Parulla është momenti që shkrin e bashkon ndarjen teori-praktikë. Shkrimi i parullave është një nga format e praktikës politike. Ajo thërret e nis aksionin, u jep formë materiale koncepteve duke i trupëzuar kolektivisht. Aty ku fjala bëhet vepër, për t’u teorizuar e ndjekur kështu spiralen dialektike të zhvillimit. Funksioni i tyre është drejtimi e mobilizimi i njerëzve drejt një veprimi a linje të caktuar. Parullat qartësojnë rrugën, ato na udhëheqin. U drejtohen masave të gjera, ndaj shprehja e tyre nuk e duron gjuhën teknike të profesioneve. Parulla nuk lejon as përsiatje e spekulime abstrakte, ajo duhet të kuptohet e përvetësohet që në çastin e leximit.
Por, nga kërkesa për thjeshtësi nuk duhet të bredhim në keqkuptime që zhvlerësojnë parullat duke i zhytur ato brenda llumit të llafeve të çarshisë, formave trendy të reklamës, apo cinizmit postmodern. Parulla është vepra që vë në lojë konceptet për të mbushur me kuptim fjalët. Mjeshtëria kryesore qëndron tek zotësia që shkurtimi i tekstit të përbëjë ngjeshje dhe jo zbrazje nga kuptimi. Ato ngjallin fuqi mobilizuese për aq sa arrijnë ta kthejnë në formë të shkurtër dhe të kondensuar kontradiktën kryesore të kohës. Parullat do të mbeten shënjuese që karakterizojnë një periudhë të caktuar historike, për aq sa janë orientuese e frymëzuese të aktualitetit.
Si janë qytetet tona me parulla? A janë parullat tona thirrëse e mobilizuese? A ju flasin ato njerëzve? A kanë kreativitet? Së fundi, në Prishtinë kemi parë parulla që tallen me kritikën që i bëhet SHIK-ut. “SHIK-u detyron borën të bie në Prishtinë”, thotë njëra prej tyre. Duke i përshkruar fuqi mbinatyrore, kritika ndaj SHIK-ut shkon në absurd. Parulla sugjeron se kjo organizatë kriminale është mitizuar, se rreziku prej saj është i stisur. Porosia e fshehur e saj kërkon prej nesh të akomodohemi me praninë e SHIK-ut. Kjo parullë është vënë në funksion të amortizimit të revoltës. Kjo është antiparullë.
Një parullë e shkruar rishtas është në formën e thirrjes: “Jo luftë mes popujve, jo paqe mes klasave”. Parulla sikur kërkon pozicionim radikal. Luftë kundër shfrytëzimit, luftë e klasave deri në zhdukjen e tyre, apo jo?! Por, për të hyrë në punë, parulla duhet përkthyer në kontekstin konkret politik. Një parullë e ngjashme ka qenë rezultat i analizave të sakta në vigjilje të Luftës së Parë Botërore. Punëtorët e organizuar në partitë socialdemokrate anembanë botës përkufizuan qartë këtë luftë si luftë imperialiste. Faza monopoliste e kapitalizmit po shtrinte përtokë konkurrentët e vegjël, centralizimi i kapitalit përqendrohej drejt financës, tregjet e brendshme ishin pushtuar. Perandoritë në rritje si Gjermania kërkonin ekspansion, pra më shumë tregje e burime në vendet e treta, duke cenuar kështu influencën e Britanisë së Madhe që ishte fuqia kryesore dhe qendra e kapitalit të asaj kohe. Kështu, duke analizuar dinamikat e akumulimit të kapitalit ishte kuptuar se një luftë e përmasave të gjera mund të ndodhte. Në një situatë të tillë, udhëzimi i Internacionales kërkonte që punëtorët e shteteve ndërluftuese të mos bëheshin mish për top duke luftuar njëri-tjetrin për hesap të pronarëve. Në vend të kësaj punëtorët përgatiteshin që kur shteti i tyre të nisë ekspansionin jashtë, ata të fillonin kryengritjen nga brenda.
A janë të vetëdijshëm autorët tanë për konsekuencat e kësaj parulle? A e dinë ata se me një shkrolë të tillë në rrugët e Prishtinës po e zhvlerësojnë e përçmojnë mbarë lëvizjen çlirimtare të shqiptarëve së paku përgjatë shekullit të fundit?
Kthehemi një shekull pas për të demantuar pretendimin idiot për luftën mes popujve. Ndërmendim këtu Komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës që udhëhiqej nga Hasan Prishtina. Dy nga 10 pikat e kërkesave të kryengritjes ndalonin rreptësishtë vrasjen e civilëve serbë, plaçkitjen apo djegien e shtëpive, por edhe ruajtjen e kishave dhe objekteve tjera të kultit. Vazhdojmë me lëvizjen ilegale të pas Luftës së Dytë Botërore. Ja dhe parullat e pranverës ’81: “Trepça punon, Beogradi ndërton”, “Kosova si vend, por edhe si kombinat është e jona”. A nuk tregojnë këto parulla se lufta për vetëvendosje është luftë kundër shfrytëzimit?! Lufta kundër “Zajednicës” është luftë kundër shfrytëzimit sepse është luftë për të mbrojtur minierat e “Trepçës” e të Artanës; ajo bëhet për të mbrojtur liqenin e Ujmanit; për të ruajtur thëngjillin në Rrafshin e Kosovës; për të ndaluar përgjysmimin e tregut të telekomunikacionit e energjisë. A vlen e njëjta gjë edhe për luftën e UÇK-së, apo na erdhi puna të argumentojmë edhe për këtë?!
Autorët e parullës gabojnë edhe kur e identifikojnë popullin serb me regjimin e Vuçiqit. Ata e gozhdojnë atë duke e lënë brenda qerthullit ideologjik prej të cilit është i përthithur aktualisht, duke ia mohuar kështu potencialin çlirimtar, siç i kanë harruar edhe elementët përparimtarë brenda tij në të shkuarën. Një prej tyre e disponojmë edhe të përkthyer së fundi. Në librin e tij “Serbia e Shqipëria” Dimitrije Tucoviq denoncon saktë aspiratat pushtuese të borgjezisë serbe drejt Adriatikut.
Përfundimisht, parulla e shkruar në formën e një mohim i dyfishtë nuk mund të lartësohet në rangun e një sinteze. Ajo është obskurantiste dhe si e tillë mbetet veç gënjeshtër e dyfishtë.
Parullat nuk ngrenë pikëpyetje e dilema, ato na drejtojnë; parullat nuk mund të shfrytëzohen për ta normalizuar SHIK-un brenda nesh; parullat nuk mund të përdoren si skenë për të rënë në sy apo veçuar dikush sepse vetë ato synojnë syrin kolektiv të masave; parullat janë anonime edhe kur shkruhen publikisht, sepse gjithë vëmendja është tek porosia e tyre./Zëri
Komentet