Voal – Ruth Maier lindur më 10 nëntor 1920 në Vjenë, Austri dhe vrarë më 1 dhjetor 1942 në Aushvic, ishte një vajzë austriake ditari i së cilës me përvojat e saj të Holokaustit në Austri dhe Norvegji është botuar në vitin 2007. Ky libër e bëri të njihet si “Ana Frank e Norvegjisë.”
Ruth Maier ka lindur në Vjenë në një familje kryesisht të asimiluar hebreje. Babai i saj, Ludwig Maier, ishte doktor në filozofi, ishte një poliglot (dinte nëntë gjuhë), dhe ka mbajtur një post të lartë në postë-telegrafin austriak. Ai vdiq në vitin 1933. Kushëriri i saj i parë, i cili i mbijetoi luftës, është filozofi Stephan Körner.
Motra e saj më e vogël arriti të ikë në Mbretërinë e Bashkuar. Nëpërmjet kontakteve të babait të saj, Ruth pati mundësi të gjente strehim në Norvegji, ku ajo ka arritur atje me tren më 30 janar 1939. Ajo ishte e vendosur për disa kohë tek një familje norvegjeze. Pasi mësoi ta fliste rrjedhshëm norvegjishten brenda një viti, ajo përfundoi me sukses studimet Magister artium dhe u miqësua me poeteshën e ardhshme Gunvor Hofmo në një kamp pune vullnetare në Biri. Të dyja u bënë të pandashme, duke jetuar e punuar së bashku në vende të ndryshme në Norvegji.
Ruth ishte gjithashtu një nga modelet për statujën “E habitura” vepër e skulptorit Gustav Vigeland. Kjo vepër arti ndodhet në Frogner Park në Oslo. Vigeland e filloi punën në vitin 1904. Kjo skulpturë ka fytyrën e Inga Syvertsen dhe për siluetën skulptori ka patur si modele Maier. Skulpturën e tij Vigeland e përfundoi më 1942 dhe ajo u derdh në bronz më 2002. Ruth ishte modele edhe për piktorin norvegjez Åsmund Esval.
“E habitura” vepër e skulptorit Gustav Vigeland, që ndodhet në Frogner Park në Oslo dhe për skulptoin ka pozuar Ruth Maier
Arrestimi, deportimin në Auschwitz dhe vdekja
Unë besoj se është mirë që ka ardhur kjo. Përse nuk duhet të vuajmë, kur ka kaq shumë vuajtje? Mos u shqetësoni për mua. Ndoshta unë nuk do të desha të ndërroja vendin me ty. Ich glaube dass es gut ist wie es gekommen ist. Warum nicht wir sollen Leiden wenn so viel Leid ist? Sorg dich nicht um Mich. Ich möchte vielleicht nicht mit dir tauschen. -Ruth Maier, shënim i fundit për Gunvor Hofmo.
Ruth banonte në një dhomë me qera në Dalbergstien 3 në Oslo në fillim të vjeshtës të vitit 1942 ku u arrestua më 26 nëntor 1942 dhe deportuar me anijen Donau nga trupat SS në të njëjtën ditë. Arriti në Aushvic më 1 dhjetor 1942 dhe u çua direkt në dhomat e gazit. Ishte vetëm 22 vjeç.
Kur kanë ardhur ta marrin asaj nate, i ka rënë ora e dorës prej floriri, dhe njëra nga fqijat e saj i ka thënë, se do t’ja ruajnë deri sa të kthehet, e vajza është përgjigjur qetësisht: “Unë nuk do të kthehem këtu kurrë më”.

Publikimi i ditarit
Shoqja e ngushtë Gunvor Hofmo e ka mbajtur ditarin e Ruth dhe shumë letra të korrespondencës së saj. Pas vdekjes të saj më 1995, Jan Erik Vold arriti t’i ketë në dorë letrat e Ruth, të cilat u botuan në vitin 2007. Vold ishte kaq i impresionuar nga vlera letrare e ditarëve, sa e ka krahasuar talentin letrar të Ruth Maier me atë të Hannah Arendt dhe Susan Sontag. Libri është përkthyer në anglisht nga Jamie Bulloch në vitin 2009.
Shumica e ditarit të Ruth është ruajtur nga 1933 deri 1942. Ajo përshkroi në ditarin e saj përkeqësimin e kushteve për popullsinë hebreje të Austrisë pas Anschluss në vitin 1938, ajo shkroi reagimin e saj për ndryshimin që i pësoi jeta dhe po ashtu shprehu me zjarr mallin për familjen.

Më 2012 qeveria e Norvegjisë kërkon falje
Në një fjalim të tij që daton 27 janar 2012, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, Kryeministri i Norvegjisë Jens Stoltenberg ka kërkuar falje zyrtarisht për rolin e luajtur nga norvegjezët në lidhje me dëbimet e hebrejve. Siç është raportuar në faqen zyrtare të Qeverisë së Norvegjisë, Stoltenberg e mbajti këtë fjalim në portin e anijeve në Oslo, ku u deportuan 532 hebrej me anijen Donau drejt e në kampet naziste. Ja çfarë shkruan ai midis të tjerave:
“Në këtë anije ishte edhe 22 vjeçarja Ruth Meier, jeta e së cilës përfundoi në dhomat e gazit në Auschwitz. Ruth Meier u arrestua në agimin e 26 nëntorit 1942. Zhurma e çizmeve të rënda u dëgjua nga të gjithë banorët e konviktit “Englehjemmet”të Oslos. Pak minuta më vonë, vajza e re hebreje u pa nga miqtë e saj tek dera e Dalsbergstien 3, duke e detyruar të hypte në një kampion të zi. Pesë ditë më vonë 22-vjeçarja do të vritej në dhomat e gazit në Aushvic. Ajo ështe dëshmi e fajeve tona njerëzore, që ne të mësojmë prej tyre. Më shumë se 50 vjet pas përfundimit të luftës, Storting – Parlamenti norvegjez vendosi që qeveria të bënte një likuidim për t’i çdëmtuar ekonomikisht hebrejtë, po ashtu shteti pranoi përgjegjësinë morale për krimet e kryera kundër hebrenjve norvegjezë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Po në lidhje me krimet kundër Ruth Maier dhe hebrejve të tjerë? Vrasjet u kryen padyshim nga nazistët. Por ishin norvegjezët që kryen arrestimet. Ishin norvegjezët që çuan kamionët. Dhe e gjithë kjo ndodhi në Norvegji.”, thuhet në fjalën e kryeministrit norvegjez Jens Stoltenberg, mbajtur në 27 janarin e vitit 2012.
Në bordin e anijes Donau, asaj nate të tmerrit,e cila do të ishte edhe udhëtimi i fundit për Ruth Maier u transportuan për në Auschwitz 188 gra e vajza, 42 fëmijë dhe 116 burra e djem. Me drejtimin për në dhomat e gazit. Përktheu dhe përgatiti Elida Buçpapaj
Komentet