Ikën larg, shumë larg e përtej largut
(Ku e çon sorra ashtin),
E së pari e nisën atë rrugë
Ku shigjeta, bërë prej pendës se shqypes
Shqiponjën gjuan
E korbat lëpijnë kockat e trojeve t’mija,
Fërkojnë mustaqet me undyrën e mallit tim.
Kësaj toke, zbut prej gjaku,
Këngët po ia u këndon ai rrapsodi,
(Me zërin e tij me duket se këndon)
Me fjalë vajtimi,
Kosharja qan e përloshet,
Qafa e Morinës, si kapuçi i Zeqir Halilit,
Sytë po më shkojnë te Verrat e Lluk’s,
Shpati i atij mali, brinjtë e Shaban Binakut,
Qendisur me qystekë mitanash
E sumulla jelekësh,
Se prej “matanë” po e shikoj
E po më dhimet,
Shumë herë s’po di se prej cilës anë ta shoh
E si po më duket…
Pastaj kthehem dhe i them veti:
Si po iu duket atyre që e shikojnë nga poshtë?
Ende i rrëzuar
Ende përmbys gjysma e Shqypes sime…
-Koshare, Verë 2016-
Komentet