrë me qira një fermë 25 kilometra larg kryeqytetit, Salisbury-t. Është një etapë ndërkohë që mbreti kërkon një bazë të përhershme. Është shumë larg nga vendet që mirëpresin 6.5 milionë nënshtetasit e tij në mërgim. Por tani për tani është një vend i shenjtë.

 

Arsyeja zyrtare që duhej të largoheshim nga Spanja ishte se kishim armë,” tha Susan, e cila është 38 vjeç. “Por pothuajse çdo spanjoll, plus qeveria dhe ushtria, e dinin këtë. Ato ishin për vetëmbrojtje, plus armët moderne dhe antike të koleksionit të armëve të burrit tim.

 

Por nuk ishte një rezervë armësh siç thoshin disa raporte. Arsyeja e vërtetë që ne duhej të largoheshim ishte për shkak të presioneve të bëra nga qeveri të ndryshme kundër qeverisë spanjolle.

 

Ata erdhën në Rodezi nëpërmjet miqësisë së mbretit Leka me ministrin e Jashtëm Rodezian, Pieter Kenyon Van der Byle, një beqar 55-vjeçar. “PK”, siç njihet ai, duket se është në marrëdhënie të mira me shumicën e aristokratëve evropianë. Emri i tij u lidh në mënyrë romantike kohët e fundit me Princeshën Elizabeth të Lihtenshtajnit.

 

Për fermën e tyre jashtë Salisbury-t, Susan tha: “Është mjaft e izoluar dhe shumë e bukur. Ne shohim një luginë me pamje prej 60 kilometrash. Vetë lugina është e mbushur me babunë, leopardë dhe të gjitha llojet e drerëve. Në fakt ne kemi pasur babunë të ulur në verandë”.

 

Për çiftin mbretëror, ferma është një vend i shenjtë, i ndaluar për të gjithë, përveç miqve të tyre të ngushtë. Mbretëresha Suzan dhe unë u takuam në suitën që ata morën me qira në hotelin e mrekullueshëm Monomatapa kur ata erdhën në Salisbury.

 

Unë kam qenë duke pushuar,” shpjegoi Susan. “Mbreti ka bërë takime kortezie me ministrant e bardhë e të zinj të qeverisë për të shpjeguar pse jemi këtu dhe ne kemi takuar liderët nacionalistë të zinj. Ai po përpiqet të gjejë se ku do të jetë shtëpia jonë e ardhshme.” Sa kohë do të qëndrojnë në Rodezi, Susan nuk e ka idenë.

 

Duke lënë mënjanë luftërat guerile, rodezianët e bardhë dhe mënyra e tyre e jetesës janë shumë më afër Uellsit të Ri Jugor sesa një vile në Madrid.

 

Mbretëresha Susan është plot lëvdata për Rodezinë.

 

Përshtypja ime e parë është se shumë njerëz janë të painformuar për atë që po ndodh këtu”, tha ajo. “Ata mendojnë se Rodezia është pjesë e Afrikës së Jugut, por është krejtësisht ndryshe. Ka një kufi mes tyre.

 

Gjëja e dytë është që zezakët dhe të bardhët punojnë së bashku. Diskriminimi vërehet në zona të caktuara, por është shumë i rrallë. Dhe zezakët janë shumë më të kulturuar sesa mendojnë shumë të bardhë.

 

Së treti, Rodezianët janë një popull shumë rezistues. Ata nuk do të dorëzohen. Ata po luftojnë për mbijetesë kundër mosmarrëveshjeve dërrmuese, ku shumica e njerëzve do të kishin hequr dorë prej kohësh.

 

Por kauza për të cilën ajo është zotuar është ajo e të shoqit : “Shqipëria e mbështet absolutisht. Përndryshe nuk do ta pranoja titullin. Njerëzit e tij janë të mitë dhe ne do të luftojmë bashkë.

 

Unë jam martuar me një ushtar. Njerëzit thonë se ai është një mbret, por në radhë të parë ai është një ushtar. Ne po bëjmë një luftë dhe që nga martesa jonë unë jam përfshirë deri në një shkallë në këtë”.

 

Çfarë lloj jete është kjo ? — e pyeta. Përgjigja erdhi pa pushim. “Unë e dua jetën sepse jam në gjendje të takoj njerëz që, si bijë fermeri, përndryshe nuk do të mund t’i takoja. Ka momente kur ndihesh e dëshpëruar, e mërzitur dhe e irrituar, por mendoj se çdokush e ndjen këtë. Çdo person. Ne nuk mund të vazhdonim të jetonim në një hotel,” vazhdoi Susan, duke shpjeguar pse ata kishin zgjedhur fermën. “Ne vendosëm të gjenim diku ku mund të vendoseshim dhe të ishim rehat dhe pa fatura të mëdha hoteli.

 

Me plot fjalën, ne jemi duke kampuar, nuk ka të bëjë fare me shtëpinë tonë në Madrid.” Në shtëpi nuk kishte mobilje kur mbërritën. Ato që kanë tani, i kanë marrë hua nga miqtë.

 

Enturazhi i tyre, gjithsej një duzinë, është një përzierje kurioze : stafi administrativ dhe oficerë të ushtrisë nga mërgimtarët shqiptarë për të cilët është nder t’i shërbejnë mbretit. Por ka edhe gjysmë duzinë Shans-ësh, një popull krenar malësor nga ajo që dikur ishte një principatë dhe që janë sot, pavarësisht protestave, pjesë e Birmanisë veriore. Ata i shërbejnë mbretit Leka me bekimin e udhëheqësit të tyre në mërgim, Lartësisë së Tij Princ Kernel Wong, një mik i mbretit shqiptar.

 

Fermat fqinje janë sulmuar nga terroristët. Të udhëtosh kudo me makinë jashtë qytetit është të rrezikosh një pritë ose një minë tokësore. A ka frikë ajo ?

 

Jo, nuk ndihem sikur jam në rrezik. Sigurisht që ju duhet të merrni masa paraprake, si gjithë të tjerët. Ne kemi roje në fermë 24 orë në ditë, gjë që është e nevojshme. Nuk ulesh nën një llambë në mbrëmje pa i tërhequr perdet. Në qytet shkojmë të armatosur. Por jo, ne nuk e kemi ndjenjën se jemi në një vend në luftë.

 

Kanë kaluar shtatë vjet që kur mbretëresha Suzan u ul në një shalë kali. Sot ajo po i kthehet një pasioni të vjetër. “Ne kemi fqinjë që kanë kuaj,” shpjegon ajo. “Ka një zotëri veçanërisht simpatik që zotëron disa poni. Sezoni fillon së shpejti dhe ai me mirësi më kërkoi ta ndihmoja t’i menaxhonte ato.

 

Mbreti na u bashkua për drekë në Safari Grill në Monomatapa. Shtatit i tij prej gjashtë këmbësh ishte mbuluar me një kostum safari blu të zbehtë, këmbët e tij ishin të veshura me kanavacë kaki dhe çizme xhungle të zeza  prej gome dhe mbante syze me lente të errëta të ngjitura në korniza, të dala horizontalisht.

 

Ai kishte qenë në një mbledhje gjatë gjithë mëngjesit dhe balli i tij e tregonte atë të preokupuar ende me problemet e kombit të tij të shpërndarë në mërgim.

 

Ndërsa mbretëresha fliste për luftën, sytë e saj u bënë serioze. “Shqipëria konsiderohet sot vendi më i ashpër komunist në botë. Feja është e ndaluar atje dhe parashikohet dënimi me vdekje për ata që e praktikojnë atë. Ne jemi të vendosur ta ndryshojmë këtë në vitet e ardhshme. Kjo është ajo për të cilën ne po luftojmë.

 

Po Australia ? — e pyeta. Çfarë do të thotë për ju tani ? “Shumë. Ajo është vendi i lindjes sime dhe ku u rrita. Unë do të thosha se 90 për qind e miqve të mi janë ende atje. Ne jemi ende në kontakt shumë të ngushtë. Unë e dua atë.

 

CHRIS ASHTON

Çfarë deklaroi historiani zviceran Sebastian Munster: Shqipëria dikur quhej Epir ose Iliri

Pema e shenjtë e Venusit dhe lavdia e Kaonisë, dëshmitë për përkatësinë etnike!

ILIR CENOLLARI/ Dëshmitë për përkatësinë etnike të Shqipërisë Jugore, ndryshe Epirit të Vjetër, janë të shumta dhe konvergojnë në një pikë: banorët e saj janë arvanitë, shqiptarë, ilirë! Ato vijnë nga burime të ndryshme, nga Perëndimi, nga Perandoria Otomane, nga Greqia, dëshmi zyrtare dhe historike. Këtu po ndalemi te Sebastian Munster (1488– 1555), gjeograf dhe historian i famshëm zviceran. Në veprën II, faqe 54-90, Sebastian Munster flet gjerë e gjatë për Shqipërinë, të vjetrën dhe të renë. Në të ka mjaft hollësi interesante. Autori thotë: Shqipëria dikur quhej Epir ose Iliri. Epiri është provincë e Maqedonisë, sot Albania (Shqipëria). Epiri i Poshtëm shtrihet nga Saseno (Sazani) deri në Aspropotam ose Apros, lumi Akelo, që nga banorët quhet “apros”. Epiri i Sipërm shtrihet nga Sazani në lumin Drin. Epiri tani është Shqipëri dhe ndodhet përballë Italisë. Nikopoli, tani Prevezë, qytet i famshëm në Shqipëri. Në Nikopol apustulli Shën Pali kaloi dimrin dhe shkroi letrat për dishepullin e vet, Shën Tite:

 

“Nga Jeruzalemi deri në vendin e Ilirisë përhapa frymën e Krishtit”. Autorë të tjerë pohojnë se Shën Pali zbriti në ishullin Melana (Korfuz) dhe prej andej u hodh në Nikopol. Në Nikopoli ose Emaus ka një burim që shëron sëmundjet e ndryshme. Lefkadha dhe Shën Maura, ndodhen në Shqipëri. Pranë Prevezës rrjedh lumi Roghe ose Rogi. Krahina e Epirit që shtrihet nga Himara në Ambraki tani quhet Shqipëri. Ptolemeu, shekulli II, e shtrinë Epirin deri në grykëderdhjen e lumit Akelo. Johan Kankauzeni, shekulli i XVI, pohon të njëjtën gjë: nga Akelo duke u ngjitur në very, gjithë vendi popullohen nga shqiptarë.

Sebastian Munster thekson se perandorët e Bizantit ndërmorën ekspedita të njëpasnjëshme për ndëshkimin e lëvizjeve kryengritëse në Epir duke i maskuar dhe fshehur qëllimet e tyre, se Johan Kantakuzeni e dëmtoi shumë Shqipërinë e Poshtme duke e shpopulluar dhe izoluar krerët shqiptarë.[1] Muhameti i trajtoi me egërsi shqiptarët, se Albanopoli është kryeqyteti i shqiptarëve, sot Kruja. Emri i Krujës vjen nga fjala epirote “croia”=”kro”, krua, gurrë, burim afër Albanopolit, midis Durrësit dhe Lezhës. Pas rënies së Krujës autoritetet osmane u dhanë leje banorëve të vendit të iknin ku të donin; ata shkuan në More dhe i bënë shërbime të mëdha Republikës së Venedikut për mbrojtjen e qyteteve të Peloponezit. Të jem i sigurt, unë nuk e di nga vjen emri albani. Shqiptarët, thonë autori, janë njerëz të mirë dhe të bukur, nga natyra janë të pagdhëndur, janë kristianë, kanë shumë “mbretër” bashkë, e ka fjalën për kryepelqtë, të cilët i nderojnë shumë. Jetojnë me grabitje, emigracion dhe blegtori. Gjeografi flet për historinë e vjetër të Epirit në këtë mënyrë: Kaonia është Epiri i Mirëfilltë, se Kaonia është pjesa kryesore e Epirit.

Ata që janë thelluar në këto çështje, si p.sh., në gjeografinë e Strabonit, pohojnë se kaonët dhe molosët kanë sunduar mbi të gjitha fiset epirote. Banorët e Kaonisë quhen “kaonë” sepse si thonë, kur flasin e mbajnë gojën gjysmë të hapur (beante? Në të vërtet lebërit flasin me gojën gjysmë të hapur, i hanë fjalët, që e bënë tepër karakteristike të folurën e tyre), thuhet se kaonët janë “barbarë”, trakë,[2] se Theopompi pohon se kaonët komandojnë gjithë Epirin, se Virgjili pohon se “kaoni” është trojan, se poeti i madh latin, Horaci, malet e Himarës i quan “lavdia e Kaonisë”, se lugina e Vjosës përfshihet në Kaoni, se Plini i Vjetër, libri IV, chap. 1, thotë se pema e shenjtë dhe e lulëzuar e Venusit, e cila u mboll për herë të parë mbi varrin e Elpenorit, në Evropë, e që ndodhet në bregdetin përballë Vlorës, erdhi nga malet e Himarës. Disa autorë të tjerë thonë se bëhet fjalë për mollën ose kumbullën (shënimi im).

Provinca e Thesprotisë tani quhet Vaieleti (Vajeneti). Thesproti është djali i Caocoonit ose Mahaomit. Olimpia, mëma e Aleksandrit të Madh, është thesprote. Akarnania tani është dukat ose despotat i Greqisë së Vogël. Akarnania është provinca e fundit e Epirit dhe përmbledh luginën e Artës, lumin Akeloo, skajin fundor të Evropës, pas saj nis Greqia. Akelo quhet Aspri ose Geromle. Në grykëderdhjen e tij ndahet Albania me Greqinë, domethënë Etolia me Epirin. Këtë lumë e përmend Denys Afrikani, ndërsa Ausatce, “Mbi Iliadën”, thotë se në krye të herës Akeloo quhej Azene, më pas mori emrin Thestia. Lumi Arachte ose Aracythe sot quhet Spagmaguinrisi, emri i malit nga buron lumi. Ptolemeu e vendos në Akarnani, Plini në Molosi. Ky lumë ndodhet në Shqipëri. Ambrakia tani quhet Arta (Lartë). Në Shqipëri ndodhet dhe lumi Thimin (Thyamis), kepi Niste tani quhet Caltene.

Mjaft i famshëm është lumi i Akeronit, i cili buron nga Pindi dhe derdhet në krahinën e Almenes, Kasiopi, Thesproti, midis qyteteve të Sopotit dhe Nikopolit. Për këtë lumë flasin shumë autorë të lashtë. Plini thotë se Akeroni derdhet në Thesproti, ndërsa Tit Livi në Molosi. Pra, fiset epirote identifikohen me njëritjetrin. Pranë grykëderdhjes së Akeronit ndodhet një kep dhe një port i butë, që quhet Chemete (Hemete ose Kemete). Në Pargë dikur ndodhej qyteti Torone. Straboni (dhe autorë të tjerë) flasin për qytetet e Apres Onchesmës, Sarandës së sotme, e Posidie dhe Buthrote. Buthroti është quajtur dhe Troja e Re. Posidien e përmendin dhe autorë të tjerë, si Hekateu i Miletit, shekulli VI p.e.s. Emri sipas gjasave zbërthehet nga “posi”=pus dhe “die”=dii, dia, Perëndia, emër shumë i dendur në Iliri për shkak të hyjnisë kryesore vendase, Dias. Qyteti antik i Orikut, Orikumit ose Arche-së, Vlorë, fillimisht ishte ishull dhe më vonë port.

Qyteti antik i Antigonesë, (Saraqinishtë), sot Argirokastër, është ndërtuar nga dinastia maqedone e Antigonëve, thotë autori, jo nga Pirua i Epirit. Këtë e pohojnë dhe autorë të tjerë, nuk është e pamundur një hipotezë e tillë kur dihet se vetë mbreti Pirro për disa kohë ishte në shërbim të mbretëve maqedonas. Në trevën e fushës së Sarandës autori vendos qytetin e Hekatonpede ose Hekatonpedhon. Gjeografi i shquar jep një të dhënë me interes të cilën nuk e kam gjetur tek asnjë autor tjetër: disa autorë pohojnë se i gjithë ky vend nga grekët quhej Eubote për shkak të qeve trupmëdhenj (të racës larine). Fjala “botë” ka kuptimin e “botës”, fjalë shqipe, por këtu mund të bëhet fjalë për “bo”-boll, buall! Mbarështrimi i tyre në Shqipëri është vepër e djalit të Akilit, mbretërisë Pyrride. Autori s’mund të linte pa përmendur Tomarin, i cili shquhet për ujërat e kristalta të një qind burimeve! Homeri tek “Odiseu”, thotë se Jupiteri adhurohej në malin e Tomarit.[3] Këtë dëshmi nuk e kam gjetur tek autorët e tjerë të mëvonshëm, prandaj paraqet rëndësi të madhe. Straboni, vijon gjeografi zviceran, pohon se profetët e Dodonës qëndronin në malin Tomare ku kremtohej kulti i Jupiterit (Dii-së, Perëndisë). Të gjithë të lashtët flasin për Vatinations dhe profecitë e orakullit të Dodonës. Emri Vatikan vallë e ka burimin nga rrënja “tha”=profeci, profecitë e orakujve dhe tempujve të lashtë? Autori thotë se shqiptarët shohin më mirë natën se ditën.

Kjo dëshmi ka një bazë të vërtetë, shqiptarët udhëtojnë natën, kanë zakon të ngrihen herët dhe të udhëtojnë “qëmenatë”. Këtë zakon e gjejmë tek albanët e Ekosës së Francës, të cilët si malësorë të vërtetë, ngrihen herët për udhë dhe kanë mjaft tipare të përbashkëta me shqiptarët e këtushëm. Ndërsa Pierre Belon Du Mans, viti 1555, faqe 64–66, ndër të tjera thotë se epirotët janë shqiptarë, se shqiptarët në verë shkojnë emigrantë në Greqi, punojnë argatë, bëjnë pasuri dhe kthehen në vjeshtë në atdhe. Janë shumë të varfër! Dikur quheshin epirotë, janë të krishterë, por kanë gjuhë të ndryshme nga greqishtja por meqënëse janë në kufi me Greqinë dinë dhe greqisht. Po kështu Piere d’Avity, De La Martineire dhe të gjithë fjalorët gjeografikë dhe historikë të shekujve XVI–XIX.

De la Martinierë, p.sh., viti 1767, thotë se shqiptarët ose epirotët nga osmanët quhen ”arnautë”. Shumica e arnautëve të ushtrisë osmane vijnë nga Maqedonia Perëndimore, nga Epiri dhe malësia e Himarës. Barbie du Bocage, viti 1760, ndër të tjera thotë se në Epir, tani quhet Albani, ka një burim me ujë të mirë, i cili ndodhet në një qytet të vogël ku fshihesh Tritoni që hante gratë kur mbushin ujë. Duhet të bëhet fjalë për Krojin e Mbretit në Himarë, më saktë në Borsh, për të cilin flet Plini i Vjetër apo për Syrin e Kaltër? Në Shqipëri ka shumë burime të tilla.

[1] Bëhet fjalë për kryengritjet antibizantine të vitit 1330 në Shqipërinë e Poshtme, nga Berati, Tomori, Këlcyra, Vlora, Janina e deri në Rogi dhe Artë. Ilir Cenollari

[2] Aristoteli për shembull, thotë të njëtën gjë: kaonët janë trakë, pra, kanë të njëjtën etni. Ilir Cenollari

[3] Sebastian Munster, Vol. II, faqe 60. Në fakt në majën e malit nderohej kulti i Di-së, porn ë traditën evropiane ishte bërë e modës që në vend të di të përdorhej Jupiteri ose Zeusi. Ilir Cenollari

/Gazeta Panorama

“Atë e mundën bashkëpunëtorët e okupatorit sllav dhe shpirtrat kriminelë”- Historia tragjike e “Migjenit” të Kosovës: Policët e UDB-së e rrahën për vdekje…

Nga Gani Qarri/ Qerim Arifi u lind më 22 shkurt të vitit 1946, në qytetin e Preshevës ose thënë më mirë, në kryeqytetin dhe zemrën e Kosovës Lindore, vatër që në vijimësi nxori intelektualë dhe krijues të shquar, me të cilët nderoi veten dhe të gjitha trojet tona etnike, si dhe emra që përjetësisht mbeten në zemrat e shqiptarëve dhe kujtesën e mbarë kombit tonë.

Ai erdhi ne jetë si fëmija i vetëm i dy prindërve të rinj, Ramizit e Safetes, të cilit fatkeqësisht kur Qerimi ishte vetëm 3 vjeçar, i vdiq e ëma, ndërsa i ati, si burrë i vetëm në shtëpi, të cilit i duhej të punonte e luftonte për mbijetesë, duke mos pasur mundësi të përkujdesej për një fëmijë të mitur si Qerimi i vogël, atë e morën dajat ta rrisnin dhe për rreth 7 vite me radhë, u përkujdes gjyshja (nëna e nënës së poetit), për krijuesin, profesorin dhe gazetarin e ardhshëm sublim, Qerim Arifi.

Shkollimin fillor dhe të mesëm Qerimi i kreu ne Preshevë, kurse shkollën ‘Normale’ dhe Fakultetin Filozofik, degën e Gjuhës dhe Letërsisë angleze, në Universitetin e Prishtinës. Pas përfundimit të fakultetit, i pajisur me dije dhe diplomën e profesorit të ri të gjuhës angleze nga Universiteti i Prishtinës, Qerim Arifi u kthye në vendlindje dhe për disa vite, punoi dhe kontribuoi pa kursim, për edukimin dhe arsimimin profesional të nxënësve semimaturantë shqiptar, në shkollën e mesme-gjimnazin “Skënderbeu”, në Preshevë. Për profesorin e ri, pedagogun dhe intelektualin preshevar me nam, nuk kishte gjë më impresionuese, nder më të veçantë dhe kënaqësi më të madhe, se sa kur ai, me sytë e tij shihte përditë, se si rriteshin e arsimoheshin shëndetshëm dhe frymëzoheshin drejtë e ngriheshin kombëtarisht, brezat e ri të shqiptarëve autokton, të cilët nga shkolla-gjimnazi ku ai jepte mësim, brez pas brezi, dilnin studentë, mësimdhënës dhe drejtues institucionesh e entesh edukative, arsimore, administrative dhe politike, jo vetëm në Preshevë e rrethinë, por edhe në Kosovë ku bën emër të mirë dhe lanë gjurmë të pashlyeshme.

Ata ishin pasardhësit dhe vijuesit e denjë, të traditave, vizioneve dhe idealeve të larta kombëtare shqiptare, bij të mundit e të djersës së prindërve të molisur për më shumë dritë, barazi e dinjitet dhe të drejta etnike e liri njerëzore, autor të shumëvuajtur të sakrificës së pafund dhe pinjoll të paepur të arsimimit bashkëkohor, fillor, të mesëm e universitar në gjuhën amtare shqipe, siç ishte edhe vet profesori, gazetari dhe poeti e krijuesi i përjetimeve të dhembshme e vetëmohuese, Qerim Arifi. Qerimi ishte ikonë e kohës, i cili jetoi dhe punoi me zell e përkushtim të pafund, si korife dhe përçues sublim i idealit të shenjtë kombëtar, që ishte ideal i gjithë gjeneratave të asaj kohe, si dëshmia më e mirë, se vetëm atdhetarizmi i pastër dhe drita e diturisë autoktone amnore shqipe, do të mund ta ruante gjuhën, traditat e identitetin e shqiptarëve, si dhe bërthamën e kombit në ato troje etnike, të mbetur padrejtësisht jashtë kufijve të Kosovës, ku ishte lindur e rritur edhe vet Qerimi.

Ishte veprimi patriotik i tij, me të cilin u mësoi pa u lodhur dhe mundësoi brezave të rinj të shkolluar nga ai, me kolegë që me dëshirë të lartë dhe vullnet të pashuar, edhe ata të jepnin kontributin e vet personal e kolektiv, për vijimësinë e të jetuarit shqip, si dhe të çonin përpara përpjekjet për liri, të drejta e barazi të plotë kombëtare, për shqiptarët e shtypur e të nëpërkëmbur ndër shekuj e dekada, në trojet e veta autoktone, nga pushtues dhe regjime të egra antishqiptare, si regjimet pushtuese shoviniste serbe. Por UDB-ja, duke parë përkushtimin e thellë kombëtar dhe angazhimin vetëmohues didaktik të Qerim Arifit, për t’i përcjell ndjesitë dhe mbjellë frymëzimin kombëtar edhe te gjeneratat e reja dhe nxënësit e tij, nisi ta shqetësonte prirja patriotike dhe atdhetarizmi i paepur i pedagogut të ri, ndaj dhe do të bënte ç`mos, që profesori dhe gazetari i dalluar nga Presheva shqiptare, të mos arrinte ti jetësonte të gjitha ato, për të cilat ishte shkolluar e përgatitur dhe kishte ëndërruar me shpirt, t’i kthente në vepër, për vendin dhe bashkëkombësit e tij. Kështu që sipas referencave të besueshme nga vendlindja e Qerimit, UDB-ja kishte arritur të infiltrohej, deri në jetën bashkëshortore të poetit dhe këtij atdhetari e kombëdashësi të madh, t`ia shkatërronte ëndrrat, planet e ardhmërinë dhe shkurtonte edhe jetën e tij, duke e quar në vdekje të parakohshme.

Ikja nga Presheva dhe vendosja në Prishtinë

I kërcënuar nga paranoja sllavo-komuniste dhe gjendja e rënduar sociale, që profesorit të ri, i përkeqësohej çdo ditë, Qerim Arifi ishte detyruar, të kërkonte ndihmën e bashkëkombësve në Prishtinë dhe megjithëse në ato kohë të rënda e të vështira për të gjithë shqiptarët, Kosova edhe vet, vuante e rënkonte nën okupimin serb, edhe nën ato kushte e rrethana kritike, me mundësi të kufizuara veprimi, bënte krejt çfarë mundte e arrinte për shqiptarët e mbetur padrejtësisht dhe pa dëshirën e tyre, jashtë kufijve të Kosovës, veçanërisht për shqiptarët e Prshevës, Bujanocit e Medvegjës, Malit të Zi dhe Iliridës, duke dhënë çdo gjë brenda mundësive dhe kapaciteteve që kishte, për shpëtimin nga më e keqja, mbështetjen, punësimin, shkollimin dhe avancimin në procesin arsimor, profesional dhe administrativ e politik të tyre.

Kështu që, për ta larguar nga atmosfera e rënduar në Preshevë, nga e cila ati i rrezikohej edhe jeta, Qerim Arifi do të këshillohej, ta linte gjimnazin dhe t’i mundësohej punësimi në revistën “Zëri”, e cila atëbotë ishte revista më e adhuruar në Kosovë, duke iu siguruar edhe banesë e akomodim për një jetë normale, në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë. Por i lodhur nga problemet që i kishin lindur me partneren në vendlindje, për shkak të dyshimeve të lidhjes së saj me UDB-në, një kohë Qerimi jetojë i vetëm në Prishtinë, ndërsa pas disa vitesh, mori edhe familjen e ngushtë të tij, duke menduar se problemet e lindura në Preshevë, do të mbeteshin kujtime të hidhura të të kaluarës, ashtu siç edhe i ishte premtuar poetit, nga “burrat” me mustaqe të fjalës e kuvendit, por që megjithatë, përveçse nuk i doli ashtu siç i ishte thënë, problemet e brendshme u përkeqësuan edhe më tepër, gjë që çoi edhe në vdekje të parakohshme, gazetarin e krijuesin e mirënjohur.

Kështu që sipas asaj që tregojnë njerëzit nga rrethi i poetit në Preshevë, në kohën kur në kryeqytet dhe qytetet tjera gjithandej Kosovës dhe jashtë saj, kudo jetonin shqiptarët, vijonin pakënaqësitë dhe zgjeroheshin demonstratat studentore, me kërkesat për avancimin e statusit politik të Kosovës në Republikë, UDB-ja ishte vënë në alarm, për rritjen e përndjekjes së intelektualëve me prirje atdhetare dhe pas një diskutimi sqarues – të brendshëm familjar, për shkak të dyshimeve të poetit, për ri-kooketim të partneres me pjesëtarët e UDB-së, policët serb dhe shqipfolës në shërbim të UDB-së, pa vonuar, do t’i futeshin në banesë Qerim Arifit, rrokullisnin atë nga shkallët, duke e goditur me shqelma e grushte dhe rrihnin aq shumë, në mes të ditës me diell, duke e goditur qëllimisht, me sa fuqi kishin, në të dy anët e zonës së veshkave, derisa ai ishte alivanosur dhe kishte filluar të nxirrte gjak për hunde e për goje.

Kjo fatkeqësi dhe rrahje skajshmërisht brutale, sipas referencave nga njerëz të afërt të gazetarit e krijuesit dhe koha e pasqyrimit të gjendjes së tij të trishtë shëndetësore, të cilën vet poeti e përshkruan në poezinë e tij të famshme, me titull: “Në Dhomën time…..”, barbaria ndaj tij, nga UDB-ja serbo-sllave, duhet të ketë ndodhur nga fundi i vitit 1981, apo fillimi i vitit 1982, sulm nga i cili mjerisht trupi i hajthëm i Qerm Arifit, nuk do të rimëkëmbej më kurrë. Madje për shkak të dëmtimeve të rënda që ai kishte pësuar, nga të cilat nuk mund të ngrihej më në këmbë, dajat e tij, me ndihmën e organizatës ku ai punonte, ishin detyruar ta dërgonin Qerimin për kurim në Strugë, por mjerisht as kjo nuk i kishte ndihmuar gjë, ngase veshkat e tij ishin dëmtuar deri në përmasa të atilla shkatërruese, sa që funksionimi i tyre kishte pushuar tërësisht dhe ai ishte detyruar të hynte në dializë.

Dhe sikur mos të mjaftonin të gjitha fatkeqësitë që ai kishte përjetuar, mjerisht as dializa nuk do ta mbante gjatë në jetë poetin, ndaj në momentet që pa se po afrohej me të shpejtë dita, kur ai do të detyrohej t’i linte lamtumirën kësaj jete dhe largohej nga kjo botë mëkatare, Qerim Arifi kishte kërkuar ta rikthenin në Prishtinë, në qytetin që e donte aq shumë, aty ku i‘u mundësua të jetonte si njeri dhe shqiptar i pa ndrojtur, ku kishte kolegë e miq me të cilët mund të fliste lirshëm, shqyrtonte gjendje dhe trajtonte situata, si dhe të studionte mundësitë e bënte projekte, se si mund tu ndihmohej edhe shqiptarëve në vendlindjen e tij.

Për fatin e keq të poetit, tanimë ishte bërë vonë për gjithçka dhe pa vonuar, ai do të mbyllte sytë përgjithmonë, duke u ndarë nga kjo jetë, më 1990, në Strugë, prej nga trupi i tij, do të sillej dhe varrosej me nderime të larta të kolegëve dhe bashkëpunëtorëve në Prishtinë. Qerimi ishte profesor, gazetar, poet, përkthyes e krijues i gjakut të fisëm, që mbetet vlerë e përjetshme e historisë tonë më të denjë krijuese, arsimore e kombëtare, intelektual i shquar dhe misionar profetik, me rrënjë origjinale autoktonie, i lindur dhe rritur në zemrën e Kosovës Lindore, i cili nga ajo ngjarje makabre, mbeti i shtrirë në shtrat, deri në çastet kur mbylli sytë përgjithmonë.

Krijues shumëdimensional e atdhedashës i madh, që dha gjithçka nga vetja, për arsimim, kulturë e dinjitet dhe një të ardhme më të mirë të shqiptarëve, duke mos kursyer veten as jetën e tijë, në mënyrë që edhe gjeneratat pasuese të arrinin sa më shumë përparim në procesin e dijes e të shkollimit dhe gëzonin pa kufizime, të drejtat dhe liritë njerëzore e kombëtare, që u takonin në vendlindjet dhe trojet e veta autoktone, ku ata jetonin dhe jetojnë edhe sot. Por përkundër të gjithave, sa bëri poeti për vendin dhe njerëzit e kombit e të truallit të vet, mjerisht krijuesi Qerim Arifi, vuajti dhe u mundua aq shumë dhe deri në atë shkallë trishtuese, sa që edhe dhembjeve në trupin e tij, u kishte humbur kuptimi.

Dhe pa vonuar ai do të vdiste shumë i ri, si një Migjen i dytë, edhe pse nga një cep tjetër, por jo shumë i largët gjeografikisht i atdheut të përbashkët shqiptar. Poet mitik, profesor, pedagog e gazetar i dalluar, me të gjitha virtytet e një mësimdhënësi shembullor dhe autori e krijuesi të shquar e të veçantë kombëtar, i cili pasi pësoi dhembje dhe vuajti, shumë më shumë se cilido krijues tjetër, vetëm pse ai ishte një krijues patriot dhe intelektual i shquar shqiptar, padrejtësisht dhe pa fajin e ti, sikur mbeti i harruar nga të gjithë, madje edhe nga vet perënditë pagane…?!

Maratonomak i dënuar me vdekje, jo nga Zoti, por nga njerëzit e këqij e të shfrenuar moralisht dhe armiqtë e kombit, të cilët Qerimin e çuan padrejtësisht në një histeri të papërshkrueshme tmerri e trishtimi, i lënë i vetëm në kulmin e mjerimit, shtrirë në errësirë, gjysmë i gjallë e gjysmë i vdekur, pa ndihmën e askujt, katandi ku nuk kishte më, ku të shkonte më keq, sa të mos mund t`ia kërkonte asnjërit, një kafshatë bukë, a një pikë uji, duke përjetuar për gjallje të vet, të 9-të rrathët e ferrit të Dantes, ende pa ikur në amshim. Të cilit megjithëse Noli i madh te poezia “Marathonomak”, përshkruante vrapimin e mundimshëm të lajmëtarit, që do ta çonte lajmin e gëzuar të fitores në popull, këta dy rreshta të poezisë së tij, me titullin e lartcekur, i shkojnë shumë gjendjes së mjeruar të poetit Qerim Arifi.

“Ke një plagë, po s’e the,
Djers’ e gjak pikon për-dhe”
*******************************

Qerim Arifi ishte martir i viktimizuar qëllimshëm, i cili me gjithë ëndërrimet që të bëhej edhe ai një “maratonomak”, që përçon lajme të mira e të mëdha për fitoret e shqiptarëve, të kombit e të atdheut, ai u shkatërrua pamëshirshëm, nga ata që nuk e priste as meritonte dhe nuk kishte më kujt t`ia thonte as tregonte plagët dhe vuajtjet e tij, i torturuar në mënyrën më të trishtë ç ‘njerëzore, që edhe në çastet e fundit të jetës, nuk pati me kënd ta ndante dhembjen që ndjente, as shprehte mallin e grumbulluar në shpirt që e mundonte, i përcjellë gjatë gjithë kohës me mallkimet për vdekje, sa më të shpejtë, nga ajo që në fakt, do duhej t’i gjendej pranë dhe përkujdesej për te, edhe në vuajtje dhe çastet më të këqija të tij, madje edhe kur krijuesi kalonte çaste të ngjashme si në këta rreshta, të poezisë sublime noliane.

“Gryka si gjyryk të ç‘fryn,
Prej Vullkani flakë e tym.
Se ç‘vëngon e se ç‘gulçon,
Zëmra brinjët t’i çkallmon”!
******************************
Mbahu, or Marathonomak, do të shprehej Noli i madh! Por poetin dhe krijuesin tonë të shquar Qerim Arifi, nuk kishte as kush ta ngushëllonte, t’i thonte; mbahu e bëhu burrë i fortë, as ta ushqente me frymëzim e dashamirësi, madje në vend të ndihmës dhe ngushëllimit, ai merrte mallkime për vdekje, siç vë në pah edhe vet poeti, në poezinë e ti të trishtë me titull; “Në dhomën time….”, ku shpreh në hollësi rrëqethëse gjendjen e tmerrshme të para-amshimit, derisa lëshonte rënkimet nga vuajtja dhe grahmat e frymëmarrjes së vështirësuar e të mundimshme të tij, duke u sfilitur edhe më keq nga përgjigja ç‘njerëzore: “Ende s`ke cofur imzot…..”?!:

Qe një vjet e gjysmë më zihet fryma, marr pa hesape aminofilin

“Ne dhomën time ka arome gazetash dhe sëmundje, çarçafët me gjak.

Mbi to mund të pështyj sa herë më mblidhet urea në fyt.

Por askush nuk vjen t’i heqë. Në dhomën time të blasfemuar.

Nuk dëshiron të hyje askush. Më thotë: “a ende s’ke cofur imzot”

Me një fjalë, Migjeni harruar i Preshevës dhe gjithë Kosovës, që ishte betuar edhe para ferrit të të gjitha vështirësive dhe jetës plot vuajte që kaloi, të shihte vetëm ëndrra me diell dhe dritë të dëlirë për atdheun, vendlindjen e tij Preshevën, Bujanocin, Medvegjën, Shqipërinë etnike dhe mbar kombin shqiptar. Ikona e intelektualit të paepur, pedagogut dhe krijuesit të dalluar shqiptar, që pas vuajtjesh e mundimesh të stërmëdha, vdiq i ri dhe në kohën kur ai mund të ofronte shumë më shumë krijime, me përmbajtje edhe më të pjekura e më afirmative se kurrë më parë, duke i mbetur ëndrrat përgjysmë dhe lënë parakohshëm lamtumirën kësaj bote të “rrejshme”, në moshën vetëm 44 vjeçare, gjë që e bënë edhe më të dhembshme, shuarjen e tij të hershme e të mundimshme.

Profesor i mirënjohur i gjuhës angleze, krijues i shquar e poet shembullor, dhe gazetar i dinjitetshëm, i lindur mu në zemrën e Kosovës Lindore, që punoi e vuajti aq shumë, të cilit mjerisht, vuajtja i ishte bërë pjesë e pandashme e jetës, sëmundje ngjitëse, dhe dergjë që nuk iu shkoq asnjëherë, deri në minutat e fundit. Qerim Arifi mbeti jo vetëm njëri nga të “pagjumët” e përhershëm për gjallje të vet, por edhe i përvuajturi i përjetshëm i kësaj treve etnike shqiptare, pothuajse i harruar nga të gjithë, sidomos pas shkuarjes së tij në amshim, i cili njohu më mirë se kushdo tjetër, plagët e robërisë, vuajtjet e bashkëkombësve dhe vajet e gjithë tokës së okupuar arbërore, duke ndjerë fort në zemër dhe përjetuar thellë në shpirt, zjarrin e dhembjes së shqiptarit të shtypur nën okupim.

Madje megjithëse gjendja e tij jetësore mbeti gjithmonë e rëndë dhe nga më të vështirat për një krijues produktiv e të talentuar si ai, edhe në momentet më kritike për jetën e vështirë që kaloi, nuk doli kush ta vriste heshtjen dhe mundësonte mbijetesën e poetit ikonë, që të mos vdiste aq i ri, apo që emri i tij, të kumbonte edhe pas vdekjes si kushtrim i pavdekësisë kombëtare! Qerimi ishte bërë pjesa më e nëpërkëmbur e këtyre dhembjeve dhe viktima më e pafajshme e virusit okupues, që shuante intelektualët dhe patriotët më të mirë të kombit nga këto treva autoktone shqiptare, i cili megjithëse u përpoq deri në fund, që të mos u nënshtrohej urrejtësve paranoik dhe fatit të keq, që goditën padrejtësisht jetën e tij, atë e mundën imoralët, bashkëpunëtorët e okupatorit dhe shpirtrat kriminel, madje thuhet se njëri nga policët që e rrahën për vdekje, iu bë poetit edhe “ortak”, post-mortum, në bashkëshortësi…!

Katrahura që jetën e krijuesit e kthyen në tmerr, një jetë të kaluar si në botën e krimit e të terrorit, të përshkruar vetëm në “Ferrin” e Dante Aligherit, ku ishte katandisur poeti, si qenie e urryer, e përbuzur dhe shndërruar në gjysmë-kufomë të përdhunuar deri në kufijtë e ç`njerëzimit dhe katastrofës ekzistenciale, kur edhe kërkesës për të njomur fytin e tharë nga sëmundja që e digjte, me një pikë uji, i vinte përgjigja torturues; “Ende s`ke cofur imzot”?! Sipas Testamentit të Ri biblik, ferri kishte 7 rrathë, por sikur mos të mjaftonin vuajtjet e “parashkruara” në “Testament” për njeriun, Aristoteli e rriti numrin e rrathëve, nga shtatë, në nëntë dhe ideja e tij, u mor më pas edhe nga mendimtari e shkrimtari italian Dante Alighieri, sikur ta dinte edhe ai, se përmes këtyre rrathëve tragjik, ishte dënuar të kalonte edhe shpirti i pafajshëm i krijuesit tonë të shquar e të pavdekshëm kombëtar, Qerim Arifi.

Por megjithëse Qerimi mbetet profesori, gazetari, poeti e intelektuali më i martirizuar nga Presheva dhe Kosova Lindore, për jetën e mundimshme dhe vdekjen e tmerrshme, makabre e të parakohshme të tij, është shkruar më së paku, për të mos thënë fare?! Madje, Migjeni i shumëvuajtur preshevar dhe “personazhi” më real i poemave migjeniane të mjerimit, nga kjo trevë autoktone shqiptare, angazhimet pedagogjike, gazetareske, poetike, letrare e patriotike të të cilit, mbetën vetëm cikle ëndrrash e dëshirash të parealizuara deri në fund, në shpirtin e vrarë të Qerim Arifit, prej të cilave iu bë jeta pelin, sikur mos të mjaftonte, që ai u shua parakohshëm dhe në mënyrën më të dhembshme të mundshme të një intelektuali të pa fat, mjerisht ai mbeti i harruar edhe nga vendësit dhe bashkëkombësit e tij!

Për aq më tepër edhe shkrimet e pakta dhe tejet të cekëta, për jetën dhe veprën e Qerim Arifit, duket se janë bërë qëllimshëm, shumë të shkurtra dhe tepër të mangëta, në mënyrë që ndoshta ai edhe pas vdekjes, të mbetet i dënuar nga të gjallët dhe fajtor kujdestar, pa asnjë faj, edhe në amshim, duke harruar se Qerimi u mund nga fati i keq, dhe mbytë parakohshëm nga njerëzit e shitur e të degjeneruar, në mënyrë që idealet kombëtare e krijuese të tij, të mos shkonin deri në fund dhe as të realizoheshin në tërësi, për të mbytur edhe ndjesitë shpirtërore të profesorit, gazetarit dhe përkthyesit e krijuesit të ndritshëm preshevar, para kohe.

Sado që për jetën dhe veprën e krijuesit Qerim Atrifi, nuk jepen shpjegime të mjaftueshme, thuhet se me poezi, ai ka filluar të merret nga rinia e hershme, ndërsa botimet e para të Qerimit datojnë nga fillimi i viteve të ‘70-ta, me librin mbresëlënës “Kujtime”, krijimet e të cilit, përmendet të jenë përfshi në disa antologji dhe libra me biografi të shkrimtarëve, kurse shkrimet e këtij krijuesi magjeps, janë përkthyer edhe në gjuhë të huaja. Qerim Arifi, megjithëse pas mbarimit të shkollimit sipëror, për disa vite ka punuar profesor në gjimnazin “Skënderbeu”, në vendlindjen e tij në Preshevë, pjesën më të madhe të punës dhe të jetës së vet të shkurtër, i ka kaluar si gazetar në revistën “Zëri” në Prishtinë, që asokohe, ishte një nga revistat më të dashura në Kosovë. Profesori, gazetari dhe krijuesi e poeti Qerim Arifi, është marrë edhe me përkthime nga gjuha shqipe në atë angleze dhe anasjelltas, duke mos e pushuar veprimtarinë e tij të denjë krijuese, derisa vdiq i shkallmuar, më 1990 dhe u varros ne Prishtinë.

Veprat më të njohura të Qerim Arifit:

1.“Kujtime”, botuar më 1970

2.“Nokturno”, botuar më 1983

3.“Fatamorganë”, botuar më 1984

4.“Mbyllur në urnë”, më 1987

5.“Rekuiem për kalanë”, – Preshevë, më 1988

Përkthimet: “Katër kuartetet”, e Eliotit

Vepra e përkthyer në gjuhën shqipe nga Qerimi Arifi, është poema e famshme e nobelistit të shquar britanik, Thomas Stears Eliotit “Katër Kuartetet“, e cila ndryshe njihet edhe me titullin “Shtëpia e djegur”, dhe është e ndarë në 4 tituj: (Burnt Norton, East Coker, The Dry Salvages, e Little Giding). Ndërsa për të bashkëndjerë dhe kuptuar më mirë, kalvarin e vuajtjeve që ky poet i pafat përjetoi, po vendos këtu, një nga poezitë më prekëse të Qerim Arifit, në të cilën përshkruhet në mënyrën më të prekshme, se në ç‘kushte makabre i kaloi ai vitet e fundit të sëmundjes, që ishin edhe sekuencat më të rëndat të jetës së tij.

Në Dhomën time s`ka as Pastërti as Shëndet!

“Qe një vjet e gjysmë më zihet fryma, marr pa hesape aminofilin,
Të lutem shoku mjek, cili do të jesh intravenoz se më muskujt
më janë shterruar e tash më duket sikur gjarpri është duke më
kafshuar e jo duke marrë injeksione. E ato nuk përfundojnë…!
Po, përpos juve mjekeve, infermiereve dhe aromës së alkoolit
në dhomën time nuk hyn tjetër kush. Mbetet te numëroj yjet në
netët e pafund te qiellit të zi, kështu e mas vogëlsisë time
Imzot! Ne dhomën time ka arome gazetash dhe sëmundje, çarçafët
me gjak. Mbi to mund të pështyj sa herë më mblidhet urea në fyt,
por, askush nuk vjen t’i heqë. Në dhomën time të blasfemuar
nuk dëshiron të hyje askush. Më thot: “A ende s’ke cofur imzot”?!

(“Kodra e Diellit”, 1983)

Në nderim të profesorit, poetit dhe krijuesit të paharruar preshevar, thuhet se është formuar çmimi “Qerim Arifi”, mbahen manifestime kulturore dhe janë krijuar shoqata e grupe letrare të titulluara me emrin e tij, por ajo që pashmangshëm bie në sy dhe lë shumë për të dëshiruar, është fakti se është shkruar shumë pak, për të mos thënë fare, për jetën e dhembshme dhe krijimet e bujshme e veprën e denjë të tij. Madje megjithëse sot ka poet, shkrimtar, gazetarë etj., që marrin çmime, mirënjohje e dekorata, përfshi edhe çmimin që mbanë emrin e “Qerim Arifit”, tash e mbi 32 vite nga vdekja e poetit, jetëshkrimi dhe biografia e këtij krijuesi të ndritshëm kombëtar, u lanë për mjerim, me përmbajtje aq të tkurrur dhe tmerrësisht të mangët, sa që të vete mendja se çdo gjë bëhet qëllimshëm dhe me porosi, për neglizhimin e punës dhe veprës madhore të Qerim Arifit edhe mbi 3 dekada pas vdekjes së këtij krijuesi të përvuajtur migjenian?!

Dhe për rrjedhojë, shprehur në mënyrën më të butë, krijohet përshtypja, për të mos thënë edhe bindja, se edhe ata që krijuan çmimin “Qerim Arifi”, duket se këtë e bënë, më tepër për ta dekoruar njëri tjetrin, se sa për ta ngritur e nderuar emrin dhe veprën e krijuesit edhe me shkrime pë te, pasi që deri më tani, nuk publikuan qoftë edhe disa rreshta të vetëm, për punën e krijimtarinë e çmuar, vitet e mundimshme e as mënyrën e vdekjes makabre të poet Qerimit, që ishte kthyer në përditshmëri të hidhur e të rëndë jetese, për patriotët dhe atdhedashësit më të denjë, gjithandej trojeve shqiptare nën okupim.

Kështu që, për fund, medoemos lind pyetja e patejkalueshme, se; athua vallë, vërtetë, këto ishin shkrimet e vetme të ikonës krijuese të Preshevës dhe Kosovës Lindore, Qerim Arifit, pas ikjes në amshim, apo tekstet e prozës dhe poezive që ai mund të ketë lënë në dorëshkrim, si dhe librat e shumtë, që ai thuhet se kishte në bibliotekën e tij personale, të gjitha përfunduan atje ku nuk do duhej, ku nuk e kishin vendin dhe as nuk e meritonin një masakrim të atillë. Kujtim të përjetshëm dhe respekt të pafund jetës dhe veprës së mësuesit, profesorit, gazetarit e krijuesit të shquar preshevarë, atdhetarit e bashkëkombësit tonë të paharruar, Qerim Arifi! Memorie.al

Saimir Maloku: Lista e 46 ushtarakëve anglezë që ranë për çlirimin e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore

Kontributi i Britanisë së Madhe dhe SHBA-së dhënë popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore
Lista e ushtarakëve anglezë që ranë për çlirimin e Shqipërisë

Oficerët britanikë që ishin misionarë ushtarakë në Shqipëri e kishin si kusht të mos shfaqnin interesim për politikën shqiptare dhe e kishin shpallur botërisht se përqendroheshin vetëm e vetëm për angazhimin e popullit shqiptar në luftën kundër okupatorëve gjermanë. Ndihma e madhe britanike me armë, municione, pajisje të ndryshme ndërlidhje, monedha ari etj. që ju dha LANÇ-it sidomos me armatosjen e Brigadës së I Sulmuese bëri që gjatë periudhës së dimrit 1943-1944 të mbijetoi kjo brigadë nga sulmet gjermane dhe balliste.
Qysh nga koha e pushtimit të Shqipërisë më 7 prill 1939 nga Italia fashiste, Britania e Madhe, nëpërmjet Shërbimit Informativ Sekret të saj (SIS), tentoi që nëpërmjet Jugosllavisë të dërgonte agjentë të saj me detyrë për të nxitur luftime sporadike kundër pushtuesve italianë në Shqipëri. Deri në mars 1941 këta agjentë ishin të komanduar nga nënkoloneli Oukli Hill.
Në vjeshtë të vitit 1940 krijohet Drejtoria e Operacioneve të Posaçme (SOE) si dhe B.B.C (Radio e Korporatës Britanike të Radiopërhapjes) për të bërë propagandë. U tentua dhe u arrit që të hedhin me parashutë 7 misione të oficerëve ndërlidhës britanikë gjatë periudhës gusht-shtator 1943.Midis tyre ishte dhe nënkolonel Bill Maklin dhe majori David Smajli. Pak më vonë, në tetor të vitit 1943, u hodhën me parashutë edhe gjeneral brigade Dejvis me grupin e tij, në mënyrë që të ndizej sa më shumë rezistenca popullore në Shqipëri.
Në mars të vitit 1943 u krijua Skuadrilja 148 e Forcave Ajrore Mbretërore (RAF) dhe u vendos në aerodromin e Derna Main të Cirenajkës të Libisë. Ajo kishte 14 avionë Halifax dhe 4 aeroplanë Liberator. Prej këtej furnizoheshin vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe Shqipëria. Grupe të ndryshme dhe të vogla të oficerëve britanikë hidheshin me parashutë në Shqipëri për të kryer misione të veçanta vëzhgimi dhe sabotimi në prapavijat e armikut. Furnizimet nga ajri me armë,municione, mjete radiondërlidhjeje, etj. ndihmuan në krijimin dhe me pajisje luftarake të Brigadës së I-rë (800 partizanë) në gusht të vitit 1943 në Vithkuq. Misionarët ushtarakë britanikë u vendosën pranë shtabeve të njësive partizane, të Legalitetit dhe të Ballit Kombëtar. Nëpër njësitë partizane, sapo niste hedhja nga ajri e furnizimeve përhapeshin shpesh fjalë se ato ishin të pa përshtatshme.
Diktatori E. Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërm në atë kohë nuk e patën të vështirë ta frynin këtë gjë. Kjo sepse ai me udhëheqësit e tjerë të L.N.ÇL. dhe P.K.SH. e shikonin Bashkimin Sovjetik si modelin e tyre,ndërsa Britaninë e Madhe dhe SHBA-në si aleat ushtarak, por jo politik. Oficerëve britanikë u ishte dhënë udhëzimi që të ndihmonin cilindo në Shqipëri që do të luftonte kundër armikut të përbashkët, si kundër italianëve dhe më vonë kundër gjermanëve. Shtabi kryesor i misioneve ushtarake britanike, i kryesuar nga gjenerali Dejvis dhe nënkoloneli Nikols, u vendos në Bizë të Martaneshit. Frederik Nosi ishte oficer ndërlidhës dhe përkthyes i tyre. Ky grup u hodh me parashutë në Bizë natën e 15 tetorit të vitit 1943 nga dy avionë të mëdhenj Halifax. Furnizimet nga ajri u bënë afër Dibrës, Pezës, Shëngjergjit, Tragjasit, Sheperit dhe pranë liqenit të Ohrit. Forcat aleate hodhën me parashutë shumë pushkë antitanke, mortaja, automatikë, pushkë, granata, mina antitanke, eksplozive dhe një shumë të konsiderueshme stërlina ari. Hedhje ngarkesash u bënë më vonë në Macukull, Kalis, Sheper, Voskopojë, etj.
Më 20 dhjetor të vitit 1943 u hodh me parashutë edhe z. Reginald Hibbert, oficer britanik , i cili më vonë shkroi librin “Fitorja e hidhur”,duke pasqyruar në mënyrë reale kontributin e madh që dhanë Britania e Madhe dhe misionarët ushtarakë të saj në Shqipëri. Më 4 janar të vitit 1944 gjenerali britanik Dejvis dhe shtabi i tij u kapën rob nga trupat gjermane në fshatin Kostenjë. Por diktatori E. Hoxha në kujtimet e tij pretendon se gjenerali Dejvis iu dorëzua vetë gjermanëve dhe se e kishte kërkuar dorëzimin disa herë sepse nuk i duronte vështirësitë e dimrit.
Më 3 shtator të vitit 1943 forcat aleate zbarkuan në Italinë Jugore, pasi kaluan Ngushticën e Mesinës. Një avioni bombardues Halifax me katër motorë, i nisur nga aerodromi i Tokres në Cirenajkë të Libisë i duheshin 4 orë fluturim për të ardhur në Shqipëri. Prandaj gjatë periudhës 22-27 dhjetor 1943 Kuartieri i Regjimentit 334 të RAF u zhvendos nga aerodromi i Tokres në Cirenajkë të Libisë për në Brindizi në Italinë e Jugut.
Më 15 janar 1944 gjenerali amerikan Iker (Eaker) mori komandën e Forcave Ajrore Aleate të Mesdheut,duke përfshirë edhe regjimentin 334. Gjatë periudhës 22-31 janar 1944 skuadrilja 148 u zhvendos në Brindizi të Italisë. Atje ajo u bashkua edhe me Grupin Transportues të Trupave të Forcave Ajrore të SHBA që përbëhej nga tri skuadrilje me avionë amerikanë transporti C47 (Dakota) si dhe një skuadrilje bombarduesish të rëndë amerikan të tipit Liberator (U.S.A.A.F).Mbas marsit 1944 skuadrilja 148 u tërhoq nga furnizimi për Shqipërinë, sepse këto fluturime u bënë me aeroplanë transporti C.47. U rritën furnizimet për Shqipërinë sidomos në datat 23 mars, 21 prill dhe më 31 maj 1944. Nënkoloneli Nikols vdes më 11 shkurt 1944. Kjo si pasojë e sëmundjes së dizenterisë dhe plagët e rënda nga ngrirja e këmbëve nga të ftohtit.(Pas vdekjes ai dekorohet me Kryqin e Gjergjit, me motivacionin për kurajë dhe vendosmëri të jashtëzakonshme. Gjithashtu i rritet edhe grada ushtarake në gjeneral brigade).
Më 1 shkurt 1944, si pasojë e mjegullës së dendur dhe kohës së keqe një avion i madh transporti britanik që sillte ndihma për forcat partizane u përplas me majën e malit të Shën Ndoit të Vogël (Sinai i Vogël) në lartësinë 1600 metra në Bizë të Martaneshit. Si pasojë e këtij aksidenti tragjik ajror humbi jetën gjithë ekuipazhi britanik i avionit (Në pranverën vitit 1967 unë me një grup shokësh kemi qënë për disa ditë pranë vendit ku është rrëzuar avioni dhe ku janë mbeturinat e tij. Nga rrëfimet e barinjve të vjetër vendas na treguan se fshatarët e Martaneshit dhe të Shëngjergjit i transportuan dhe i varrosën me nderime trupat e pa jetë të këtyre pilotëve britanikë. Ata kujtojnë ndihmën e madhe që aviacioni dhe misionarët ushtarakë britanikë i dhanë popullit shqiptar gjatë luftës së dytë botërore.
Në veri ishte Misioni Stables i vendosur në fshatin Kalis, që përbëhej nga oficerët britanikë si Majori Riçard Ridëll,kapiteni Toni Simkoks, kapiteni Majkell Lis, oficeri Reginald Hibbert, rreshteri Gregson Ollkoti dhe tetari Dejvis. Në Macukull si dhe në zonat zogiste të Krujës dhe Matit ishin Majori Sejmur, togeri Smith dhe kapiteni Bulman. Më vonë më 15 mars 1944 erdhi kapiteni Xhon Hiberdini, së bashku me radistin Jan Merreti. Në prill vjen përsëri Maklini dhe Xhulian Emeri. Në jug u caktuan majori (më vonë nënkolonel) Alen Palmer i Artilerisë Mbretërore, kapiteni (më vonë major) Viktor Smith, i Pushkatarëve të Laukashirit.
Më vonë pranë misioneve Suifter dhe Sculptor u vendos nënkolonel Uiler, kapiteni(major) Markus LLajenin, kapiteni E. Northrop, kapiteni Xhek Dymulen (mjek), majori Gordon Layzell (i cili u vra në fillim të shkurtit 1944 në Staravecke nga një aksident me armën e tij). Gjatë periudhës shkurt-mars aty erdhën edhe kapiteni Brijën Ensor, majori P.M.Rous, kapiteni C.L.D. Njuell si dhe togeri J.A.Jang (infermier). Pranë Shtabit të Përgjithshëm partizan ishte oficeri epror britanik Alan Palmeri. Në jug pra ishin 11 oficerë britanikë, ndërsa në veri 13 deri në 16 oficerë britanikë (duke ardhur edhe majori Shou, kapiteni Rajt si dhe togeri Merri. Oficeri tepër i rëndësishëm britanik Filip Liku (P. Martin Leake) u vra nga një copë predhe kur aeroplanët gjermanë sulmuan fushimin e britanikëve në Sheper të Zagorisë.
Ushtarakë amerikanë zbarkuan fshehurazi afër bregdetit të Vlorës. Nëpërmjet plazhit të Borshit partizanët morën furnizime. Oficerët britanikë merrnin pjesë në aksione duke minuar rruga dhe ura, në mënyrë që të pengonin lëvizjen e trupave gjermane.
Ofensiva gjermane e Qershorit të vitit 1944 me 15000 ushtarë gjermanë goditi rëndë forcat partizane në veri dhe në jug të vendit. Aeroplanët Spitfire të RAF nga bazat ajrore në Itali u thirrën nëpërmjet misioneve të BLO në Jug për të sulmuar kolonat gjermane, duke u dhënë një mbështetje të rëndësishme forcave partizane. Vetëm gjatë muajit maj të vitit 1944 pati 34 fluturime të aeroplanëve Dakota, që hodhën secili nga 2 ton furnizim. Gjithashtu u hodhën në 2 fluturime 20 pjesëtarë të një grupi komandosh me pajimet e tyre. Këto ishin pjesa e parë e një vargu operacionesh në Shqipërinë e Jugut nga ana e Forcave të Shërbimeve të Posaçme të Forcës 266, me synimin për të ndërprerë komunikimet veri-jug të trupave gjermane. Gjithashtu pati edhe inkursione amfibe për hedhjen e grupeve komando në bregdetin e jugut. Nga fundi i qershorit 1944 një operacion i trupave komando të ushtarakëve britanikë të LRDG-së (Grupi i Shkretëtirës i Distancave të Largëta) nën drejtimin e kapitenit Xhon Olivej, likuidoi një garnizon gjerman prej 150 vetash si dhe një stacion roje bregdetare të saj në Spile të Himarës. Gjatë këtij aksioni ranë dëshmorë disa trupa komando britanike. Ky operacion i suksesshëm i trupave komando britanike bëri që të dobësohej mjaft kontrolli i trupave gjermane gjatë zonës bregdetare midis Sarandës dhe Vlorës.
Hyrja e trupave të aleate në Romë më 4 qershor dhe hapja e Frontit të Dytë më 6 qershor u pritën me një gëzim të jashtëzakonshëm në Shqipëri. Formacione të mëdha të Forcave Ajrore të SHBA me bombardues Liberator fluturonin shpesh në hapësirën ajrore të vendit tonë, me objektiv bombardimin e fushave të pasura me naftë të Ploeshtit (Rumani). Në 18 maj të vitit 1944 gjatë këtyre bombardimeve u dëmtua rëndë një aeroplan bombardues amerikan B-24 ku si pasojë u vranë 2 oficerë të SHBA-së. Ndërsa personeli tjetër i avionit u hodhën me parashutë në afërsitë e Peshkopisë, në fshatin Llapkuidoll. Dy prej tyre, perkatesisht oficeret Harold Helfrich dhe David Ficher u strehuan në çetat partizane ndërsa gjashtë veta të tjerë u kapën rob nga forcat gjermane dhe u internuan nëpër kampet naziste. Oficeret amerikane te shpetuar u derguan prane misionit anglez në vendin tone se bashku me nje grup te madh prej 18 infermieresh dhe personeli perkates te nje avioni amerikan i cili beri ulje te detyruar per arsye defekti ne Dumre te Elbasanit. Me ane të mjeteve të fshehta detare ky personel amerikan se bashku me dy aviatoret e shpetuar më pare, u kthyen pranë trupave aleate në Italine Jugore. Nje ndihme te madhe dhane forcat partizane dhe populli i ketyre krahinave shqiptare ne strehimin, ushqyerjen dhe fshehejen e tyre nga forcat gjermane te cilet perpiqeshin t’i zbulonin dhe t’i kapnin rober.
Natën e 27 dhe 28 korrikut të vitit 1944 shumë aeroplanë të RAF dhe amerikanëve hodhën me parashutë materiale të shumta luftarake për Brigadën e I. Me kërkesë të forcave partizane shumë avionë të Beaufighter të RAF më 10 dhe 11 gusht 1944 shkatërruan kazermat gjermane në Dibër me zjarrin e raketave. Forca ajrore e Ballkanit i sulmoi ato përsëri duke u shkaktuar humbje të mëdha në njerëz dhe materiale luftarake. Nga sulmet ajrore dhe ato të forcave partizane rreth 400 ushtarë gjermanë u vranë. Çdo muaj 140 tonë furnizime hidheshin nga ajri dhe 300 tonë nga deti i dërgoheshin Ushtrisë Nacional-Çlirimtare nga forcat aleate anglo-amerikane. Më 9 gusht 1944 u hodhën me parashutë një grup komando britanike prej 36 vetësh në zonën ndërmjet Tiranës dhe Elbasanit. Këto komandoheshin nga oficerët britanikë të LRDG-së Sten Istvudi dhe Ron Tinkeri. Me anë të këtyre trupave komando u bënë sulme në rrugët Tiranë-Elbasan dhe Elbasan-Strugë për të vështirësuar tërheqjen e trupave gjermane nga Greqia. Këtu pati edhe të vrarë në radhët e trupave komando britanike në zonën e Baldushkut.
Në muajin Shtator 1944 u planifikua një operacion i madh i trupave komando britanike “Hound Force”. Pikësynimi i këtij operacioni që do të zhvillohesh më datën 22 shtator 1944 ishte çlirimi i qytetit të Sarandës dhe izolimi i Korfuzit.
Brigadat komando britanike Nr. 40 dhe Nr. 2, të pajisura me një sasi të konsiderueshme artilerie nën komandën e gjeneralit të brigadës Tom Çurçilli, në bashkëpunim me brigadat tona partizane të XII, XIV dhe të XIX çliruan më 9 tetor 1944 qytetin e Sarandës. Si pasojë e këtyre luftimeve, garnizoni gjerman në Korfuz, nisi të dorëzohet më 12 tetor 1944. Disa marinarë britanikë të grupeve komando dhanë jetën gjatë këtyre luftimeve të përgjakshme.
Ushtarakët britanikë që qëndronin pranë njësive të mëdha partizane, me kërkesë të tyre dërgonin njoftime pranë njësive të mëdha ajrore të RAF. Këto sulme ajrore u bënë më të shpeshta. Oficeri britanik Sten Istvudi dhe patrullat e tij të LRDG-së qëndruan në Shqipëri edhe gjatë kohës së betejës për çlirimin e Tiranës duke ju dhënë një ndihmë të madhe forcave partizane të Divizionit të I sulmues.
Vetëm në një ditë nëntori të vitit 1944, 28 aeroplanë Beafighters të RAF, të pajisur me raketa, sulmuan në Tiranë kazermat e fortifikuara dhe pozicionet e topave të forcave gjermane, duke u shkaktuar humbje të shumta atyre. Pasi ra Tirana ata ndihmuan në rivënien në funksionim të aerodromit të saj dhe për ta bërë të përshtatshëm atë për qarkullim ajror nga fundi i nëntorit 1944. Dy patrulla të tjera britanike të LRDG-së të komanduara nga oficeri britanik Xhek Eitken, u dërguan për të goditur forcat gjermane që tërhiqeshin në rrugën drejt veriut të Shqipërisë deri në Shkodër.
Oficerët britanikë që ishin misionarë ushtarakë në Shqipëri e kishin si kusht të mos shfaqnin interesim për politikën shqiptare dhe e kishin shpallur botërisht se përqendroheshin vetëm e vetëm për angazhimin e popullit shqiptar në luftën kundër okupatorëve gjermanë. Ndihma e madhe britanike me armë, municione, pajisje të ndryshme ndërlidhje, monedha ari etj. që ju dha LANÇ-it sidomos me armatosjen e Brigadës së I Sulmuese bëri që gjatë periudhës së dimrit 1943-1944 të mbijetoi kjo brigadë nga sulmet gjermane dhe balliste. Kjo gjë i siguroi bërthamën, rigjallërimin dhe zgjerimin fenomenal të LANÇ –it dhe të ushtrisë partizane në pranverën e vitit 1944. Ndihma tjetër britanike me rëndësi thelbësore për furnizimet u bë në fund të korrikut dhe gjatë muajit gusht 1944 kur divizioni i parë partizan u rifurnizua nëpërmjet ajrit gjatë betejës për çlirimin e Dibrës. Pa këtë ndihmë, Divizioni i I ndoshta do të ishte detyruar të tërhiqej drejt jugut të Shqipërisë.
Duhet të theksojmë se gjatë Luftës së Dytë Botërore Britania e Madhe, nga prilli i vitit 1943 deri në 31 tetor 1944, dërgoi rreth 76200 stërlina ari në ndihmë të forcave partizane, të Legalitetit dhe të Ballit Kombëtar. 46 ushtarakë britanikë dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë gjatë luftës së Dytë Botërore.
Më 28 nëntor 1944 me rastin e çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë në Tiranë u organizua parada e madhe e forcave të armatosura shqiptare. Gjashtë bombardues të mëdhenj anglezë Halifax hodhën me dhjetëra mijëra fletë volante urimi për fitoren mbi nazifashistët. Populli i Tiranës mbante parulla të mëdha për fitoren si dhe parulla të tjera ku falënderonte Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe. Gjatë parakalimit ceremonial në krah të personaliteteve të larta të vendit ishin oficerë të shumtë britanikë dhe amerikanë që kishin kontribuar pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-çlirimtare.
Më 8 Maj 1945, Kryeministri i Britanisë së Madhe, U. Çurçill, nëpërmjet radios, i jep lajmin tepër të gëzueshëm të popullit anglez kudo në botë për fitoren e forcave aleate ndaj forcave naziste. Në ora 17 Mbretëresha e Anglisë, nga Pallati Mbretëror Bukingam, përshëndet popullin e Londrës. Lufta mbaroi por qindra mijëra vetë ranë dëshmorë. Për 47 vjet, regjimi komunist për arsye ideologjike dhe politike, u mundua të mbulojë kontributin e madh që dha Britania e Madhe si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në çlirimin e Shqipërisë nga fashistët italianë dhe nazistët gjermanë.
Duke filluar nga data 8 Maj 2010, për çdo vit, me rastin e përvjetorëve të çlirimit të Evropës, shoqatat e të përndjekurve politik, sindikatat dhe shoqëria civile në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Bashkinë e Tiranës kanë bërë homazhe tek varrezat e 46 ushtarakëve anglezë që ndodhen pranë kodrave të liqenit artificial te Tiranës.
* Këto të dhëna janë marrë nga kujtimet e botuara të oficerëve anglezë, që ishin misionarë ushtarakë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe libra të tjerë të botuar në Shqipëri, nga burime ushtarake angleze etj. Reshit Maloku, i ati i autorit të këtij shkrimi, pasi mbaroi shkollën amerikane të H.Fulcit, në vitin 1937, ishte shoqërues dhe përkthyes i Elizabet Barker, personalitete e rëndësishme britanike gjatë vizitës së saj në Alpet e Veriut. Gjatë viteve 1965-1974 shtëpia e S. Malokut ka pritur shumë miq anglezë. Në maj të vitit 1976, Saimir Maloku, me urdhër të diktatorit komunist arrestohet si i dyshuar për agjenturë angleze dhe vuan për afro 9 vjet dënim politik në burgun e Burrelit e të Spaçit për agjitacion e propagandë. Saimir Maloku ka shkruar shumë reportazhe në gazeta mbi kontributin e madh anglo – amerikan për çlirimin e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu Saimiri gjatë homazheve në nderim të 46 dëshmorëve ushtarakë britanike ka mbajtur fjalimet e rastit.
Lista emërore e ushtarakëve anglezë që ranë dëshmorë për çlirimin e Shqipërisë gjatë luftës së dytë botërore.
1. A.F.C. NICHOLLS. Kolonel, komandant dhe shef i shtabit të Gardës Goldstream.
Vdekur më 11.02.1944 në moshën 33 vjeç. Dekoruar me Kryqin e Gjergjit pas vdekjes dhe me Gradën Gjeneral.
2. G.E. LAYZELL. Major i Regjimentit të Lankashirit Jugor. Vdekur më 02.02.1944 në
moshën 31 vjeç.
3. S.P. MARTINLEAKE. Major i trupave të zbulimit. Vdekur më 07.06.1944 në moshën 38 vjeç (varrosur në Sheper të Zagorisë).
4. G.A. PARSONS. M.C. Kapiten i Forcave Këmbësore të Somersetit. Vdekur më 09.10.1944.
5. A.CARELESS. Kapiten i Korpusit të Blinduar Mbretëror. Vdekur më 20.10.1943 në moshën 31 vjeç.
6. P.B. WHITEHOUSE. Kapiten i Xhenjos Mbretërore. Vdekur më 09.10.1944 në moshën 26 vjeç.
7. M.S. MACPHERSON. Kapiten i Forcave Detare Mbretërore. Vdekur më 09.10.1944.
8. W.J. HILES. Kapiten i Forcave Detare Mbretërore. Vdekur më 09.10.1944.
9. G.B. BANTING. M.A. Prift ushtarak i Departamentit të Forcave Mbretërore. Vdekur më 10.10.1944 në moshën 32 vjeç.
10. R.E. STANLEY. Oficer fluturimi i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 01.02.1944 në moshën 21 vjeç.
11. J.G. DOUGLASS. Toger i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 22.10.1944 në moshën 26 vjeç.
12. R. N. CULLEN. DFC. Toger i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 04.03.1941 në moshën 23 vjeç.
13. A.M. SENNETT. Toger i Forcave Këmbësore. Vdekur më 29.07.1944 në moshën 23 vjeç.
14. J.A. COYLE. Toger i Artilerisë Mbretërore. Vdekur më 09.10.1944.
15. H. AVEYARD. Toger i Forcave Këmbësore. Vdekur 29.07.1944 në moshën 29 vjeç.
16. P.V.WADDELL. Kapter i Forcave Ajrore Mbretërore Australiane. Vdekur më 30.03.1944 në moshën 25 vjeç.
17. J.S. BAIN. Kapter i Forcave Detare Mbretërore. Vdekur më 09.10.1944 në moshën 32 vjeç.
18. D. STOTT. Tetar i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 15.11.1940 në moshën 23 vjeç.
19. S. G. ROBERTS.MM. Tetar i Forcave Këmbësore të Durhamit. Vdekur më 22.12.1943 në moshën 29 vjeç.
20. J.L. DEVINE. Rreshter dhe Inxhinier i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 01.02.1944 në moshën 22 vjeç.
21. V.J. MORGAN. Rreshter i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 07.11.1940 në moshën 24 vjeç.
22. D.H. POTTER. Rreshter i Forcave Ajrore Mbretërore Australiane. Vdekur më 01.02.1944 në moshën 21 vjeç.
23. H.V.BUTTON. Rreshter i Regjimentit të Blinduar Mbretëror. Vdekur më 12.10.1944 në moshën 21 vjeç.
24. F.C.R. BURLEFINGER. Rreshter, ndërlidhës dhe mitraljer i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 01.02.1944 në moshën 26 vjeç.
25. W.TUBBERDY. Rreshter, ndërlidhës dhe mitraljer i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 18.12.1940 në moshën 21 vjeç.
26. E.B. CHILDS. Rreshter i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 15.11.1940 në moshën 22 vjeç.
27. E.D.S. TENNANT. Rreshter i Forcave Ajrore Mbretërore Australiane. Vdekur në fillim të shkurtit 1944 në moshën 31 vjeç.
28. J.G. STEWART. Rreshter, mitraljer i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 15.11.1940 në moshën 24 vjeç.
29. J.E. MOORES. Rreshter i Regjimentit Mbretëror të Norfolkut. Vdekur më 29.07.1944 në moshën 37 vjeç.
30. G.N. BROOKS. Rreshter i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 07.11.1940 në moshën 24 vjeç.
31. S. NEWMAN. Rreshter, ndërlidhës dhe mitraljer i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 16.03.1941.
32. D.C. MURRELL. Rreshter i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 1941.
33. G. GARDNER. Rreshter i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 01.02.1944 në moshën 19 vjeç.
34. H.WILLIAMS. Rreshter, mitraljer i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 20.10.1943 në moshën 18 vjeç.
35. W. ELLAM. Rreshter, ndërlidhës dhe mitraljer i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 07.12.1940 në moshën 23 vjeç.
36. D.M. TURNER. Rreshter, mitraljer i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 19.03.1944.
37. D.W. ROCKINGHAM. Ushtar i Forcave Zbuluese Mbretërore. Vdekur më 20.10.1943 në moshën 21 vjeç.
38. G.S. PRATT. Marinar i Forcave Detare Mbretërore. Vdekur më 09.10.1944 në moshën 22 vjeç.
39. J.V. SALT. Marinar i Forcave Detare Mbretërore. Vdekur më 09.10.1944 në moshën 20 vjeç.
40. W.J. ST. ANGE. Marinar i Forcave Detare Mbretërore. Vdekur më 09.10.1944 në moshën 24 vjeç.
41. N. SWANNEY. Ushtar i Forcave Këmbësore. Vdekur më 29.07.1944 në moshën 24 vjeç.
42. A. BARR. Ushtar i Forcave Zbuluese Mbretërore. Vdekur më 29.07.1944 në moshën 29 vjeç.
43. A.J.D. CLARKE. Ushtar i Artilerisë Mbretërore. Vdekur më 09.10.1944 në moshën 23 vjeç.
44. R. PINCHER. Marinar i Forcave Detare Mbretërore. Vdekur më 10.10.1944 në moshën 19 vjeç.
45. H. GEE. Ushtarak i Regjimentit Special të Besueshëm. Vdekur më 10.10.1944 në moshën 24 vjeç.
46. J.CASEY. Ushtar i Forcave Këmbësore. Vdekur më 29.07.1944 në moshën 22 vjeç.
SAIMIR MALOKU

(Marrë nga Nacional)

L I R I K A – MRIZI  I  ZANAVET- SHKODER 1941- PERGATITI FRITZ RADOVANI

AT  GJERGJ  FISHTA  O.F.M.

 

L I R I K A

 

MRIZI  I  ZANAVET

 

 

 

SHKODER

1941

 

 

 

PERGATITI FRITZ RADOVANI

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

MRIZI  I  ZANAVET

 

 

 

KOMENTUE  PREJ

 

AT VIKTOR VOLAJ O.F.M.

 

 

 

 

 

Kujtojmë në këte pervjetor!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

SHKODER

Shtypshkroja “A.Gj.Fishta”

1941

 

 

XXVI.           NJI  LULE  VJESHTET.

 

Kjo ndoshta asht poezija ma lirike e mbarë këtij libri, n’ atë kuptimin e ngushtë qi merr fjala. Asht nji lirikë qi zbulon shumë ndiesi të botës së mbrendshme të Poetit. Subjekti i saj paraqitet mjaft i pacaktuem. Mbas mendimit tim Poeti në ketë karm – në ketë trajtë si paraqitet sot hartimi – nuk pat nji vehtje të caktueme. Ai ndoshta – shka ka të gjitha gjasët – së parit desht të shprehë ndiesit e dhimbës për këtë apo atë vehtje të caktueme, por, në përshkrim të hartimit, erdh tue e çveshë prej çdo veçansije, e kështu e idealizoi aq, sa, ai shpirt i lum, për të cillin s’ ishte kenë toka por Qiella, i bahet qendër n’ atë ravë të thepisne, qi sheklli e nji dishir Lirijet ia kishin shtrue gjallimit të tij. N’atë vorr zemra do t’ i ndezej, si Lekës të Madh në vorr t’ Akilit, kah punët e mbara e kah burrnija, e prej se kishte me shkepun hovin kah punët e mëdhana.

Engjulli i Zotit, qi bri vorrit do t’ i sillte fuqitë mizore, do t’ ishte njiheri edhe Zana frymzuese e Poetit. E atëherë pa u frigue do të prehte zhgjetat e zjarrta, për t’ ia lëshue njerzimit kundër vesit, e do të ndertojë kangët kreshnike, për t’ i diftue botës se shka vlejnë armët në dorë të Shqyptarit. Kështu, shohim se me kangë të veta do të ndertojë mbi atë vorr nji përmendore të madhnueshme, së cillës nuk do të kishte se shka me i ba rryma e moteve. Zanat do t’ ia rrethojshin vorrin me lule e do të rritshin për rreth selvija. Shtegtari i lodhun, ulë me pushue, do t’ i uronte paqë e qetësi e do t’ u flitte për té të bijvet, qi kanë me nxjerrë kangë e me i gdhenun  emnin mbi lisa, tue e ba kështu të pavdekëshme.

Në ketë lirikë ndihet ndikimi i leximit të poetve tjerë, sidomos italijanë.

Asht botue së pari në Pika Voeset (1909). Thohet se dorëshkrimi i parë i pat humbë.

 

N’ atë rrahe t’ dekne mbrenda vorrit t’ errshem

Tash pluhun jé. Ata dy sy t’ janë errun,

Ku qiella prirej me sa hana e diella

Terthores s’ eper m’ sharte vrejn t’ njerzimit!

  1. T’ janë sosun fjalët e ambla e plot urti,

E ai zâ t’ asht kputë, i cilli bite m’ zemer

Si kumbë liret t’ tingllueshme, qi prej s’ largut

Ndihet tue ra, kur dora e prekë e msueme!

________________________________________________________________

1.N’ atë rrahe…: Fillimi asht i natyrëshem e i pikllueshem. Menjiherë qi Poetit i shfaqet vehtja, qi e përmallon, me njiherë kujtimi, në nji mënyrë të pamëshirëshme e të pangushllueshme, e ka rrëmbye tek rrmajt (vorreza) e ia paraqet tash ma të kalbun! Poeti s’ka mujtë me përdorë nji metaforë ma të saktë e të përshtatun, për me paraqitë vorrezat se: n’ atë rrahe t’ dekne! Rrah thirrët vendi, ku janë pré landët me e kthye tokë buke. Këndej mënyra e thanjes: me çilë rrah; pra me shpyllzue dhe, shprehja metaforike: me kenë rrah (për tokë), qi thohet për të smurë randë në shtrat. Pamja e atij vendi i mbuluem me trupa e cunga të rame, e qi duken si gur vorri, të ban me kujtue shkretnimin e dekës. Këta vargje shëmbllejnë me nji kangë të Leopardit, ku ai asht frymzue nga koka e nji grueje të gëdhenun mbi nji vorr. Kanga e tij lidhet me traditen e vjetër anglo-italiane të poezisë vorreve, qi lulëzoi atje me Edward Young, Thomas Gray, James Harvey, qi e çuen në Itali Pindemonti e Foscolo. Kritiku M. Scherillo kangën e Leopardit thotë se asht frymzue nga James Hervey (1713-1758). Fishta duhet t’ a kenë lexue atë kangë, bashkë me vepra tjera të poetit dhimbjes. Piccoli thekson: Ideja e mbarimit të bukurisë dhe e çdo tërhjekje njerzore në vdekje, asht e përbashkët për shumë poetë të çdo kohe e çdo vendi. Dhe ma poshtë thotë: …se ata kanë pasë parasyshë ironin tragjike, qi frymzon mbarë skenën e vorreve në Hamletin e Shakespeare-it (akt.V, duka I), e kjo ka mujtë me ndodhë edhe me Fishtën, i cilli njohti dhe pat nji vlerësim të madh për Shakespeare-in. 2. Ata dy sy..: Lexo: Ata dy sy, ku (në të cillet) prirej (pasqyrohej) qiella me sa hana e diella ( e trupa tjerë qiellor), qi vrejnë prej terthores …. interpretue në botimin e tretë asht i gabuem, si më tha vetë Poeti pak ditë para vdekjes. Por këtu kemi njifarë anakoluti, mbasi asht lanë jashtë subjekti i fjalisë atributive, qi e thame sipër. Poeti mendohet nga disa se ka pasë parasyshë nanën e vet mbas vrasjes vllaut, por edhe mendime të matuna e t’urta përjashtojnë këte mundësi. 6. E ai za a kputë…: Sa bukur Poeti gjenë foljet e përshtatëshme, tue përdorë gjuhë poetike. Këtu vrejmë dhimbjen e pikllueme të zemrës së tij. Si kumbë: si tingull. Ky tingull shtohet kur nuk shohim gja, por ndijmë vetëm zanin. Nji grumbull ndjesishë shkojnë tue u ndrrue e na bahemi pré e rrymës së ndiesive.

 

 

Ehu! Po; “deka, qi baras m’ derë t’ pellazvet

  1. Trokllon, si m’ trinë t’ kolibavet,” ku i vorfni

Me lot njomë buken, ty edhe ajo ké dera

T’ troklloi, e ti kalove porsi voesa

E natës kalon, kur dielli bjen me shndritun

Mbi kobe t’ dheut. Sot permbi vorr t’ kanë bijtun

  1. Hithat e madergona! ‘I Kryq dullijet,

Qi e pershpirtshme nji dorë t’ a vu té kryeni,

Nder to ka hupë, as tjeter send trishtimin

E vorrit nuk t’ a zbutë, posë va’jt  t’ trishtueshem

Të hutit t’ natës, qi neper curra t’ malit

  1. Dhimbshem në rreze t’ hanës rrin tue gjimue!…

Njai grumbull gursh, qi m’ vorr t’ randon persypri,

Vetë gjaksorit t’ pashpirt, qi mbyti nierin,

Lugat i duken, n’ hikë kah t’ bjen nget vorrit,

Edhe t’ perqethët atë botë i shkon n’per zemer.

  1. Po, a thue, krejt deka n’ asgjasend t’ perpini

E, posë se do kocijsh edhe ‘i grusht pluhen,

Nuk t’ la tjeter? Jo! N’ prehen t’ Amëshuemit

Pjesa ma e mirë e jotja ka fluturue

Me gzue n’ dritë t’ qiellvet, ku pushon dishiri

  1. I nierit t’ drejtë, si drita m’ sy të kthiellun.

Po, po, se pertej vorrin shpirti i nierit

Gjallon per jetë! Njeky mendim i ambel

Deken e zbutë e vorrin ban t’ pelqyeshem.

Kur zemren fa’i  s’e grisë. Prej ktij mendimi

  1. As vet per ty s’ lotova shum, kur ndjeva

Se diqe: Se n’ ma  t’ miren lule t’ motit

E lae ti ketë shkreti, ku shuen e Drejta

E paudhnija, ku sundon mizore;

Ku i zhyemi m’ vese sod me dorë dhunuese

  1. Vesin shinon me Theta t’ zi, e selija

M’ rrashta t’ pergjakshme t’ njerzvet m’ kambë, ku mbahet.

________________________________________________________________

Ehu: Fishta e përdorë për nji rrokje, mbasi nuk njeh h si bashtingllore. 14-24. Poeti trishtohet ma shumë nga pamja e jashtme e vorrit. Kujtimi i shkatrrimit trupit, qi i shtohen e  hithat e madërgonat e mbulojnë edhe Kryqin. Kulmi mërrinë kur monotoninë e then vetem huti i natës me gjamë të trishtueshme e të dhimbëshme. Grumbulli i gurve tronditë edhe gjaksorin mizuer. –madërgona: asht nji ferrë. 16. nji dorë bamirëse. Kjo ndryshon nga dora e alabastrit…21. Pesha e gurve randon mbi zemër të Poetit. – n’ hikë: tue ikë. – nget: afër, përbri. 25. Po a thue…: këtu Poeti kerkon me gjetë njifarë ngushllimi, mbas shkatrrimit trupit, i drejtohet besimit qi ka në pavdeksinë e shpirtit e të shperblimit. 30. Si drita në sy të kthiellun: Dëshira e zemrës së të drejtit qi kerkon pushimin vetëm té Hyji. 34. fa’i…: (sinkope) kur faji nuk brenë ndërgjegjën për ndonji vepër të kryeme. 36. Në ma të mirën moshë. 37. ku shuen…: Poeti shkon tue theksue vazhdimisht ndër poezi, kryesisht lirikat atdhetare, padrejtësitë qi mbretnojnë e sundojnë botën.  39. Ku i zhyemi …: Ku njeriu i zhytun e i mbytun ndër vese, nënshkruen gjyqin kundër vesit me dorën e vet të dhunueme prej mbrapështishë. Poeti ankohet se e drejta asht zhdukë në botë dhe se, ata qi kanë marrë mbi vete mbrojtjen e së drejtës, kanë duert e veta të ngjyme me të keqen. – shinon: qëllon. –Theta: E tetëta germë e alfabetit të gjuhës greke, dhe germa e fillimit të fjalës dekë (vdekje). Për këte përdoret për dekë, ose gjyq deke. – e selia m’ rrashta…: Shih tek kanga XIX. vargu. 36-43.

 

 

Ehu! Po, se Shpirti i yt, kulluet si rrezja

E diellit, qi perfton lulet e erandshme,

Kur bora dehet, s’ mujt me e bajtë qelbsinen

  1. E randë t’ ktij sheklli t’ zi; por fletët i rrahi

Kah jeta e dytë, ku Njai qi rruzullimin

N’ themel e dridhë veç me ‘i vetimë t’ qerpikut:

Amshon n’ lumni shka Atij t’ i ket pergja.

S’ kjé toka, jo, per ty kjé qiella!

  1. E tash, qi vetë jam tue ravisë kto karta,

Ti, kushedi, n’ per vrrije t’ amëshueme

Shkon tue kerkue per lila e drandofille,

Qi s’ dijn me u veshkë e ndreqë me ta kunora,

Per me u lulzue mandej nder t’ zjarrtat valle,

  1. Qi neper vrrije rrijn tue kndue t’ Parrizit:

Ku, fletët e arta bashkë kryqzue me Engjuj,

Kndon Zotit lavde n’ per ylbera t’ qiellit;

A, marrë krejt n’ t’ pam t’ s’ hyjnueshmes faqe t’ Zotit,

Porsi m’ pasqyrë t’ kulluet skjyrton shestimin

  1. E rruzullimit, vu prej s’ epres Mende,

E cilla n’ t’ kenun sendet thirri t’ tana

Prej hijevet t’ kthellueshme t’ asgjasendit,

kur bani Ajo furin me heshtë t’ thellimit,

E me ‘i fuqi t’ pamatne prapi terrin

  1. E pakthellimit, qi atje n’ t’ skajshmet megje

T’ ktij sheklli ndihet mnershem tue gjimue,

Kah per ledhe plandoset t’ rruzullimit.

E aty, n’ atë dritë plot ambelcim dashtnijet,

Qi porsi lum i kjartë prej Atit t’ Dritvet

  1. Gjithkah dikohet neper verë t’ Parrizit,

Shpirtent e lum krejt m’ rreze tu ‘i pershi,

T’ kthiellta ti i prirë t’ vertetat, t’ cillat Hyji

Desht t’ muzta nierit me ia lanun t’ shkrueme

Nder fletë t’ hyjnueshme t’ t’ amëshuem Ungjillit.

  1. Oh! Sa e sa herë, kur n’ mbrame shuen natyra,

E tjeter s’ ndihet, veç se rryma e prronit,

________________________________________________________________

  1. dehet: kur shkrihet bora. – 47. Dridhet rruzullimi me thëmel. 48. Amshon n’lumni..: Varg i bukur gëdhenës, qi paraqet hovin e pavdeksisë së shpirtit. 50. tue ravizë: tue vizatue, tue shkrue. 51. vrrije: vise të kandëshme e të buta. Fishta e përdorë shpesh për banimet qiellore. 54. nder t’ zjarrtat..: ndër valle të shkelqyeshme. 58. Poeti ka parasyshë lumninë e madhe qi teologët e thrrasin visio beatitica, ku shpirtënt e lumë shohin Hyjin kjartë fëtyrë për fëtyrë. Me kenëse Zoti asht i pamatun e i pakufi, ai nuk mund të përfshihet me kuptim. Mendja e naltueme e njeriut prej lumnisë hyjnore, ka objekt të parë Zotin, kenjen dhe atributin e tij, ndërsa objekt i dytë janë sendët rrethanore…qi i përkasin gjendjes së tij. Kështu do të kjyrtojë (kundrojë) edhe rregullimin e ligjve harmonike të rruzullimit. – Prej hijeve…: Poeti kërkon me paraqitë kenjen e sendeve prej asgjaje. 64. Prapi terrin..: zhduku, largoi terrin e humnerave. – nder t’ skajshmet…: ndër caqe, ndër kufinjë të fundit. 67. Kah per ledhe…: tue u përplasë, tue u shkapetë për mure. 68. Mendja prej vetes nuk asht e aftë, po forcohet prej Dritës Hyjnore me kuptue: “Në Dritë t’ande do të shohim Dritën”. 74. të muzta: të errta, të pakjarta, nëpër té. 75. ..shuen natyra: në heshtje të mbramjes, në heshtje të vorreve.

 

 

 

Qi permallshem gurgullon n’ per rrâjë e curra,

Un, lodhë mbi letra t’ t’ dijshemvet t’ kahmotit,

Mbas t’ cillvet fjalen rrij tue lmue shqyptare,

  1. Dal në dritsore me kundrue shatorren,

Qi i Lumi t’ kthielltë ia vuni rruzullimit,

E kqyri hyjt, qi thue, se njaq sy Zotit

Flakojn mbi dhé – kushdi, per me felgrue

Nierin, qi egrue ma fort prej mneres s’ territ,

  1. Perbluen punë t’ mbrapshta: – e atë botë mendoj per ty.

E, ku t’ a shoh ma t’ flakshem tue xhixhillue

Nji hyll, aty selin un tham me vedi,

Ti do t’ a késh, e syt m’ atë hyll pa da

I nguli, e m’ bahet si me t’ pa. Me emen

  1. Un t’ thrras atë botë n’ per terr. Nji vaj bylbylit,

Qi permallshem nder gemba rrin tue kja

Fatin e vet, a ndoshta, zojt e dashtun,

Jehonë m’i bahet t’ grishunit; e m’ duket

Se bisedoj me ty!… Nuk dekka i miri,

  1. Jo kurr; e sidomos nja’, i cilli ‘i zemer

E len mbrapa m’ e ankue. Prej vorrit t’ errshem,

Gjumin e dekës ku ai ban, na i flet mendimit,

Ambel edhe na nzitë kah punët e mbara,

E n’ mende t’ onë gjallon. – Kur Aleksandri

  1. Prej Bregut t’ Matës ngallnjyes u kap kè vorri,

Ku shuen idhnimi i Prisit t’ Mirmidonvet,

Qi atje nen Shé vorfnoi me aq djalë Ekuben,

Iu ndez aty flakë zemra kah lumnija.

Mbi njat vorr, po, u betue me ngulë flamurin

  1. N’ skaj t’ dheut, e prej selis me i zdrypun mbretent;

E atëherë perpara tij tanë bota shuejti.

Mue edhè, qi sheklli e nji dishir Lirijet

T’ thepisne raven m’ ia kanë shtrue gjallimit,

Mue, po, edhe zemra mbi vorr t’ and t’ pervujtun

  1. M’ ndezet kah punët e mbara e kah burrnija.

________________________________________________________________

  1. nder letra…: Fishta pat nderim të veçantë dhe pat  njohtë shkrimtarët: Homeri, Sofokliu, Shakespeare, Dante, Molier, Goethe, Bossuet. – lodhë mbi letra: Për nji moment na duket sikur shohim Poetin me krye mbi libra. 79. Fishta në krejt krijimtarinë e tij, punoi për nji art kombtar dhe dijti me e përdorë me mjeshtrinë e nji artisti vërtetë sovran. 80. me kundrue…: me vrejtë kupën e qiellit. 84. qi egrue: i cilli i egërsuem edhe ma fort. 85. Perbluen: shkon tue sjellë nëpër mend. 92. zojt: zogjtë. 93. Jehonë..: i përgjigjë thirrjes s’eme. Fantazija ia paraqet sikur asht tue folë me Té. 94-99. Nuk dekka..: Vargje qi sot kombi ynë mund t’i bajë të vetat, kur Poeti flet për shkelqimin e Shqypnisë. 100. Prej Bregut t’Matës: prej brigjeve t’ Ematjes, emni i vjetër i nji krahine në qender të Maqedonisë, pranë Vardarit (Axtus). Leka i Madh mbante Iliaden kudo qi shkonte, nga simpatia për Ekilin. Para vorrit të tij tha këto fjalë: “Fatlum, o Akil, qi për së gjalli pate nji dashamirë besnik, e për së vdekuni nji Homer për me t’ Amshue!”. 102. Atje nen Shé…: Nën derë Shé, asht quejtë edhe dera Dardane, nji ndër gjashtë dyert e Trojës. Tek kjo derë u fut kali i drunit, ku u zhvillue biseda mes Andromakës e Hektorit. Prijami e Ekuba patën shumë fëmijë, ma në za kje Hektori. Leka vendosi me pushtue gjithë botën, por ia mërrijti deka përpara e nuk e la me realizue qellimin e tij.

 

 

 

Permbi vorr t’ and, po, xâ të fortë me e mbajtun

Besen e dhanun – e miqasin e zanme;

Per Fé e per Atme n’ ball me i dalë rrezikut:

Të ligshtit doren me ia njitë e t’ fortin

  1. Mos me e gledhue; kur t’ jet me u thanë e drejta.

Mos me i shmangë syt prej cakut, n’ t’ cillin mendja

Dishron me u kapë, as kurr mos me u ligshtue

Ndersa t’ vishtira, qi t’ na sjellin motet.

Po, po! Se pré’ atij vorri kam me shkepun

  1. Hovin kah punët e mdhana. Ai Kryq dullijet,

Mneren e vorrit qi t’a zbutë, Ai qanderr

Ka me m’ kenë nder salvimet, Engjlli i Zotit,

Qi rojës besnik fuqit t’i  pruen mizore,

Gjumin e dekës në vorr mos me t’ turbullue,

  1. Dér qi të shkimen n’ qiellë e hana e dielli

E t’ ngele moti e sheklli mbarë t’ rropposet,

E t’ vije dita e gjyqit t’ rruzullimit,

Ai ka per t’ m’ kenun Zana. E atëherë pa u tutun

Zgjetat e prehta e t’ zjarrta kam me i prehun,

________________________________________________________________

Nga vargjet 107, vrejmë tek Poeti pershkrimin e luftës në të cillën u përshkue ai vetë dhe mbeti Poet Kombtar. Ai nuk kjé poet tryezash, me shkrue poezi të studjueme, por kjé nji njeri-poet i frymzuem prej nji ideje të madhe, cillësi e të gjithë njerzve të mëdhaj, prej nji ideje vullkan, qi shpërthente çdo ditë. Ideja e Tij shpërthei revolucionare. Ai dërmoi, sulmoi, për të ndertuem e mkambun. Në kohën ma kritike të jetës së Kombit, zbriti në fushën e luftës me sa flamurtarë tjerë të Rilindjës. I rrebtë, i turrshem, sarkastik përdori pendën-shpatë e u ba korifeu i Idesë kombtare. Ai kishte trashigue vetitë ma karakteristike të rracës së vet, e prandej donte t’ua frymzonte e dikonte breznive të reja, ti madhnonte e ti mpronte përballë sulmeve të jashtme e të mbrendshme. Luftë e rrebtë kjo e Lirisë, qi e bani të përshkohet nëpër nji ravë të thepisun. Ato qi dishmojnë janë shkrimet e Tija të ndryshme, ato janë dishmi e misionit të këtij Poeti. Nji pasqyrë e vogël e Idealit të Tij të pathyeshem mund të shihet e vizatueme në karmin e veçantë Emancipacjoni i Kombit Shqyptar.109. Poeti asht para nji vorri gati i panjohtun, si të gjitha vorret e tokës s’onë, Tokë sa herë me gjak e përligjun. Nuk asht vorri i madhnueshem i Akilit, qi do t’i kallte zemrën Lekës, për vepra të mëdha, po asht vorri i njeriut të rracës, qi do t’a nxitte kah punët e mbara e kah burrnija. Në fjalën  burrni Poeti sheh dhe njeh nji virtyt karakteristik qi cillson Fisin, e në mënyrë të posaçme, të mbajtunin dhe nderimin për Besën e dhanun – e miqësinë e zanun. Në këto dy fjalë të vetme na shohim të sintetizueme atë varg mësimesh, qi Marash Uci, tip i burrnisë së rracës, u ep bijvet të Calit. Këtu Poeti, padyshim, ka pasë parasyshë nji tip si atë. (ndoshta, nuk asht i pavend gjykimi i ndokuj, i cilli mendon, se At Fishta në këte karm asht frymzue në Gji’Leken, me të cillin patne të shkuem e kjén miq të përzemert. Kur Poeti ishte famullitar në Gomsiqe, ai kjé vra. Per këte vrasje bani nji poezi. 113. Binomi i Shenjtë i programit të Poetit, qi nuk dijti me u përkulë kurr. Dashunija për Atdhé, shejtnue me lot prej vetë Krishtit, e mbertheu me armë kundër çdo anmiku, të çdo kombsije e të çdo besimi. Kjé ajo qi e frymzoi me hartue Lahuten, për me trajtue nji ndërgjegje kombtare të përbashkët, pa dallime besimi. Dashunija për Fé e bani mbrojtës të rrebtë të ligjve t’Ungjillit e të kulturës Përendimore. 114-118. Ndihet nji ndikim i përafert i Manzonit. – me gledhue: mos me perkëdhelë, miklue. 120. Permendet Kryqi..: Si shenj paqe, qi zbutë frikën e vorrit, por njiheri edhe qender ngushllimi e fuqije. 129. Zgjetat e prehta…Ven ré fuqinë e theksimin e shprehjes. 130. Qyshë në vitin 1907, Ai kishte botue përmbledhjen e parë “Anzat e Parnasit”, tue lavrue këte gjini, mërrijti me i sigurue vetes, mbas gjykimit të kritikve të ndryshem, nji vend të lartë edhe në histori të letërsisë botnore, tue u matë, e, ndoshta, tue ua kalue lavruesve ma të mëdhaj. Satira e Tij kjé: Morale, qytetare, politike e humoristike. Me Anzat e Parnasit lufton apatinë për gjuhë e kombsi, versulet kundër Shqyptarit të ri të shburrnuem, e kundra diplomacisë së ndytë evropiane. Me Gomarin e Babatasit (1923), lëshohet kundër shtetit parasit e pseudokulturës.

-84-

 

  1. Qi kundra vesit do t’ ia lshoj njerzimit:

Atëherë un kangët kam me i ndertue kreshnike,

Me t’ cillat botës un do t’ ia la të shkrueme

Se shka viejn armët besnike n’ dorë t’ Shqyptarit.

E me kangë t’ mija ‘i permendar t’ madhnueshem

  1. M’ vorr t’ and kam per t’ ndertue, të cillin moti

Me fletë të ngrita kot ka per t’ a rrahun;

Pse, si curr, qi n’ mjes t’ detit rreh tallazi,

Edh’ ai njashtu do t’ jesë nder gjire t’ motit

Qi bumbullojn mbi faqe t’ rruzullimit.

  1. E atëherë prej bjeshkvet kanë me u djergun Zanat

E me të njoma vjollca e drandofille

Vorrin kanë me t’ vallue, e kanë me rritun

Me shum kujdes per qark selvija t’ blerta;

E shtektarin mundqar, qi n’ ato hije

  1. Ka me xan vend, me ndalë pak gja t’ dihamet.

Kanë me kallzue se sa pjesë qiellet vrâni

Deka n’ atë vorr. E atë botë i largë shtektari

Të lehtë dhén ka me t’ urue, e t’ paqta e t’ buta

Shinat e boren: e, kur m’ male t’ veta

  1. T’ dredhojë ké stani, fmis ka me i kallxue

Shka ndjeu per ty. E fmija e atij aso bote

Emnin t’and kanë per t’ kndue, e vrrini e bjeshka

Gjithmonë i ri, tue njehë furit e mnershme,

Ambel prej emnit t’ and kanë me jehue.

  1. Me maje t’ briskut kanë me shkrue mbi lisa

Me shkrola t’ njohtne veç e prej barivet:

Kanë me u rritë lisat, perse spata as rêja

S’e prekin landen, ku asht ravisë ai emen:

E tu’ u rritë lisat kanë me u rritun shkrolat;

  1. E kshtu ma t’ kjarta mbas disa qindvjetve

Nipat ma t’ vonët kanë me i këndue, e emni

Sa t’ bjerë dielli tokës ka me t’u kndue.

________________________________________________________________

  1. Paraqitja e vargjëve të madhnueshme e të pavdekshme të Lahutës. Ai kishte ndertue e do të vazhdonte me ndertue përmendorën e madhnueshme…të cillin moti me fletë të ngrita kot ka për t’a rrahun.

 

Shënime nga Fritz Radovani (F.R.): Ma shumëse katerdhetëvjet kishin kalue kur më ra në dorë edhe njëherë ky libër për me e lexue. Tash, edhe e kopjova. Kujtojshe nga Prof. Gasper Ugashi një mendim: “Lahuta e Malësisë asht vlerësue edhe nga të huejt për vlerën e madhe që ka si poemë epike, por koha do të vlerësojë Mrizin e Zanavat si kryeveper të Lirikave në letersi shqipe e, njëkohësisht poezinë – Nji lule vjeshte – si kryevepër të krejtë krijimtarisë së Fishtës. Ajo poezi zenë vend në letersi botnore edhe për një arësye tjetër, pse mbrenda saj ka shpërthye shpirti i Fishtës në drejtim të një “ylli”, që asht i padijtun por i kuptueshëm…”.

 

Melbourne, Dhetor 2024

 

Australi, 1977- “Susan e Shqipërisë, jeta e një mbretëreshe australiane në mërgim…”

 — Intervista ekskluzive e Mbretëreshës Suzanë, nënës së Princ Leka II

Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 11 maj 1976, faqe n°12

Nga Aurenc Bebja*, Francë –  8 Dhjetor 2024

 

Revista australiane “The Australian Women’s Weekly” ka botuar, të mërkurën e 11 majit 1977, në faqen n°12, intervistën ekskluzive asokohe me mbretëreshën Susan (nënën e Princ Leka II) në Australi, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Susan e Shqipërisë, jeta e një mbretëreshe australiane në mërgim

Fotot nga Ern McQuillan & David Graves

Histori nga Susie Eisenhuth

 

E kthyer në shtëpi (Australi) për të vizituar prindërit e saj, ajo flet për shpresat e saj, jetën e saj me Mbretin Leka dhe kërcënimet gjithnjë të pranishme për sigurinë e saj.

Zoti dhe zonja Cullen-Ward me vajzën e tyre Mbretëreshën. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 11 maj 1976, faqe n°12

Ajo nuk ka pallat, nuk ka oborr, nuk ka veshje hermeline, nuk ka kurorë.

 

Ajo jeton e qetë, pa pretendime. Ju mund të kaloni para saj në një butik, thjesht një grua tjetër e re tërheqëse, e qetë, që fol mirë, e hollë, elegante, ajo është ish-mbretëresha bukuroshe Susan Cullen-Ward.

 

Megjithatë, për disa milionë shqiptarë, të mërguar nga vendi i tyre dhe që jetojnë me shpresën e kthimit të tyre përfundimtar, ajo është “Nuse” nusja e re, shpresa e linjës së tyre mbretërore, mbretëresha e tyre e nderuar Suzani. Ajo është gruaja që ata besojnë se një ditë do të zërë vendin e saj në krah të bashkëshortit të saj Mbretit Leka si monark i ligjshëm i Shqipërisë.

 

Për një australian e gjitha kjo tingëllon paksa e çuditshme. Në fund të fundit, prindërit e mbretit Leka e lanë Shqipërinë në vitin 1939 dhe vendi ka ekzistuar që atëherë nën një regjim komunist. Për shumë njerëz, e gjithë ideja e monarkive evropiane në mërgim është një anakronizëm. Sa gjasa ka që Mbreti Leka dhe mbretëresha e tij me origjinë australiane Susan të jenë ndonjëherë më shumë se pretendentë për fronin. A mund të ushqejnë seriozisht shpresën e vërtetë për t’u kthyer?

 

Ajo po kalon pushimet me prindërit e saj, z dhe znj. Alan Cullen-Ward në Sydney. Mbretëresha Suzan (Suzani është shqiptimi në shqip) iu afrua temës së kthimit të tyre në Shqipëri me kujdes dhe mendim të theksuar. “Është vërtet një shpresë e vërtetë,” tha ajo me vendosmëri. “Nuk mund ta theksoj sa duhet.

 

Dy vjet pas martesës me Mbretin Leka, ajo është njohëse e mirë e situatës shqiptare dhe shpresave të bashkatdhetarëve të saj të birësuar në mërgim. Në shtëpi njëkatëshe spanjolle jashtë Madridit, që është selia dhe shtëpia e qeverisë në mërgim të Lekës, shumë nga koha e saj është shpenzuar në studime.

Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 11 maj 1976, faqe n°12

Kam mësuar historinë, gjeografinë, traditat, gjuhën. Unë mund të flas gjuhën, por jo aq rrjedhshëm sa do të doja. Vjehrra ime, Mbretëresha Geraldinë, ishte një mësuese e mrekullueshme.

 

Por asgjë nuk i ka bërë aq përshtypje sa patriotizmi dhe besnikëria e vetë shqiptarëve dhe entuziazmi i dëshirës së tyre për t’u kthyer në atdhe. Tashmë ajo është prezantuar para komuniteteve shqiptare në shumë vende. “Ne ishim në turne për të parë komunitetet tona në Kanada dhe SHBA, takimi i fundit i cili ishte i mrekullueshëm.

 

Ishte takimi im i parë shumë i ngushtë me njerëzit tanë, komunitetet e mëdha të këtyre dy vendeve. Dhe ata ishin të mrekullueshëm.

 

Revolucioni i brendshëm

 

Edhe gjatë vizitës së saj jozyrtare në Australi, shumë nga 30,000 shqiptarët këtu e kanë kontaktuar me shprehje të ngrohta besnike.

 

A flasin për revolucion ? “Jo, dhe unë e shoh këtë si një alternativë shumë fatkeqe. Jo, ata thjesht flasin për kthimin në vendin e tyre dhe si do ta bëjnë.” Ajo vetë foli kështu. “Unë mendoj se ndryshimi në çështjet botërore do të sjellë një revolucion të brendshëm.

 

Po kontaktet me shqiptarët e brendshëm? “Unë nuk jam e përfshirë në këtë fushë. Ne punojmë në një sistem “nevoja për të ditur”. Dhe nuk kam nevojë të di se çfarë po ndodh në jetën e burrit tim. Kemi një këshill dhe një qeveri në mërgim. Dhe e di që informacioni del, nuk e di si dhe nuk dua ta di.”

 

Është e vetmja temë për të cilën është e lumtur të flasë gjatë, e prirur të sqarojë pozicionin e saj dhe të bashkatdhetarëve të saj. Ajo preferon të shmangë tema të tjera, si rreziqet që i kanosen jetës së saj dhe të bashkëshortit të saj, mbretit Leka.

 

Njerëzit i kthehen gjithmonë kësaj pyetjeje.” thotë ajo duke qeshur. Por padyshim që nuk është për të qeshur. Bota e saj është diçka si një botë fortesë. Shtëpia e saj e rrethuar nga një zinxhir mbrojtës i ndërthurur, gardhe me tela me gjemba në krye të sistemeve të alarmit. Burri i saj është një qitës profesional, dhe gjithmonë mban një armë. Truprojat e mbrojnë atë dhe mbretëreshën e tij në çdo kohë.

 

Unë nuk mendoj për këtë.” thotë mbretëresha Suzan. “Ju i pranoni këto gjëra. Unë e dija për rreziqet para se të martohesha me burrin tim dhe i pranova.

 

Megjithatë, herë pas here, tensionet zvarriten gjithnjë e më shumë në sipërfaqe. Java e qetë e planifikuar për vizitën e saj në Sydney ishte shndërruar në një makth. Gazetat ishin plot me raporte për arrestimin e shkurtër të bashkëshortit të saj në Tajlandë për posedim të armëve të zjarrit. Telefonata qetësuese ishin bërë nga Tajlanda, por tendosja po shfaqej.

 

Nëna e saj i rrëfen asaj se është e shqetësuar se vajza e saj është e rraskapitur, e zbehtë dhe e lodhur, dhe po bën sikur duket mirë. Nëse është kështu, ajo ka një mënyrë të pazakontë për të ruajtur qetësinë dhe për më tepër, sharmin.

 

Pavarësisht kësaj, ajo dëshiron të theksojë se këto drama janë larg dominimit të jetës së saj të përditshme në Spanjë. Në pjesën më të madhe është një raund mjaft i ethshëm angazhimesh.

“Policët e vendosën trupin e tij te stiva me dru, por një shi i rrëmbyer…”- Historia e trishtë e djalit 7-vjeçar në kampin e Tepelenës

 Dha shpirt duke mos e ndjerë më ngrohtësinë e duarve të nënës së vet

 

Ndue Progni ishte 7 vjeç kur ndërroi jetë në prehrin e nënës së tij, Lulë Progni. Ishte një natë ftohtë dimri e vitit 1951, në Kampin e Internimit në Tepelenë, i ngritur mbi ish-kazermat e ushtrisë italiane. Familja u dërgua me forcë nga Tropoja në Tepelenë, pasi babai Gjoni, pjesëmarrës i kryengritjeve të Veriut kundër komunizmit, u arratis jashtë vendit. Si familja Progni, hakmarrja e pushtetit të Enver Hoxhës dërgoi qindra familje, kryesisht gra, fëmijë dhe të moshuar, në këto kazerma të rrethuara me tela me gjemba, ku sipas dëshmive dhe dokumenteve, pati vdekje masive për shkak të urisë, kushteve të këqija dhe sëmundjeve. Kushëriri i Ndues, Gjelosh Progni, tregon se shpresat e familjes për gjetjen e eshtrave të tij, po veniten.

Një portret i vetëm i Ndues së vogël, u rikrijua nga një piktor duke u bazuar në tiparet e të atit, pasi familja nuk kishte as dhe një foto të tij, që ta kujtonte! Familja nuk e kishte kërkuar deri para disa muajsh, kur Gjeloshi vendosi të bënte një kërkesë për gjetjen e tij, pranë Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, i njohur si Autoriteti i Dosjeve. Lidhur me këtë dhe të tjera, na njeh me dëshmitë e tij z. Gjelosh, në këtë intervistë ekskluzive.

Z. Gjelosh ju jeni njohur me projektin mbi ecurinë e procesit të gjetjes dhe identifikimit të personave të zhdukur gjatë regjimit komunist. Ju keni plotësuar anketën dhe keni ndarë me ne përvojën tuaj mbi gjetjen e eshtrave të 7-vjeçarit Ndue Gjon Prognit. Duke u nisur nga kjo, do doja të më tregoni pak historinë e përndjekjes së familjes Progni, e cila çoi më pas në vdekjen e djalit 7 vjeçar, Ndues?

Nduja ishte djali i vetëm i Gjon Prognit, i cili ishte një akademist, pasi kishte mbaruar shkollën ushtarake në Romë në vitin 1932, funksionar i lartë i Mbretërisë së Zogut, duke kryer detyrat e larta funksionare të Xhandarmërisë së saj, si në Lushnjë, Tiranë, Burrel, Krumë, Tropojë dhe e mbylli karrierën e tij si funksionar, duke shërbyer si komandat i Xhandarmërisë në zonën Nikaj-Mërtur.

Gjoni, duke qenë kundërshtar politik i diktaturës komuniste, e cila po instalohej në vitin 1944, automatikisht u bë armik i sistemit, sepse Enver Hoxha nuk pranoi të kishte kundërshtar politik dhe kërkonte t’i eliminonte, t’i asgjësonte, në një formë ose një tjetër dhe një ndër ta ishte dhe Gjoni.

Ai u arrestua nga forcat partizane dhe u burgos për dy vite e, do dënohej me pushkatim, por fatmirësisht shpëtoi dhe u kthye në vendlindje, mori djalin e vëllait te tij, Marashin edhe u arratisën, duke iu bashkuar organizatës antikomuniste në Jugosllavinë e asaj kohe, me në krye Nik Sokolin. Bëri rezistencë dhe përpjekje të madhe, ndaj komunizmit në Shqipëri.

Pasi e panë të pamundur rezistencën e mëtejshme nëpër male kundër forcave komuniste, u larguan menjëherë nga Shqipëria dhe u vendosën në Bruksel, duke zhvilluar jetën politike bashkë me emigrantët e tjerë në diasporë, gjithnjë për t’u rikthyer e me kokën mbrapa drejt Shqipërisë, drejt vendlindjes, drejt vendit të tyre, për të shfarosur njëherë e mirë komunizmin në Shqipëri. Dhe derisa vdiqën, përpjekjet e tyre nuk pushuan asnjëherë.

Në momentin që Gjoni u largua së bashku me djalin e vëllait të tij, kë la në Shqipëri?

Gjoni la në Shqipëri djalin dhe gruan. E gjithë familja Progni, do vuante pasojat e arratisjes së tyre. Familja u internua dhe u konfiskua e gjithë pasuria, e luajtshme e paluajtshme, siç ishte komisioni i asaj kohe, duke konfiskuar të gjithë napolonat e floririt, parcela toke, shtëpi e, gjithçka tjetër që ata kishin dhe përfundimisht u internua në kampin e Beratit, pastaj në kampin e shfarosjes së Tepelenës.

Cila ishte arsyeja e vdekjes së djalit të vogël Ndue?

Të flasësh për këtë ngjarje, është shumë e dhimbshme dhe duhet t’i lutesh Zotit, për të të dhënë forcë për ta treguar. Fëmijët u ngjajnë engjëjve, janë krejtësisht të pafajshëm. Ju e dini që në kampin e Tepelenës, kanë vdekur afërsisht 800 veta, 30 fëmijë kanë vdekur brenda 24 orëve.

Aty ishte vetëm një “melodi”, “melodia” e vajit. Ka qenë një kamp i tmerrshëm. Dhimbja më e madhe është se ata janë të gjithë pa varr. I lëvizën varret tre herë dhe lëvizjet kanë qenë të qëllimshme, në mënyrë që të humbnin gjurmët. Ashtu ndodhi dhe me Nduen e vogël. Eshtrat e tij mund t’i ketë marrë lumi dhe sot ai është pa varr.

Nduja ka vdekur si të gjithë fëmijët e tjerë në Kampin e Tepelenës, për shkak të mungesës së higjienës, mungesës së ushqimit etj. Natën e fundit të tij, ka qenë në prehrin e nënës së vet, duke lënguar. Sapo policët e kampit e morën nga prehri i saj, Nduja dha shpirt dhe nuk e ndjeu më ngrohtësinë e duarve të nënës së vet.

Policët e vendosën trupin e tij, përballë me barakat te stiva me dru. Atë natë binte një shi i rrëmbyer dhe nëna Lule, e shikonte e pikëlluar trupin e birit të vet të lagur dhe të vetmuar. Në mëngjes ata e kishin marrë Nduen e vogël dhe trupin e tij, e kishin çuar pranë lumit. Shpresat për të gjetur trupin e tij janë venitur tepër dhe besoj se nuk ka asnjë shans, për t’i gjetur më.

Zoti Gjelosh, cila ka qenë kërkesa juaj, drejtuar autoriteteve përgjegjëse për gjetjen e eshtrave te Ndue Prognit dhe a keni marrë përgjigje nga autoritetet përkatëse?

Kërkesa është bërë pranë Autoritetit të Informimit të Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, për gjetjen e eshtrave në kampin e Tepelenës. Përgjigje përfundimtare nuk kam marrë, por kemi kontakte të vazhdueshme, të cilët na informojnë se jemi në bashkërendim me Ministrinë e Brendshme edhe organe te tjera shtetërore, por deri tani nuk ka rezultat.

Cili mendoni se është problemi i vërtetë për mos gjetjen e eshtrave dhe pse e keni humbur shpresën në gjetjen e tyre?

Duke qenë se vdekja e tij ishte e jashtëzakonshme, shumë e papritur. Sipas gojëdhënave, thuhet se varrezat i ka marrë lumi sepse në atë kohë janë varrosur buzë tij, por e vërteta nuk dihet, gjithsesi jemi pesimist, për gjetjen e eshtrave të njeriut tonë të ndjerë, Ndue Progni 7 vjeçar.

Së fundmi ju keni bërë një ceremoni rivarrimi të eshtrave të Gjon Prognit, Marash Prognit dhe përkujtimin e djalit 7 vjeçar Ndues. Çfarë rëndësie ka kjo lloj ceremonie për ju dhe për kujtesën historike dhe përkujtimorja që i bëtë Ndues, a tregon se shpresa për gjetjen e tij është shuar?

Ceremonia e rivarrimit dhe përkujtimorja, është një nderim i munguar dhe një ringjallje e kujtesës. Për mua, ajo nuk ishte një ceremoni mortore, nuk ishte një ceremoni varrim, është një ceremoni fisnike për ngjalljen e kujtesës së këtij kombi dhe për t’i vënë këto figura që sakrifikuan gjithçka, në panteonin e nderit, aty ku i takon të jenë, kujtesës dhe figurës se tyre. Kthimi i tyre në dhe, në vendin e tyre të lindjes, është një simbolikë e fortë e cila, përpiqet të mbajë gjallë kujtesën e munguar këto 32 vite, nga e ashtuquajtura demokraci.

Ishte një emocion i veçantë ose i shumëfishtë për familjen tonë sepse, nga njëra anë kemi njëlloj amaneti, amanetin e të parëve tanë, të cilët 50 vite përpara që vdiqën Gjoni dhe Marashi, amanet i cili ka peshuar mbi shpatullat tona dhe të familjes sonë dhe u bë realitet. Dhe ky është një emocion i jashtëzakonshëm dhe njëfarë lumturie për të gjithë familjen tonë.

Krahas saj edhe ndjesia e përkujtimit të djalit 7 vjeçar Ndue, një dhimbje e madhe për arsye sepse eshtrat e tij, nuk janë gjetur edhe pas shumë kërkimeve që kemi bërë si familje. Përkujtimorja e Ndues, ishte një ngjarje që të shkaktonte shumë emocione dhe dhimbje të madhe. Memorie.al

Fjalimi i jashtëzakonshëm i Pjetër Arbnorit si një reflektim për demokracinë që nuk erdhi

“Një ditë më erdhi në takim një zotëri i huaj, i cili, në emër të humanizmit, lirive e të drejtave të njeriut, më kërkoi që t’i jepja hua Ramiz Alinë sa për të bërë një operacion të zemrës në Zvicër. “Kjo do t’jua shtonte kredinë në sytë e botës”, shtoi ai. “Sa për të hollat, mos u bëni merak, se i merr përsipër një organizatë shqiptare në Zvicër”. Unë i thashë zotërisë së nderuar se pa i pyetur fare kolegët e mi, jam gati t’jua jap Ramiz Alinë me kusht që të merrni me vete edhe 20 ish-të burgosur apo të përndjekur politikë, që janë shumë më të sëmurë se ai. Le të dërgojmë për kurim jashtë shtetit bashkë me Ramizin edhe Urim Elezin, shokun tim që ka bërë afër 30 vjet burg dhe nga rrahjet e goditjet në shtyllën kurrizore ka humbur krejtësisht dritën e syve.  Merrni me vete edhe nënën e çmendur të një djali të ri 18-vjeçar, të cilin e kapën në kufi, e lidhën, pastaj e vranë pa gjyq…”

Ndërtimi i themeleve të demokracisë mbi plagët e së shkuarës së afërt, ishte sfida kryesore në fillimet e pluralizimit politik. Një përplasje e ashpër midis kujtesës historike dhe përpjekjeve për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë. Padyshim që rrugëtimi nuk do të ishte i lehtë, sepse individët që zunë vend në elitën e re ishin produkt i një procesi të negociuar më shumë se sa e një përmbysjeje reale të sistemit diktatorial. Pas 45 vitesh diktaturë, ishin shumë të pakta shenjat e mbetura nga një proces asgjësimi i elitës intelektuale të Shqipërisë. Kështu, në elitën politike të vitit 1990, ishin mjaft të pakët personazhet që vinin nga shtresa e të dënuarve politikë në sistemin diktatorial. Një prej tyre dhe ndër më të rëndësishmit ishte Pjetër Arbnori. Lexojeni këtë pjesë të fjalimit të Pjetër Arbnorit për të kuptuar dhe do të shihni se si përballet ai me xhelatët e tij të 28 viteve burg në diktaturë, i gjen ata në poste drejtuese në çdo dikaster, madje edhe në ambasada të Shqipërisë jashtë vendit, personazhe që gjetën strehë të ngrohtë në shtetin që po drejtohej nga Sali Berisha.

Një prej tyre është përballja me Fatos Nanon në një debat të civilizuar që sot vështirë shumë të gjenden mes të dy palëve.

Pjetër Arbnori, seancë parlamentare 1993

Të gjithë diskutantët e majtë thanë se janë për liritë e njeriut, por thanë se s’do të votojnë pro tyre, me pretekstin qesharak se qëkur ra komunizmi po u shkelkan liritë e njeriut me të dyja këmbët. Le t’i shikojmë konkretisht gjërat. Çdo ditë, kur shkoj në Parlament, në zyrë apo gjetiu shoh herë një fytyrë të nxirë e herë një tjetër. Vjet shihja në një radhë me mua një deputet komunist që ka shqyrtuar dosjen time të të dënuarit me vdekje dhe kurrë nuk i fola një fjalë të keqe, vetëm e përçmova duke kthyer kokën anash. Shkova në burg për të parë kushtet e Nexhmije Hoxhës dhe drejtor burgu pashë po atë drejtor që më kishte futur sa e sa herë në birucë zhveshur, në të ftohtët minus 15 gradë. Nuk ia kujtova ato tortura që më kishte bërë, se e dija që vetë ai ishte vetëm një shërbëtor dhe jo autor i diktaturës. Shkova në një qytet dhe pashë ish-gjykatësin tim, që pas 18 vjetëve burg më shtoi kot së koti edhe 12 vjet të tjerë, sepse kisha shkruar një roman tepër human. Ai m’u fsheh, se pandehu që jam aq zemërvogël sa të hakmerrem ndaj tij. Një ditë tjetër, erdhi të më qahej në zyrë se i kishin hequr telefonin një burrë që ma kishte çuar motrën e sëmurë në një punë deri në brez me ujë, ku motra u bë sakate për gjithë jetën dhe nuk e pështyva këtë njeri në fytyrë. Takova para shumë kohësh në një ambasadë tonën një funksionar që më parë e kisha pasur kryetar dege në Burrel dhe që ishte përpjekur të gjente dëshmitarë të rremë për të më dënuar me vdekje për të dytën herë. Nuk ia përmenda torturat që kishte urdhëruar të më bënin, madje e dëgjova me vëmendje për sëmundjen e zemrës që kishte vajza e tij e vogël. Në hetuesi, njoh të tjerë që më kanë torturuar, si Kopi Niko, kryetar i degës së punëve të brendshme në Durrës. Ai nuk u mjaftua me mua, por më arrestoi edhe hallën plakë, më arrestoi edhe nënën plakë, më arrestoi edhe motrën time, që ka qenë tri herë e burgosur politike dhe që sot është duke më dëgjuar atje lart në lozhë.

Unë i përmenda emrin Kopi Nikos, se kam dëgjuar që ka vdekur. Në qoftë e vërtetë, le të japë llogari në ferr. Në qoftë gjallë, të jetë i sigurt që nga unë veç përbuzjes nuk do t’i vijë ndonjë e keqe as atij, as gruas së tij, as bijave të tij në i pastë. Mos duhet të pendohem që e përmenda e t’i kërkoj edhe këtij ndjesë, sikurse na sugjeroi i nderuari kryetar i Partisë Socialiste? Do të dëshiroja të dija se në çfarë mënyre duhet të pendohemi e t’ua kërkojmë ndjesën këtyre zotërinjve.

Kësi shembujsh ka me qindra e me mijëra në Shqipërinë demokratike.

Ne nuk i falim këta njerëz pa u penduar, por nuk jemi për hakmarrje dhe e kemi provuar qëndrimin tonë human. E keqja është gjetiu, që humanizmin tonë nostalgjikët komunistë e kanë marrë si dobësi. Ne s’jemi të dobët, jemi zemërmëdhenj, cilësi që ju s’keni si ta njihni. E shumta ju mund të jeni mendjemëdhenj. Pjesa më e madhe juaja merr mbi vete përgjegjësi, faje, krime që nuk i keni kryer kurrë, vetëm për hatër të ndonjërit që i ka vajtur mendja të bëhet kryeministër, mbase edhe president. Unë bisedoj çdo ditë me shumicën prej jush dhe jeni njerëz normalë, me humor, me ndjenja, me mendime. E keqja juaj është kur viheni në radhë dhe ju japin komandën për sulm. (Duartrokitje.) Atëherë jeni të detyruar të kërkoni armët e ndryshkura revolucionare, marksiste, leniniste, staliniste, titiste, maoiste, të demagogjisë, hipokrizisë, sofizmat për të mbrojtur të padrejtën. Dikur i jepte udhëzimet drejtoresha e institutit të studimit të veprave të burrit të saj, Nexhmije Hoxha, sot i jep nxënësi i saj besnik. (Duartrokitje.) Por këtë radhë ngecët keq.

Nisur nga strategjia e përmbysjes së çdo gjëje të mbarë, e përmbysjes së demokracisë, e përmbysjes së Qeverisë, e përmbysjes së Parlamentit, ju bëtë gabimin tragjik dhe u shprehët kundër miratimit të këtij projektligji të shkëlqyer, që është në themel përsëritja e Kartës së Helsinkit, të Kopenhagenit e të Parisit për të drejtat e njeriut, të cilat në fakt ju nuk i keni pranuar kurrë. E përse? Pretendoni se në këtë vit demokracie qenkan shkelur të drejtat e njeriut. Në qoftë se janë shkelur, ejani t’i sanksionojmë, që të mos shkelen. Kjo është, para së gjithash, në dobi të opozitës. Po a janë shkelur në të vërtetë këto liri? Ne u kemi hequr hafijeve të fshatit të drejtën për të përgjuar kush flet kundër pushtetit popullor dhe kjo është një shkelje e tmerrshme e lirive. Ne e pranojmë, por tash për tash nuk kemi ndërmend të pendohemi, siç na ftoi një parafolës. Ne u kemi hequr të drejtën pushkatarëve të fshatit që të kontrollojnë shtëpi më shtëpi dhe haur më haur se cili fshatar mban fshehtas një dele, një dhi apo një dem. Ne e pranojmë edhe këtë faj. Ne u kemi hequr 1200-lekëshin spiunëve të qytetit që përgjonin prapa dritareve se mos dëgjon njeri radio të huaja për t’i futur pastaj në burg. Ne u kemi hequr të drejtën operativëve të Sigurimit dhe sekretarëve të organizatave-bazë të Partisë që të fusnin njerëz në burg politik sepse e kishin gruan të bukur, shtëpinë e bukur apo punën e mirë dhe tani ne e pengojmë lirinë e këtyre monstrave për të marrë gruan e tjetrit apo punën e tjetrit. Kjo është shkelje e tmerrshme e lirive dhe të drejtave të ariut dhe jo të njeriut. (Duartrokitje.) Ne u kemi hequr telefonat veteranëve të nderuar të Sigurimit të Shtetit, të cilët mund ta bëjnë punën operative dhe në këmbë. Le të na falin se u kemi dhënë pak shqetësim, por na duhej t’ua jepnim telefonat mjekëve, inxhinierëve, nëpunësve dhe deputetëve të rinj, qofshin demokratë apo socialistë. Në rast se ka pasur ndonjë teprim, ejani ta rregullojmë! Në qoftë se kemi të drejtë të ankohemi për shkeljen e vërtetë të të drejtave të njeriut, jemi ne. Shëtisni nëpër Tiranë! Ka mjaft klube moderne ku nuk mund të hysh brenda, se të nderojnë me grusht. Eshtë e drejta e tyre për t’i rënë kokës së vet. Ka shumë dyqane sigurimsash, ku ish-komunistët e kastës së kuqe shesin me dollarë. Çdo dollar ka një pikë gjaku e djerse të klasës punëtore, thoshte Lenini. Më falni në qoftë se nuk e kam të plotë citatin me numër vepre dhe faqe. Ndërsa të persekutuarit nuk kanë asgjë dhe marrin vetëm ndihmë sociale.

Një ditë më erdhi në takim një zotëri i huaj, i cili, në emër të humanizmit, lirive e të drejtave të njeriut, më kërkoi që t’i jepja hua Ramiz Alinë sa për të bërë një operacion të zemrës në Zvicër. “Kjo do t’jua shtonte kredinë në sytë e botës”, shtoi ai. “Sa për të hollat, mos u bëni merak, se i merr përsipër një organizatë shqiptare në Zvicër”. Unë i thashë zotërisë së nderuar se pa i pyetur fare kolegët e mi, jam gati t’jua jap Ramiz Alinë me kusht që të merrni me vete edhe 20 ish-të burgosur apo të përndjekur politikë, që janë shumë më të sëmurë se ai. Le të dërgojmë për kurim jashtë shtetit bashkë me Ramizin edhe Urim Elezin, shokun tim që ka bërë afër 30 vjet burg dhe nga rrahjet e goditjet në shtyllën kurrizore ka humbur krejtësisht dritën e syve. Le të çojmë Çlirim Bajrin, djalë i ri, pjesëmarrës në demonstratën e Shkodrës më 2 prill 1991, të cilin pushka “snajper” e sigurimsave e goditi në gjoks, plumbi i doli në krah dhe tani i gjithë krahu i është paralizuar dhe tharë për tmerr. Merrni me vete edhe nënën e çmendur të një djali të ri 18-vjeçar, të cilin e kapën në kufi, e lidhën, pastaj e vranë pa gjyq, në vend, e lidhën për së vdekuri, të përgjakur, në një kamion me sponde të hapura dhe e shëtitën nëpër gjithë qytetin dhe fshatrat e Shkodrës për të frikësuar popullin. Sa mirë do të ishte ta dërgonim edhe këtë nënë të çmendur bashkë me Ramizin, të dërgonim edhe 17 të tjerë njerëz të sakatosur në kohën e Ramizit dhe të disa zotërinjve të tjerë që po na qajnë tani me lot krokodili për shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Sa për paratë që na afruaka kjo organizatë e Zvicrës, të jeni i sigurt, zotëri, se ato janë paratë e shqiptarëve që janë derdhur pa hesap nga Sigurimi i Shtetit dhe Komiteti Qendror i një partie që ndërron emër çdo stinë, pa ndërruar kurrë emrat e saj diktatorialë. Pas këtij propozimi humanisti nuk foli më.

Zotërinj socialistë të vërtetë, nuk kërkoj t’ju përçaj. Ndikoni te zotërinjtë tuaj drejtues që të paktën për faqe të botës të votojnë për projektligjin “Për liritë dhe të drejtat e njeriut”. Megjithatë, prapë e keni të vështirë. Dikush jua ka mbushur mendjen se era e Lindjes fryn me erën e Perëndimit dhe ju duket se llogaritni që po e morët pushtetin, duke pasur ligjin e lirive të miratuar, ai do t’ju pengojë të bëni si doni vetë. Edhe po votuat kundër, është e drejta juaj. Me këtë ligj ose pa të ne përsëri do t’i përsosim këto liri dhe me gjithë ëndrrën e disave për të kthyer komunizmin në Shqipëri, djemtë e Tiranës, Kavajës, Shkodrës, Vlorës, Korçës, Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë ia kanë vënë vulën njëherë e mirë demokracisë.

Fatos Nano – Zoti Pjetër, respektoj arsyet që ju shtynë juve pas kaq kohësh të merrni fjalën për të njëjtën çështje në një kohë të shkurtër dy herë. Respektoj, ashtu si parafolësi im, vuajtjet tuaja 28-vjeçare në burg, siç respektoj edhe vuajtjet e bashkëvuajtësve tuaj, me të cilët ju keni ndarë koromanen për 28 vjet. Unë do të dëshiroja që asnjë forcë madhore, që gjatë 28 vjetëve ka tentuar t’ju nënshtrojë juve për t’ju vënë në shërbim të interesave më sublime se idealet që mbronit ju, të mos ju detyronte të merrnit fjalën përsëri në emër të një projektligji që tashmë është bërë publik. Do t’ju uroja që me pozicionin shumë tolerant dhe shumë të paanshëm që keni mbajtur deri tani si Kryetar i këtij Kuvendi, i zgjedhur nga ky Parlament, të mos ushtronit asnjë presion, të mos bënit diversion dhe të mos kërkonit pozicionime të ndryshme kundrejt të kaluarave të ndryshme të pjesëtarëve të këtij Parlamenti, të cilat, po të hapeshin dosjet përfundimisht, do të dilnin shumë më të ndryshme se ç’paraqiten publikisht. Prandaj, duke shfrytëzuar të drejtën e replikës prej një minute, unë ju uroj që të vazhdoni të jeni ai që keni qenë, i papërkulshëm ndaj presioneve të askujt, neutral ndaj pushteteve që synojnë t’i imponohen karakterit suprem të pushtetit legjislativ, Parlamentit, dhe po aq këmbëngulës për ruajtjen e barazisë së deputetëve të zgjedhur nga populli, si në të djathtë dhe në të majtë, në qoftë se e djathta dhe e majta juaj përkon me të djathtën dhe të majtën e sallës./Kujto.al

Hakmarrja serbe një vit pas humbjes së madhe në betejën e Kolesjanit! M*sakrat e tmerrshme në Dibër, u vranë gra, fëmijë dhe pleq

HALIL RAMA/ Vlerësimi i heronjve dhe dëshmorëve të atdheut, përveçse akt juridik dhe politik, është detyrimi ynë moral, si dhe i çdo gjenerate shqiptare, ndaj historisë dhe së ardhmes të kombit tonë.


Beteja e Kolesianit

Nderimi për luftëtarët që sakrifikuan dhe flijuan jetën për lirinë e Shqipërisë është shprehja më e drejtpërdrejtë e atdhedashurisë që duhet të mbartë çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike.

Parë nga ky këndvështrim, përjetësimi i emrit të dëshmorit të atdheut Emin Cibaku (me një vendim unanim të këshillit të Bashkisë Dibër) duke i vendosur emrin e tij segmentit rrugor nga kryqëzimi i rrugës Peshkopi – Kukës deri në qendër të fshatit Sohodoll, është ndër vendimet më të vlerësuara nga komuniteti dibran e më gjerë. Kjo për faktin se vlerësimi i gjakut të derdhur për Shqipërinë është borxhi, që kemi të gjithë ne që gëzojmë lirinë ndaj sakrificës së tyre sublime.

 

deshmi

HISTORIA

Dëshmori i atdheut Emin Habedin Cibaku ka lindur në Sohodoll të Dibrës rreth vitit 1856. Ishte i martuar me Sibe Veselin nga Cetushi, dhe kishin tre fëmije: Habedini, Qamili dhe Shiretja (Vraniçi). Jetonin së bashku me vëllain e tij më të madh, Abdullahin. Familja e tyre janë marrë me bujqësi e blegtori.

Në vitet kur Perandoria Osmane po jetonte fundin e saj, vendet fqinje shtuan përpjekjet për aneksimin e trojeve shqiptare: serbët e malazezet në Veri dhe grekët në Jug. Duke konkretizuar orekset e tyre shoviniste, deri në fillim të nëntorit 1912, serbët kishin pushtuar Prizrenin, Gjakovën e Hasin, dhe po përgatiteshin me forca të shumta për të sulmuar Lumën e Dibrën, dhe pastaj t’i drejtoheshin Durrësit.

Ndërkohë, në anën tjetër, forcat atdhetare po mobilizonin vullnetare në Dibër e Lumë, për të mbrojtur trojet amtare. Edhe nga Sohodolli dolën dhjetëra vullnetarë që rrokën armët për t’i dalë zot atdheut.

“Të shkoni e të vini shën dosh”- i uruan bashkëfshatarët që kishin dalë për të përcjellë luftëtarët. “Në qoftë se e çojmë serbin në Beograd, kthehem në Sohodoll, në të kundërt jo, se nuk e duroj serbin ndër gra e fëmijë”,- iu përgjigj Emin Cibaku.

Sipas historianëve, rreth 3 mijë luftëtarë lumjanë dhe 1 mijë dibranë, ishin vendosur në mbrojtje në Qafën e Kolesjanit përballë mbi 20 mijë ushtarëve serb.

“Ishim vendosur në vijën e parë të mbrojtjes me Eminin, Brahim Përgjegjin e Beqir Bushin”-tregonte Dalip Tafa pas kthimit në Sohodoll.

“Lufta filloi e ashpër, plumba e predha, të vrarë e të plagosur nga të dy anët. Erdhi urdhri për një tërheqje, për të zënë pozicione të reja luftimi. Tërhiquni ju, – thotë Emini, unë po vazhdoj të hap zjarr që t’ju mbroj gjatë tërheqjes. Por, sapo ishim larguar pak, Emini goditet në gjoks nga një plumb armik. Kthehemi menjëherë, dhe me disa bashkëluftëtarë, marrim trupin e pajetë te tij, dhe ia dërgojmë imamit të fshatit për ta varrosur, sepse ne u kthyem menjëherë në frontin e luftës” – ka treguar Dalipi për rënien e Eminit në luftën e Kolesjanit.

Siç shkruan akademik Fatos Daci – “Mjeshtër i Madh”: “Forcat shqiptare, dibrane e lumjane korrën një fitore të shkëlqyer, duke asgjësuar plotësisht ushtrinë serbe, e cila la në fushën e betejës plot 12.000 të vrarë. Kjo betejë, unikale për nga përmasat, heroizmi dhe të vrarët qe një Termopile shqiptare dhe një Vaterlo për serbët”.

HAKMARRJA

Një vit më vonë, në tetor 1913, barbarët serbë kryen masakra të tmerrshme mbi popullsinë civile në Dibër, duke djegur e plaçkitur, duke vrarë e prerë gra, fëmijë e pleq. Në Sohodoll vranë edhe vëllain e Eminit, Abdulla Cibaku, si dhe plaçkitën bagëtitë dhe dogjën shtëpitë e tyre.

Për këtë, mjafton t’i referohemi albanologut të mirënjohur Robert Elsie, i cili në artikullin “Masakrat serbe në Dibër, 1913”, botuar në gazetën e përditshme Corriere delle Puglie, Bari, XXVI, 354, e 21 dhjetorit 1913. (nga anglishtja Gëzim Aliu) (botuar edhe në: Albanica Ekskluzive: revistë mujore për dije e kulturë, Prishtinë, 73-74, tetor/ nëntor 2007, f. 17-), ndër të tjera shkruan se: “…..Në Sohodoll, i dogjën tri shtëpi dhe i masakruan katër burra: Abdullah Abedinin, Tusun Dalipin, Sulejman Bahtiarin dhe Dalip Ismajlin, si dhe një grua me emrin Belure dhe të birin e saj gjashtëvjeçar me emrin Mazllum (Methasani). Po ashtu, i vodhën edhe 200 dele e 30 kuaj….”

Për kontributin e tij ndaj atdheut, Emin Cibaku është vlerësuar nga Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të rrethit Dibër, i cili me vendimin nr. 72 datë 23.5.1978 e shpall: “Dëshmor i atdheut”.

Këshilli i Komunës Kastriot, me vendimin nr. 28 datë 15.11.2012 e shpall: “Nderi i komunës”. Këshilli Bashkiak Dibër, me vendimin nr. 11, datë 31.01.2024 vendosi që, segmenti rrugor nga kryqëzimi i rrugës Peshkopi – Kukës deri në qendër të fshatit Sohodoll, të emërtohet: Rruga “Emin Cibaku”, duke përjetësuar kështu emrin e tij.

IDENTITETI

Vlerësime të tilla si ai i Këshillit të Bashkisë Dibër për dëshmorin e atdheut Emin Cibaku është në radhë të parë nderimi dhe respekti ndaj vetë identitetit kombëtar, ndaj integritetit si shqiptarë dhe dinjitetit tonë njerëzor.

Rivlerësimi i heronjve dhe atdhetarëve në këndvështrimin europian të një shoqërie demokratike i lartëson dhe përjetëson aktet e tyre në realitetet e reja aktuale dhe të perspektivës së kombit. Ai është një refleks i përmbajtjes dinamike të vetë historisë së një kombi.

Vlerësimi dhe rivlerësimi i kontributit dhe akteve historike të Heronjve, Dëshmorëve apo Atdhetarëve të shquar, përherë është lidhur dhe duhet të lidhet me interesin mbarëkombëtar dhe jashtë këndvështrimit politik aktual apo të kohës në të cilën janë kryer këto akte. Në këtë kontekst duhet vlerësuar edhe Beteja e Kolesianit e nëntorit 1912 (e njohur si prelud i pavarësisë), kur rreth 4000 lumjanë e dibranë, të armatosur ishin pozicionuar në formë patkoi, duke harkuar mbi pozicionet serbe, poshtë Qafës së Kolesjanit, nga lindja e perëndimi.

Beteja e Kolesjanit, gjatë së cilës ra dëshmor edhe trimi Emin Cibaku nga Sohodolli, meriton vëmendjen e duhur nga historiografia jonë kombëtare, pasi ajo pengoi drejtpërdrejt forcat e Armatës së Tretë serbe, duke i gjakosur, rraskapitur e vonuar në realizimin e qëllimit serb, për të dalë në Adriatik e për të bërë fakt të kryer pushtimin e Shqipërisë para Shpalljes së Pavarësisë sonë Kombëtare./Gazeta Panorama

“Komunistët e Titos që zbritën nga malet, të palarë e të veshur keq, në godinën e Bankës Italiane rrisnin pula, në vaskën e banjos, mbillnin majdanoz, s’e njihnin tualetin…”- Refleksionet e shkrimtarit të njohur

– RRËFIME TRONDITËSE NË LIBRIN “MAGAZINA 18”, I SIMONE CRISTICCHI DHE JAN BERNAS –

Gjithmonë regjimet me ideologjizime ekstreme, ua vështirësojnë tmerrësisht jetën qytetarëve të tyre. Por jo më të pakta janë edhe përjetimet e atyre, që fati historik i hodhi në mes të dy çakejve; regjimit fashist dhe atij komunist, sikundër përshkruhet në librin “Magazina 18”, i cili na jep dëshmi tronditëse të italianëve të mërguar nga Istria, Fiume dhe Dalmazia. Nga mendja brilante e filozofit Friedrich Nietzsche, kanë dalë fjalët se; “Të jetuarit është vuajtje, të mbijetuarit është gjetja e një kuptimi për vuajtjet”. Ky është edhe synimi i autorit Simone Cristicchi, fituesit të festivalit të Sanremos, me këngën; “Do të të dhuroj një trëndafil”, me gazetarin Jan Bernas, teksa rreken të pasqyrojnë nga të mbijetuarit, në formë rrëfimesh dhe ditari jo kronologjik, atë që ngjau me atë popullsi që edhe pse në trojet e veta, mbeti si mollë sherri mes Italisë, qysh nga Musolini e, Jugosllavisë së Titos.

E gjithë tragjedia e tyre luhet nën regjinë e Fuqive të Mëdha dhe më pas, nën indiferencën e tyre për pasojat e dhimbshme që vendimet e marra sollën. Pretendimet e palëve u zgjidhën me favorizimin e sllavëve që u quajtën fitues, në kurriz të atyre që edhe pse ishin njerëz të thjeshtë, u damkosën si humbës, duke harruar se fituesit ishin edhe më të egër, pasi është plotësisht ashtu sikurse thoshte Ronald Regan, se; “Vetëm në dy vende mund të funksionojë komunizmi, në parajsë, ku s`u nevojitet, dhe në ferr, ku tashmë e kanë”.

 

Dhe për ta parë këtë ferr, mjafton të futesh brenda “Magazinës 18”, numër i kobshëm gjaku ky, sipas letrave napolitane. Se kur futesh aty, nuk ka sesi të të mos ngjallin aq e aq kujtime të hidhura ato rraqe të vjetra, hedhur rrëmujshëm prej një kohe të gjatë dhe të brejtura nga minjtë e nga molat, por që edhe ashtu si janë, flasin me gjuhën e asaj që ka ndodhur.

Ato familje dhe ata njerëz, shtëpitë e shumë prej të cilëve u ndanë më dysh; pasi gjysma i takonte Italisë e tjetra Jugosllavisë, mbetën edhe vetë të dyzuar, pasi nuk dinin nga t`ja mbanin, sidomos në pështjellimin që pasoi pas prishjes së komunistëve titistë me Stalinin, ku dhe vetë populli i këtij vendi, u nda më dysh.

Dhe nga ai vend ku shpata e hakmarrjes dhe e luftës së klasave binte mbi popullin e vet, nuk kishe sesi të prisje sjellje të drejtë, fisnike e humane ndaj italianëve që kishin mbetur. Goli Otoku me tmerret e tij që nuk kursente as qytetarët e Federatës të Jugosllavisë, as që i llogariste “bashkëpunëtorët” e fashizmit, sikurse quheshin qytetarët e pafajshëm italianë, gjithsesi të çoroditur politikisht ose dhe fare të pa interesuar për të.

Në atë kohë histerie dhe të gjoja entuziazmit revolucionar të klasës së re proletare, që sipas dëshmisë së vajzës së re, Maries, “Ishin njerëz që vinin nga pylli, të palarë e të veshur keq dhe që në godinën e Bankës Italiane, rrisnin pula e, në vaskën e banjos kultivonin majdanoz. Nuk dinin se ç`ishte tualeti, vaska e banjos, apo bideja”, nuk ishte për t’u çuditur përse, nisur nga instinkti i kriminelit, jo vetëm që i diskriminonin apo i dëbonin, por edhe i hidhnin burrat dhe gratë, nëpër humnera.

Të burgosurit pa asnjë arsye i shkatërronin jo vetëm fizikisht, duke i shndërruar në skelete Mat`hauzeni, por edhe moralisht, aq sa i detyronin të mos deklaronin të vdekurit, për një lugë supe lëngëtyrë, apo të keqtrajtonin, të kallëzonin e deri të linçonin mes dy rreshtash, njëri – tjetrin. Ende me tmerr zonja Nella Osso, kujton: “Ishim të trembur. Herë pas here partizanët e vjetër, na thoshin: ‘Ka akoma vende të lira, në honet karstike”.

Në libër janë të shumta rastet e mizorive sllave, që për ne shqiptarët nuk janë të panjohura historikisht, por këtu nuk lihet pa kujtuar se po me poshtërsi, u sollën edhe këmishëzinjtë, që në zbatim të orientimit të Duçes se; “do të ndjekim politikën e dorës së fortë, pa toleruar askënd”, i vunë flakën Hotel “Ballkanit” në Trieste, të cilin ata e kishin si zemrën e qendrës kulturore, çka solli thyerjen e parë mes dy vendeve, atë të Venezia – Giulia – s.

Një dëshmitare e atyre ngjarjeve, pohon se sllavët, pasi i arrestuan dhe hipën në kamion shtatë pjesëtarë të familjes, ku nata i gëlltiti, e lidhën edhe atë me tel me gjemba dhe pasi e shëtitën, duke e tërhequr zvarrë mes thirrjeve; “vdekje – vdekje”! e nxorën edhe atë në gjyq, të cilin ia bënin të ashtuquajturit gjyqtarë të popullit, ish-bujq të babait të saj. Për ta, ajo ishte dyfish “armike”; edhe si italiane edhe si e pasur. E dënuan me vdekje, por për habi ia kthyen dënimin me burgim në birucat mesjetare.

Në këtë libër arrihet në konkluzionin se; “Jugosllavia, në gadishullin e Istrias (që për ironi në gjuhë etruske, do të thotë valltar), nxori në pah nacionalizmin më të egër e më vrastar, që mund të mendohej ndonjëherë”. Dhe pastaj vijon çudia; edhe kur kthehen disa prej tyre në Itali, sindikatat, me influencë komuniste, i presin me thirrjet; “Fashistë, zhdukuni që këtu”! “Jeni të gjithë kriminelë”! Dhe ky qëndrim i ndoqi gjatë, si në rrugë, ashtu edhe në shkollë, apo në ndonjë punë të rëndomtë që mund t`u jepej. Por kishte dhe shumë nga ata që meqenëse vinin nga Jugosllavia, i quanin komunistë, kurse në Jugosllavi, fashistë?!

Dhe kur të ikurit nga tokat dalmate, fiumane e istriane, në vitet 1943 – 1954, shkonin e trokisnin në shtëpitë e tyre, i prisnin me përbuzje dhe i përzinin duke u thënë; “Po ju ç’doni këtu”? Nga mospasja, nënat ktheheshin në lypse, pasi edhe nëpër ato kampet mjerane, ku i kishin grumbulluar, drejtori i shiste ushqimet e ardhura për refugjatët, pa harruar se edhe disa gra që kalonin aty pari, i trembnin fëmijët: “Do të të hanë refugjatët”. Dhe kujt ja bënin këtë?! Është e dhimbshme ta thuash; asaj gruas që kishte marrë me vete edhe qepujka, për të mbjellë zambakë në vendin e saj.

Nuk po zgjatem më tej, veç po citoj mesazhin e këtij libri “Pranimi botërisht i së vërtetës, edhe pse e pavolitshme, është e vetmja mënyrë për të ndarë idealet e mira, nga veprimet e dënueshme. Për të përkujtuar një ngjarje, fillimisht duhet njohur e vërteta. Dhe kjo e fundit njihet, duke dëgjuar edhe me zemër, jo vetëm me veshë”. Se masakrat nuk kanë ngjyra politike, thjesht janë të lyera me gjak. Dhe ky mesazh vlen për të gjithë refugjatët e botës, gjë për të cilën në poezitë shoqëruese të librit, përsëritet si refren: “Është Urdhëresa e 11 – të / “Mos harro”. Krahasimet me ne, bëjini vetë!

/ Nga SHPENDI TOPOLLAJ – Memorie.al

Përshëndetja për tubimin kulturor mbi vendosjen e bustit historik kushtuar personalitetit të shquar Mustafa Merlika – Krujës në qytetin e tij – Nga Tomë Mrijaj

 

Në fillim dua t’u përshendes dhe uroj nga zemra të gjithëve ju zonën e Kurbimit dhe qytetin e Krujës, familjen patriotike Merlika – Kruja, në këtë ditë historike të inaugurimit të bustit kushtuar Mustafa Merlika – Kruja, personalitetit të shquar të botës së letrave shqipe dhe një ndër figurat e mëdha dhe brilante, të nderuar e respektur të historisë së lavdishme të popullit në vendlindje dhe në të gjithë trojet etnike shqiptare.
Ai me jetën dhe veprën e tij si një burrështeti i shquar e vuri veten e tij gjithëmonë në shërbimin të kombit shqiptar dhe letrave shqipe si një intelektual i madh e i palodhur. Ai ishte dhe mbeti për shumë dekada nderi dhe krenaria e jonë si dhe e identitetit etnik të kombit tonë.
Në këtë ditë të madhe historike, unë dua gjithashtu të falënderoj nga thellësia e zemrës time, të gjithë personalitetet e shquara të qytetit historik të Krujës, që vazhdimisht kanë kontribuar dhe kanë ndihmuar pa asnjë kursim në të gjithë zonën e Kurbinit legjendar, kreshnik dhe historik.
Gjithashtu percjelli nga zemra një urim të veçantë për Shoqatën Mbarëkombëtare “Trojet e Arbërit” dhe kryetarin dhe studiuesin e palodhur të historisë zotin Nue Oroshi, për punën e madhe që ka bërë për këto 20 vite dhe po bën sërisht, për rivlerësimin dhe zbardhjen e figurave të shquara të nacionalizmit shqiptar si dhe për interesimin e vazhdueshëm për vendosjen e monumentëve historike të përjetësisë si dhe për ringritjen në piedestalin e merituar të emërit dhe veprës së burrshtetit dhe personalitetit të madh Mustafa Merlika – Kruja.
Ju jeni mbledhur sot së bashku, në qytetin historik të Krujës së Heroit Kombëtar të Arbërisë Gjergj Gjon Kastriotit, për të përuruar me dashuri dhe krenari bustin e bukur dhe shumë kuptimplote, kushtuar burrit të madh të krahinës dhe trojeve etnike shqiptare Mustafa Merlika – Krujës.
Në këtë rast, pranoni nga zemra ime të gjithë përgëzimet e ngrohta dhe të sinçerta, duke ju falënderuar ngrohtësisht të gjithëve për këtë nismë fisnike patriotike dhe mirënjohje të pakufi për eruditin e shquar shqiptar, i cili jetoi dhe veproi me përkushtim dhe dashuri të madhe për popullin e tij, në dekadat e kaluara të historisë se lavdishme të qytetit të tij të lindjes.
Para se të hy në temën për të treguar se kush ishte dhe mbeti Muftafa Merlika – Kruja, dua të them me fjalë të përzgjedhura zemre, pikërisht për bukurinë dhe madhështinë e këtij busti, i cili hijeshon sot krenarë mes maleve tona kreshnike, fushave të bukura dhe qytetit të Krujës historike dhe legjendare.

Kush ishte patrioti dhe burrshtetasi Mustafa Merlika -Kruja?

Emri i personalitetit të shquar të botës shqiptare për disa dekada, të cilin po e nderojmë dhe respektojmë me krenari sot të gjithë së bashku, në tubimin kulturorë dhe historik, është i lidhur ngushtë me emrat e plejadës së ndritur të shumë figurave të shquara të kombit tonë, të nacionalizmës dhe botës së madhe të letrave shqipe, që ishin njeherazi edhe miqët dhe bashkëpunëtorët e idealeve të tij atdhetare dhe kulturedashëse të trojeve etnike.
Jeta dhe vepra nacionaliste e Mustafa Merlika – Krujës, lidhej me emrat e shquara historike, si: Kapidan Gjon Markgjoni, Mark Gjomarkaj, Ndue Gjomarkaj, prof. Ernest Koliqi, prof. dr. At Paulin Margjokaj, prof. Rexhep Krasniqi, prof. Zef Nekaj, Xhevat Korça, Engjëll Çoba, Maliq Bushati, Kolë Bib Mirakaj, At Anton Harapi, Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Xhafer Deva, Fiqiri Dine, Ibrahim Biçaku e sa e sa qeveritarë të shquar të tjerë të Shqipërisë etnike, në të gjitha nivelet, që nderuan me veprën e tyre emrin e saj e i lanë brezave të ardhshëm krenarinë e të qënit bir i një populli, që dhunës i kundërvuri humanizmin e vërtetë.
“Komunizmi shqiptar, nuk foli kurrë për këtë epope të fisnikërisë njerëzore, të shfaqur në tokën e tij, sepse ai e kishte përdhosur atë me krimet e tij brënda racës, brënda kombit, brënda popullit, që pati meritën t’a prodhonte. Ata qindra jetë hebrenjsh, që shqiptarët shpëtuan nga rreziku i asgjësimit nazist, u kompensuan nga njëqindfishi i krimeve mbi vetë shqiptarët, madje mbi pjesën më të vlefshme e më fisnike të tyre. Atë kurajo, guxim e zemërgjërësi, që treguan shqiptarët në mbrojtjen e hebrenjvet, bandat kriminale të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut e të ngjajshmëve të tyre, u a zhdukën në pak ditë, në sajë të një terrori, para të cilit edhe ai i SS-ve gjermanë ishte një hije e zbehtë.” – shkruan nipi dhe studiuesi, publiçisti bashkëkohorë dhe aktivisti i shquar Eugjen Merlika-Kruja.
Gjatë hulumtimeve të mia shumëvjeçare mbi jetën dhe veprën e intelektualit dhe burrit të madh të shtetit shqiptar, ish Kryeministrit të Shqipërisë Mustafa Merlika – Kruja, sikurse dihet ai ka qenë shumë i interesuar për historinë e popullit shqiptar ndër shekuj. Këtë gjë e ka shprehur në shumë artikuj dhe studime serioze, që i ka lënë në dorëshkrim dhe për të cilat në ditët tona po përkujdeset për t’i botuar një e nga një nipi i tij Eugjen Merlika – Kruja.
Me shumë interes lexuesit shqiptarë, mund të mësojnë mbi hershmërinë e para-ardhësve tanë ilirë, prijësit dhe figurat e shquara dhe të spikatura të kohës, sikurse ishte Pirroja i Epirit.
Po ashtu studiuesi serioz dhe skrupoloz Merlika, na jep një përshkrim të detajuar kohor dhe faktik mbi trashëgimtarët e Perandorit Valentinianit I, sikurse shton me kulturë dhe eurodicion të pasur historik në disa përsiatje të shkurtëra, mbi rolin e perandorëve ilirë në historinë e Romës dhe mbi të gjitha shkruan mbi kryetrimin e shtetit të Arbërit Heroi Mbarëkombëtar shqiptar Gjergj Gjon Kastrioti – Skënderbeu, sikurse dhe sukseset e Arbërisë, gjatë kohës së lavdishme historike të tij.
Dihet se asokohe Mustafa Merlika – Kruja, ka pasur gjatë jetës së tij, para dhe gjatë periudhës si Kryeministër i Shqipërisë si dhe më pas saj, libra në dorëshkrime voluminoze të pabotuara, për arsye të angazhimeve të shumta shoqërore etj.
Nga një vështrim i përgjithshëm, del se aty shihet puna dhe përkushtimi cilësor, në hulumtimin dhe dhënien e opinioneve reale mbi çështje të ndryshme, që ai trajton pjesë mbas pjesë dhe kapitull mbas kapitulli.
Aty shihet kjartë përvoja dhe pjekuria e trashëguar për çdo temë historike dhe kulturore, që ai trajton, me një stil narrativ dhe gjuhë të pastër, duke u krijuar breznive të reja një mundsi dhe dritare, për të njohur me objektivitet fazat e rëndsishme të historisë shqiptare, gjatë dekadave të shkuara.
Gjithashtu aty, ne zbulojmë dhe përjetojmë botën e madhe dhe të pasur shpirtërore, atdhetare dhe kulturore, për historinë e popullit të lashtë shqiptar ndër shekuj, që Mustafa Merlika – Kruja, i ka kushtuar gjithë jetën si një ndër burrat më të shquar, në krye të drejtimit të shtetit shqiptar me kompetencë, zgjuarësi dhe urti tipike atdhedashurie të vazhdueshme patriotike, në çdo kohë dhe rrethanë historike.
Figura e Kryeministrit patriot shqiptar Mustafa Merlika – Kruja, del e plotë dhe e zbardhur me fakte dhe prova të reja objektive, të panjohur më parë nga historiografia shqiptare dhe brezi i ri i studentëve të historisë të universitetëve në trojet etnike shqiptare.
Mustafa Merlika – Kruja shkruante dorëshkrimet e tij, si vepra në shërbim të historisë dhe kulturës së kombit shqiptar, dhe në vetvete ato janë sot një prognozë e shkëlqyer e të gjithë këndvshtrimeve të sakta historike, politike, kulturore, shpirtërore, tradicionale, gjuhësore, letrare etj., të cilat, ai i ka ndriçuar dhe prognozuar me realizëm dhe një sy kritik, larg klisheve standarte, të servilizmit të rëndomtë, që kanë pushtuar sot librat e rinj, që po botohen në botën shqiptare, brenda dhe jashtë trojeve etnike.
Intelektuali i shquar shqiptar Mustafa Merlika – Kruja, falë një përvoje të madhe historike, duke qene në krye të shtetit, ai dinte me detaje funksionimin e Qeverisë së tij dhe njihte hallet dhe mentalitetin psikologjik të kohës si dhe jepte ide dhe perkufizime se si kombi ynë mund të ecë përpara, edhe pse asokohe dhe rrethanat e popullit shqiptar nuk ishin në anën tonë.
Të flasësh dhe të shkruash në ditët tona, për historinë me humbje dhe fitore, pas shumë dekadash, mbi figurën apo personalitetin e papërsëritshëm dhe pendën brilante të studiuesit dhe burrështetasit të madh dhe sypatrembur të kombit tonë Mustafa Merlika – Kruja, është shumë e vështirë, sepse ai është një ndër personalitetet, i cili qysh në rininë e tij mori pjesë në Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, në Vlorën historike, ku u ngrit dhe valoj krenar Flamuri Kombëtar Kuq e Zi, më shkabën dykrenare nga burrat më të shquar të tokës arbërore.
Mosnjohja sa dhe si duhet e këtij personaliteti të harruar me paramendim në trojet shqiptare, gjatë 50 vitëve të diktaturës më të egër në Europë dhe komunizmit të zi të saj, për arsye të përsekutimit dhe përbaltjes sistematike, që pa të drejtë rregjimi komunisto-ateist i ka bërë atij dhe familjes së tij.
Ai drejtoi vendin e tij si burrshtetas me vizion largpamës, kishte marrëdhënie shumë të mira me disa personalite dhe burra të shquar të shumë shtetëve të botës, me të cilët ai kishte letërkëmbime të vazhdueshëm, ku në esencë trajtonte çështjen e trojeve etnike shqiptare dhe integrimin e domosdoshëm të tyre në familjen e shteteve më të zhvilluara të Europës Perëndimore.
Problemi kombëtar, ruajtja e Shqipërisë etnike edhe përtej çastit politik të kohës, sido që të ishte fati i luftës, ishte shqetësimi kryesor i forcave politike nacionaliste, i cili ishte edhe materiali lidhës, që përshkonte atë pjesë të politikës, që ndahej pastaj pothuajse në të gjithë përbërësit e tjerë të programeve dhe filozofisë politike të tyre.
Së fundi, mendoj, se në të ardhmen në trojet etnike shqiptare dhe diaspore, ku ai jetoi dhe punoi me përkushtim të madh për shumë dekada, duhet menduar seriozisht, që emëri, jeta dhe vepra e tij të përjetësohet edhe më tej, duke ngritur buste të reja, hulumtuar dhe analizuar e gjithë vepra akademike serioze studimore e tij, dhe të rivleresohet me objektivitet ai, duke u vendosur emëri i tij në shkollat e mesme dhe universitetet shqiptare, sepse ai ishte dhe mbeti një intelektual solid, me një eurodicion dhe përkushtim të vazhdeshëm, gjatë gjithë jetës së tij.


Send this to a friend