ALI MEMA LEGJENDARI I BARDHEBLUVE
SKEDA
Emri: Ali
Mbiemri: Mema
Vendlindja: Tiranë
Datëlindja: 1 shkurt 1943
Arsimi: ILKF “Vojo Kushi” ku diplomohet “Mësues i Edukimit Fizik”
Roli: Mesfushor organizator me tipare sulmuese
Skuadrat me të cilat është aktivizuar: SK Tirana, Vllaznia (gjatë kohës kur kryente zborin ushtarak passtudentor), Partizani (në kupat ballkanike), Dinamo (në kupat ballkanike), SK Tirana
Numri në fanellë: 6
Trofe
Kampionate: 4 me SK Tirana (17 Nëntori) në sezonet 1964-1965, 1965-1966, 1968 dhe 1969-1970
Kupa të Shqipërisë: 1 me SK Tirana (17 Nëntori) 1963
Kampionate si zv-trajner: 3 me SK Tirana (17 Nëntor) 1981-1982, 1984-1985, 1996-1997
Me ekipin Kombëtar: 12 ndeshje
Me ekipin olimpik: 3 ndeshje
Takime ndërkombëtare miqësore dhe zyrtare për Kupën e Kampioneve dhe Kupën Ballkanike midis klubeve: 80
Mban titujt: “Mjeshtër i Madh”, “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar”, “Nderi Sportit Shqiptar”, “Legjenda e Futbollit Shqiptar”, “Fisnikëria Tiranase”, ” Simbol i Tiranës”, “Mirënjohje e Qytetit të Tiranës”, në “Librin e Artë” të Klubit të Futbollit “Tirana”
Kam pyetur shumë, kam parë jo pak por jashtëzakonisht shumë, kam ndjekur që fëmije ndeshjet e Tiranës, por rrallë, ose asnjëherë nuk kam gjetur një pozicionim të tillë. Nëse Tirana ka pasur një futbollist, më i madhi i gjithë historisë së tij ka qenë Ali Mema, teë paktën kjo ka qenë edhe rezultantja e asaj që kam hulumtuar gjatë karierës time prej më shumë se 40 vjet si gazetar. Thuajse pa fjalë, por me një përgatitje të jashtëzakonshme Liu do bëhej dhe insipruesi i trofeve të skuadrës bardheblu në vitet 60-të.
Më 1 shkurt 1943, në familjen e njohur tiranase Mema, që aq shumë i ka dhënë deri më sot futbollit kryeqytetas dhe atij kombëtar lindi Ali Mema, një ndër futbollistët më të shkëlqyer që kanë zbritur deri më sot nëpër fushat e gjelbra të futbollit shqiptare. Në mënyrë të padiskutueshme ai është një nga futbollistët më të mëdhenj jo vetëm i Tiranës por edhe i gjithë Shqipërisë. Tek Ali Mema ishin ndërthurur në mënyrën më të përsosur si talenti e mjeshtëria e lartë sportive, ashtu edhe sedra, grinta e karakteri i jashtëzakonshëm. Aliu është një prej pesë djemve nga familja Mema, që bënë emër në futbollin tonë. Eshtë i treti futbollist dalë nga familja e nderuar kryeqytetase e Mustafa Memës pas Haxhiut e Osmanit, të cilët arritën nivelin më të lartë në futbollin shqiptar.
Një mesfushor kolos i palodhur dhe i pathyeshëm në çfarëdo lloj situate, mjaft rezultativ në mbrojtje edhe në sulm, i tillë ka mbetur në kujtesën e futbolldashësve të viteve 60-të-70-të Ali Mema. Hapat e parë si futbollist i hodhi aty në kalldrëmin e rrugicës “Shyqyri Bërxolli”, ku ndodhet edhe sot banesa e të parëve të familjes Mema, sigurisht me dëshirën për t’i gjasuar Haxhiut vëllait më të madh. Më vonë në oborrin e shkollës “Kostandin Kristoforidhi”, të cilën e kishte vetëm dy hapa larg shtëpisë dhe pasi u aktivizua me ekipet e grupmoshave kalon tek ekipi i të rinjve të Tiranës, ku shumë shpejt falë talentit dhe aftësive të jashtzakonshme bëhet pjesë e ekipit të parë.
Ishte viti 1960, kur sapo kishte shkelur në pranverën e 17-të të jetës, trajneri i të rinjve Xhavit Demneri pas mbarimit të seancës stërvitore i thotë që të nesërmen duhet të paraqitet pranë ekipit të të rriturve, për t’u vënë nën urdhrat e trajnerit të njohur Myslym Alla. Dhe shumë shpejt mbërrin “beteja” e parë sportive. Në një “Qemal Stafa” të tejmbushur luhet derbi me Partizanin. Kishin mbetur edhe 10 minuta lojë. Të kuqtë kryesonin 2-0. Trajneri Alla i thotë: “Bëhu gati!” Edhe pse nën peshën e emocioneve të mëdha zbret në fushën e lojës, ku ka për detyrë të mbulojë një emër të madh Refik Resmen.
Vetëm 10 minta lojë ishin, por vlerësimi i teknikut Alla për Ali Memën ishte me notën 10. Bardheblutë e humbën atë ndeshje, por Tirana kishte fituar një futbollist me vlera, që pas kësaj do të shquhej në realizimin e detyrave në të gjithë pozicionet ku do të luante. Ali Mema ishte i shkëlqyer në organizimin e lojës, i pashoq në nivelin teknik e taktik, me një vrapim karakteristik dhe kërcyeshmëri të lartë, i papërsëritshëm në saktësinë dhe forcën e goditjeve me të dyja këmbët dhe sidomos me kokë. Por, mbi të gjitha ai shquhej për shpirtin e garës si askush, moralin e lartë e të pathyeshëm dhe karakterin e jashtëzakonshëm, paharruar që për të, të gjitha përballjet ishin njësoj.
Një lojtar kolos i mesit të fushës, “mbret” i këtij sektori delikat e mjaft të rëndësishëm në kuptimin e plotë të fjalës, i tilli ka mbetur në kujtesën e të gjithë atyre që patën fatin ta shohin Ali Me të të pranishmëve i la gjithmonë jo vetëm fushat e stadiumeve tona, por edhe ato të stadiumeve an e mbanë kontinentit të vjetër: Amsterdamit, Belfastit, Stambollit, Bukureshtit, Liezhit, Kilmarnokut, Gjenevës, Beogradit, Sofjes, Dortmundit dhe Roterdamit.
Në qershor të vitit 1965 pas 28 vitesh Tirana fiton titullin e parë të pas luftës. Por, më parë se të mbërrinin tek ky sukses kishin mbetur për t’u luajtur edhe dy ndeshje. E para me Skënderbeun në Korçë, ku dy minuta para përfundimit korçarët kryesonin 3-2. Disfatë kjo që i largonte bardheblutë nga titulli. Por, shpirti i paepur i Ali Memës thoshte: “Jo, titulli do të jetë i joni”. Dhe 40 sekonda para vërshëllimës së fundit është ai që barazon shifrat, 3-3. Rruga drejt titullit është e hapur, teksa ka mbetur për t’u luajtur edhe një ndeshje e fundit me Flamurtarin e Vlorës, ku një gol tjetër spektakolar i tij “vulos” fitoren minimale dhe bardheblutë ngrenë lart trofeun e shtatë.
Po bëhet gati një gjysmë shekulli, por në Tiranë ende e kujtojnë atë mbrëmje të paharruar të 25 qershorit 1965 ku i gjithë kryeqyteti festoj deri vonë. Një vit më pas në finish të kampionatit përsëritet e njëjta situatë. Në javën e fundit Tirana e Partizani vinin me pikë të barabarta. Të kuqtë luanin në “shtëpi” kurse bardheblutë në transfertë me durrsakët e Lokomotivës, që atë sezon i drejtonte në pankinë Loro Boriçi, që aq shumë i kishte dhënë Partizanit. Ishte ky fakt pra që e vështirësonte dyfish përballjen me “djemtë e detit”. Por, bardheblutë me një “regjisor” të paparë në mesfushë si Ali Mema, mbështetur edhe nga mijra tifozë që kishin udhëtuar drejt Durrësit edhe me biçikleta triumfojnë thellësisht 3-0. Dhe autor i njërit pre golave është padyshim Ali Mema. Një javë më pas për të përcaktuar ekipin kampion në “Qemal Stafa” luhet derbi Tirana-Partizani. Bardheblutë triumfojnë 2-1, dhe për të dytin sezon radhazi e bëjnë titullin pranë të tyren
Në moshë shumë të re vesh edhe fanellën e ekipit Kombëtar, ku spikat veçanërisht në ndeshjet e paharruara ndaj Irlandës së Veriut (1-1, 21 nëntor 1965) dhe RFGJ (0-0 më 17 dhjetor 1966). Ndërkohë mjaft i suksesshëm është me fanellën bardheblu në ndeshjet ndaj Rapidit të Bukureshtit, Beshiktashit të Stambollit, Cernamores së Varnës (Bullgari) etj, në kuadër të ndeshjeve për kampionatin ballkanik. Ndërkohë spikat dukshëm në pjesmarrjet e Tiranës në kupën e kampioneve të Europës (sot Champions League) në takimet me Standart Liezh (Belgjikë), Kilmarnok (Skoci) dhe Ajaks i Amsterdamit (Holand).
Gjatë kësaj periudhe Ali Mema aktivizohet si përforcues në ndeshje të shumta ndërkombëtare me fanellën e Dinamos, Partizanit e Vllaznisë. Pas vitit 1972 ku ndërpreu karrierën ftubollistike ka punuar për shumë vite si mësues i edukimit fizik në shkollën e mesme “Harry Fulc” dhe në periudha të ndryshme bashkë me Enver Shehun, Sulejman Memën, Luan Senglën e Krenar Alimehmetin ka drejtuar në pankinën e skuadrës. Deri sa doli në pension kreu detyrën e inspektorit në FK Tirana.
TREGIM PER PENALLTITE E ALI MEMES
Më 7 prill 1963 Ali Mema kishte kontribuar ndjeshëm në fitoren e Kupës së Shqipërisë në një finale të paharruar me Besën në fushën e Kavajës. Takimi i parë në Tiranë kishte përfunduar 2-3 për kavajasit, por në ato vite nuk vlerësohej goli në fushën kundërshtare kështu që me fitoren e Tiranës 1-0 në ndeshjen e kthimit, për të përcaktuar fituesen e Kupës loja u shty 2 X 15′. Gjithsesi shifrat nuk ndryshuan, por Tirana për shkak dëmtimesh kishte humbur dy portierët, Met Metanin dhe Esad Beliun çka e kishte detyruar teknikun Alla të urdhëronte Ali Memën të zinte vend mes shtyllave në roje të portës.
“Detyrë e vështir – rrëfen ai pas 55 vitesh -gjithsesi pa hezituar fare zura vend në portë. E këtë detyrë e mora sepse nuk kisha asgjë për të humbur, përkundrazi doja të fitoja me Tironën. T’habit Raxha do gjuante për Besën. As që u mendova, por u hodha pasi ai gjuajti topin. E prita. Pas tij për ne do gjuante Ben Bukoviku. “çyç” e plotë, binte shi dhe rrjeta e tund nga goditja e tij,. Përsëri radha e kavajasve dhe përsëri pres unë. Përsëri Beni dhe përsëri gol. Ishim shumë pranë fitores, T’habiti këtë herë u mundua të më mashtronte, por duke mos qenë portier as që e çava kokën. Përsërita të njëjtin rit dhe ia prita penalltinë. Në këto momente më vjen Ben Bukoviku e më thotë “Liu, gjuaje ti këtë penallti”. Qejf kisha, sepse në kampionat gjuaja, por mendova pse ta bej si ajo lopa që pasi i mjel qumështin e derdh më pas me këmbë. Dëshirën e kisha, por edhe frika ish e madhe, kështu që ia lashë përsëri Benit, i cili me golin e shënuar i solli edhe trofeun e parë të paslusftës Tiranës”. Por historia nuk mbaron këtu. Disa kohë më vonë ekipi Kombëtar në përbërje të të cilit ishte padyshim Ali Mema, zhvillon me Besën në Kavajë një ndeshje stërvitore. Sigurisht Kombëtarja fitoi, por ndeshja nuk përfundoi këtu. Teksa të gjithë lojtarët po hynin nëpër dhomat e zhveshjes, Rexha i lutet Memës të kthehen në fushë për t’i gjuajtur një penallti. Mema pranon, shikuesit që ende s’ishin larguar kthehen dhe ndjekin një skenë të paharruar. Ali Mema zë vend në portë, kurse T’habit Rexha vendos topin tek pika e penalltisë, me vrull dhe godet fuqishëm. Por, Ali Mema e mbërthen topin me të dyja duart. Pas kësaj ishin të qeshurat e dy miqve dhe të të pranishmëve, që kujtuan edhe një herë atë finale ku Ali Mema shkëlqeu edhe si portier.
“DINASTIA MEMA”
Në rrugicën “Shyqyri Bërxolli” ngjitur me shtëpinë e profesor Luigj Shalës vegjetoj ndër vite “Dinastia Mema”, e cila nis rrugëtimin e saj në sporte në vitin 1947 me Haxhi Arbanën (Mema), që 17-vjecar veshi për herë të parë fanellën e Tiranës, ndërkohë kulmin e talentit të tij e pati në vitet 50-të tek Partizani. Beqiri, i vëllai ndryshe nga djemtë e tjerë të Mustafa Memës luajti basketboll me Tiranën, dhe pati fatin të jetë në një ekip me emra të mëdhenj si mjeshtrat Feti Borova, Fatmir Meka, Njazi Lleshi, Boris Bumci dhe Xhorxhi e Andon Kona. Osmani, djali i tretë mesfushori i “betontë” i Tiranës dhe i Partizanit, katër herë kampion me bardheblutë më 1964-1965, 1965-1966, 1968 dhe 1969-1970, që para këtyre kishte regjistruar në karrierën e tij tre të tillë me Partizanin gjatë kohës kur kryente shërbimin ushtarak. Aliu, djali i fundit padiskutim më i madhi i “Dinastisë Mema”, e padyshim ndër më të mëdhenjtë e Shqipërisë. Vecmas fanellës bardheblu, me të cilën mban katër tituj kampion më 1964-1965, 1965-1966, 1968 dhe 1969-1970, dhe të kombëtares në 12 ndeshje (e para në fitoren 1-0 ndaj Danimarkës më 30 tetor 1963, me golin e Panos në 3′, dhe e fundit në barazimin historik 0-0 me Gjermaninë më 17 dhjetor 1967), ka veshur edhe ato të Vllaznisë (kur kreu zborin 6-mujor pas universitetit), dhe të Dinamos nëpër takime ndërkombëtare. Luiza, bashkëshortja e Aliut, atlete ka garuar për Tiranën. I biri i tyre Ardriani, luajti me Tiranën, më të cilën fitoi pesë tituj kampionë më 1994-1995, 1995-1996, 1966-1997, 1998-1999 dhe 1999-2000, me kombëtaren dhe Partizanin, tashmë ndihmës i teknikut Ilir Daja te Skënderbeu i Korcës. Sulejmani, djali Haxhiut, luajti me Shkëndinë, Tiranën (dy herë kampion 1981-1982 dhe 1984-1985), kombëtaren dhe më pas si trajner drejtoi Tiranën (fitoi dy tituj 1995-1996 dhe 1998-1999). Në një sezon drejtoi Partizanin 2003-2004, me të cilin fitoi kupën e Shqipërisë. Bashkëshortja e tij, Emanuela (Axhani) volejbolliste e shquar e Tiranës dhe ekipit kombëtar. Ledia, vajza e tyre e vogël u shqua shumë si notare. Klevis, një futbollist i talentuar, që pritej të merrte stafetën e “Dinastisë Mema” në fushën e blertë, nipi i Beqirit, veshi fanellat e Shkëndisë, Tiranës e Dajtit, por për fat të keq “fluturimi” i tij drejt majave të futbollit u ndërpre. Para disa kohësh 20-vjecari Klevis Mema u nda papritmas nga jeta.
LEGJENDARI ENDE ME PENSION MINIMAL!!!
Kështu me një pagë të papërfillshme, në gjendje aspak të mirë shëndetsore pa thënë që kohët e fundit vecmas problemeve të mbartura shëndetsore, mori një goditje në zemër, që për fat qe e lehtë. Madje, pas kësaj nuk del fare nga shtëpia. Pra në këtë situat e gjen ky jubile Ali Memën, një ndër futbollistët më të shkëlqyer të vendit tonë. Në prag të festave të fundvitit shumë sportistëve qeveria u akordoi pension të posacëm. Nuk paragjykojmë askënd, por që në mënyrē të padiskutueshme në atë listë duhej të ishte edhe emri i Ali Memës, kjo mendojmë se është absolutisht e vërtet.