Presidenti i zgjedhur, Ilir Meta, akuzoi dje Kryeministrin Edi Rama se ëndrra e tij është ta shndërrojë Shqipërinë në një burg të madh me ngjyra dhe ai të jetë drejtuesi i tij. Meta, i ftuar në emisionin “Dritare” të Rudina Xhungës, tha se Edi Rama i ka kërkuar ndjesë me dhjetëra herë, por toleranca me të tashmë ka mbaruar.
Ai u shpreh se Rama po sulmon LSI-në për të rikthyer socialistët e zhgënjyer, por edhe se qeveria e Rilindjes drejtohet nga ish-funksionarët e Bashkisë së Tiranës. Për një koalicion të mundshëm pas zgjedhore me PD-në, Meta tha se ky do të jetë vendim i Petrit Vasili.
Jemi në vitin 2017. Si mund të ketë dhunë në vitin 2017, z.Meta?
Më thuaj, po të kesh një Kryeministër…
Ngjan e pamundur që njerëzit të…
Po të kesh një Kryeministër që, për fat të keq, po na zhgënjen çdo ditë e më shumë, që thotë: “Të dashur policë, hiqni kapelen pas orës 14:00 dhe dilni të mblidhni votat për PS-në”…
Rama kërkoi ndjesë, u tërhoq.
Kur?
Menjëherë më pas.
Ku kërkoi ndjesë? Si e kërkoi? Në ”Facebook”. Ditën tjetër?
Po, të nesërmen ose atë ditë, nuk e di.
Sa herë ka kërkuar ndjesë? Sa herë më ka kërkuar ndjesë ai mua? U bënë 20 vjet. 10 herë ka kërkuar ndjesë dhe më pas…
E bën sërish?
Sërish e shikon problemin te LSI-ja.
Qenka problemi juaj që e falni, atëherë. Ju ka kërkuar 10 herë ndjesë dhe ju e falni sërish?
E kemi pasur problem tolerancën, por tani ka ardhur koha për të marrë vendime të rëndësishme, kështu që nuk është këtu problemi. Problemi është se dëmi më i madh që po i bën z. Rama në Shqipëri është standardi i zgjedhjeve. Ky është standard tashmë i cenuar.
Ju thoni që zoti Rama kërkonte të kapte drejtësinë? Si do ta kaptë ketë?
Edi Rama tha se Reforma në Drejtësi është ajo që na ndau me zotin Meta. Reforma në Drejtësi që donte zoti Rama është praktikisht reforma që bëri në polici. Me drogën dhe situatën që ka policia sot. Dhe këtë reformë donte në mënyrë që të këtë një polici që fsheh provat e krimit, një polici që dhunon dhe mban në presion qytetarët e thjeshtë, të pambrojturit, apo ata që dyshohet që nuk janë me Rilindjen, se për socialistët nuk u bëhet vonë prej kohësh atyre. Dhe nëse Reforma në Drejtësi është në këtë moment, edhe pse e vonuar po jo e shkatërruar, kjo është vetëm prej LSI-së dhe Ilir Metës. Sepse Edi Rama donte një reformë që ta kapte drejtësinë, një reformë që ta përdorte siç ka përdorur policinë.
Si do ta kapte?
Përmes formave, siç ka kapur policinë. Njëkohësisht donte një reformë pa opozitën dhe donte ta shkatërronte opozitën, donte ta nxirrte që ishte opozita pengesë për këtë reformë, dhe natyrisht donte një reformë që ta ndihmonte atë të behej një drejtor i një burgu të madh që quhet Shqipëri, por burg me ngjyra.
Kjo është ëndrra e zotit Rama?
Për fat të keq po dhe ia kam thënë këtë gjë.
Çfarë thotë zoti Rama kur ju i thoni që ka ëndërr ta bëjë burg me ngjyra?
Nuk është se e pranon me dëshirë, por thellë-thellë ai është i bindur që ky mund të ishte projekti më i mirë që ai mund të bënte në jetën e tij. Për arsye se ai problem të madh nga mendimi alternativ, nga mendimi ndryshe dhe nga debati. E vetmja gjë që nuk di të bëjë është se ai nuk di të krijojë ekip dhe nuk di të punojë në ekip. Edhe ekipi i rilindjes, pavarësisht nga interesi, edhe ai është i përçarë, që nuk rrezaton as solidaritet, as kohezion dhe asnjë vlerë që duhet të ketë një ekip po themi socialist.
Keni një mesazh për socialistët që mendojnë se ju i keni marrë shumë nga bashkëqeverisja?
Kjo nuk është e vërtetë. PS-së peshën e saj, rolin saj ia ka marrë Rilindja, jo LSI-ja. Ajo që po ndodh pas marrëveshjes Basha-Rama është pikërisht një mashtrim që kërkon t’u bëjë zoti Rama socialistëve, të cilët janë harruar, revoltuar prej tij, janë mërzitur me arrogancën dhe mosmirënjohjen e tyre dhe i thotë hajeni prapë më votoni se unë ju kam lënë pas dore se fajin e ka pasur LSI-ja, sepse mori shumë LSI-ja. Por, në fakt, sot qeveria është ish-Bashkia e Tiranës. Në të gjitha pozicionet në qeveri, në gjithçka, përveç listave të kandidatëve për deputetë. Por kjo është çështje e tyre. LSI-ja me PS-në apo Rilindjen ka pasur më pak përfaqësim, sesa ka pasur me Partinë Demokratike të Sali Berishës. Problemi i socialistëve është me Rilindjen, por tani Rilindja është problem i të gjithë shqiptarëve.
A mund të ketë rikthim në marrëdhënien me z.Basha, të cilin ju e keni vlerësuar? Po flas pas zgjedhjeve? Midis z. Vasili dhe…
Kjo është një çështje që i takon z. Vasili dhe kryesisë së LSIsë. Unë tani jam thjesht një anëtar i LSI-së dhe siç thonë kot ata lider historik.
Pse, kështu ju thonë? Se zotit Nano kjo fraza “lider historik” nuk i doli mirë.
Po, nuk ka problem. Nuk përsëritet gjithmonë e njëjta gjë. Ajo që ne dëshirojmë të shikojmë te z. Basha është që ai të përpiqet të kontribuojë për një proces zgjedhor të ndershëm. Me integritet. Kjo është kryesorja. Pastaj pas zgjedhjeve këto nuk janë vendime që do t’i marr unë. Janë vendime që do t’i marrë kryesia e LSI-së. Z.Basha e kam thënë edhe më parë ka një avantazh, që nuk ka një lidhje simbiotike me bandat dhe me persona me rekorde kriminale. Nuk e ka këtë lloj varësie. Mund të ketë varësira të tjera, por këtë nuk e ka. Dhe kjo është një gjë pozitive sepse 25-26 qershori do të jetë një ditë e rëndësishme ndarjes së politikës dhe policisë nga krimi. Në mënyrë që vërtet të fillojmë edhe zbatimin e një reforme në drejtësi, e cila besohet nga të gjithë qytetarët shqiptarë. Harrova që ka edhe një avantazh tjetër. Ka një fotografi me Presidentin Trump.
Nuk është tip fotografie nga ato që thotë z. Rama, që ai nuk e njihte fare Bashën, por doli kot.
Nuk e di me Bilal, pa Bilal, por e ka kaq…
I shkon një politikani të majtë që ta mbështesë aq shumë z. Berisha?
E para njëherë Doktori është shumë herë më i majtë sesa Edi. Për këtë të jeni të sigurt. Unë nuk është se i shoh shumë në këtë aspekt gjërat. Unë e kam vlerësuar për disa qëndrime të tij, edhe pse kemi qëndrime të ndryshme për shumë çështje të tjera. Natyrisht që edhe respekti gjithmonë është diçka e rëndësishme në politikë, sidomos kur ke bashkëpunuar me të dhe ke kohë që nuk bashkëpunon më.
Keni thënë që është politikani më korrekt i tranzicionit.
Kjo është e vërtetë. Edhe para se ta them publikisht ia kam thënë edhe Ramës, ia kam thënë Ruçit. Ka qenë edhe Petrit Vasili. Unë nuk dua që Berisha të mbetet në CV-në time politikani më korrekt se nuk është mirë. Shqipëria duhet të ketë shumë politikanë të tjerë, të cilët mbajnë fjalën, janë transparentë, kanë integritet, marrin përgjegjësi. Në shohim politikanë që asnjëherë nuk mbajnë përgjegjësi. Gjithmonë duan t’ia faturojnë të tjerëve.
Komentet