Varret monumentale të Idromenos dhe Marubit do t’i nënshtrohen restaurimit. Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale miratoi projektin e ndërhyrjes konservuese dhe restauruese në varrin monumental të piktorit dhe fotografit Kolë Idromeno dhe të varrit monumental të familjes Marubi, në Varrezat e Rrmajit në Shkodër.
Pastrimi, konsolidimi, rimodelimi dhe plotësimi i elementeve dekorative që mungojnë, janë disa nga ndërhyrjet që do të kryhen. Synimi është të ruhen këto monumente simbolike, ku prehen disa nga figurat më të shquara të arteve pamore shqiptare.
Nikollë Idromeno, i njohur gjerësisht si Kolë apo Kól Idromeno (Shkodër, 15 gusht 1860 – 12 dhjetor 1939) ka qenë artist shumëplanësh, piktor, skulptor, fotograf, butaforist, skenograf, muzikant dhe arkitekt.
Mbahet si i pari përfaqësues i historisë së pikturës moderne shqiptare.[1] Prej burimeve, Idromeno dha po ashtu të parat shfaqjet kinematografike në Shqipëri që më 1913. Si arkitekt, ai projektoi dhe zbatoi planet e mbi 60 ndërtimeve kryesore, private dhe publike në qytetin e Shkodrës. Idromeno kishin prejardhjen nga Parga, asokohe në Vilajetin e Janinës, prej ku u larguan në kohën e Ali Pashë Tepelenës për t’u vendosur në Korfuz.
Popi Andrea Idromeno ishte mësues në Korfuz, ku përpiloi dhe botoi historinë e Pargës dhe të Sulit, e gjithashtu ndihmoi Grigor Gjirokastritin në përkthimin e Ungjillit sipas Matheut dhe Dhjatës së Re në gjuhën shqipe me alfabet grek. Pop Andrea kishte dy djem, Mihalin që ishte jurist dhe Arsenin, që kishte lindur në Korfuz.
Më 1856 u shpërngul në Shkodër, ku ushtroi zanatin e tij të marangozit e drugdhendësit, si dhe projektuesit autodidakt e zbatuesit të ndërtimeve private në qytet, si shtëpitë e familjes Lukaj tek Arra Madhe, Rokacollëve në Serreq, ndërtesa e Kryqit të Kuq, liceu “Illyricum” dhe shtëpia e vet në Gjuhadol.
Dy vite më pas, Arseni u martua me një vajzë shkodrane, Dranden ose Rozën e Filip Saraçit, më 5 dhjetor 1858. U lind në Shkodër më 15 gusht 1860, një vit pas së motrës, Tones. I vendosin dy emra të dytë: Rrok (si ditë emri) dhe Spiridon. Nisi shkollën fillore më 1867 në njërën prej shkollave qytetëse, ku mësim mund t’i kenë dhënë dy italianët Andrea Skanjeti dhe Marco Rebeschini.
[4] Ndër bashkënxënësit e tij në këtë shkollë ishte edhe poeti i ardhshëm Filip Shiroka, me të cilin do të kishte miqësi të gjatë e letërkëmbim të vazhdueshëm. Përpos klerit, vizatim i dha Pietro Marubbi; kohës kur ende nuk kishte mbaruar klasën e katërt i përkasin vizatimet e hershme, “Krye fëmije”, “Malësorja” dhe “Gomari n’udhë”. Në vitet 1871-1875 iu përkushtua akuareleve të parë “E vorfna”, “Baresha”, “Fshatarja”, kompozimi i tij i parë mendohet të jetë “Pusija”, më pas “Net kazanash dhe Dymdhetë luftarë të Pargës në lundër”.
Marubbi ndikoi tek Arseni që ta niste në Akademinë e Arteve në Venedik më 1875, ndërsa Mati Kodheli studionte për fotografi në Trieste. Duke mos duruar mësimdhënien formale të akademisë, hoqi dorë pas gjashtë muajsh dhe nisi punë në studion e një piktori venecian. Pasi u kthyen në vendlindje më 1878, me Matinë iu bashkuan Daulles së Palokë Kurtit, ku Idromeno ishte trombist, dhe hynë çirakë te “Dritëshkronja e Marubit”.
Miku dhe kolegu i tij ndërroi jetë më 1881, vendin e tij si çirak e zuri i vëllai, Keli. Më 1883 hapi studion e vet të fotografisë me kamera të importuara nga kompania Pathé në Francë, emërtuar “Dritëshkronja Idromeno”. Më 1884, Idromeno u martua me Gjyzepinën e Gaspër Muzhanit, në llasë e quajtur Cina. Më 20 korrik 1886 u lindi një djalë, Zefi, i cili vetëm pas dy vjetëve më 15 korrik 1888, ndërroi jetë.
Pas dy vjetëve do t’i ndërronte jetë edhe e motra, Tonja, dhe Idromenoja mori në përkujdesí vajzën e saj të mitur, Orsolinën. Gjatë viteve 1902-1906 si mësues në shkollën italiane të artizanatit, pikasi e afroi në rrethin e vet të pikturës dhe përkrahu piktorin e ardhshëm Simon Rrota. Më 1904 ndihmoi në pajimin e shkollës së Mati Logorecit. Më 1911 hartoi programin e karnavaleve të organizuar nga klubi “Gjuha shqipe”.
Në gusht të 1912 nënshkroi një kontratë me kompaninë austro-hungareze Joseph Stauber për të importuar pajisje kinematografike dhe u bë njeriu i parë që hapi kinemanë e parë rudimentare ku u shfaqën pamjet e para filmike. Gjatë viteve 1912-1920, pasi përshtati një mjedis poshtë shtëpisë së tij në Gjuhadol, një sallë për shfaqje filmash, hapi atë që atëkohë si në vendet e tjera quhej kinemaja, një teatër elektrik.gsh