Vera e vitit 2016 mund të cilësohet stina e kthesës së madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të Turqisë. Në harkun kohor të disa javëve politika e jashtme turke arriti të përmbysë situatën negative të karakterizuar nga një lloj izolimi diplomatik të saj dhe të ndryshojë tablonë e marrëdhënieve të ngrira me shtete të rëndësishme të rajonit si Rusia dhe Izraeli. Një kapitull i ri ka nisur tashmë në fushën e marrëdhënieve të saj ndërkombëtare në rajon. Gjatë muajit qershor marrëdhëniet e saj të ngrira me Rusinë, të cilat kishin pësuar një goditje të madhe nëntorin e vitit të kaluar, për shkak të incidentit me rrëzimin e avionit ushtarak rus, që shkeli nga Siria hapësirën ajrore turke, hynë në procesin e shkrirjes. Diplomacia e letrave të nivelit të lartë të shkëmbyera midis presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, e konkretizuar edhe me takimin e parë midis ministrave të Jashtëm të të dy vendeve në Soçi, solli rifutjen e marrëdhënieve në një kornizë bashkëpunimi të mëparshëm. Presidenti rus urdhëroi ndërprerjen e sanksioneve ekonomike dhe hapi dritën jeshile për rivërshimin e turistëve rusë në brigjet e Turqisë.
Në 27 qershor u shpall marrëveshja e ripajtimit midis Turqisë dhe Izraelit, pas gjashtë vjet ndërprerje të marrëdhënieve për shkak të incidentit me anijen turke të ndihmave humanitare, e cila u sulmua në ujërat ndërkombëtare nga forcat speciale izraelite, të cilët vranë 9 qytetarë turq. Në këtë frymë të re të ofensivës diplomatike të ripajtimit u njoftua në 7 korrik se një delegacion turk do të shkojë në Egjipt për të eksploruar rrugët e një ripajtimi me Kajron, marrëdhëniet me të cilën u ndërprenë pas grushtit të shtetit, që gjenerali al Sisi organizoi në korrikun e vitit 2013 për përmbysjen e presidentit të zgjedhur demokratikisht, Morsi.
Është në zhvillim e sipër një valë e re diplomatike e ripajtimit rajonal, e cila sjell një situatë të re gjeopolitike në atë rajon. Ripajtimi i Turqisë me shtetet e tjera të rëndësishme të rajonit si Rusia dhe Izraeli, apo Egjipti, ka një domethënie pozitive, si në planin e marrëdhënieve dypalëshe të Turqisë, si në planin e rolit rajonal të Turqisë, ashtu dhe në planin e përpjekjeve ndërkombëtare për stabilizimin e rajonit dhe luftën kundër terrorizmit. Dimensionin e gjerë të ofensivës së re diplomatike të Turqisë, kryeministri Binali Yildirim, e shprehu para disa ditësh, kur deklaroi se “Nga Rusia tek Izraeli, nga Egjipti tek Siria, nga Irani tek Iraku, ne jemi të vendosur të zhvillojmë lidhje paqësore, miqësore dhe praktike me secilin”.
Rruga për arritjen e këtij ripajtimi të Turqisë me disa partnerë të saj rajonalë nuk ka qenë e lehtë dhe në çdo problematikë dypalëshe të marrëdhënieve të saj ka pasur dhe ka specifikat e veta. Por diplomacia turke arriti që të realizojë sipërmarrjen e madhe të ripajtimit të saj rajonal me disa shtete të rëndësishme për gjeopolitikën rajonale dhe për interesat e vetë Turqisë.
Padyshim ofensiva diplomatike e Turqisë për ripajtimin me disa shtete të rëndësishme rajonale ka pasur nxitjen e saj nga zhvillime dhe efekte jo pozitive të ngrirjes së marrëdhënieve me Rusinë dhe me Izraelin. Turqia ka qenë gjatë një viti objektivi kryesor i atentateve terroriste të organizatave ekstremiste të Lindjes së Mesme, më shumë se çdo shtet tjetër. Për rastësi ose jo, intensiteti i atentateve terroriste në Turqi ka përkuar me periudhën e acarimit të marrëdhënieve të saj me disa shtete të rajonit, influenca dhe lidhjet e të cilëve në rrënjët e shumë problematikave dhe të të panjohurave rajonale janë të verifikuara. Përballë një armiku të tillë të rrezikshëm si terrorizmi i organizatave terroriste si Partia Punëtore Kurde, PKK, dhe i organizatave të tjera si ISIS apo Al Kaeda, nevoja e një sigurie ndërkombëtare dhe e raporteve të bashkëpunimit me aktorë të rëndësishëm të rajonit bëhet më jetike. Nga ana tjetër, ngrirja e marrëdhënieve me shtete si Rusia ka pasur efektet e saj të mëdha negative ekonomike, për shkak të sanksioneve ruse ndaj Turqisë në fushën e bujqësisë, ndërtimit dhe sidomos turizmit. Kushtet e reja të luftës kundër terrorizmit kërkojnë ekonomi të fortë dhe financa të forta, si dhe tregti ndërkombëtare në rritje, gjë që natyrisht nuk mund të realizohen në kushtet e përplasjeve të njëkohshme me disa shtete. Në rrethana të tilla, tek shtetet e pjekura dhe tek diplomacitë e pjekura dominon sensi i pragmatizmit dhe i nevojës për uljen e tensioneve dhe për rivendosjen e marrëdhënieve me shtetet në konflikt në nivelin e mëparshëm të bashkëpunimit.
Pragmatizmi dhe aftësia e diplomacisë turke në realizimin e këtij ripajtimi me disa shtete të rajonit konsiston në dy elemente. Së pari, në njohjen e nevojës së Turqisë për marrëdhënie të mira me shtetet e rajonit dhe me shtetet e interesuara për rajonin. Së dyti, në bindjen e partnerëve të ripajtimit mbi nevojën e tyre për Turqinë. Bashkimi i dy nevojave solli në stinën e pajtimit dhe në rivendosjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit të Turqisë me Rusinë dhe me Izraelin. Rusia ka nevojat e saj për Turqinë, e cila është konsumatori i dytë më i madh i gazit rus dhe në kohën e sotme nuk është aq e lehtë të gjesh konsumatorë të mëdhenj dhe t’i zëvendësosh ata. Nga ana tjetër, Turqia është udhëkalimi i vetëm për në Europë i çdo gazsjellësi, që do të vijë nga Rusia, Azia Qendrore apo Lindja e Mesme, dhe projekti rus i “Turkish Stream” është një projekt personal i presidentit rus. Rëndësia reciproke e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Turqisë është e tillë, saqë marrëdhëniet midis tyre lulëzuan edhe në periudhat e vështira të krizës siriane dhe të krizës ukrainase. Madje presidenti Putin e shpalli ndërtimin e gazsjellësit “Turkish Stream” në Ankara në dhjetor të vitit 2014, kur kishte ndodhur edhe pushtimi rus i Krimesë dhe Rusia kishte filluar të ndërhynte ushtarakisht në Siri. Nuk mbetet jashtë llogarisë rus edhe influenca dhe lidhjet e shumanshme të Turqisë me shtetet turke të ish-Bashkimit Sovjetik. E njëjta nevojë është dhe tek Izraeli, i cili me prishjen e marrëdhënieve me Turqinë humbi aleatin e vetëm anëtar të NATO-s në rajon, humbi shtetin me të cilin kishte një bashkëpunim të shkëlqyer ushtarak dhe në fushën e inteligjencës. Drejtori i përgjithshëm i MPJ të Izraelit, Dore Gold, e përkufizoi kështu ripajtimin midis dy shteteve: “Ajo që kemi me Turqinë, është një konvergjencë e interesave strategjike”. Nevoja energjetike e eksportit të gazit izraelit nëpërmjet territorit turk është gjithashtu një konsideratë strategjike, sepse siç shkruante i dërguari i posaçëm i SHBA për bashkëpunimin energjetik ndërkombëtar, Amos Hochstein,: “Njoftimi i normalizimit të marrëdhënieve midis Izraelit dhe Turqisë ofron një rast të rrallë për rritjen e bashkëpunimit për energjinë”. Kurse sekretari i përgjithshëm i OKB, Ban Ki Moon, e përshëndeti marrëveshjen midis Izraelit dhe Turqisë si një shenjë stabiliteti në rajon.
Ripajtimi i Turqisë me shtete të rëndësishme të rajonit duhet konsideruar si një rrethanë e re gjeopolitike pozitive në rajon dhe lëviz për mirë balancat strategjike atje. Ai krijon një kohezion të ri të shteteve dhe të forcave, që luftojnë terrorizmin në Lindjen e Mesme. Natyrisht duhet kuptuar se ripajtimi nuk është një akt final, që mbaron në një ditë, por është një proces në vazhdim, i cili kërkon ndërtimin e masave të besimit midis shteteve përkatës. Është e rëndësishme që ripajtimi krijon një marrëdhënie të re ndërkombëtare në rajonin e Lindjes së Mesme, e cila favorizon përpjekjet për stabilizimin e situatës dhe zgjidhjen e krizave atje.
Në rastin e procesit pozitiv të ripajtimit turk me Rusinë dhe me Izraelin, në disa qarqe diplomatike po flitet për një rikthim të Turqisë në doktrinën e saj të njohur të “zero problemeve” me shtetet e tjera. Që kur erdhi në postin e tij në maj të këtij viti, kryeministri i ri turk Yildirim shpalli devizën e vet: “Të rrisim numrin e miqve dhe të pakësojmë numrin e armiqve”. Duket një premtim i realizuar shpejt. Mendoj se ka pasur një keqkuptim apo një kuptim semplist të doktrinës së “zero problemeve” edhe në Ballkan, edhe nga disa forca politike në Shqipëri. “Zero probleme” nuk do të thotë gjetja e shkopit magjik të zgjidhjes së problemeve me fqinjët brenda ditës dhe as nënshtrim ndaj fqinjëve për t’u plotësuar atyre lëshime në sovranitet dhe në integritet. “Zero probleme” do të thotë gatishmëri për të zgjidhur mbi baza reciprociteti problemet me fqinjët dhe që natyrisht kërkon dhe të njëjtën gatishmëri nga pala tjetër.
Në planin profesional mund të thuhet se pragmatizmi i treguar nga diplomacia turke për ripajtimin me shtete si Rusia dhe Izraeli, është një tregues i rëndësisë së adaptimit të diplomacisë me rrethanat konkrete, që has shteti në etapa të ndryshme të marrëdhënieve me shtetet e tjera. Praktika e diplomacisë mëson se ka një korelacion ndërvarës midis diplomacisë së fortë dhe diplomacisë pragmatike. Turqia në planin diplomatik ka demonstruar forcën e saj në përballjen dhe ballafaqimet me shtete si Rusia dhe Izraeli. Por gjithashtu ajo demonstroi edhe aftësinë e kuptimit të nevojës për kompromisin dhe për mirëkuptimin e interesave reciproke. Në rastin e ripajtimit me Rusinë dhe Izraelin, Turqia tregon se një shtet funksional di të qëndrojë me forcë përballë çdo situate dhe të kapërcejë atë situatë, duke kërkuar dhe gjetur rrugën e kompromisit, po ashtu me dinjitet. Ky është një mësim shumë i vlefshëm për shtete të vegjël si Shqipëria, udhëheqësit e së cilës në periudhën e tranzicionit e kanë kuptuar kompromisin si përulje ndaj palës tjetër. Pragmatizmi i suksesshëm diplomatik i Turqisë është aftësia për t’i imponuar partnerëve raporte barazie dhe dinjiteti.
Komentet