Dy ditë më parë, kuzhineta e ndryshkur e politikës shqiptare pat rastin të “perjetojë” largimin e papritur, pa asnjë shpjegim publik transparent (kërkesë minimale e domosdoshme ne qeverinë parlamentare) të Ministrit të Drejtësisë dhe zëvëndësimin e tij të menjëhershëm, nga një tjetër anëtar i segmentit përbërës të koalicionit qeverisës. Në një vend me qeverisje parlamentare, ndryshimet në kabinet janë më se normale, në kushtet kur ato kryhen nga institucioni sovran i Kryeministrit dhe Kabineti si institucion kolegjial, ose janë produkt i dorëheqjes individuale të anëtarit të kabinetit qeveritar, që ndjen se ka gabuar në raport me Kodin e Etikës Ministeriale, Ligjin, ose kur ai nuk ka koherencë bashkëpunimi me Kabinetin Ministror, etj. Ato ndryshime të dyfishta, nuk mund të ndodhin në asnjë rast, pa një shpjegim për qytetarët, pa një sërë hapash proceduralë që Kryeministri është i detyruar t’i ndjekë
Rasti i ditës së hënë është, në këndvështrimin e thjeshtë të analizës institucionale, një kazus krejtësisht i ndryshëm. Sikurse u pa qartë në media, lëvizja nuk bën pjesë në ndryshimet normale të Kabinetit, por është produkt i një hapi të qartë ndërhyrës të Koordinatorit të Parlamentit (Speaker-it), d.m.th. i një institucioni tjetër indipendent, mbi kompetencën e drejtëpërdrejtë të Ekzekutivit, një pushteti krejtësisht tjetër dhe Sovran. Vendime të tilla zëvëndësuese individuale në kabinet, janë kompetencë vetëm e Kryeministrit. Ai është i vetmi nismëtar politik dhe drejtues institucional që mund ta këshillojë çdo ndryshim, me Kabinetin që ai drejton, me aleancen politike në të cilën bën pjesë dhe nuk mund të ndodhë normalisht, që një faktor i jashtëm të ndërhyjë në mohimin e kohezionit të qeverise, për interesa pjesore, extra parlamentare, për më tepër kur kanë objektiva personalë.
Në qoftë se kjo hipotezë qendron, kemi të bëjme me një levizje politike ndrydhëse represive, të një lojtari të paprinciptë të oligarkisë së vjetër të republikës gati të rënë, ndaj një Kryeministri që cedon në hapesirën dhe në kompetencat e tij institucionale, që ia ka ngarkue Sovrani, duke hapur kështu një precedent të shkeljes së rendë të të drejtës konstitucionale të Republikës së Shqipërisë.
Tre analiza mund të bëhen me këtë rast: A. Analiza juridike e shkeljes së prerogativave të Kryeministrit dhe të drejtave të tij të pashkruara; B. Analiza e sjelljes shantazhuese ndaj një organi sovran (Ekzekutivit), përkundrejt përkufizimeve dhe interesave publike; C. Mungesa e përgjegjësisë për të bërë llogari me transparencën publike.
- Analiza Kushtetuese: Institucioni i Kryeministrit, për shkak të kushtetutës dhe praktikes konstitucionale, është në një pozicion të atillë që ushtron një ndikim mbizotërues mbi të gjithë Kabinetin Ministror. Kryeministri dhe Qeveria zënë vendin kyç në zemren e sistemit politik dhe qeverisë parlamentare. Është Kryeministri ai që kryen të gjitha emërimet ministeriale; ai kontrollon makinerinë e qeverisë qendrore, përcakton se si duhen alokuar detyrat e qeverisë dhe të dikastereve, kush duhet të bëjë pjesë në këto dikastere dhe kush duhet të ikin nga Qeveria. Doktrina e përgjegjësisë kolektive të kabinetit ministror e ka ndihmuar postin kryeministror në Republikën e Shqipërisë të përforcohet dhe askush nga anëtarët e kabinetit, deri në momentin që është në qeveri, nuk mund ta kritikojë publikisht politiken e qeverisë, madje duhet të jetë i përgatitur ta mbrojë atë. Ndërkohë, në ushtrimin e këtyre prerogativave, Kryeministri është i papenguar dhe nuk mund të sabotohet në underground, nga asnjë anëtar i kabinetit, as nga faktorë politikë të koalicionit, përfshirë edhe partnerin kryesor. Mirëpo, ajo çfarë ndodhi të hënën, me datën 9 nëntor 2015 në Tiranë, ishte një skenë qe del jashtë të gjithë kornizës institucionale të përcaktuar nga Kushtetuta e Republikës sonë dhe nga zakonet konstitucionale: nga një zyrë e errët dhe e padepertueshme përballë Zyrës së Kryeministrit, dhe nga një kafene e hapur në brinjë, jashtë çdo parashikimi dhe përshkrimi ligjor, pa asnjë transparencë me Publikun, njëri nga anëtarët e kabinetit tërhiqet zvarrë, nga një dorë e vogël çoroditese, për t’u larguar nga posti, dhe brenda pak minutave një tjetër ndjellet për t’u përfshirë në Kabinet, si me qenë një lëvizje brenda një shtëpie private, apo sipërmarrjeje private.
Duhet të kujtojmë se një levizje e tillë përbën një precedent të papranueshëm, është një goditje ndaj një institucioni të pacënueshëm dhe shumë të rëndësishëm, sikurse është për Publikun integriteti i Ekzekutivit në kompleks. Kjo lëvizje i bie ndesh kushtetutës së një Republike Parlamentare në thelb, Kodit të pashkruem Etik, mbi bazën e të cilës punon një qeveri. Këtu nuk kemi të bëjmë me integritetin e Kryeministrit vetëm, por me integritetin e Qeverisë së Shtetit, që Kryetari i Parlamenti e dhunoi, duke tejkaluar çdo përshkrim konstitucional të postit të tij dhe duke përdorur madje zyrën numër dy të shtetit, për një hap të tillë rrethues të integritetit të Prime Minister Office.
- Analiza e lëvizjes politike ndrydhëse represive: Publiku përjetoi dhe kuptoi se sa e lehtësisht shantazhohet një zyrë kaq e rëndësishme, kur ajo drejtohet nga statura të paplota dhe të paarrira intelektuale, pa koncepte juridiko kushtetuese, pa strukturë të qartë mendimi politik mbi demokracinë dhe sistemin parlamentar. Por nga ana tjetër ky veprim nuk ishte i pamenduar nga të gjithë ne, sidomos kur bëhen kompromise të përkundërta me shpalljen programore të bërë nga Kryrministri me rastin e fitores se 23 qershorit 2013. Një Kryeminister i Shqipërisë moderne dhe europianiste nuk mund të përkulet nga asnjë shantazh nga asnjë gangster rruge, nuk mund të vendoset në asnjë rast nën daren e goditjes e asnjë ujku të vjetër të politikes obskurantiste dhe nuk mund të lëshojë pe, në respektimin e kornizës kushtetuese, në procedurën e ndryshimeve qeveritare. Garant i tij është Ligji, Kushtetuta, dhe Sovrani. Mirëpo këtu siç duket qendron dobësia: tek borxhi që Kryeministri ka me këto tre garantë.
Nuk bëhet fjalë për një ndrydhje represive të rendit juridiko disiplinor, por për një goditje të kamufluar informale, karakteristike për vendet oligarkike.
Publiku priste dorëheqjen e Naços dhe shpjegimin e tij publik dhe ligjor, ndërkohë që lëvizja ishte një taktikë e trashë e stilit të fshehtë të klasës politike të këtij vendi. Naço dhe Manjani jane dy anë të një prej shumë prej monedhave që Kryeparlamentari i mban në qafen e tij, tashme të holluar dhe të rrezikuar nga një rreth i tërë përmendjesh akuzuese dhe provash filmike, të deklasifikuara nga drejtësia që ai kërkon të reformojë, por të ngulitura fortësisht të mendjen e të gjithë popullit dhe të përfaqësuesve të vendeve mike. Ai po mundohet të largojë lakun përmes kontrollit të drejtësisë, presimit të Kryeministrit të lodhur nga mekanizmi i ndërlikuar dhe i qarkuar rreth atij, pjesë e të cilit është edhe Ai vetë, ndërkohë që Opozita, më së shumti, nuk shquhet për kapjen e bëmave të tij të tmerrshme ndaj Shqipërise dhe Shtetit. Opozita nuk arrin të ndertojë një radhe veprimesh opozitare dhe hapash proceduralë, të parashikuaranga legjislacioni ynë, në goditjen e ilegalitetit konstitucional, edhe pse ka një terren që ia kanë bërë gati.
- Transparenca ndaj Publikut: Qytetari shqiptar ka qenë subjekti më i injoruar në këtë aferë, pavarësisht se ai është Sovrani dhe pavarësisht se aktorët e politikës kishin për detyrë të respektonin procedurën e ndryshimit. Analizuar thjesht me shikim të parë, largimi i ministrit të drejtësisë nuk shënon asgjë të rëndësishme: iku një minister që nuk arriti dot të ndërtojë asnjë produkt të vlefshëm për Republikën, përveçse punësoi militantët e partisë së tij, në të gjitha varësitë e Ministrisë së Drejtësisë, që po bëjnë katrahuren në vend. Ai u zëvëndesua, sikurse pritej, nga një homolog i tij, që ka plus ironinë e pa fshehur, në fytyrë e mimikë. Zoti Naço duhej të dorëhiqej, jo për të bërë presion mbi Kryeministrin, por për të bërë gjithë transparencen mbi skandalin e matësave të CEZ, ndërkohë që Prokuroria duhej të kishte njoftuar Publikun tashmë mbi hapat e saj në lidhje me këtë çështje kaq sensitive për të gjithë qytetarët tatimpagues. Mirëpo, pavaresisht skandalit me matësat elektrikë, zoti Naço është i mbrojtur nga kontrolluesi i aksit majtist të Shqiperise, që është edhe mentori e promovuesi i tij.
Kontrolluesi i paketes kështu lëvizi një ushtar të bindur, për të sjellë një tjetër, po aq të bindur, por më shumë triblues në fushen e lojës së politikes së fshehtë shqiptare, që sa vjen e ndërlikohet.
Ndonëse duket sikur Kryeparlamentari është fitimtar dhe komandues, unë mendoj se ai ështe një njeri i mjerë dhe i pasigurtë, që sheh lëvizjen e urrejtjes popullore t’i vërtitet pranë. Më së shumti, ky veprim i fundit është një sinjal kundër çdo përpjekjeje të dy partive të mëdha për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, që mund ta nxjerre ate jashte, dy fish.
Ndaj mendoj se kjo është një lëvizje politike e dëshpëruar, marrë në kushtet e gjendjes in extremis, e Kryeparlamentarit, për të përftuar çfarë mund të përftohet nga një Kryeminister i pasigurtë, por i dashuruar pafundësisht me ngjyrat dhe hartat e Coronelli-t në zyrën e tij, të cilen nuk deshiron ta lëshojë edhe pse institucionin që Ai drejton, ia ka goditur mjaft rëndë në integritet, partneri me të cilin u martua politikisht, në mënyrë jo normale. Ai ndodhet nën presionin ndërkombetar për të larguar ose lënë menjanë partnerin e tij, aspak të pëlqyer në rrethet politike europiane të lirisë, për t’i dhënë një tjetër konfigurim qeverisjes së Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Por hapësira e lëvizjes tashmë është zvogëluar pambarimisht, si pasojë e lojës jo të ndershme të ndërtuar mbi parimet e kodit zgjedhor aspak përfaqësues. Tregues i pasigurisë së tij është edhe rendja së fundi pas metodave diktatoriale në shtypjen e zërit të lirë të shtypit dhe intelektualëve, me kthimin e nenit 55 të propagandës kundër udhëheqjes. Populli duhet ta ndalë, atë qe kërkon të denojë zërin e lirë ndërkohë qëi njejti lejon abuzuesit e pushtetit të fuqizohen në kurriz të popullit.
Në fund fare, lëvizja e radhës në kabinetin qeveritar është tregues i dështimit të plotë të përpjekjes për reformimin pa parime solide dhe sistematike të reformes në drejtesi dhe i paaftesisë së klasës politike për të operuar mbi rregullat e parlamentarizmit klasik. Vendi është nën veprimin e lojës së shahut të lojtarëve të një kaste, në unison, përkundrejt interesave reale të vendit dhe kombit.
Pyetjet që shtrohen janë: 1. në qoftë Kryeministri realisht është vendosur para lëvizjes së detyrueme presive, a do të thotë kjo gjë që Shqipëria ka në vitin 2015 një kryeministër lehtësisht të përkulshëm dhe kjo pavendosmëri e mungesë qendrueshmërie institucionale a përbën një cënim të sigurisë nacionale? si mund të kthehen në vend legaliteti kushtetues pas kësaj lëvizjeje presuese mbi institucionin e Kryeministrit? Përmes mos dekretimit nga Presidenti i Republikës, përmes një prononcimi të Gjykatës Kushtetues apo përmes një interpelance parlamentare?
Tiranë, me 11 nëntor 2015
*Romeo Gurakuqi
Drejtor i Shkollës Doktorale
Universiteti Europian i Tiranës
Komentet