Dhori Spirollari dhe Eqerem Avdolli
Që prej vitit 2016 e deri sot, anëtari i Këshillit të Bashkisë Maliq, Viktor (Qyllalli) Adri, në kundërshtim me ligjin mban dy detyra: atë të anëtarit të Këshillit të Bashkisë dhe të kryetarit të Pleqësisë së fshatit Vashtmi. Ku qëndron shkelja? Kryetari i Pleqësisë së fshatit mund të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit të Bashkisë, por pa të drejtë vote, kurse në rastin e Viktor (Qyllallit) Adri, duke qenë anëtar i Këshillt të Bashkisë, shndërohet automatikisht kryeplak me votë, gjë që e vendos në pozicion konflikti me ligjin. Informacioni në fjalë na u bë i ditur nga zëvëndëskryetari i Pleqësisë së fshatit Vashtmi, z. Eqerem Avdolli. Më konkretisht: Në nenin 71 të ligjit 193/2015 “Për qeverisjen vendore”, pika 7, ku flitet për “detyrat e kryetarit dhe të kryesisë së fshatit”, thuhet shprehimisht: “Kryetari i fshatit mund të thirret në mbledhjet e këshillit bashkiak ose merr pjesë në to me nismën e tij pa të drejtë vote. Ai ka të drejtë të shprehë mendimin e tij në mbledhje për çështjen që janë të lidhura me fshatin përkatës.” Pra, kryetari i Pleqësisë mund të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit të Bashkisë, por pa të drejtë vote. Mirëpo z. Viktor (Qyllalli) Adri, duke qenë anëtar i Këshillit të Bashkisë, votën e tij si këshilltar mund ta përdorë në interes të kryetarit të Pleqësisë sepse njëherazi është edhe kryetar i fshatit.
Shkelja e ligjit
Sipas zëvëndëskryetarit të Pleqësisë së fshatit Vashtmi, z. Avdolli, shkelja e ligjit u evidentua që në çastin e konstituimit të Këshillit të Bashkisë; vetë juristi i Bashkisë Maliq dhe anëtarë të Këshillit e vunë në dukje këtë fakt, po përkundër kësaj, me shumicë votash u votua kundër ligjit. Sipas z. Eqerem Avdolli, shkelja e ligjit u kap nga tre prefektët e Qarkut Korçë që gjatë kësaj kohe zëvëndësuan njëri-tjetrin, por këmbëngulës dhe kërkues i zbatimit të ligjit u tregua prefekti Dhori Spirollari. Në shkresat e dërguara prej prefektëve Këshillit të Bashkisë Maliq i kërkohej “të marrë në konsideratë dhe të vlerësojnë ligjërisht faktin që z. Viktor Adri në mënyrë të kundërligjshme, ushtron njëkohësisht detyrën e kryetarit të fshatit dhe atë të anëtarit të Këshillit Bashkiak”. Ndërkaq, Prefektët e qarkut Korçë i kujtonin Këshillit se “për këtë gjë u jemi drejtuar disa herë zyrtarisht ku kemi bërë të ditur qëndrimin tonë institucional”, (por siç ndodh rëndom në Shqipëri), Këshilli i Bashkisë Maliq vijonte të mbetej po aq shpërfillës ndaj ligjit sa edhe më parë. Z. Eqerem Avdolli na njeh edhe me shkresa të tjera, ku Institucioni i Prefektit kërkon që: “Njësia Administrative, Libonik, Bashkia Maliq, të marrin në konsideratë dhe të vlerësojnë ligjërisht faktin që z. Viktor Adri në mënyrë të kundërligjshme, ushtron njëkohesisht detyrën e kryetarit të fshatit dhe atë të anëtarit të Këshillit Bashkiak. Ju informojmë se shqetësimi është i njohuar për Institucionin e Prefektit dhe për këtë u jemi drejtuar disa herë zyrtarisht ku kemi bërë të ditur qëndrimin tonë institucional”. Madje kërkohet të ndërmerren hapa konkrete “për verifikimin e bazueshmërisë ligjore të akteve të Bashkisë Maliq, të dt 29.04 2016, mbështetur në ligjin nr 139/ 2015 “Për vëtëqeverisjen vendore”. Por si gjithnjë vetëm heshtje.
Shkelja u konstatua edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit
Shkelja ligjore u konstatua edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, me shkresën e këtij institucioni u njohën edhe titullarët e Bashkisë Maliq, por asgjë nuk u mor parasysh. Megjithatë, fal këmbënguljes së prefektit të Qarkut Korçë, Dhori Spirollari, çështja në fjalë i kaloi Gjykatës Administrative. Deri më tani janë zhvilluar dy seanca gjyqësore, e treta dhe ndoshta e fundit është lënë për datën 28 tetor. Të shohim se çfarë do të ndodhë? Sepse në një vend si Shqipëria ku ligji dhe gjyqtarët kanë qenë me shumicë të korruptuar, – siç e tregoi edhe Vetingu, – nuk kishte qenë e lehtë që e ligjshmja të fitonte, dhe ky nuk është rasti i vetëm i gjetur në Bashkinë e Maliqit: 35 këshilltarë dhe ish-këshilltarë të kësaj Bashkie, pavarësisht nga fakti që nuk merrnin pjesë në mbledhje, në fund të muajit që të gjithë e merrnin rrogën të plotë, edhe sikur të kishin qenë në dasmë. Kjo lloj pagese pa qenë në punë është evidentuar prej KLSH-së që nga dt. 01.01.2013, kur Këshilli i Bashkisë përbëhej nga 15 anëtarë, ndërsa nuk dihet çfarë ka ndodhur para kësaj date. E njëjta situatë ka vijuar edhe pas datës 27.07.2015, kur Këshilli i Bashkisë u bë me 35 anëtarë, ku shpërblimi i këshilltarëve, sipas kësaj praktike ka vijuar deri në dt. 31.12.2015, ndërsa nuk dihet çfarë ka ndodhur pas kësaj date. Saktësisht dihet se nga dt. 01.01.2013 deri në datën 31.12.2015, këshilltarët e Këshillit të Bashkisë Maliq janë paguar rregullisht edhe kur nuk merrnin pjesë në mbledhje. Dëmi financiar për këtë periudhë kohore shkon në vlerën 1,109,856 lekë (të rinj). Mbetet të verifikohet periudha kohore para datës 01.01. 2013 dhe pas datës 31.12.2015.
Komentet