Majlinda Kelmendi rikonfirmohet kampione e padiskutueshme e xhudos.
Pasi u shpall më e mira e Evropës javën e shkuar, sportistja nga Peja fitoi medaljen e artë në Grand Slemin e Parisit, një nga garat më prestigjioze ku marrin pjesë sportistë nga 84 vende të botës.
Në kategorinë deri në 52 kilogramë ajo mposhti me Ippon në finale zviceranen Evelin Tsçop. Për të mbërritur deri aty, 24-vjeçarja eliminoi në çerekfinale dhe gjysmëfinale përkatësisht japonezen Juki Hashimoto dhe Prishila Njeton nga Franca.
Medaljen e kampiones Kelmendi e mori shoqëruar nga tingujt e himnit të Kosovës.

Në një bisedë për portalin “Insidethegames” një ditë para sfidave, Majlinda pati deklaruar: “Për mua është ngjarja më e madhe e xhudos. Vitin e kaluar fitova të artën në Paris dhe ishte ndjenjë e mire të shihja 12 mijë spektatorë që nderonin himnin e Kosovës. Pas një kohe të gjatë po kthehem nga një lëndim dhe synimi im është të fitoj të artën në të gjitha garat e mia deri në ‘Rio 2016’”.

Bashkë me Majlinda Kelmendin, në kategorinë 52 kilogramë garoi edhe xhudistja tjetër e njohur, Distria Krasniqi. Ajo triumfoi ndaj japonezes Ai Shishime, por u mposht nga zvicerania Tsçop e cila preu biletën për në finale.
Ndërkohë, në kategorinë 57 kilogramë Nora Gjakova u eliminua në çerekfinale nga xhudistja japoneze Tsukasa Joshida.
Komentet