Këshilli i Sigurimit të OKB-së, mbrëmë me kërkesë të Francës dhe Britanisë së Madhe mbajti mbledhje të jashtëzakonshme për situatën në Alep
NEW YORK – Ambasadori i Përhershëm i Rusisë në Kombet e Bashkuara (OKB) Vitaly Churkin deklaroi mbrëmë se lufta në lindje të Alepit ka përfunduar dhe se forcat e regjimit kanë marrë kontrollin mbi qytetin.
Këshilli i Sigurimit të OKB-së, mbrëmë me kërkesë të Francës dhe Britanisë së Madhe mbajti mbledhje të jashtëzakonshme për situatën në Alep, ndërsa pas takimit, ambasadori Churkin u tha gazetarëve se operacionet ushtarake në lindje të Alepit kanë ndaluar dhe se rebelët kanë filluar të braktisin zonën.
“Lufta në lindje të Alepit ka përfunduar. Qeveria siriane ka marrë kontrollin e zonës”, tha Churkin.
Ai tha se është arritur një marrëveshje që civilët nga pjesët lindore të Alepit të evakuohen në Idlib, ndërsa në pyetjen e gazetarit nëse vallë Rusia do të bombardojë edhe atë qytet Churkin tha shkurt, “ju lutem të jeni pak më të përgjegjshëm”.
I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura tha se në lindje të Alepit ka rreth 50.000 civilë dhe rreth 1.500 rebelë të armatosur, nga të cilët gati një e treta anëtarë të grupit al-Nusra.
“Akoma nuk është e qartë nëse gjatë braktisjes së qytetit rebelët do të mund të mbajnë armatimin e lehtë, kjo po shqyrtohet. Kryengritësit do të largohen në Idlib, ndërsa ne këmbëngulim që t’u lejohet shkuarja atje të cilët dëshirojnë një gjë të tillë”, tha Mistura.
Ambasadori britanik në OKB, Matthew Rycroft, nga ana e tij tha se shumë gra në Halep kanë bërë vetëvrasje në mënyrë që të mos përdhunohen ndërsa tha se kanë informacione se disa njerëz janë djegur të gjallë.
Sipas tij, fitorja në Alep nuk do të thotë fitore të regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad i cili nuk do të mund të sundojë shtetin të cilin e ka shkatërruar dhe ndarë.
Ambasadorja amerikane në OKB, Samantha Power akuzoi Rusinë dhe Iranin se po ndihmojnë Asadin në kryerjen e krimeve në Halep.
“Alepi do të mbetet njollë në ndërgjegjen tonë historike, ashtu siç është Ruanda dhe Srebrenica”, tha Power dhe parashtroi një pyetje retorike: “A kanë një fije turpi Asadi dhe aleatët e tij?”. aa
Komentet